6.5 C
Tirana
HomeKryesorSinodi. Çfarë pritet të ndodhë në Kishë?
KryesorSinodi. Çfarë pritet të ndodhë në Kishë?

Sinodi. Çfarë pritet të ndodhë në Kishë?

Dom Mark Pashkja
Zëdhënës i KISH

Sytë e të gjithë Kishës janë nga Roma. Interesi për atë çfarë do të prodhojnë punimet e sinodit është i madh. Po ashtu, edhe interesi mediatik duket jo i vogël. Shumë janë të shqetësuar se çfarë do të sjellë kjo ngjarje e Kishës Katolike. Cili do të jetë qëndrimi për fenomene të ndryshme, apo edhe për tema delikate të magjisterit? A do të kemi vazhdimësi të traditës? Fantazia dhe leximi ideologjik i përgjigjes së Papës ndaj pyetjeve të grupit të 5 kardinalëve është tregues i një interesi mediatik sipërfaqësor më shumë se thelbësor. Po çfarë është vërtet e rëndësishme në këtë sinod?

Duhet thënë se sinodi që ka filluar, është i pari që kremtohet sipas kushtetutës Episcopali communio, firmosurnga Papa Françesku më 15 shtator 2018. Në ndryshim nga herët e tjera, ky sinod nuk është më një ngjarje e veçuar, por një proces i nisur më herët, që më 10 tetor 2021. Është sesioni i parë i këtij procesi, i cili do të përmbyllet vitin që vjen, në tetor të vitit 2024. Për herë të parë kemi pjesëmarrjen me të drejtë vote të 70 personave joipeshkvij dhe të 50 ekspertëve, teologë të ndryshëm. Në këtë optikë, kemi të bëjmë me një risi në kuptimin e plotë të fjalës.

Në në këtë sinod do të kemi një rimarrje të plotë të ekleziologjisë së Koncilit të Dytë, duke rikthyer praktikën tipike të sinodeve të mijëvjeçarit të parë, praktikë e cila lejon që të gjithë individët në Kishë të jenë pjesëmarrës dhe, për rrjedhojë, e gjithë Kisha të jetë pjesëmarrëse, pa përjashtim.

Në fakt, siç e dimë, faza e parë i është kushtuar dëgjimit të popullit të Zotit. Kjo pjesëmarrje është demostrim i asaj çka përfaqëson në vetvete populli i Zotit. Këtu qëndron edhe revolucioni i vërtetë i Koncilit, i cili nxjerr në fillim ngjashmëritë e më pas ndryshimet, dinjitetin e të pagëzuarve para funksioneve hirarkike; d.m.th., se para se të jemi diakonë, meshtarë apo ipeshkvij, thirrja themelore është ajo e të qenit bij të Zotit, pra, një primat pagëzimor, themelor dhe ekzistencial për jetën e krishterë. Në këtë mënyrë, me anë të Koncilit të Dytë, populli i Zotit “kthehet” të luajë një rol aktiv e të jetë një subjekt aktiv në jetën e Kishës. Në këtë mënyrë, ky sinod do të përpiqet të aktualizojë lidhjen ndërmjet sensum fidelium (sensit të besimtarëve) dhe të ushtrimit të magjisterit. Kështu, funksioni i magjisterit të ipeshkvit është në marrëdhënie të ngushtë me atë të popullit të Zotit.

Parësore si në çdo akt shqyrtimi edhe në këtë sinod,  mbetet primati i Shpirtit të Shenjtë dhe dëgjimi i tij. Nëse Shpirti i Shenjtë jepet në pagëzim, akti i parë i dëgjimit të Shpirtit është dëgjimi i popullit të Zotit. Në fakt, i gjithë procesi sinodal është një akt dëgjimi i Shpirtit, me anë të konsultimit të popullit dhe të shqyrtimit të barinjve. I njëjti Shpirt që udhëheq barinjtë, udhëheq edhe popullin.

Qëllimi i këtij sinodi nuk ka të bëjë me ndryshime dogmatike apo risi që tradhëtojnë traditën kishtare, por me rrënjosjen e një stili sinodal, i cili do ta karakterizojë Kishën në çdo qelizë të saj: në strukturë, në mision, në mënyrën e të menduarit dhe në atë të të vepruarit. Prandaj, në vend të frikës se çfarë do të prodhojë ky sinod, duhet të kalisim aftësinë për t’u mahnitur nga veprimi i Shpirtit në të. Siguria se në themel të Kishës qëndron Krishti, i cili apostujve iu besoi predikimin dhe interpretimin e lajmit të gëzueshëm, është garancia e plotë se brenda Kishës Katolike apostolike romake ekziston subsistit in – plotësia e mjeteve të shpëtimit dhe të së vërtetës.

spot_img

Te fundit

spot_img