26.5 C
Tirana
HomeKryesorSHUGURIMI I KISHËS  SË TË LUMIT LUIGJ PRENDUSHI
HomeKryesorSHUGURIMI I KISHËS  SË TË LUMIT LUIGJ PRENDUSHI

SHUGURIMI I KISHËS  SË TË LUMIT LUIGJ PRENDUSHI

Dioqeza e Sapës dhe Bashkësia famullitare e Naraçit, në Vigjiljen e të Ngjiturit të Jezusit në Qiell,  gëzuan në festën e Shugurimit të Kishës së re kushtuar martirit i Lumi Luigj Prendushi.  Të shumtë ishin besimtarët që morën pjesë në këtë ceremoni të shenjtë ku u bashkuan në lutje dhe i thuren lavde Zotit për shugurimin e këtij tempulli të ri.

Mesha e Shenjtë u udhëhoq nga Ipeshkvi i Sapës, Imzot Simon Kulli në bashkëkremtim me Nuncin Apostolik, Imzot Luigi Bonazzi, me Imzot Gjergj Metën, dhe 30 meshtarëve të pranishëm, si dhe famullitari Dom Emiljan Paloka, Në këtë kremtim ishin të pranishëm autoritetet civile vendore, bamirës të ndryshëm që kontribuan në ndërtimin e kishës, gjithashtu dhe miq të ardhur nga Italia e Gjermania.

Menjëherë pas fillimit të Meshës, i zoti i shtëpisë, Imzot Simon Kulli me gëzim në zemër ju uroj mirëseardhjen të gjithëve duke shprehur mirënjohje të madhe kundrejt Hyjit, donatorëve dhe bashkëpunëtorëve tanë dashamirës, për të cilin gjendemi sot në këtë tempull ku Hyji vendos banesën e tij në mesin e këtij vendi dhe fton të gjithë besimtarët të vijnë në takim me Të, në kremtimin e mistereve të dashurisë së tij. Ndërsa vazhdoi me homelinë e rastit, Imzot Simoni tha: “..Ne jemi një popull dhe një familje të mbledhur rreth një tryeze, rreth tryezës së të njëjtit hir hyjnor, ndaj i përkasim edhe të së njëjtës shtëpi – shtëpisë së Zotit. Sot ne po shugurojmë shtëpinë tonë, Kishën që i kushtohet të Lumit dom Luigj Prendushit. Po, sepse Kisha është shtëpia e të gjithë atyre që e duan Zotin dhe janë të dashur nga Ai. Brenda saj ndjehemi dhe jemi një bashkësi e mbledhur rreth një bariu për të jetuar të njëjtën jetë hiri. Është kjo kisha e parë e kushtuar martirit Dom Luigj Prenushi i cili ka domethënie të madhe.”

Duke vazhduar më tej, ipeshkvi tha: “…pak metra nga këtu, pikërisht në Shelqet, ditën e pushkatimit, përballë gjithë popullit tregonte gjyshja ime  që ka qenë e pranishme, se Ai meshtar ishte i veçantë, sepse pasi e pushkatuan Ai qëndronte në këmbë nuk rrezohej në tokë dhe gjaku i tij shpërthente gjithkah. Kjo do të thotë se toka nuk e donte, por e donte qielli – Lumnija e parrizit. Ky është martiri ynë që ka dhënë jetën për Krishtin dhe ne ia dedikojmë sot këtë tempull ku do të vijmë të lutemi e të marrim bekimet e Zotit ” – pohoi Imzot Simoni.

Gjatë ritit solemn të Shugurimit të kishës së re, e cila ishte e mbushur me ndjenja gëzimi dhe lutjeje, Ipeshkvi bëri bekimin e mureve të tempullit të ri, që bekimi i Zotit të zbresë mbi popullin e krishterë. Më pas vazhduan ritet e lyerjes, kemimit, mbulimit dhe të shndritjes së elterit të cilat shprehin me shenja të dukshme disa aspekte të asaj vepre të padukshme që Zoti ushtron nëpërmjet Kishës, kur ajo kremton misteret hyjnore e në mënyrë të veçantë Eukaristinë.  

Në përfundim të kësaj ceremonie, përshëndeti edhe Nunci Apostolik, i cili shprehi gëzimin e tij për këtë vepër të mrekullueshme të realizuar, por përcolli edhe përshëndetjen dhe lutjen e Atit të Shenjtë Papa Françeskut.

Sigurisht që në momentin e falenderimeve, nuk mungoi edhe fjala e Famullitarit, Dom Emiljan Paloka, i cili tha se famullia jonë por edhe Ipeshkvia e Sapes ishte dhe vazhdon të jetë e varfër në pikëpamjen ekonomike për të ndërtuar një objekt të tillë.

Por së bashku me Ipeshkvin e Sapës, Imzot Simonin, kishim frymëzimin prej Zotit dhe martirëve tanë për të ndërmarre këtë nisem, ama kishim  edhe  vetëdijen që nga fillimi se, është vetë dora e Zotit që e ndërton shtëpinë e Tij dhe që sot bëhet Tempulli ynë i përbashkët. Ne thjeshtë ju dorëzuam provanisë dhe zemergjerësisë së Zotit, vetëm lejuam që duart tona ti shtrijmë dhe ti bashkojmë me duart e Tij dhe të qindra mijëra bamirësve, duke ju besuar shikimit dashamires nga qielli të Martirit dhe paraardhësit tonë Dom Luigj Prendushit.

Violeta Marashi

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme