8.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësTereza e Lisieux dhe revolucioni i madh teologjik
HomeJeta e KishësTereza e Lisieux dhe revolucioni i madh teologjik

Tereza e Lisieux dhe revolucioni i madh teologjik

Mendimi i reflektuar mbi fenë fiton një tonalitet që nuk do të mund ta humbasë kurrë. Murgesha e re nuk ka studiuar kurrë teologji në bankat universitare, por gjithmonë e ka shqyrtuar Fjalën, ajo ishte e magjepsur prej saj dhe vihej në dëgjim. Nuk ka frikë nga natyra e saj njerëzore, aq e brishtë si ajo e çdo personi që me shumë mundim e pranon veten dhe përpiqet të lëvizë në rrafshin e jetës.

Në kohën kur Tereza ishte vajzë dhe më pas murgeshë e re, qarkullonin shumë “figure” të devotshme që synonin të frymëzonin besimtarët, t’i bënin të kuptonin mesazhin ungjillor dhe t’i nxisnin për një jetë që mund ta shpallte konkretisht atë.

Shumë prej tyre janë ruajtur dhe përfytyrimi që nëpërduket si dhe qëndrimi fetar, tipik i kohës, bie qartë në sy për këdo që i vëzhgon ato.

I Tejetlarti, Ati, Hyji krijues, flokëbardhë dhe me mjekër, qëndronte lart mbi retë, duke parë prej aty një peizazh poshtë, në të cilin mund të shihej një ndërtesë që i referohej një manastiri dhe mbi të cilën ai hidhte shikimin e vet.

Ja, deri këtu… edhe mund të shkojë… megjithatë në duart e këtij Ati spikasin rrufetë që po i lëshonte. Ku? Pikërisht mbi manastir.

Kështu shprehej jeta karmelitane: murgeshat ishin rrufepritëse që pranonin të goditeshin nga zemërimi i Hyjit për të shpaguar mëkatet e veta dhe të të tjerëve.

Tereza nuk njihte një Atë që propozohej në këtë mënyrë. Ajo përsiaste dhe e dëgjonte atë. Filloi kështu revolucioni i madh teologjik që do të shënonte jo vetëm ekzistencën e saj si murgeshë, por edhe atë të Kishës dhe të asaj doktrine që ajo la me shkrimet e saj, për të cilat, përveçse për shembullin e saj shembullor të shenjtërisë, ajo u quajt Mësuese e Kishës.

Elisabetta Rasy argumenton se ai i Terezës: “Ishte një zot dhome që iu shfaq asaj që në herët e para të kujtesës, një zot i zbutur dhe i shërbyer në ritualet shtëpiake dhe fshatare, një zot pa terror dhe pa tmerr, pra një zot pa shpresë”.

Mirëpo, në të vërtetë, Zoti që Tereza mori si dhuratë nga prindërit e saj të shenjtë, ishte Ati gjithmonë i gatshëm për të pranuar, gjithmonë i gatshëm për të falur.

Mirëbesimi, siguria e të qenurit i kërkuar dhe i dashur mbizotëronte në dëgjimin e saj kundrejt Hyjit të Mirë:

“Ai më ka dhënë mëshirën e tij të pafundme dhe nëpërmjet saj sodis dhe adhuroj përsosmëritë e tjera hyjnore! Pastaj të gjitha më duken të ndriçuara nga dashuria, madje edhe Drejtësia (dhe ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër) më duket e veshur me dashuri”.

Teologjia, pra mendimi i reflektuar mbi fenë, fiton një tonalitet që nuk do ta humbasë kurrë. Murgesha e re nuk ka studiuar kurrë teologji në bankat universitare, por gjithmonë e ka shqyrtuar Fjalën, ka ngelur e magjepsur prej saj dhe e dëgjonte.

Ajo nuk ka frikë nga natyra e saj njerëzore, aq e brishtë si ajo e çdo njeriu që me shumë mundim e pranon veten dhe përpiqet të lëvizë në rrafshin e jetës. Ajo nuk kaplohet nga tmerri dhe frika, i gjithë regjistri ndryshon:

“Sa e ëmbël të mendosh se Hyji i Mirë është i drejtë, domethënë se ai merr parasysh dobësitë tona, se ai e njeh në mënyrë të përsosur brishtësinë e natyrës sonë. Atëherë nga çfarë duhet të kem frikë? Ah! A nuk duhet të jetë i drejtë ndaj meje që ‘jam gjithmonë me Të’, Hyji pafundësisht i drejtë që denjoi të falë të gjitha gabimet e djalit plangprishës me aq dashamirësi?”.

Ky është konteksti i saktë në të cilin duhet lexuar dhe mbajtur Akti i ofrimit [si fli] ndaj Dashurisë së Mëshirshme. Aty gjejmë gjithashtu një fjalë [viktimë] që mund ta bëjë “viktimën” të hidhet përpjetë dhe të sjellë përsëri imazhin e zymtë të Hyjit hakmarrës.

Flijimi [holokausti] është një parfum i ëmbël, një gjest i dorëzimit me dashuri, jo një akt brutal:

“Ofroj veten time si viktimë holokausti ndaj Dashurisë së mëshirshme të Hyjit të mirë.

Hyj im! Trini e bekuar, dëshiroj të të dua dhe të bëj të të duan, të punoj për lavdërimin e Kishës së Shenjtë, duke shpëtuar shpirtrat që janë në tokë dhe duke liruar ata që janë në purgator. Unë dëshiroj të përmbush në mënyrë të përsosur vullnetin tënd dhe të arrij shkallën e lavdisë që ti ke përgatitur për mua në mbretërinë tënde. Me një fjalë, dëshiroj të jem e shenjtë, por ndjej pafuqinë time dhe të kërkoj ty, o Hyji im, të jesh vetë ti shenjtëria ime. Meqenëse më ke dashur deri në atë pikë sa më ke dhënë Birin tënd të vetëm si shpëtimtarin dhe dhëndrin tim, thesaret e pafundme të meritave të tij më përkasin mua dhe unë t’i ofroj me gëzim, duke t’u përgjëruar të shikosh kah unë vetëm përmes fytyrës së Jezusit dhe në zemrën e tij që digjet nga dashuria”.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme