Nën këtë nxitje dhe horizont, Kisha Katolike, duke filluar nga viti 2021, nisi ecjen sinodale. Ishte pikërisht kjo ecje kryefjala e aktivitetit kishtar të dy viteve të fundit, ecje e cila u kërkua me ngulm nga Papa Françesku dhe u përqafua pa hezitim nga të gjitha kishat lokale, duke përfshirë pothuajse çdo bashkësi katolike në mbarë botën. E ideuar në mënyrë të tillë, ku çdo i krishterë të mund të thoshte fjalën e tij, kjo ecje e përbashkët (referuar edhe zanafillës së termit sinod) përmbante disa etapa, që përkonin plotësisht edhe me strukturën hierarkike kishtare, strukturë e cila në natyrë të ekzistencës së saj nuk bazohet në një qasje piramidale, por përbashkuese, dhe gjen themelin e vet në meshtarinë pagëzimore.
Duke kaluar realitetet bazike, si famullitë dhe dioqezat, secila konferencë ipeshkvore bëri paraqitjen e saj dhe dorëzoi në takimin e Pragës frytin e punës në nivel kombëtar. Ky takim u pasua nga instrumentum laboris-i, apo dokumenti i punës, që në vetvete është baza mbi të cilin etërit sinodalë do të zhvillojnë punimet. Sinodi i ipeshkvijve i këtij tetori është njëri prej dy momenteve kyçe të kësaj ecjeje. I themeluar nga Papa Pali VI më 1965 si strukturë e përhershme në kurien romake, sinodi i ipeshkvijve është i përbërë nga përfaqësues të episkopatit katolik dhe ka si qëllim të ndihmojë papën në udhëheqjen e kishës universale. Në këtë optikë, sinodi i ardhshëm do të ketë risitë dhe të veçantat e tij. Risia e parë ka të bëjë pikërisht me përbërjen e tij. Edhe pse mbetet një sinod ipeshkvijsh, pjesëmarrja e grave në të do të jetë mjaft e madhe: rreth 84 gra, nga të cilat 54 me të drejtë vote.
Duke respektuar e garantuar universalitetin e Kishës, secila kishë lokale në nivel konference do të ketë përfaqësuesin e vet. Kësisoj, Kisha Katolike në Shqipëri do të përfaqësohet në sinod në personin e Sh.T. Imzot Arjan Dodaj, arqipeshkëv i Tiranë-Durrësit. Një tjetër ndihmë e madhe në punimet e sinodit do të jenë edhe grupet e ndryshme të ekspertëve. Përveç krerëve të dikasterëve, të të ftuarve dhe të pjesëtarëve të zakonshëm të sekretarisë, një rol shumë të veçantë do të luajnë edhe pjesëtarët e emëruar drejtëpërdrejt nga Ati i Shenjtë. Pikërisht në këtë grup do të marrë pjesë si i emëruar drejtëpërdrejt nga Papa Françesku edhe Sh.T. Imzot Gjergj Meta, ipeshkëv i Rrëshenit. Një numër i madh teologësh dhe specialistësh, në cilësinë e të ftuarve të veçantë, do të pasurojnë këtë eveniment me ndërhyrjet e tyre.
Teologë të njohur, si S. Dianich, H. Legrand, D. Vitali, apo edhe T. Schwartz pritet të shpalosin qëndrimet dhe pikëpamjet e tyre në lidhje me sinodalitetin dhe aplikimin praktik të tij. Sinodi i tetorit zhvillohet në kuadrin e sinodeve të zakonshme, duke kërkuar të japë indikacione, nën frymëzimin e Shpirtit të Shenjtë, për kontekstin në të cilin Kisha Katolike zhvillon misionin e saj.
Pritet me mjaft interes mënyra se si ky sinod në veçanti e pastaj Kisha në përgjithësi do të arrijë të ndërthurë në mënyrë harmonike qasjet e kishave të ndryshme lokale, për të propozuar pastaj sugjerime të karakterit universal me vlerë magjisteriale, dhe jo vetëm.
Dom Mark Pashkja Zëdhënës i KISH