HomeKISHUDHËTIMI APOSTOLIK NË ALGJERI, KAMERUN, ANGOLË DHE GUINEA EKUATORIALE

UDHËTIMI APOSTOLIK NË ALGJERI, KAMERUN, ANGOLË DHE GUINEA EKUATORIALE

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita e mirë se erdhët!

Sot dëshiroj të flas për Udhëtimin Apostolik që kam kryer nga data 13 deri më 23 prill, duke vizituar katër vende afrikane: Algjerinë, Kamerunin, Angolën dhe Guinenë Ekuatoriale.

Që në fillim të pontifikatit kam menduar për një udhëtim në Afrikë. E falënderoj Zotin që ma dha mundësinë ta realizoj, si Bari, për të takuar dhe për të inkurajuar popullin e Hyjit; por edhe për ta jetuar si mesazh paqeje në një çast historik të shënuar nga luftëra dhe nga shkelje të rënda e të shpeshta të së drejtës ndërkombëtare. U shpreh edhe “falënderimin” tim më të përzemërt ipeshkvijve dhe autoriteteve civile që më pritën, si dhe të gjithë atyre që bashkëpunuan për organizimin.

Provania deshi që ndalesa e parë të ishte pikërisht vendi ku gjenden vendet e Shën Augustinit, domethënë Algjeria. Kështu u gjenda, nga njëra anë, duke u kthyer te rrënjët e identitetit tim përshpirtëror dhe, nga ana tjetër, duke kaluar e duke përforcuar ura shumë të rëndësishme për botën dhe Kishën e sotme: urën me epokën tejet frytdhënëse të Etërve të Kishës; urën me botën islame; urën me kontinentin afrikan.

Në Algjeri gjeta një pritje jo vetëm plot respekt, por edhe të përzemërt, dhe patëm mundësi ta preknim me dorë e t’ia tregonim botës se është e mundur të jetohet së bashku si vëllezër e motra, edhe me fe të ndryshme, kur e njohim njëri-tjetrin si bij të të njëjtit Atë të mëshirshëm. Për më tepër, ishte rast i volitshëm për t’u vënë në shkollën e Shën Augustinit: me përvojën e jetës së tij, me shkrimet dhe përshpirtërinë e tij, ai është mësues në kërkimin e Hyjit dhe të së vërtetës. Një dëshmi sot më e rëndësishme se kurrë për të krishterët dhe për çdo njeri.

Në tre vendet e tjera që vizitova, popullsia është në shumicë të gjerë e krishterë, prandaj u zhyta në një klimë feste të fesë, mikpritjeje të ngrohtë, të favorizuar edhe nga tiparet karakteristike të popujve afrikanë. Përjetova edhe unë, si paraardhësit e mi, diçka nga ajo që i ndodhte Jezusit me turmat e Galilesë: Ai i shihte të etur dhe të uritur për drejtësi, u shpallte: “Lum skamnorët, lum ata që janë të butë, lum paqebërësit…” dhe, duke njohur fenë e tyre, u thoshte: “Ju jeni kripa e tokës dhe drita e botës” (krh. Mt 5,1-16).

Vizita në Kamerun më dha mundësinë të përforcoj thirrjen për t’u angazhuar së bashku për pajtim dhe paqe, sepse edhe ai vend, fatkeqësisht, është i shënuar nga tensione dhe dhunë. Jam i gëzuar që shkova në Bamenda, në zonën anglofone, ku inkurajova që të punohet së bashku për paqen. Kameruni quhet “Afrika në miniaturë”, duke iu referuar larmisë dhe pasurisë së natyrës e të burimeve të tij, por këtë shprehje mund ta marrim edhe në kuptimin se nevojat e mëdha të krejt kontinentit i gjejmë në Kamerun: nevojën për një shpërndarje të drejtë të pasurive; nevojën për t’u dhënë hapësirë të rinjve, duke kapërcyer korrupsionin endemik; nevojën për të nxitur zhvillimin e tërësishëm dhe të qëndrueshëm, duke kundërshtuar format e ndryshme të neo-kolonializmit me një bashkëpunim ndërkombëtar largpamës. E falënderoj Kishën në Kamerun dhe gjithë popullin kamerunas, që më priti me kaq dashuri, dhe lutem që fryma e unitetit që u shfaq gjatë vizitës sime të mbahet gjallë e të udhëheqë zgjedhjet dhe veprimet e ardhshme.

Ndalesa e tretë e Udhëtimit ishte në Angolë, vend i madh në jug të ekuatorit, me traditë të krishterë shumë shekullore, që lidhet me kolonizimin portugez. Si shumë vende afrikane, pasi arriti pavarësinë, Angola kaloi një periudhë të trazuar, e cila në rastin e saj u përgjak nga një luftë e gjatë e brendshme. Në furrën e kësaj historie Hyji e ka udhëhequr dhe e ka pastruar Kishën, duke e kthyer gjithnjë e më shumë në shërbim të Ungjillit, të përparimit njerëzor, të pajtimit dhe të paqes. Kishë e lirë për një popull të lirë! Në Shenjtëroren mariane të Mamã Muxima – që do të thotë “Nëna e zemrës” – ndjeva të rrihte zemra e popullit angolez. Dhe në takimet e ndryshme vërejta me gëzim shumë rregulltare e shumë rregulltarë të çdo moshe, profeci e Mbretërisë së qiellit në mesin e popullit të tyre; pashë katekistë që i kushtohen tërësisht së mirës së bashkësive; pashë fytyra të moshuarish të gdhendura nga lodhjet e vuajtjet dhe të tejdukshme ndaj gëzimit të Ungjillit; pashë gra e burra që vallëzonin në ritmin e këngëve të lavdit ndaj Zotit të ngjallur, themel i një shprese që u bën ballë qëndron zhgënjimeve të shkaktuara nga ideologjitë dhe premtimet boshe të njerëzve të pushtetshëm.

Kjo shpresë kërkon një angazhim konkret, dhe Kisha ka përgjegjësinë, me dëshminë dhe me shpalljen e guximshme të Fjalës së Hyjit, që të njohë të drejtat e të gjithëve dhe të nxisë respektimin e tyre të vërtetë. Me autoritetet civile angoleze, por edhe me ato të vendeve të tjera, kam mundur të siguroj vullnetin e Kishës Katolike për të vazhduar më tej duke e dhënë këtë kontribut, veçanërisht në fushën shëndetësore dhe arsimore.

Vendi i fundit që vizitova ishte Guinea Ekuatoriale, 170 vjet pas ungjillëzimit të parë. Me urtinë e traditës dhe dritën e Krishtit, populli i Guinesë i ka përshkuar ngjarjet e historisë së vet dhe ditët e fundit, në praninë e Papës, ka ripërtërirë me entuziazëm të madh vullnetin për të ecur i bashkuar drejt një të ardhmeje shprese.

Nuk mund ta harroj atë që ndodhi në burgun e Batës, në Guinenë Ekuatoriale: të burgosurit kënduan me sa zë kishin një këngë falënderimi Hyjit dhe Papës, duke kërkuar të lutesha “për mëkatet e tyre dhe lirinë e tyre”. Kurrë nuk e kisha parë diçka të tillë. Pastaj u lutën me mua “Ati ynë” nën një shi të rrëmbyeshëm. Një shenjë e vërtetë e Mbretërisë së Hyjit! Dhe po nën shi filloi takimi i madh me rininë në stadiumin e Batës. Një festë gëzimi të krishterë, me dëshmi prekëse të të rinjve që kanë gjetur në Ungjill rrugën e një rritjeje të lirë dhe të përgjegjshme. Kjo festë arriti kulmin në kremtimin eukaristik të ditës pasuese, që kurorëzoi denjësisht vizitën në Guinenë Ekuatoriale dhe mbarë Udhëtimin apostolik.

Të dashur vëllezër e motra, vizita e Papës është, për popujt afrikanë, rast për të bërë që të dëgjohet zëri i tyre, për të shprehur gëzimin se janë popull i Hyjit dhe shpresën në një të ardhme më të mirë, me dinjitet për secilin dhe për të gjithë. Jam i lumtur që ua kam dhënë këtë mundësi dhe, në të njëjtën kohë, e falënderoj Zotin për atë që ata më kanë dhuruar mua: një pasuri e paçmueshme për zemrën time dhe për shërbesën time.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme