20.5 C
Tirana
HomeKISHSHPRESA NUK ZHGËNJEN
HomeKISHSHPRESA NUK ZHGËNJEN

SHPRESA NUK ZHGËNJEN

Bula e shpalljes së Jubileut të Zakonshëm të Vitit 2025

SPES NON CONFUNDIT

Bula e shpalljes
së Jubileut të Zakonshëm
të Vitit 2025

FRANÇESKU

IPESHKËV I ROMËS
SHËRBËTOR I SHËRBËTORËVE TË HYJIT

ATYRE QË DO TA LEXOJNË KËTË LETËR
SHPRESA UA MBUSHTË ZEMRËN

1. «Spes non confundit», «shpresa nuk zhgënjen» (Rom 5,5). Pali apostull, me shpirt shprese, rrënjos guxim në bashkësinë e krishterë të Romës. Shpresa është edhe mesazhi qendror i Jubileut të ardhshëm, të cilin, sipas traditës së lashtë, Papa e shpall çdo njëzet e pesë vjet. Mendoj për të gjithë shtegtarët e shpresës që do të mbërrijnë në Romë për të përjetuar Vitin e Shenjtë dhe për ata që, në pamundësi për të ardhur në qytetin e apostujve Pjetër dhe Pal, do ta kremtojnë atë në Kishat vendore. Ky Jubile qoftë për të gjithë një moment takimi i gjallë dhe personal me Zotin Jezus, «dera» e shpëtimit (krh. Gjn 10,7.9), të cilin Kisha e ka për mision ta shpallë gjithmonë, kudo dhe për të gjithë si «shpresa jonë» (1 Tim 1,1).

Të gjithë shpresojnë. Shpresa banon në zemrën e çdo njeriu si dëshirë dhe pritje e së mirës, ​​pavarësisht se nuk e di se çfarë do të sjellë e nesërmja. Mirëpo, paparashikueshmëria e së ardhmes ndonjëherë lind ndjenja kontradiktore të tilla si: besimi dhe frika, qetësia dhe shkurajimi, siguria dhe dyshimi. Shpeshherë takojmë njerëz zemërlëshuar, të cilët e shohin të ardhmen me skepticizëm dhe pesimizëm, sikur asgjë të mos u ofronte dot lumturi. Jubileu qoftë për të gjithë një mundësi për ta ringjallur shpresën. Fjala e Hyjit na ndihmon që t’i gjejmë arsyet. Të lejojmë që të udhëhiqemi nga ajo që Pali apostull u shkruan të krishterëve të Romës.

Një fjalë shprese

2. «Të shfajësuar, pra, me anë të fesë, jemi në paqe me Hyjin nëpër Jezu Krishtin, Zotin tonë, nëpër të cilin [me anë të fesë] fituam hirin, në të cilin tani jemi dhe me të cilin mburremi, sepse shpresojmë se do të kemi pjesë në lumturinë e Hyjit. […] Shpresa nuk zhgënjen, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt që na u dhurua» (Rom 5,1-2.5). Pikënisjet për reflektim që propozon shën Pali këtu janë të shumta. Ne e dimë se Letra drejtuar Romakëve shënon një hap vendimtar në veprimtarinë e tij ungjillëzuese. Deri në atë moment, ai e kishte kryer atë në zonën lindore të Perandorisë dhe tani e pret Roma, me atë që ajo përfaqëson në sytë e botës: një sfidë e madhe, që duhet përballuar në emër të shpalljes së Ungjillit, i cili nuk njeh barriera e kufij. Kisha e Romës nuk qe themeluar nga Pali dhe ai ndjen një dëshirë të madhe për ta arritur atë sa më shpejt, për t’ua çuar të gjithëve Ungjillin e Jezu Krishtit, të vdekur e të ngjallur, si kumtim të shpresës që përmbush premtimet, që çon në lavdi dhe që, e themeluar mbi dashurinë, nuk zhgënjen.

3. Njëmend, shpresa lind nga dashuria dhe themelohet mbi dashurinë që rrjedh nga Zemra e Jezusit e shpuar në kryq: «Në qoftë se u pajtuam me Hyjin në saje të vdekjes së Birit të tij ‑ kur ende ishim armiqtë e tij, sa me më shumë arsye, njëherë të pajtuar, do të shëlbohemi me anë të jetës së tij!» (Rom 5,10). Jeta e tij shfaqet në jetën tonë të fesë, e cila fillon me Pagëzim, zhvillohet në butësinë ndaj hirit të Hyjit dhe për këtë arsye gjallërohet nga shpresa, që përtërihet gjithmonë e që bëhet e palëkundshme nga veprimi i Shpirtit Shenjt.

Vërtet, Shpirti Shenjt, me praninë e vet të përhershme në ecjen e Kishës, rrezaton dritën e shpresës te besimtarët: Ai e mban të ndezur atë si një pishtar që nuk fiket kurrë, për t’i dhënë mbështetje dhe fuqi jetës sonë. Shpresa e krishterë, në të vërtetë, nuk gënjen e nuk zhgënjen, sepse është e themeluar mbi sigurinë se asgjë dhe askush nuk mund të na ndajë kurrë nga dashuria hyjnore: «Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? […] E prapëseprapë, në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhënjyes, në saje të Atij që na ka dashur. Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë» (Rom 8,35,37-39). Ja përse kjo shpresë nuk rrëzohet përballë vështirësive: ajo themelohet mbi fenë dhe ushqehet nga dashuria, dhe kështu na lejon të ecim përpara në jetë. Shën Augustini, në lidhje me këtë gjë, shkruante: «Në cilëndo jetë nuk mund të jetosh pa këto tri prirje të shpirtit: të besosh, të shpresosh, të duash». [[1]]

4. Shën Pali është shumë realist. Ai e di se jeta përbëhet nga gëzime e pikëllime, se dashuria vihet në sprovë kur vështirësitë rriten dhe shpresa duket se shembet përballë vuajtjeve. Megjithatë ai shkruan: «Ne mburremi edhe për vuajtjet, sepse e dimë mirë se vuajtja sjell qëndresën, qëndresa na bën besnikë të sprovuar e besnikëria e sprovuar sjell shpresën» (Rom 5,3-4). Për Apostullin, mundimi dhe vuajtja janë kushtet tipike të atyre që kumtojnë Ungjillin në kontekste keqkuptimi dhe persekutimi (krh. 2 Kor 6,3-10). Por në situata të tilla, përmes errësirës mund të vërejmë një dritë: zbulojmë se ungjillëzimi mbështetet nga forca që rrjedh nga kryqi dhe ngjallja e Krishtit. Kjo gjë na bën të zhvillojmë një virtyt që lidhet ngushtë me shpresën: duresa. Tanimë, në një botë ku nxitimi është bërë një gjë e vazhdueshme, jemi mësuar të dëshirojmë gjithçka e menjëherë. Nuk kemi më kohë për t’u takuar dhe shpeshherë bëhet e vështirë që të mblidhemi e të bisedojmë pa ngut edhe në familje. Nxitimi e ka dëbuar duresën, duke u shkaktuar njerëzve dëme të mëdha. Njëmend, jotoleranca, nervozizmi dhe ndonjëherë edhe dhuna e paarsyeshme, zënë vend, duke lindur pakënaqësi dhe mbyllje.

Për më tepër, në epokën e internetit, ku hapësira dhe koha zëvendësohen nga “këtu dhe tani”-ja, duresa nuk është e shtëpisë. Po të ishim ende në gjendje që ta shikonim krijimin me mahnitje, do ta kuptonim se sa vendimtare është duresa. Të presësh ndërrimin e stinëve me frutat e tyre; të vëzhgosh jetën e kafshëve dhe ciklet e zhvillimit të tyre; të kesh sytë e thjeshtë të shën Françeskut, i cili në Kantikun e krijesave, shkruar 800 vjet më parë, e ndiente krijimin si një familje të madhe dhe e quante diellin “vëlla” dhe hënën “motër”. [[2]] Rizbulimi i duresës i bën shumë mirë vetes dhe të tjerëve. Shën Pali e përdor shpesh duresën për të nënvizuar rëndësinë që ka qëndresa dhe besimi në atë që na është premtuar nga Hyji, por para së gjithash dëshmon se Hyji është i durueshëm me ne, Ai është «Hyji që jep qëndresën dhe ngushëllimin» (Rom 15,5). Duresa, gjithashtu fryt i Shpirtit Shenjt, e mban gjallë shpresën dhe e përforcon atë si virtyt dhe stil jete. Prandaj, të mësohemi duke e kërkuar shpesh hirin e duresës, e cila është bija e shpresës, por që në të njëjtën kohë e mbështet atë.

Një ecje shprese

5. Nga ky gërshetim i shpresës dhe duresës duket qartë se jeta e krishterë është një ecje, e cila ka nevojë edhe për momente të forta për ta ushqyer e forcuar shpresën, shoqëruese kjo e pazëvendësueshme që bën të nëpërduket qëllimi: takimi me Zotin Jezus. Më pëlqen të mendoj faktin që një rrugëtim hiri, i gjallëruar nga përshpirtëria popullore, i ka paraprirë shpalljes së Jubileut të parë në 1300-tën. Njëmend, nuk mund t’i harrojmë format e ndryshme përmes së cilave hiri i faljes është derdhur me bollëk mbi Popullin e shenjtë e besnik të Hyjit. Të kujtojmë, për shembull, “faljen” e madhe që shën Celestini V ua dha atyre që shkonin në Bazilikën e Shën Marisë së Collemaggio-s, në Aquila, më 28 dhe 29 gusht 1294, gjashtë vjet përpara se Papa Bonifaci VIII të themelonte Vitin e Shenjtë. Kështu, Kisha po e përjetonte tanimë hirin jubilar të mëshirës. Madje edhe më herët, në vitin 1216, Papa Honori III e kishte pranuar përgjërimin e shën Françeskut i cili ia kërkonte ndjesën për ata që do ta vizitonin kishën e Porciunkolas në dy ditët e para të gushtit. E njëjta gjë mund të thuhet për shtegtimin në Santiago de Kompostela: njëmend, Papa Kalisti II, në vitin 1122, lejoi që Jubileu të kremtohej në atë Shenjtërore sa herë që festa e Jakobit apostull të binte ditën e diel. Është mirë që ky modalitet “i përhapur” i kremtimeve jubilare të vazhdojë, në mënyrë që forca e faljes së Hyjit ta mbështesë e ta shoqërojë ecjen e bashkësive dhe të njerëzve.

Nuk është rastësi që shtegtimi shpreh një element themelor të çdo ngjarjeje jubilare. Vënia në ecje është tipike e atyre që shkojnë në kërkim të kuptimit të jetës. Shtegtimi në këmbë favorizon së tepërmi rizbulimin e vlerës së heshtjes, të mundimit, të asaj që është thelbësore. Edhe vitin e ardhshëm, shtegtarët e shpresës nuk do të mungojnë në rrugëtimin përgjatë udhëve të lashta e moderne, për ta jetuar fort përvojën jubilare. Për më tepër, në vetë qytetin e Romës, do të ketë itinerare feje, përveç atyre tradicionale të katakombeve dhe të Shtatë Kishave. Kalimi nga një vend në tjetrin, sikur po kapërcehen kufijtë, kalimi nga një qytet në tjetrin në soditjen e krijimit dhe të veprave të artit, do të na lejojë që të pasurohemi nga përvojat dhe kulturat e ndryshme, për të rrokur brenda vetes bukurinë që, e harmonizuar nga lutja, na bën të falënderojmë Hyjin për mrekullitë që Ai ka kryer. Kishat jubilare, përgjatë rrugëve dhe në qytetin e Romës, mund të jenë oaza përshpirtërie ku mund të ripërtërijmë ecjen e fesë dhe të pimë nga gurrat e shpresës, para së gjithash duke iu afruar Sakramentit të Pajtimit, pikënisjes së pazëvendësueshme të një ecjeje kthimi të njëmendtë. Në Kishat vendore, vëmendje e veçantë duhet t’i kushtohet përgatitjes së meshtarëve dhe besimtarëve për Rrëfimet dhe qasjes te sakramenti në formën individuale.

Dëshiroj t’u drejtoj një ftesë të veçantë besimtarëve të Kishave Lindore për këtë shtegtim, veçanërisht atyre që tashmë janë në bashkim të plotë me Pasardhësin e Pjetrit. Ata, që kanë vuajtur kaq shumë, shpesh deri në vdekje, për besnikërinë e tyre ndaj Krishtit dhe Kishës, duhet të ndihen veçanërisht të mirëpritur në këtë Romë që është Nënë edhe për ta dhe që ruan kaq shumë kujtime të pranisë së tyre. Kisha Katolike, e pasuruar me liturgjitë e tyre shumë të lashta, me teologjinë dhe përshpirtërinë e Etërve, murgjër dhe teologë, dëshiron të shprehë simbolikisht mirëpritjen e tyre dhe të vëllezërve e motrave të tyre ortodoksë, në një epokë në të cilën ata tashmë po jetojnë shtegtimin e Udhës së Kryqit, për arsye të së cilës shpesh detyrohen të lënë tokat e tyre të origjinës, tokat e tyre të shenjta, nga të cilat dëbohen prej dhunës dhe paqëndrueshmërisë, për të shkuar drejt vendeve më të sigurta. Për ta, shpresa për të qenë të dashur nga Kisha, e cila nuk do t’i braktisë, por do t’i ndjekë kudo që të shkojnë, e bën edhe më të fortë shenjën e Jubileut.

6. Viti i Shenjtë 2025 është në vazhdimësi të ngjarjeve të mëparshme të hirit. Në Jubileun e fundit të Zakonshëm u kalua pragu i dy mijëvjeçarit të lindjes së Jezu Krishtit. Më pas, më 13 mars 2015, shpalla një Jubile të Jashtëzakonshëm me qëllimin për të dëftuar e mundësuar takimin me “Fytyrën e mëshirës” së Hyjit, [[3]] një shpallje qendrore kjo e Ungjillit për çdo person në çdo epokë. Tani ka ardhur koha për një Jubile të ri, në të cilin do të rihapet katërkapakësh Dera e Shenjtë, për të ofruar përvojën e gjallë të dashurisë së Hyjit, e cila ngjall në zemër shpresën e sigurt të shpëtimit në Krishtin. Në të njëjtën kohë, ky Vit i Shenjtë do të orientojë rrugëtimin drejt një përvjetori tjetër themelor për të gjithë të krishterët: në vitin 2033, në të vërtetë, do të kremtohen dy mijë vitet e Shëlbimit të kryer përmes mundimit, vdekjes dhe ngjalljes së Zotit Jezus. Kësisoj, gjendemi përballë një rrugëtimi të shënuar nga etapa të mëdha, në të cilat hiri i Hyjit e paraprin dhe e shoqëron popullin që ecën me fe të zellshme, me dashuri vepruese e me shpresë të qëndrueshme (krh. 1 Sel 1,3).

I mbështetur nga një traditë kaq e gjatë dhe me sigurinë se ky Vit Jubilar mund të jetë një përvojë e fortë hiri dhe shprese për mbarë Kishën, vendos që Dera e Shenjtë e Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan të hapet më 24 dhjetor të këtij viti 2024, duke filluar kështu Jubileun e zakonshëm. Të dielën që pason, më 29 dhjetor 2024, do të hap Derën e Shenjtë të katedrales sime të Shën Gjonit në Lateran, e cila më 9 nëntor të këtij viti do të kremtojë 1700-vjetorin e kushtimit të saj. Në vijim, më 1 janar 2025, e Kremtja e Shën Marisë Hyjlindëse, do të hapet Dera e Shenjtë e Bazilikës papnore Santa Maria Maggiore. Në fund, të dielën më 5 janar do të hapet Dera e Shenjtë e Bazilikës papnore të Shën Palit Jashtë Mureve. Këto tri Dyer të Shenjta do të mbyllen brenda së dielës së 28 dhjetorit të po këtij viti.

Përveç kësaj, caktoj që të dielën, më 29 dhjetor 2024, në të gjitha katedralet dhe bashkëkatedralet, ipeshkvijtë dioqezanë ta kremtojnë Eukaristinë e shenjtë si hapje kremtore të Vitit Jubilar, sipas Ritualit që do të përgatitet për këtë rast. Për kremtimin në kishën bashkëkatedrale, ipeshkvi mund të zëvendësohet nga një delegat i caktuar posaçërisht. Shtegtimi nga një kishë, e zgjedhur për collectio-n [mbledhjen], drejt katedrales, të jetë një shenjë e ecjes me shpresë, e cila, e ndriçuar nga Fjala e Hyjit, i bashkon besimtarët. Në këtë shtegtim të lexohen disa pjesë të këtij Dokumenti dhe popullit t’i shpallet Ndjesa Jubilare, e cila mund të merret sipas përcaktimeve që përmban i njëjti Ritual për kremtimin e Jubileut në Kishat vendore. Gjatë Vitit të Shenjtë, i cili, në Kishat vendore, do të përfundojë të dielën më 28 dhjetor 2025, duhet pasur kujdes që Populli i Hyjit të mund të mirëpresë me pjesëmarrje të plotë si kumtimin e shpresës së hirit të Hyjit, ashtu edhe shenjat që shënojnë veprimin e tij.

Jubileu i Zakonshëm do të përfundojë me mbylljen e Derës së Shenjtë të Bazilikës papnore të Shën Pjetrit në Vatikan më 6 janar 2026, Epifania e Zotit. Drita e shpresës së krishterë e mbërrittë çdo njeri, si mesazh i dashurisë së Hyjit që u drejtohet të gjithëve! Kisha qoftë dëshmitare besnike e këtij kumtimi anembanë botës!

Shenja shprese

7. Përveç se të marrim shpresë nga hiri i Hyjit, jemi të thirrur që ta rizbulojmë atë edhe në shenjat e kohës që Zoti na ofron. Sikurse pohon Koncili II i Vatikanit, «është detyrë e përhershme e Kishës që të shqyrtojë me kujdes shenjat e kohës dhe t’i interpretojë ato në dritën e Ungjillit, kështu që, në një mënyrë të përshtatshme për çdo brezni, ajo të mund t’u përgjigjet pyetjeve të përhershme të njerëzve mbi kuptimin e jetës së tashme e të ardhme dhe mbi marrëdhëniet e tyre të ndërsjella». [[4]] Prandaj, është e nevojshme që t’i kushtojmë vëmendje të mirave të shumta që janë të pranishme në botë, në mënyrë që të mos tundohemi duke menduar se e keqja dhe dhuna na kanë zënë përposh. Por shenjat e kohërave, që bartin mallin e zemrës njerëzore, që ka nevojë për praninë shpëtimtare të Zotit, kërkojnë të shndërrohen në shenja shprese.

8. Shenja e parë e shpresës duhet të jetë dëshira për paqe në botë, e cila sërish e gjen veten të zhytur në tragjedinë e luftës. Duke mos u kujtuar për tragjeditë e së kaluarës, njerëzimi i nënshtrohet provës së re e të vështirë që sheh të shtypura nga brutaliteti i dhunës shumë popullata. Çfarë u mungon ende këtyre popujve që nuk e kanë vuajtur tashmë? Si është e mundur që thirrja e tyre e dëshpëruar për ndihmë nuk i shtyn udhëheqësit e Kombeve për t’u dhënë fund konflikteve të shumta rajonale, duke qenë të vetëdijshëm për pasojat që mund të rrjedhin në nivel global? A është e tepërt të ëndërrosh që armët të heshtin e të reshtin së shkaktuari shkatërrim dhe vdekje? Jubileu ua kujtoftë atyre se ata që bëhen «paqebërës do të quhen bijtë e Hyjit» (Mt 5,9). Nevoja për paqe u bën thirrje të gjithëve dhe e kërkon si detyre që të ndiqen projekte konkrete. Angazhimi i diplomacisë për të kërkuar, me guxim dhe kreativitet, hapësira për negociata që synojnë paqen e qëndrueshme, nuk duhet të mungojë.

9. Të shikosh drejt së ardhmes me shpresë do të thotë të kesh një vizion për jetën plot entuziazëm për t’u përcjellë. Fatkeqësisht, duhet të konstatojmë me pikëllim se, në shumë situata, kjo perspektivë mungon. Pasoja e parë është humbja e dëshirës për të përçuar jetën. Për shkak të ritmit të ethshëm të jetës, të frikës për të ardhmen, të mungesës së garancive së punës dhe mbrojtjes së duhur sociale, të modeleve sociale në të cilat kërkimi i fitimit dhe jo kujdesi për marrëdhëniet dikton axhendën, vërejmë një rënie shqetësuese të lindshmërisë në vende të ndryshme të botës. Përkundrazi, në kontekste të tjera, «si mënyrë për të mos i adresuar problemet, zgjidhet fajësimi i rritjes demografike dhe jo i konsumizmit ekstrem e selektiv të disave». [[5]]

Hapja ndaj jetës, me amësi dhe atësi të përgjegjshme, është plani që Krijuesi ka gdhendur në zemrat dhe trupat e burrave dhe grave, një mision që Zoti ua beson bashkëshortëve dhe dashurisë së tyre. Është urgjente që krahas angazhimit legjislativ të shteteve, të mos mungojë mbështetja e vendosur e bashkësive të besimtarëve dhe e mbarë bashkësisë civile në të gjithë përbërësit e saj. Dëshira e të rinjve për të lindur foshnja të reja, si shenjë e frytshmërisë së dashurisë së tyre, siguron një të ardhme për çdo shoqëri. Kjo gjë është një çështje shprese: lind nga shpresa dhe lind shpresë.

Rrjedhimisht, bashkësia e krishterë duhet të jetë në vijën e parë duke mbështetur nevojën për një aleancë sociale për shpresë, e cila është gjithëpërfshirëse e jo ideologjike dhe që punon për një të ardhme të karakterizuar nga buzëqeshjet e shumë fëmijëve që vijnë për të mbushur djepet që janë bosh tanimë në shumë anë të botës. Por, të gjithë, në të vërtetë, duhet të rikuperojnë gëzimin e të jetuarit, sepse qenia njerëzore, e krijuar sipas shëmbëllimit dhe përngjasimit të Hyjit (krh. Zan 1,26), nuk mund të kënaqet duke mbijetuar apo gjalluar, duke iu përshtatur të tashmes e duke lejuar që të kënaqet vetëm nga realitetet materiale. Kjo gjë na mbyll në individualizëm dhe e gërryen shpresën, duke përftuar një trishtim që futet në zemër, duke na bërë të sertë e të pandjeshëm.

10. Në Vitin Jubilar do të thirremi për të qenë shenja të prekshme shprese për shumë vëllezër e motra që jetojnë në kushte të vështira. Mendoj për të burgosurit që, të privuar nga liria, përjetojnë çdo ditë, përveç ashpërsisë së burgimit, boshllëkun afektiv, shtrëngimet e vendosura dhe, në jo pak raste, mungesën e respektit. U propozoj qeverive që në Vitin Jubilar të ndërmarrin nisma që kthejnë shpresën; forma amnistie ose faljeje të dënimit të cilat kanë për synim që t’i ndihmojnë njerëzit për të rifituar besimin në vetvete dhe në shoqëri; rrugëtime riintegrimimi në komunitet që përkojnë me një angazhim konkret në respektim të ligjeve.

Prej Fjalës së Hyjit na vjen një thirrje e lashtë urtia e së cilës mbetet gjithnjë e vlefshme dhe bën apel për akte mëshire dhe çlirimi që mundësojnë rifillimin: «Të pesëdhjetin vjet shpalleni vit të shenjtë; kumtoni në mbarë vendin çlirimin e të gjithë banorëve» (Lev 25,10). Ajo që përcaktohet nga Ligji i Moisiut rimerret nga Isaia profet: «Zoti më shuguroi, më dërgoi t’u sjell të përvujtëve lajme të gëzueshme, t’i shëroj ata që kanë zemrën e plasur, t’u shpall skllevërve lirinë, të burgosurve çlirimin; të shpall vitin e hirit të Zotit» (Is 61,1-2). Këto janë fjalët që Jezusi i bëri të vetat në fillim të shërbesës së tij, duke shpallur përmbushjen, në vetveten e tij, të “vitit të hirit të Zotit” (krh. Lk 4,18-19). Në çdo cep të tokës, besimtarët, veçanërisht Barinjtë, duhet të veprojnë si interpretues të këtyre instancave, duke formuar një zë të vetëm që kërkon me guxim kushte me dinjitet për të burgosurit, respektimin e të drejtave të njeriut dhe mbi të gjitha shfuqizimin e dënimit me vdekje, masë kjo në kundërshtim me fenë e krishterë dhe që asgjëson çdo shpresë faljeje dhe ripërtëritjeje. [[6]] Për t’iu ofruar të burgosurve një shenjë konkrete afërsie, unë vetë dëshiroj të hap një Derë të Shenjtë në një burg, që të jetë për ta një simbol që i fton ta shohin të ardhmen me shpresë dhe me një angazhim të ripërtërirë për jetën.

11. Shenjat e shpresës duhen t’u ofrohen të sëmurëve, qofshin ata në shtëpi apo në spital. Vuajtjet e tyre gjetshin lehtësim në afërsinë e njerëzve që i vizitojnë dhe në dashurinë që marrin. Veprat e mëshirës janë gjithashtu vepra shprese, të cilat zgjojnë ndjenja mirënjohjeje ndër zemra. Dhe mirënjohja qoftë për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, të cilët, në kushte shpesh të vështira, kryejnë misionin e tyre me kujdes të zellshëm për njerëzit e sëmurë dhe më të brishtë.

Të mos mungojë vëmendja gjithëpërfshirëse ndaj atyre që, duke u gjendur në kushte jetësore veçanërisht të mundimshme, përjetojnë dobësinë e tyre, veçanërisht nëse vuajnë nga patologji apo aftësi të kufizuara që e pakësojnë shumë autonominë personale. Kujdesi ndaj tyre është një himn për dinjitetin njerëzor, një këngë shprese që kërkon zërin koral të mbarë shoqërisë.

12. Për shenja shprese kanë nevojë edhe ata që e përfaqësojnë atë në vetvete: të rinjtë. Fatkeqësisht, ata shpeshherë shohin t’u shkërmoqen ëndrrat e tyre. Nuk mund t’i zhgënjejmë: e ardhmja bazohet në entuziazmin e tyre. Është bukur kur i sheh ata të çlirojnë energji, për shembull kur i përveshin mëngët dhe përfshihen vullnetarisht në situata fatkeqësish dhe vështirësish sociale. Por është e trishtueshme të shohësh të rinj pa shpresë; për më tepër, kur e ardhmja është e pasigurt dhe e papërshkueshme nga ëndrrat, kur studimi nuk ofron rrugëdalje dhe mungesa e një pune ose një profesioni mjaftueshëm i qëndrueshëm rrezikon të asgjësojë dëshirat, është e pashmangshme që e tashmja të mos jetohet në melankoli dhe mërzi. Iluzioni i drogës, rreziku i rebelimit dhe kërkimi i gjërave të përkohshme krijojnë tek ata, më shumë se te të tjerët, konfuzion dhe fshehin bukurinë dhe kuptimin e jetës, duke i bërë që të rrëshqasin në humnera të errëta dhe duke i shtyrë drejt gjesteve vetëshkatërruese. Për këtë arsye, Jubileu duhet ta frymëzojë Kishën që të bëjë përpjekje më të mëdha për t’i afruar ata: me një zell të përtërirë të kujdesemi për adoleshentët, studentët, të fejuarit, brezat e rinj! T’ua tregojmë afërsinë të rinjve, sepse ata janë gëzimi dhe shpresa e Kishës dhe e botës!

13. Nuk mund të mungojnë shenjat e shpresës për emigrantët që e lënë tokën e tyre në kërkim të një jete më të mirë për veten dhe familjet e tyre. Pritjet e tyre të mos zhvlerësohen nga paragjykimet dhe mbylljet; mirëpritja, e cila hap krahët për secilin sipas dinjitetit të vet, të shoqërohet me përgjegjësi, që askujt të mos i mohohet e drejta për të ndërtuar një të ardhme më të mirë. Të mërguarve të shumtë, të shpërngulurve dhe refugjatëve, të cilët, për shkak të tensioneve ndërkombëtare, detyrohen të ikin për të shmangur luftërat, dhunën dhe diskriminimin, t’u garantohet siguria dhe qasja në punë dhe arsim, mjete të nevojshme këto për përfshirjen e tyre në kontekstin e ri shoqëror.

Bashkësia e krishterë qoftë gjithmonë e gatshme për të mbrojtur të drejtat e më të dobëtëve. T’ua hapë atyre me bujari dyert e mirëseardhjes, që askujt të mos i mungojë askurrë shpresa për një jetë më të mirë. Jehoftë ndër zemra Fjala e Zotërisë, i cili, në shëmbëlltyrën e madhe të gjykimit të fundit, ka thënë: «isha shtegtar e më përbujtët», sepse «çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua» (Mt 25,35,40).

14. Shenja shprese meritojnë të moshuarit, të cilët shpeshherë përjetojnë vetminë dhe ndjenjën e braktisjes. Të vlerësosh thesarin që ata janë, përvojën e tyre jetësore, urtinë që bartin dhe kontributin që mund të japin, është një angazhim për bashkësinë e krishterë dhe për shoqërinë civile, të cilat thirren për të punuar së bashku për aleancën midis breznive.

Një mendim të veçantë ua drejtoj gjyshërve dhe gjysheve, të cilët përfaqësojnë përçimin e fesë dhe urtisë së jetës te brezat e rinj. Qofshin të mbështetur nga mirënjohja e fëmijëve të tyre dhe dashuria e nipërve të tyre, të cilët gjejnë tek ata rrënjët e tyre, mirëkuptimin dhe inkurajimin.

15. Me dhimbje në zemër thërras shpresë për miliarda të varfër, të cilëve u mungojnë shpeshherë gjërat e nevojshme për jetesë. Përballë vargëzimit të valëve gjithnjë e më të reja të varfërimit, ekziston rreziku për t’u mësuar me gjendjen dhe për t’u dorëzuar. Por ne nuk mund ta heqim shikimin nga situata të tilla dramatike, të cilat tanimë i ndeshim kudo, jo vetëm në zona të caktuara të botës. Çdo ditë ndeshim njerëz të varfër ose të varfëruar dhe ndonjëherë ata mund të jenë fqinjët tanë. Në shumë raste atyre u mungon banesa ose ushqimi i mjaftueshëm për ditën. Ata vuajnë përjashtimin dhe indiferencën e shumë njerëzve. Është skandaloze që, në një botë të pajisur me burime të mëdha, të caktuara kryesisht për armatim, të varfrit të jenë «shumica […], miliarda njerëz. Sot përmenden në debatet politike dhe ekonomike ndërkombëtare, por më së shumti duket se problemet e tyre shtrohen si një shtojcë, si një çështje që shtohet si për detyrim ose në mënyrë periferike, nëse nuk çmohen thjesht një dëm dytësor. Faktikisht, në momentin e aktualizimit konkret, shpesh mbeten në vendin e fundit». [[7]] Të mos e harrojmë: të varfrit janë pothuajse gjithmonë viktima, jo fajtorë.

Thirrje për shpresë

16. Duke i bërë jehonë fjalës së lashtë të profetëve, Jubileu na kujton se të mirat e Tokës nuk janë të caktuara për pak njerëz të privilegjuar, por për të gjithë. Është e nevojshme që ata që zotërojnë pasuri të jenë bujarë, duke njohur fytyrat e vëllezërve në nevojë. Mendoj veçanërisht për ata njerëz të cilëve u mungon uji dhe ushqimi: uria është një plagë skandaloze në trupin e njerëzimit tonë dhe u bën thirrje të gjithëve që ta zgjojnë ndërgjegjen. Ripërtërij thirrjen që «me paratë që përdoren për armë dhe për shpenzime të tjera ushtarake të krijojmë një Fond botëror për të eliminuar më në fund urinë dhe për të zhvilluar vendet më të varfra, në mënyrë që banorët e tyre të mos u drejtohen zgjidhjeve të dhunshme apo mashtruese dhe të mos jenë të detyruar që t’i braktisin vendet e tyre për të kërkuar një jetë më me dinjitet». [[8]]

Do të doja të bëja një tjetër ftesë zemërdhimshme në kuadër të Vitit Jubilar: ajo u drejtohet kombeve më të pasura, që ta njohin peshën e shumë vendimeve të marra e të vendosin që t’i falin borxhet e vendeve që nuk mund t’i shlyejnë kurrë. Përpara se të jetë çështje zemërgjerësie, është një çështje drejtësie, e rënduar sot nga një formë e re e padrejtësisë, për të cilën jemi bërë të vetëdijshëm: «Njëmend, ekziston një “borxh ekologjik” i mirëfilltë, veçanërisht midis Veriut dhe Jugut, që lidhet me çekuilibrat tregtarë me pasoja në rrafshin ekologjik, si dhe në përdorimin joproporcional të burimeve natyrore që është bërë historikisht nga disa vende». [[9]] Sikurse mëson Shkrimi i Shenjtë, toka i përket Hyjit dhe ne të gjithë jetojmë aty si «të ardhur e pendarë» (Lev 25,23). Nëse vërtet duam që të përgatisim rrugën për paqe në botë, të angazhohemi për të ndrequr shkaqet e hershme të padrejtësive, t’i rrafshojmë borxhet e padrejta dhe të pazgjidhshme, t’ua shuajmë urinë të uriturve.

17. Gjatë Jubileut të ardhshëm do të kujtojmë një përvjetor shumë domethënës për të gjithë të krishterët. Njëmend, do të mbushen 1700 vjet nga kremtimi i Koncilit të parë Ekumenik, ai i Nikesë. Është mirë të kujtojmë se, që nga kohërat apostolike, barinjtë takoheshin në raste të ndryshme në kuvende për të trajtuar tematika doktrinore dhe çështje disiplinore. Në shekujt e parë të fesë, sinodet u shumuan si në Lindje ashtu edhe në Perëndimin e krishterë, duke treguar se sa e rëndësishme ishte ruajtja e unitetit të Popullit të Hyjit dhe e kumtimit besnik të Ungjillit. Viti jubilar mund të jetë një mundësi e rëndësishme për ta konkretizuar këtë formë sinodale, të cilën bashkësia e krishterë e percepton sot si një shprehje gjithnjë e më të nevojshme për t’iu përgjigjur më mirë urgjencës së ungjillëzimit: të gjithë të pagëzuarit, secili me karizmën dhe shërbesën përkatëse, si bashkëpërgjegjës në mënyrë që shenjat e shumta të shpresës të dëshmojnë praninë e Hyjit në botë.

Koncili i Nikesë kishte për detyrë që të ruante unitetin, i kërcënuar seriozisht nga mohimi i hyjnisë së Jezu Krishtit dhe i barazisë së tij me Atin. Ishin të pranishëm rreth treqind ipeshkvij, të cilët u mblodhën në pallatin perandorak të thirrur nga perandori Konstandin më 20 maj 325. Pas debateve të ndryshme, të gjithë, me hirin e Shpirtit, e njohën veten në Simbolin e fesë që e shpallim sot e kësaj dite në Kremtimin eukaristik të së dielës. Etërit e Koncilit zgjodhën që ta fillonin atë Simbol duke përdorur, për herë të parë, shprehjen “Ne besojmë”, [[10]] si dëshmi se në atë “Ne” të gjitha Kishat gjendeshin të bashkuara dhe të gjithë të krishterët pohonin të njëjtën fe.

Këshilli i Nikesë është një gur miliar në historinë e Kishës. Kujtimi i përvjetorit të tij i fton të krishterët që të bashkohen në lavd dhe falënderim ndaj Trinisë së Shenjtë dhe në veçanti ndaj Jezu Krishtit, Birit të Hyjit, «i njëqenshëm me Atin», [[11]] i cili na e zbuloi këtë mister dashurie. Porse Nikea përfaqëson gjithashtu një ftesë për të gjitha Kishat dhe Bashkësitë kishtare, që të vazhdojnë në rrugën drejt unitetit të dukshëm, që të mos lodhen duke kërkuar forma të përshtatshme për t’iu përshtatur plotësisht lutjes së Jezusit: «që të gjithë të jenë një. Sikurse ti, Atë, që je në mua dhe unë në ty, ashtu edhe ata të jenë në ne, që ta kuptojë bota se ti më dërgove» (Gjn 17,21).

Në Këshillin e Nikesë u diskutua edhe për datën e Pashkëve. Në këtë drejtim, ende sot, ekzistojnë qëndrime të ndryshme, të cilat pengojnë që ngjarja themeltare e fesë të kremtohet në të njëjtën ditë. Nga një rrethanë provanore, kjo do të ndodhë pikërisht në vitin 2025. Qoftë kjo një thirrje për të gjithë të krishterët e Lindjes e të Perëndimit për të hedhur një hap vendimtar drejt bashkimit rreth një date të përbashkët për Pashkët. Shumë njerëz, ia vlen ta kujtojmë, nuk kanë më njohuri për diatribat e së kaluarës dhe nuk e kuptojnë se si mund të ekzistojnë ndarje në këtë drejtim.

Të ankoruar në shpresë

18. Shpresa, së bashku me fenë dhe dashurinë, formon triptikun e “virtyteve teologale”, të cilat shprehin thelbin e jetës së krishterë (krh. 1 Kor 13,13; 1 Sel 1,3). Në dinamizmin e tyre të pandashëm, shpresa është ajo që, si të thuash, shënon orientimin, tregon drejtimin dhe pikësynimin e ekzistencës njerëzore në fe. Prandaj, Pali apostull ftonte duke thënë: «Në shpresë jini të gëzueshëm, në vështirësi të durueshëm, në lutje të qëndrueshëm!» (Rom 12,12). Po, kemi nevojë që të «jemi plot shpresë» (krh. Rom 15,13), për ta dëshmuar në një mënyrë të besueshme dhe tërheqëse fenë dhe dashurinë që mbajmë në zemrat tona; që feja të jetë e gëzueshme, dashuria entuziaste; që secili të jetë në gjendje të japë qoftë edhe vetëm një buzëqeshje, një gjest miqësie, një shikim vëllazëror, një dëgjim të sinqertë, një shërbim me shpirt dhurimi, duke ditur se, në Shpirtin e Jezusit, kjo gjë mund të bëhet një farë e frytshme shprese për ata që e marrin atë. Por cili është themeli i shpresës sonë? Për ta kuptuar këtë, është mirë të ndalemi tek arsyet e shpresës sonë (krh. 1 Pjt 3,15).

19. «Besoj jetën e pasosur»: [[12]] e shprehur kështu, feja dhe shpresa jonë e krishterë gjen në këto fjalë një gur themeli. Njëmend, ajo është «virtyti teologal nëpërmjet së cilës ne dëshirojmë […] jetën e amshuar si lumturi tonën». [[13]] Koncili II Ekumenik i Vatikanit pohon: «Nëse mungon baza fetare dhe shpresa e jetës së pasosur, dinjiteti njerëzor cenohet në mënyrë shumë të rëndë, siç vërehet shpesh në ditët e sotme, dhe enigmat e jetës e të vdekjes, të fajit e të dhimbjes, mbeten pa zgjidhje, aq sa jo rrallë njerëzit bien në dëshpërim». [[14]] Mirëpo, ne, në sajë të shpresës në të cilën jemi shpëtuar, duke vërejtur kohën e cila kalon, kemi sigurinë se historia e njerëzimit dhe e secilit prej nesh nuk shkon drejt një rruge pa krye apo humnere të errët, por është e orientuar drejt takimit me Zotin e lavdisë. Të jetojmë, pra, në pritje të kthimit të tij dhe me shpresën për të jetuar përgjithmonë në Të: në këtë frymë ne e bëjmë tonën thirrjen prekëse të të krishterëve të parë, me të cilën mbyllet Shkrimi i Shenjtë: «Eja, o Zot Jezus!» (Zb 22,20).

20. Jezusi vdiq dhe u ngjall: kjo është zemra e fesë sonë. Shën Pali, duke e kumtuar këtë përmbajtje me pak fjalë, me vetëm katër folje, na përçon “bërthamën” e shpresës sonë: «Dhe njëmend, më së pari ju shpalla ato të vërteta që edhe unë vetë i mora: se Krishti vdiq për mëkatet tona siç e paralajmëroi Shkrimi i shenjtë. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin e shenjtë. Iu duk Kefës e pastaj të Dymbëdhjetëve» (1 Kor 15,3-5). Krishti vdiq, u varros, u ngjall, u shfaq. Për ne, ai kaloi përmes dramës së vdekjes. Dashuria e Atit e ngjalli atë në fuqinë e Shpirtit, duke e bërë njerëzishmërinë e tij frytin e parë të amshimit për shpëtimin tonë. Shpresa e krishterë qëndron pikërisht në këtë: përballë vdekjes, ku gjithçka duket se merr fund, ne gjejmë sigurinë se, falë Krishtit e hirit të tij që na u dhurua në Pagëzim, «jeta nuk hiqet, por shndërrohet», [[15]] përgjithmonë. Njëmend, në Pagëzim, të varrosur bashkë me Krishtin, marrim në Të, tashmë i ngjallur, dhuratën e një jete të re, e cila shemb murin e vdekjes, duke e bërë atë një kalim drejt amshimit.

Dhe nëse përballë vdekjes, një ndarje e dhimbshme kjo që e detyron njeriun të largohet nga njerëzit më të dashur, nuk lejohet asnjë retorikë, Jubileu do të na ofrojë mundësinë për të rizbuluar, me mirënjohje të pamasë, dhuratën e asaj jete të re që është marrë me Pagëzim, e aftë për ta shndërruar dramën. Është domethënëse të rimendohet, në kontekstin jubilar, se si ky mister është kuptuar që në shekujt e parë të fesë. Për një kohë të gjatë, për shembull, të krishterët e kanë ndërtuar vaskën e pagëzimit në një formë tetëkëndëshe dhe ende sot mund të admirojmë shumë pagëzimore të lashta që e ruajnë një formë të tillë, sikurse në Shën Gjoni në Lateran në Romë. Ajo formë tregon se, në gurrën pagëzimore, përurohet dita e tetë, pra ajo e ringjalljes, ditë që shkon përtej avazit të zakonshëm, të shënuar nga ritmi javor, duke hapur kështu ciklin e kohës për në dimensionin e amshimit, për jetën që s’njeh fund: ky është caku që synojmë me shtegtimin tonë tokësor (krh. Rom 6,22).

Dëshminë më bindëse të kësaj shprese na e japin martirët, të cilët, të palëkundur në fenë e tyre në Krishtin e ngjallur, ditën të hiqnin dorë nga vetë jeta këtu poshtë vetëm që të mos e tradhtonin Zotin e tyre. Ata janë të pranishëm në të gjitha epokat dhe janë të shumtë, ndoshta më shumë se kurrë, në ditët tona, si rrëfimtarë të jetës që nuk njeh fund. Ne duhet ta ruajmë dëshminë e tyre për ta bërë shpresën tonë të frytshme.

Këta martirë, që u përkasin traditave të ndryshme të krishtera, janë gjithashtu fara uniteti sepse shprehin ekumenizmin e gjakut. Ndaj, gjatë Jubileut, kam shumë dëshirë që të mos mungojë një kremtim ekumenik për të nxjerrë në pah pasurinë e dëshmisë së këtyre martirëve.

21. Çfarë, pra, do të bëhet me ne pas vdekjes? Me Jezusin, përtej këtij pragu, ekziston jeta e pasosur, që qëndron në bashkimin e plotë me Hyjin, duke soditur dhe bashkëndarë dashurinë e tij të pafund. Atë që e jetojmë tani me shpresë, do ta shohim më pas në realitet. Shën Augustini, në lidhje me këtë, shkruante: «Kur të bashkohem me ty me krejt veten time, dhimbja dhe pikëllimi nuk do të ekzistojnë më për mua. Jeta ime do të jetë jetë e vërtetë, e tëra plot e përplot me ty». [[16]] Çfarë do ta karakterizojë atëherë këtë plotësi të bashkimit? Të qenit i lumtur. Lumturia është thirrja e qenies njerëzore, një cak që ka të bëjë me të gjithë.

Por çfarë është lumturia? Çfarë lumturie presim dhe dëshirojmë? Jo një gëzim të përkohshëm, një kënaqësi kalimtare që, si të arrihet, kërkon akoma e gjithnjë e më shumë, në një spirale lakmie në të cilën shpirti njerëzor nuk ngopet kurrë, por është gjithnjë e më i zbrazët. Ne kemi nevojë për një lumturi që përmbushet përfundimisht në atë që na plotëson, domethënë në dashuri, që të mund të themi, që tani: «Jam i dashur, prandaj ekzistoj; dhe do të ekzistoj përgjithmonë në Dashurinë që nuk zhgënjen dhe nga e cila asgjë dhe askush nuk do të mund të më ndajë askurrë». T’i kujtojmë përsëri fjalët e Apostullit: «Jam plotësisht i bindur se as vdekja, as jeta, as engjëjt, as pushtetet, as e tashmja, as e ardhshmja, as fuqitë, as forcat e lartësisë, as ato të humnerës, dhe asnjë krijesë tjetër, nuk do të mund të na ndajë prej dashurisë së Hyjit, që na u dëftua në Jezu Krishtin, Zotin tonë» (Rom 8,38-39).

22. Një realitet tjetër i lidhur me jetën e amshuar është gjykimi i Hyjit, si në fund të ekzistencës sonë ashtu edhe në fund të kohës. Arti është përpjekur shpeshherë që ta paraqesë atë – të mendojmë, për shembull, për kryeveprën e Mikelanxhelos në Kapelën Sikstine – duke përqafuar konceptin teologjik të kohës e duke përçuar një ndjenjë druajtjeje tek ata që e vëzhgonin. Nëse është e udhës që të vendosemi me shumë vetëdije dhe seriozitet para momentit që përmbledh ekzistencën, në të njëjtën kohë është e nevojshme që këtë gjë ta bëjmë gjithmonë në dimensionin e shpresës, virtyt teologal që mbështet jetën dhe nuk lejon të biem pre e frikës. Gjykimi i Hyjit, që është dashuri (krh. 1 Gjn 4,8.16), s’mund të bazohet tjetërkund përveçse në dashuri, veçanërisht në faktin se sa e kemi apo nuk e kemi praktikuar atë ndaj nevojtarëve, në të cilët është i pranishëm Krishti, vetë Gjykatësi (krh. Mt 25,31-46). Kësisoj, bëhet fjalë për një gjykim që është i ndryshëm nga ai i njerëzve dhe i gjykatave tokësore; duhet kuptuar si një marrëdhënie vërtetësie me Hyjin-dashuri dhe me vetveten brenda misterit të padepërtueshëm të mëshirës hyjnore. Në lidhje me këtë gjë, Shkrimi i Shenjtë pohon: «Ti e ke mësuar popullin tënd se i drejti duhet të jetë i njerëzishëm dhe ua ke dhënë fëmijëve të tu shpresën e mirë se pas mëkatit dhuron mundësinë e pendimit. […] dhe shpresojmë në mëshirë kur ne të na gjykojnë» (Ur 12,19.22). Siç shkruante Benedikti XVI, «në momentin e Gjykimit ne përjetojmë dhe mirëpresim këtë mbizotërim të dashurisë së tij mbi të gjithë të keqen në botë e në ne. Dhimbja e dashurisë bëhet shpëtimi dhe gëzimi ynë». [[17]]

Prandaj, gjykimi ka të bëjë me shpëtimin në të cilin shpresojmë dhe që Jezusi e ka kryer për ne me vdekjen dhe ngjalljen e tij. Kësisoj, ai synon të na hapë ndaj takimit përfundimtar me Të. Në këtë kontekst, meqenëse nuk mund të mendohet se e keqja e kryer mbetet e fshehur, ajo duhet të pastrohet, për të na mundësuar kalimin përfundimtar në dashurinë e Hyjit. Në këtë drejtim kuptohet nevoja e lutjes për ata që e kanë përfunduar rrugëtimin e tyre tokësor, e solidaritetit në ndërmjetësimin lutës i cili bëhet veprues falë bashkësisë së shenjtërve, në lidhjen e përbashkët që na bashkon në Krishtin, i parëlinduri i krijimit. Kështu, ndjesa jubilare, falë lutjes, u drejtohet në veçanti atyre që na kanë paraprirë, që ta marrin mëshirën e plotë.

23. Njëmend, ndjesa na bën të zbulojmë se sa e pakufishme është mëshira e Hyjit.  Nuk është rastësi që në kohët e lashta termi “mëshirë” ishte i këmbyeshëm me atë të “ndjesës”, pikërisht sepse synon të shprehë plotësinë e faljes së Hyjit që nuk njeh kufij.

Sakramenti i Pendesës na siguron se Hyji i fshin mëkatet tona. Fjalët e psalmit tingëllojnë përsëri me përdëllimin e tyre: «Ai i fal të gjitha fajësitë e tua, ai i shëron të gjitha sëmundjet e tua; ai ta shpëton jetën prej varrit, ai të kurorëzon me mirësi e dashuri. […] Zoti është i mirë e i mëshirshëm, i ngadalshëm në zemërim e shumë i dashur. […] Nuk sillet me ne sipas mëkateve tona as nuk na shpaguan sipas të këqijave tona. Sepse, sa është lartësia e qiellit mbi tokë, aq e madhe është mëshira e tij ndaj atyre që e druajnë. Sa është lindja larg perëndimit, aq larg i tret prej nesh fajet tona» (Ps 103,3-4.8.10-12). Pajtimi Sakramental nuk është vetëm një mundësi e bukur shpirtërore, por përfaqëson një hap vendimtar, thelbësor e të domosdoshëm për ecjen e fesë së secilit. Aty ne lejojmë që Zoti t’i shkatërrojë mëkatet tona, t’i shërojë zemrat tona, të na ngrejë sërish e të na përqafojë, të na e zbulojë fytyrën e tij të butë e të dhembshur. Përnjëmend, nuk ka mënyrë më të mirë për ta njohur Hyjin sesa kur lejojmë të pajtohemi prej Tij (krh. 2 Kor 5,20), duke e shijuar faljen e tij. Të mos heqim dorë, pra, nga Rrëfimi, por ta rizbulojmë bukurinë e sakramentit të shërimit e të gëzimit, bukurinë e faljes së mëkateve!

Mirëpo, siç e dimë nga përvoja personale, mëkati “lë gjurmë”, sjell me vete pasoja: jo vetëm të jashtme, si pasojë e së keqes së kryer, por edhe të brendshme, pasi «çdo mëkat, qoftë edhe i lehtë, shkakton një lidhje të dëmshme pas krijesave, që ka nevojë për pastrim, si këtu poshtë, ashtu dhe pas vdekjes, në gjendjen që quhet purgator» [[18]] Prandaj, “mbetjet e mëkatit” ngelen në njerëzishmërinë tonë të dobët që tërhiqet nga e keqja. Ato hiqen përmes ndjesës, gjithmonë për hirin e Krishtit, i cili, siç shkruante Shën Pali VI, është «“ndjesa” jonë». [[19]] Në mënyrë që Ndjesa Jubilare të mund të merret e të jetë efektive, Penitenceria Apostolike do të shpallë dispozitat përkatëse.

Kjo përvojë e faljes së plotë nuk mund të mos na i hapë zemrat dhe mendjet ndaj nevojës për t’i falur të tjerët. Falja nuk e ndryshon të shkuarën, nuk mund ta ndryshojë atë që ka ndodhur tashmë, megjithatë falja bën të mundur që ta ndryshojmë të ardhmen e të jetojmë në një mënyrë tjetër, pa zemërim, mëri e hakmarrje. E ardhmja, e ndriçuar nga falja, bën që ta shikojmë të kaluarën me sy të tjerë, më të qetë, ndonëse ende të lagur nga lotët.

Gjatë Jubileut të fundit të Jashtëzakonshëm kam themeluar Misionarët e Mëshirës, ​​të cilët vazhdojnë të kryejnë një mision të rëndësishëm. E ushtrofshin, edhe gjatë Jubileut, mbarështimin e tyre, duke rivendosur shpresën e duke falur sa herë që një mëkatar u drejtohet atyre me zemër të hapur e me një shpirt të penduar. Qofshin mjet pajtimi dhe inkurajim për ta parë të ardhmen me atë shpresë në zemër që vjen nga mëshira e Atit. Inkurajoj ipeshkvijtë që të përfitojnë nga shërbesa e tyre e çmuar, veçanërisht duke i dërguar ata aty ku shpresa është e sprovuar rëndë: në burgje, në spitale dhe vende ku shkelet dinjiteti i njeriut, në situatat më skamnore e në kontekstet ku prishja shoqërore është e madhe, në mënyrë që të gjithë të kenë mundësinë për ta marrë faljen dhe ngushëllimin e Hyjit.

24. Shpresa gjen dëshminë e saj më të lartë te Nëna e Hyjit. Tek ajo shohim se si shpresa nuk është një optimizëm bosh, por një dhuratë hiri në realizmin e jetës. Si çdo nënë, sa herë që shikonte Birin e vet, ajo mendonte për të ardhmen e tij. Padyshim se fjalët që Simeoni ia drejtoi asaj në tempull, ngelën të gdhendura në zemrën e saj: «Shih! Hyji e caktoi këtë Fëmijë të shkaktojë rrënim e ngritje për shumëkënd në Izrael. Do të jetë edhe shenjë të cilës njerëzit do t’i kundërshtojnë. ‑ (edhe ty vetë një shpatë do ta shporojë shpirtin)» (Lk 2,34-35). Dhe te këmbët e kryqit, ndërsa shihte Jezusin e pafajshëm duke vuajtur e vdekur, edhe pse ishte e përshkuar nga ato dhimbje që ta copëtojnë shpirtin, ajo përsëriste “po-në” e saj, pa e humbur shpresën dhe besimin te Zoti. Në këtë mënyrë ajo bashkëpunoi për ne për të përmbushur atë që Biri i saj kishte thënë, duke lajmëruar «se pleqtë, kryepriftërinjtë e skribët do ta përbuzin; se do të vritet dhe se do të ngjallet pas tri ditësh» (Mk 8,31) dhe, në mundimin e asaj dhimbjeje të ofruar nga dashuria, ajo u bë Nëna jonë, Nëna e shpresës. Nuk është rastësi që devotshmëria popullore vazhdon ta thërrasë Virgjërën e shenjtë si Stella maris [Ylli i mëngjesit], një titull që shpreh shpresën e sigurt se në ngjarjet e stuhishme të jetës Nëna e Hyjit na vjen në ndihmë, na mbështet dhe na fton të kemi besim e të vazhdojmë duke shpresuar.

Në lidhje me këtë gjë, më pëlqen të kujtoj se Shenjtërorja e Zojës së Guadalupes, në qytetin e Meksikës, po përgatitet për të kremtuar, në vitin 2031, 500-vjetorin e shfaqjes së parë të Virgjërës. Përmes djaloshit Juan Diego, Nëna e Hyjit dërgoi një mesazh revolucionar shprese që edhe sot ua përsërit të gjithë shtegtarëve dhe besimtarëve: «A thua nuk qëndroj unë këtu, që jam nëna jote?». [[20]] Një mesazh i ngjashëm gdhendet në zemër të shumë Shenjtëroreve mariane të shpërndara nëpër botë, vendarritje këto të shtegtarëve të shumtë, të cilët ia besojnë Nënës së Hyjit shqetësimet, dhimbjet dhe pritshmëritë. Në këtë Vit Jubilar, Shenjtëroret të jenë vende të shenjta mirëpritjeje dhe hapësira të privilegjuara për të lindur shpresë. Shtegtarët që vijnë në Romë i ftoj që të bëjnë një ndalesë lutjeje në Shenjtëroret mariane të qytetit për të nderuar Virgjërën Mari dhe për të thirrur mbrojtjen e saj. Kam besim se të gjithë, veçanërisht ata që vuajnë dhe kanë derte, do të mund të përjetojnë afërsinë e nënës më të dashur, që nuk i braktis kurrë fëmijët e vet, ajo që për Popullin e Shenjtë të Hyjit është «shenjë e shpresës së sigurt dhe e ngushëllimit». [[21]]

25. Në ecje drejt Jubileut, kthehemi te Shkrimi i Shenjtë dhe dëgjojmë këto fjalë që na drejtohen: «Ne, që u strehuam në Hyjin, jemi shumë të nxitur të mbështetemi në shpresën që na u parashtrua. Atë e kemi spirancë të sigurt dhe të fortë të shpirtit: ajo hyn në brendinë përmbas Tisit, aje, ku për ne, si pararendës depërtoi Jezusi» (Heb 6,18-20). Është një ftesë e fortë për të mos e humbur kurrë shpresën që na është dhuruar, për t’u kapur pas saj e për të gjetur strehim në Hyjin.

Imazhi i spirancës është sugjestiv për të kuptuar qëndrueshmërinë dhe sigurinë që kemi në mes të ujërave të trazuara të jetës, nëse ia besojmë veten Zotit Jezus. Stuhitë nuk mund të mbizotërojnë kurrë, sepse ne jemi të ankoruar pas shpresës së hirit, e aftë kjo për të na bërë që të jetojmë në Krishtin duke mposhtur mëkatin, frikën dhe vdekjen. Kjo shpresë, shumë më e madhe se kënaqësitë kalimtare dhe përmirësimet e kushteve të jetesës, na bën të ngrihemi përmbi sprovat dhe na nxit të ecim pa e harruar madhështinë e cakut qiellor për të cilin jemi të thirrur.

Jubileu i ardhshëm, pra, do të jetë një Vit i Shenjtë i karakterizuar nga shpresa që nuk perëndon, ajo në Hyjin. Kjo na ndihmoftë që të gjejmë sërish besimin e nevojshëm, si në Kishë ashtu edhe në shoqëri, në marrëdhëniet ndërpersonale, në marrëdhëniet ndërkombëtare, në promovimin e dinjitetit të çdo personi dhe në respekt ndaj krijimit. Dëshmia e besimtarëve qoftë tharm i shpresës së vërtetë në botë, kumtim i qiellit të ri dhe tokës së re (krh. 2 Pjt 3,13), ku ne mund të jetojmë në drejtësi dhe harmoni mes popujve, duke synuar përmbushjen e premtimit të Zotit.

Le të tërhiqemi që tani nga shpresa dhe të lejojmë që ajo të bëhet ngjitëse nëpërmjet nesh për ata që e dëshirojnë atë. Jeta jonë le t’u thotë atyre: «Shpreso në Zotin: bëhu burrë! Ji zemërfortë e prite Zotin!» (Ps 27,14). Forca e shpresës e mbushtë të tashmen tonë, ndërsa presim me besim kthimin e Zotit Jezu Krisht, të cilit i përket nderi e lavdia, tani e në shekujt e ardhshëm.

Dhënë në Romë, pranë Shën Gjonit në Lateran, më 9 maj, e Kremtja e Ngjitjes së Zotërisë në Qiell, e Vitit 2024, i dymbëdhjeti i Pontifikatit.

FRANÇESKU


[1] Augustini, Discorsi, 198, 2.

[2] Krh. Burimet Françeskane, nr. 263,6.10.

[3] Krh. Françesku, Misericordiae Vultus, Bula e shpalljes së Jubileut të Jashtëzakonshëm të mëshirës, 11 prill 2015, nr. 1-3.

[4] Koncili II Ekumenik i Vatikanit, Kushtetuta Baritore Gaudium et spes mbi Kishën në botën bashkëkohore, 7 dhjetor 1965, nr. 4.

[5] Françesku, Letra Enciklike Laudato si’ mbi kujdesin e shtëpisë së përbashkët, 24 maj 2015, nr. 50.

[6] Krh. Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 2267.

[7] Françesku, Laudato si’, cit., nr. 49.

[8] Françesku, Letra Enciklike Fratelli tutti mbi vëllazërinë dhe miqësinë sociale, 3 tetor 2020, nr. 262.

[9] Françesku, Laudato si’, cit., nr. 51.

[10]  Simboli i Nikesë: H. Denzinger – A. Schönmetzer, Enchiridion Symbolorum definitionum et declarationum de rebus fidei et morum, nr. 125.

[11]  Po aty.

[12]  Simboli i Apostujve: H. Denzinger – A. Schönmetzer, Enchiridion Symbolorum definitionum et declarationum de rebus fidei et morum, nr. 30.

[13]  Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 1817.

[14]  Koncili II Ekumenik i Vatikanit, Gaudium et spes, cit., nr. 21.

[15]  Meshari Romak, Prefacioni i të vdekurve I.

[16]  Shën Augustini, Rrëfimet, X, 28.

[17]   Benedetto XVI, Letra Enciklike Spe salvi, 30 nëntor 2007, nr. 47.

[18] Katekizmi i Kishës Katolike, nr. 1472.

[19] Pali VI, Letra Apostolike Apostolorum limina, 23 maj 1974, II.

[20] Nican Mopohua, nr. 119.

[21] Koncili II Ekumenik i Vatikanit, Kushtetuta Dogmatike Lumen gentium mbi Kishën, 21 nëntor 1964, nr. 68.


Shkarko në Formatin PDF

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme