13.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësSinodi, letër priftërinjve: qoftë Kisha një shtëpi mikpritëse
HomeJeta e KishësSinodi, letër priftërinjve: qoftë Kisha një shtëpi mikpritëse

Sinodi, letër priftërinjve: qoftë Kisha një shtëpi mikpritëse

Një shtëpi mikpritëse, me dyer të hapura, e banuar nga Zoti dhe e gjallëruar nga marrëdhënie vëllazërore: është fytyra e vërtetë e Kishës që Papa propozon të tregojë përmes procesit sinodal. Sekretari i përgjithshëm i Sinodit të Ipeshkvijve, Kardinali Mario Grech dhe prefekti i Kongregatës për Klerikën, Imzot Lazzaro You Heung Sik, e kujtojnë këtë në një letër drejtuar të gjithë priftërinjve të botës.

Letra

Të dashur meshtarë,

Ja ku jemi, dy vëllezër tuaj, meshtarë edhe ne! A mund t’ju kërkojmë pak kohë? Do të dëshironim t’ju flisnim për një argument që na prek të gjithëve.

«Kisha e Hyjit është thirrur në Sinod». Dokumenti Përgatitor i Sinodit 2021-2023 fillon me këto fjalë. Për dy vjet, mbarë Populli i Hyjit është i ftuar të reflektojë mbi temën “Për një Kishë sinodale: bashkim, pjesëmarrje dhe mision”. Bëhet fjalë për një risi që mund të zgjojë entuziazëm, por edhe ndërdymje.

E megjithatë, «në mijëvjeçarin e parë», “ecja së bashku”, d.m.th. praktikimi i sinodalitetit, ka qenë mënyra e zakonshme e veprimit të Kishës». Koncili II i Vatikanit e nxori sërish në dritë këtë përmasë të jetës kishtare, aq e rëndësishme saqë shën Gjon Gojarti mundi të pohonte: «Kisha dhe Sinodi janë sinonime» (Explicatio in Psalmum 149).

Ne e dimë se bota e sotme ka një nevojë urgjente për vëllazëri. Pa e kuptuar, ajo dëshiron fort ta takojë Jezusin. Mirëpo, si mund të bëjmë që ky takim të ndodhë? Ne kemi nevojë t’i vëmë veshin Shpirtit Shenjt së bashku me mbarë Popullin e Hyjit, në mënyrë që ta ripërtërijmë fenë tonë dhe të gjejmë mënyra dhe gjuhë të reja për të bashkëndarë Ungjillin me vëllezërit dhe motrat tona. Procesi sinodal që na parashtron Papa Françesku ka pikërisht këtë objektiv: të vihemi në ecje, së bashku, duke dëgjuar njëri-tjetrin, duke ndarë së bashku ide dhe projekte, në mënyrë që të shihet fytyra e vërtetë e Kishës: një “shtëpi” mikpritëse, me dyer të hapura, e banuar nga Zoti dhe e gjallëruar nga marrëdhëniet vëllazërore.

Për të mos rënë në rreziqet që Papa Françesku ka vënë në dukje – d.m.th. formalizmi që e redukton Sinodin në një slogan bosh, intelektualizmi, i cili e bën Sinodin një reflektim teorik mbi problemet dhe pandryshueshmëria, që na gozhdon në sigurinë e dokeve tona në mënyrë që asgjë të mos ndryshojë – është e rëndësishme të hapim zemrën dhe të vihemi në dëgjim të asaj çka Shpirti u këshillon Kishave (krh. Zb 2,7).

Natyrisht, përballë kësaj ecjeje, mund të na kapin disa frikëra.

Para së gjithash, ne jemi të vetëdijshëm fare mirë se meshtarët në shumë vende të botës tashmë janë duke mbartur një ngarkesë të madhe baritore. Dhe tani – mund të duket – shtohet një tjetër gjë “për të bërë”. Më tepër sesa t’ju ftojmë për të shumuar veprimtaritë tuaja, ne dëshirojmë t’ju inkurajojmë të shikoni bashkësitë tuaja me atë vështrim soditës për të cilin Papa Françesku na flet në Evangelii gaudium (n. 71) në mënyrë që të zbuloni shembujt e shumtë të pjesëmarrjes dhe bashkëndarjes që tashmë po mbijnë në bashkësitë tuaja. Njëmend, faza e tanishme dioqezane e procesit sinodal synon “të mbledhë pasurinë e përvojave të jetuara të sinodalitetit” (Dok. Përg., 31). Jemi të sigurt se ka shumë më tepër sesa mund të duken në pamje të parë, ndoshta edhe joformale e spontane. Kudo ku ka një dëgjim të thellë, ku merret mësim nga njëri-tjetri, ku vlerësohen dhuntitë e të tjerëve, ku gjendet ndihmë dhe merren vendime së bashku, tashmë ekziston sinodaliteti në veprim. E gjithë kjo duhet marrë parasysh dhe vlerësuar, për të zhvilluar gjithnjë e më shumë atë stil sinodal që është «modus vivendi et operandi specifik i Kishës, Popull i Hyjit» (Dok. Përg., 10).

Por mund të ketë edhe një frikë tjetër: çfarë do të bëhet me rolin tonë si udhëheqës dhe me identitetin tonë specifik si shërbëtorë të urdhëruar nëse priftëria e përbashkët e të pagëzuarve dhe sensus fidei i Popullit të Hyjit theksohen shumë? Pa dyshim, bëhet fjalë për të zbuluar gjithnjë e më shumë barazinë themelore të të gjithë të pagëzuarve dhe për të nxitur të gjithë besimtarët që të marrin pjesë në mënyrë vepruese në ecjen dhe misionin e Kishës. Në këtë mënyrë do të gjejmë gëzimin e të qenurit përkrah vëllezërve dhe motrave që bashkëndajnë me ne përgjegjësinë për ungjillëzimin. Por në këtë përvojë të Popullit të Hyjit, karizma e posaçme e shërbëtorëve të urdhëruar për të shërbyer, shenjtëruar dhe gjallëruar Popullin e Hyjit mund dhe duhet gjithashtu të dalë në pah në një mënyrë të re.

Në këtë kuptim dëshirojmë t’ju lusim që të jepni një kontribut të trefishtë në procesin aktual sinodal:

– Të bëhet çmos që ecja të mbështetet në dëgjimin dhe jetën e Fjalës së Hyjit. Papa Françesku na këshilloi së fundmi kështu: «të jepemi me pasion pas Shkrimit Shenjt, të lejojmë që të rrëmohemi përbrenda nga Fjala, që zbulon risinë e Hyjit dhe na bën t’i duam të tjerët pa u lodhur» (Françesku, Predikimi të Dielën e Fjalës së Hyjit, 23 janar 2022).

Pa këtë rrënjosje në jetën e Fjalës, ne rrezikojmë të ecim në errësirë ​​dhe reflektimet tona të shndërrohen në ideologji. Ndërsa duke u mbështetur në zbatimin e Fjalës, ne do ta ndërtojmë shtëpinë mbi shkëmb (krh. Mt 7,24-27) dhe do të jemi në gjendje të përjetojmë, si dishepujt e Emausit, dritën dhe udhëheqjen befasuese të të Ngjallurit.

– Të punohet me qëllim që ecja të shquhet për nga dëgjimi dhe pranimi i ndërsjellët. Dialogu i thellë dhe takimi i vërtetë, ende para rezultateve konkrete, janë tashmë një vlerë. Njëmend, në bashkësitë tona ka shumë nisma dhe potenciale, por shpeshherë individë dhe grupe rrezikojnë të bien në individualizëm dhe vetëreferencë. Jezusi na kujton me urdhërimin e tij të ri se «nëse e doni njëri tjetrin, të gjithë do t’ju njohin se jeni nxënësit e mi» (Gjn 13,35). Si barinj ne mund të bëjmë shumë që dashuria t’i shërojë marrëdhëniet dhe ndarjet që shpesh prekin edhe përbërjen kishtare, në mënyrë që të kthehet gëzimi i ndjenjës se jemi një familje e vetme, një popull i vetëm në ecje, bij të të njëjtit Atë dhe për rrjedhojë vëllezër mes nesh, duke filluar nga vëllazëria mes ne priftërinjve.

– Të kihet kujdes që ecja të mos na çojë drejt mbylljen në vetevte, por të na stimulojë që t’u dalim të gjithëve në takim. Papa Françesku, në Evangelii Gaudium, na ka dorëzuar ëndrrën e një Kishe që nuk ka frikë të ndyjë duart duke u përfshirë në plagët e njerëzimit, një Kishë që ecën në dëgjim dhe në shërbim të të varfërve dhe periferive. Ky dinamizëm “në dalje” ndaj vëllezërve, me busullën e Fjalës dhe zjarrin e dashurisë, realizon planin e madh zanafillor të Atit: «që të gjithë të jenë një» (Gjn 17,21). Në Enciklikën e tij të fundit “Të gjithë vëllezër”, Papa Françesku na kërkon të angazhohemi për këtë së bashku me vëllezërit dhe motrat tona të Kishave të tjera, me besimtarët e feve të tjera dhe të gjithë njerëzit vullnetmirë: vëllazëria universale dhe dashuria pa përjashtime, që duhet të përqafojë gjithçka dhe të gjithë. Si shërbëtorë të Popullit të Hyjit, ne jemi në një pozicion të privilegjuar për të bërë që kjo gjë të mos mbetet një orientim i paqartë dhe i përgjithshëm, por të konkretizohet aty ku jetojmë.

Të nderuar vëllezër meshtarë, jemi të sigurt se duke u nisur nga këto prioritete do të gjeni mënyrën për t’i dhënë jetë nismave specifike, sipas nevojave dhe mundësive, sepse sinodaliteti është me të vërtetë thirrja e Hyjit për Kishën e mijëvjeçarit të tretë. Ecja në këtë drejtim nuk do të jetë pa pikëpyetje, mundime dhe ankthe, por mund të kemi besim se do të na kthehet njëqindfishi në vëllazëri dhe në frytet e jetës ungjillore. Mjafton të mendoni për Sinodin e parë të Jerusalemit (krh. Vap 15). Kush e di se sa orvatje ka pasur në prapaskenë! Por ne e dimë se sa vendimtar ishte ai moment për Kishën e sapolindur.

Këtë letër tonën e mbyllim me dy pasazhe nga Dokumenti Përgatitor të cilat mund të na frymëzojnë dhe shoqërojnë pothuajse si një Vademecum.

«Aftësia për të imagjinuar një të ardhme të ndryshme për Kishën dhe për institucionet e saj në lartësinë e misionit të marrë, varet në pjesën më të madhe nga zgjedhja për të filluar procese dëgjimi, dialogu dhe shoshitjeje bashkësiore, te të cilat të gjithë dhe secili mund të marrë pjesë dhe të kontribuojë» (nr. 9).

«Kujtojmë se qëllimi i Sinodit dhe i këtij konsultimi nuk është të prodhojë dokumente, por “të bëjë që të mbijnë ëndrrat, të ngallisin profecitë dhe vegimet, të lulëzojnë shpresat, të stimulohet besimi, të lidhen plagët, të thuren marrëdhënie, të ringjallet një agim shprese, të mësohet nga njëri-tjetri dhe të krijohet një përfytyrim pozitiv që ndriçon mendjet, ngroh zemrat, iu kthen forcën duarve» (nr. 32).

Duke ju falënderuar për vëmendjen tuaj, ju sigurojmë lutjet tona dhe ju urojmë juve dhe bashkësive tuaja një ecje sinodale të gëzuar dhe të frytshme. Na keni afër dhe në ecje bashkë me ju! Pranoni, nëpërmjet nesh, edhe mirënjohjen e Papa Françeskut që ju ndjen shumë afër.

Duke ia besuar secilin prej jush të Lumes Virgjërës Mari të Udhës së Mirë, ju përshëndesim përzemërsisht në Zotin Jezus.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme