19.5 C
Tirana
HomeKISH“Të janë falur mëkatet”: seminari i promovuar nga Penitencieria Apostolike
HomeKISH“Të janë falur mëkatet”: seminari i promovuar nga Penitencieria Apostolike

“Të janë falur mëkatet”: seminari i promovuar nga Penitencieria Apostolike

Të premten e kaluar u hap kursi i formimit mbi Rrëfimin, për laikët që dëshirojnë të thellojnë njohuritë dhe kuptimin e tyre për këtë sakrament. Kardinali Piacenza: në një epokë në të cilën mbinatyrorja merret si një fakt subjektiv, rrëfimi duket i padobishëm, por është një mënyrë për ta dashur seriozisht vetveten. Arqipeshkvi Nykiel: Kjo praktikë ndihmon për të reflektuar mbi të mirën që mund të bëhej e nuk është bërë.

“Unë flas drejtpërdrejt me Zotin”; unë kam pasur një përvojë të keqe në të kaluarën”; “prifti është më i keq se unë”; “kam shumë turp të them mëkatet e mia”: këto janë vetëm disa nga objeksionet më të shpeshta që shumë besimtarë ngrenë mbi sakramentin e Rrëfimit. Por janë objeksione të cilave mund t’u përgjigjemi duke favorizuar një përvojë themelore për të krishterin, atë të afërsisë dhe faljes nga ana e Hyjit edhe në momentet më të vështira dhe në rënie. Duke pranuar nevojën për ta bërë më shumë të njohur për laikët këtë sakrament, i njohur edhe si Pajtimi, pasditen e të premtes u zhvillua seminari dyditor i formimit me titull “Të janë falur mëkatet. Kremtimi i sakramentin të Rrëfimit sot”. Ky seminar u promovua nga Penitencieria Apostolike në Pallati i Kancelarisë në Romë.

Kardinali Mauro Piacenza

Piacenza: Rrëfimi, një akt feje, shprese dhe dashurie Përshëndetja dhe lectio magistralis u mbajt nga Kardinali Mauro Piacenza, penitencieri madhor, i cili hapi takimin. Në fjalën e tij, kardinali vuri në pah tre aspekte të ndryshme thelbësore të Rrëfimit, të cilat përkojnë me tre virtytet teologjike. Pika e parë: Rrëfimi është një akt feje në Hyjin. “Nëse rrëfimi sakramental – pohoi kardinali – jetohet si një akt i mirëfilltë feje, nuk do të perceptohet në asnjë mënyrë shqetësimi, duke qenë se, në të, shpirti është i thirrur të qëndrojë në prani të Hyjit, të Krijuesit të vet, të Atij që di gjithçka për ne”. Një akt feje që do të thotë njohje qoftë “e mandatit të Krishtit dhënë Kishës së Tij për të falur mëkatet” qoftë e mëkatit vetjak. Por që do të thotë gjithashtu “braktisje me besim (…) në krahët e Atit”. “E dimë shumë mirë se nuk vini për ne – vazhdoi Piacenza duke iu referuar besimtarëve pendestarë, e dimë se vini aty për Krishtin”, në këtë kuptim, akti i fesë bëhet edhe nga meshtari që sheh dëshminë e fesë së të penduarve. Pa dyshim, vazhdoi penitencieri madhor, Rrëfimi është gjithashtu “një akt i besimit të Hyjit te njeriu, te secili prej nesh. Hyji të zë besë, duke të falur gjithmonë” dhe i zë besë Kishës së tij dhe mbarështuesve të tij, të cilëve u beson grigjën e tij.

Shpresë për një jetë të re dhe amshim

Rrëfimi është edhe një akt shprese. Kardinali e shpjegoi këtë duke thënë se, me të, secili prej nesh shpreson në ndihmën e Zotit dhe se ky sakrament “hap vazhdimisht mendjen dhe zemrën e të penduarit për jetën e re”, por është një akt shprese edhe për jetën e amshuar. “Në një kontekst të shekullarizuar – pohoi ai – në të cilin horizonti i mbinatyrores izolohet në bindje subjektive dhe ku vetëdija për rëndësinë e veprimeve përkatëse ka humbur pothuajse plotësisht, madje edhe në lidhje me hyrjen në jetën e amshuar, nuk habitemi nëse sakramenti i Pajtimit po kalon një moment moskuptimi, madje edhe padobishmërie të dukshme”.

Dashuri ndaj vetvetes dhe ndaj Hyjit

Së fundi, Rrëfimi është një akt dashurie dhe nëse dashuria e Hyjit për njeriun merret si e mirëqenë, është më pak e tillë, pohon Piacenza, kur shohim “dashurinë e njeriut ndaj vetvetes dhe ndaj Hyjit”. Çfarë ka më mirë, vijoi ai, sesa të “lirohesh nga barra e fajit, të shohësh realitetin dhe vetveten me sy të rinj”? Rrëfimi na ndihmon ta “njohim veten, ta duam me të vërtetë veten, ta zotërojmë atë dhe, për rrjedhojë, t’i dhurohemi Hyjit dhe të tjerëve”. E pastaj, tha ai, është edhe një akt dashurie ndaj Hyjit: Rrëfimi është një mënyrë për t’ia treguar Hyjit “dashurinë tonë, dhimbjen tonë për mëkatet, pikërisht duke u kthyer tek Ai”. Përveç kësaj, Rrëfimi ia kthen lavdinë që i takon”. “Le të mendojmë për të gjithë luftërat absurde që mbërthejnë botën – tha Kardinal Piacenza – të mendojmë për prodhuesit e armëve që i ushqejnë ato; të mendojmë për shtypjen e përditshme të mijëra jetëve, madje edhe në barkun e nënave; të mendojmë për orën e kalimit nga shtegtimi tokësor në jetën e amshuar; le të mendojmë për privimin nga ajo që është e nevojshme, madje edhe nga ushqimi, për miliona njerëz në botë; le të mendojmë për shkeljen e pafajësisë së kaq shumë të vegjëlve, etj… A nuk janë këto mëkate që fyejnë Krijuesin?” Rrëfimi, në të vërtetë, është gjithashtu ndreqje. Një aspekt i fundit, theksoi penitencieri madhor, ai i dëshmisë ndaj vëllezërve që kryhet duke shpërfaqur vullnetin vetjak për t’u kthyer pikërisht përmes sakramentit. “Njëmend – përfundoi kardinali – lavdia tokësore e Krishtit përkon me përhapjen e mbretërisë së tij, me zellin që të gjithë ta njohin atë, ta duan dhe ta shërbejnë atë”.

Nykiel: mos të druajmë për t’u zhytur në mëshirën e Hyjit

Në mikrofonin e Vatican News, imzot Krzysztof Nykiel, regjent i penitencierisë Apostolike shpjegoi se cilat nevoja dëshiron të plotësojë kursi, cilat janë pengesat që shpesh i largojnë besimtarët nga rrëfimi dhe çfarë rëndësie ka për jetën e krishterë përvoja personale e mëshirës së Hyjit:

Imzot Krzysztof Nykiel, një seminar mbi Rrëfimin që u drejtohet besimtarëve: cilës nevojë apo dëshirë dëshiron t’i përgjigjet?

Prej disa kohësh, Penitencierisë i kanë mbërritur kërkesa nga besimtarë laikë, shumë prej të cilëve të regjistruar në Universitetet Papnore në Romë, për të ndjekur kursin në forumin e brendshëm që promovohet çdo vit në kohën e Kreshmëve nga Gjykata e mëshirës për priftërinjtë dhe kandidatët afër urdhërimit. Duke marrë parasysh këtë dëshirë për të njohur më mirë sakramentin e Rrëfimit, rëndësinë dhe domosdoshmërinë e tij në jetën e krishterë, u mendua që të promovohej dhe organizohej një aktivitet kushtuar këtij sakramenti. Një sakrament që Ati i Shenjtë Françesku e a përkufizuar si sakramentin e gëzimit, sepse realizon takimin me Hyjin që na do dhe na fal gjithmonë, sa herë që ia kërkojmë me zemër të sinqertë dhe të penduar. Kjo është origjina dhe qëllimi i këtij seminari mbi Rrëfimin, i cili iu drejtohet të gjithë besimtarëve dhe veçanërisht laikëve, të cilët normalisht kanë më pak mundësi formimi në këtë fushë: që sakramenti të njihet dhe, rrjedhimisht, të vlerësohet dhe jetohet pa frikë, por me fe të sinqertë dhe me entuziazmin që vjen nga vetëdija se Hyji nuk lodhet duke na falë, siç pohon Papa Françesku.

Shpesh shohim se rrëfyestoret qëndrojnë bosh, cilat janë pengesat kryesore që hasin besimtarët në qasjen këtij sakramenti?

Frika se nuk gjejnë falje, e cila rrjedh nga besimi i pakët në dashurinë e mëshirshme të Hyjit; shqetësimi se nuk kuptohen; turpi dhe frika për t’ia treguar një njeriu tjetër situatat më delikate ose mëkatet vetjake; përvojat e mëparshme negative të bëra në rrëfime të tjera; apo edhe kur personi nuk ndihet mëkatar dhe për rrjedhojë nuk e ndjen aspak nevojën për t’u rrëfyer. Besoj se këto janë problemet më të zakonshme që i mbajnë besimtarët larg rrëfimit.

Nëse një besimtar do t’ju kërkonte këshilla për të bërë një rrëfim të mirë, çfarë do t’i thonit?

Për t’u rrëfyer mirë, para së gjithash personi duhet të vihet në praninë e Zotit, ta ndiejë së brendshmi dëshirën për t’i kërkuar falje dhe për t’u pajtuar me të. Bëhet fjalë për atë qëndrim që ne e quajmë thërrmim i zemrës [pendim], domethënë «dhimbja e shpirtit dhe vetëqortimi për mëkatin e kryer, të shoqëruara nga zotimi për të mos mëkatuar më në të ardhmen» (KKK, 1451). Pastaj t’i lutemi Shpirtit Shenjt që të na ndriçojë dhe të na frymëzojë në shqyrtimin e jetës dhe njohjen e mëkateve tona, ndoshta me ndihmën e një rrëmini të mirë të ndërgjegjes. Ky rrëmim mund të bëhet nën dritën e Fjalës së Hyjit duke pyetur veten se çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në hierarkinë e vlerave vetjake, nëse Hyji është në vendin e parë në jetën time; praktikisht duke reflektuar mbi dy urdhërimet e dashurisë për Hyjin dhe të afërmin, besoj se mund të bëjmë një rrëmim të bukur të ndërgjegjes. Pas kësaj përgatitjeje, t’i afrohemi Rrëfimit dhe t’ia tregojmë meshtarit të gjitha mëkatet e rënda që nuk i kemi rrëfyer më parë. E përqendrojmë vëmendjen jo vetëm mbi të keqen e kryer, por edhe mbi të gjitha ato raste në të cilat mund të kishim bërë mirë dhe nuk e kemi bërë. Le të kujtohemi gjithmonë për t’ia hapur zemrën rrëfyestarit me të vërtetën dhe transparencën më të madhe, sepse në atë moment nuk po flasim me atë person të caktuar, por me vetë Jezusin! Më në fund, rrëfyestari ia zgjidh mëkatet të penduarit dhe i cakton atij një pendesë: jo një ndëshkim, por një formë dëmshpërblimi për të keqen e shkaktuar nga mëkatet.

A janë ende të pranishme tek gratë dhe burrat e sotëm vështrimi mbi mëkatet vetjake, besimi dhe nevoja për mëshirën e Hyjit?

Sigurisht që vërehet një krizë vlerash në shoqërinë tonë bashkëkohore, por para së gjithash bëhet fjalë për një krizë feje. Për sa i përket nevojës për mëshirën e Hyjit, besoj se çdo qenie njerëzore ka nevojë të ndihet e dashur. Njeriu e përjeton plotësinë e kësaj dashurie duke takuar Hyjin që është mëshirë. Prandaj, përvoja e mëshirës në jetën e një të krishteri është thelbësore. Njeriu nuk mund të jetë vërtet i krishterë pa përjetuar dashurinë e Hyjit të mëshirshëm. Njëmend, krishterimi nuk është një tërësi doktrinash, një filozofi jete ose një listë rregulloresh morale, por është takimi me një person, Jezu Krishtin, të cilin e njeh si Zot dhe Zotërues të jetës së vet. Nëse ky takim nuk ndodh, nëse në jetën tonë nuk e kemi përjetuar të paktën një herë praninë e Hyjit që na takon dhe na ngre prej dështimeve të veta, na shpëton nga mjerimet tona, nga dobësitë tona, në të vërtetë ne mbetemi në sipërfaqe, në një nivel thjesht abstrakt dhe teorik të jetës së fesë. Takimi me mëshirën hyjnore ndodh në mënyrë sakramentale sa herë që rrëfehemi. Të gjitha sakramentet favorizojnë dhe realizojnë takimin personal me Krishtin, por besoj se, veçanërisht në kremtimin e sakramentit të Pajtimit, mund ta përjetojmë se Hyji është mëshirë e pafund, që nuk na lë kurrë vetëm, edhe në netët më të zymta të jetës sonë. Nga këtu mund të nisemi për t’u bërë edhe ne njerëz të mëshirës: mos të druajmë për t’u hedhur ndër krahët e mëshirës së Hyjit në sakramentin e Rrëfimit!

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme