8.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësSinodi në dëgjim të besimtarëve, ja Dokumenti për të ndërmarrë hapat e...
HomeJeta e KishësSinodi në dëgjim të besimtarëve, ja Dokumenti për të ndërmarrë hapat e...

Sinodi në dëgjim të besimtarëve, ja Dokumenti për të ndërmarrë hapat e parë

Sekretariati i Përgjithshëm shpërndan tekstin përgatitor dhe Vademekumin [doracak] për të orientuar rrugëtimin e Sinodit kushtuar “Sinodalitetit”, i cili do të hapet më 9-10 tetor në Romë dhe më 17 tetor në Kishat vendore, për të përfunduar më pas në Vatikan në vitin 2023.

Të dëgjojmë, ”pa paragjykime”. Të marrim fjalën, “me guxim dhe parrezi [termi παρρησία-parresía përmbledh shumë aspekte: thjeshtësi e çiltër, besim birnor, siguri e gëzueshme, guxim i përvujtë, siguri se jemi të dashur (krh. Katekizmi i Kishës Katolike n. 2778): shënim i përkthyesit]”. Të dialogojmë me Kishën, shoqërinë dhe rrëfimet e tjera të krishtera. Sekretariati i Përgjithshëm i Sinodit publikon Dokumentin përgatitor dhe Vademekumin për të parashtruar udhëzimet mbi të cilat do të orientohet rrugëtimi i Sinodit mbi Sinodalitetin, i cili do të hapet solemnisht më 9-10 tetor në Romë dhe më 17 tetor në Kishat vendore, për të përfunduar më pas me takimin e ipeshkvijve të botës në Vatikan, në vitin 2023.

Vademekumi, një “manual” për Kishat vendore

Dokumenti synon mbi të gjitha që të jetë një mjet për të inkurajuar fazën e parë të dëgjimit dhe konsultimit të Popullit të Hyjit në Kishat vendore, e cila, nga tetori i 2021-shit, do të përfundojë në prill të 2022-shit: “Një lloj kantieri ose përvoje pilot”. Ndërsa Vademekumi është konceptuar si një “manual” që ofron “mbështetje praktike” për referentët dioqezanë, për të përgatitur dhe ribashkuar populli e Hyjit. Ai përmban burime liturgjike dhe biblike dhe lutje online, si dhe shembuj të ushtrimeve të fundit sinodalë dhe një glosar termash për procesin sinodal. “Jo një libër rregullash”, specifikohet aty, por “një udhëzues për të mbështetur përpjekjet e çdo Kishe vendore”, duke marrë parasysh kulturat dhe kontekstet, burimet dhe lidhjet.

“Ecja së bashku” si një Kishë sinodale

Në bazë të dy botimeve të Sekretariatit të Sinodit gjendet një pyetje themelore:

“Si realizohet, sot, në nivele të ndryshme (nga ai vendor tek ai universal) kjo “ecje së bashku” që ia mundëson Kishës të kumtojë Ungjillin, në përputhje me misionin që i është besuar; dhe çfarë hapash na fton Shpirti që të ndërmarrim për t’u rritur si një Kishë sinodale?”

Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje, tregohen hapa konkretë. Para së gjithash, të jetohet “një proces kishtar pjesëmarrës dhe përfshirës”, i cili u ofron të gjithëve – veçanërisht atyre që janë anash – “mundësinë për t’u shprehur dhe për t’u dëgjuar”; atëherë “të njihet dhe të vlerësohet pasuria dhe larmia e dhuratave dhe karizmave” dhe “të shqyrtohet sesi jetohen në Kishë përgjegjësia dhe pushteti dhe strukturat të cilat mbarështohen”, duke nxjerrë në dukje “paragjykime dhe praktika të shtrembëruara që nuk janë të rrënjosura në Ungjill”. Përsëri, kërkohet që “të akreditohet bashkësia e krishterë si subjekt i besueshëm dhe partner i besueshëm” në rrugëtimet e dialogut, pajtimit, përfshirjes, pjesëmarrjes. E gjithashtu aty ndeshim nxitjen për të “rigjallëruar marrëdhëniet” midis të krishterëve, me përfaqësuesit e rrëfimet e tjera, me organizatat e shoqërisë civile dhe lëvizjet popullore.

Kriza, pandemia, abuzimet

Prandaj, bëhet fjalë për hapa konkretë të cilët ndodhin në një kontekst historik “të shënuar me ndryshime epokale”, duke filluar me “tragjedinë globale” të Covid-it, e cila bëri që të “shpërthejnë” pabarazitë tashmë ekzistuese, por edhe në një kontekst në të cilin Kisha duhet të përballet, në brendësinë e saj, me mungesën e fesë, të korrupsionit dhe, mbi të gjitha, “me vuajtjet e përjetuara nga të miturit dhe personat e cenueshëm për shkak të abuzimeve seksuale, të pushtetit dhe ndërgjegjes” të kryera nga kleri.

Pikërisht në këto “brazda të përftuara nga vuajtjet e çdo lloji”, prapëseprapë, lulëzojnë “gjuhët e reja të fesë” dhe “shtigjet e reja”, për të rithemeluar “rrugëtimin e jetës së krishterë dhe kishtare”. Për Sekretariatin e Sinodit “është një shpresë e madhe që jo pak Kisha tashmë kanë filluar takimet dhe proceset e konsultimit të Popullit të Hyjit”. Përmenden aty rastet e Amerikës Latine, Karaibeve, Australisë, Gjermanisë dhe Irlandës dhe sinodet e tjera dioqezane në mbarë botën: të gjitha raste këto për të ofruar hapësira për pjesëmarrje dhe vlerësim të laikëve, veçanërisht të grave dhe të rinjve, siç u kërkua në Sinodet e mëparshme.

Besimtarët laikë, protagonistë aktivë të ungjillëzimit

Në lidhje me laikët, dokumenti përsërit se të gjithë të pagëzuarit janë “protagonistë aktivë të ungjillëzimit”, prandaj është thelbësore që në rrugëtimin sinodal barinjtë “të mos kenë frikë të vihen në dëgjim të grigjës që u është besuar atyre”: “Konsultimi i popullit të Hyjit nuk bashkëmbart marrjen brenda Kishës të dinamizmave të demokracisë të përqendruar në parimin e shumicës, sepse në bazë të pjesëmarrjes në çdo proces sinodal ekziston zelli i bashkëndarë për misionin e përbashkët të ungjillëzimit dhe jo përfaqësimi i interesave konfliktuale”. Për më tepër, në një Kishë sinodale, secili “ka diçka për të mësuar”: besimtarët, kleri, vetë Ipeshkvi i Romës. Dhe një Kishë sinodale është gjithashtu “një shenjë profetike veçanërisht për një bashkësi kombesh që është e paaftë për të propozuar një projekt të përbashkët, përmes të cilit të ndiqet e mira e të gjithëve”.

Pyetje për Kishat vendore

Më konkretisht, teksti përgatitor parashtron pyetjet për të udhëhequr konsultimin e Popullit të Hyjit. Të gjitha duke filluar nga një pyetje themelore:

«Si realizohet, sot, “ecja së bashku” në Kishën tuaj vendore?»

Ftesa është për të kuptuar se çfarë përvojash janë zhvilluar në dioqezën përkatëse në këtë drejtim; çfarë gëzimesh, vështirësish madje edhe plagësh kanë shkaktuar ato; cilat janë perspektivat për ndryshim dhe hapat që duhen ndërmarrë. Në rileximin e përvojave, është e nevojshme të merren parasysh marrëdhëniet e brendshme në Kishat vendore midis barinjve, famullive, bashkësive, por edhe midis ipeshkvijve (mes tyre dhe me Papën), me organizmat e ndërmjetëm dhe më pas edhe integrimi i formave të ndryshme të jetës rregulltare dhe të kushtuar, të shoqatave dhe lëvizjeve laike, të institucioneve të llojeve të ndryshme (shkolla, spitale, universitete, themelime, ente të bamirësisë). Marrëdhëniet dhe nismat e mundshme të përbashkëta me fetë e tjera, me njerëzit larg fesë, me botën e politikës, kulturës, financave, punës, sindikatave, pakicave duhet të merren gjithashtu parasysh.

Sinodaliteti “i jetuar”

Së fundi, dokumenti përgatitor ilustron dhjetë bërthama tematike për të artikuluar “sinodalitetin e jetuar”. Ato duhet të thellohen për të pasuruar më tej konsultimin.

Shokët e udhëtimit: domethënë, të reflektojmë mbi faktin se kush është pjesë e asaj që ne e quajmë “Kisha jonë”, si dhe cilët janë “shokët” jashtë perimetrit kishtar ose të lënë anash.

Dëgjimi: i të rinjve, i grave, i të kushtuarve, i të skartuarve, i të përjashtuarve.

Marrja e fjalës: të mendojmë, pra, nëse brenda bashkësisë dhe organizmave të saj nxitet “një stil komunikimi i lirë dhe autentik, pa dyfaqësi dhe oportunizëm”.

Kremtimi: për të vlerësuar se në cilën mënyrë lutja dhe liturgjia frymëzojnë dhe orientojnë konkretisht “ecjen së bashku” dhe si nxitet pjesëmarrja aktive e besimtarëve.

Bashkëpërgjegjësia në mision: një reflektim, domethënë, mbi mënyrën se si bashkësia mbështet anëtarët e saj të angazhuar në një shërbim, për shembull, në promovimin e drejtësisë sociale, e të drejtave të njeriut, e shtëpisë së përbashkët).

Dialogu në Kishë dhe në shoqëri: të mendohen sërish vendet dhe mënyrat e dialogut në Kishat vendore, me dioqezat fqinje, me bashkësitë rregulltare dhe lëvizjet, me institucionet, me ata që nuk besojnë, me të varfrit.

Me rrëfimet e tjera të krishtera: çfarë marrëdhëniesh mbahen me rrëfimet e tjera të krishtera, cilat janë frytet, cilat janë vështirësitë.

Autoriteti dhe pjesëmarrja: duke pyetur veten se si ushtrohet autoriteti në Kishën vendore, cilat janë praktikat e punës në grup, si promovohen shërbesat laikale.

Dallimi dhe vendimi: hulumtimi se mbi cilat procedura dhe metoda merren vendimet; si artikulohet procesi i vendim-making me vendim-taking dhe cilat mjete promovohen për transparencë dhe llogaridhënie (accountability).

Formimi për sinodalitet: në thelb, një vështrim mbi formimin që u ofrohet atyre që mbajnë rolet dhe përgjegjësitë në bashkësinë e krishterë, për t’i bërë ata më të aftë të dëgjojnë njëri-tjetrin dhe të dialogojnë.

Jo dokumente, por profeci

Sekretariati i Sinodit kërkon që frytet e reflektimeve të përmblidhen në një maksimum prej dhjetë faqesh, nëse është e nevojshme duke i thelluar ato me tekste të tjera mbështetëse. Qëllimi “nuk është të prodhojmë dokumente”, por të bëjmë që të lulëzojnë ëndrrat, profecitë dhe shpresat.

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme