10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa: Puna është thelbësore për rritjen tonë në shenjtëri
HomeKryesorPapa: Puna është thelbësore për rritjen tonë në shenjtëri

Papa: Puna është thelbësore për rritjen tonë në shenjtëri

Në katekezën e tij, Papa Françesku shikoi sesi ungjilltarët Mateu dhe Marku i referohen Jozefit si “zdrukthëtar”, nga termi grek tekton, i cili i referohej një kualifikimi të përgjithshëm të atyre që punonin si zdrukthëtarë dhe zejtarë në ndërtim. Ai theksoi se ishte një punë e vështirë, që kërkonte forcë, por nuk gjeneronte fitime të mëdha.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

E mërkurë, 12 janar 2022

Katekeza mbi shën Jozefin – 7. Shën Jozefi, zdrukthëtari.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Ungjilltarët Mateu dhe Marku e përkufizojnë Jozefin si «zdrukthëtar [marangoz]» ose «karpentier». Sapo kemi dëgjuar se njerëzit e Nazaretit, duke dëgjuar Jezusin duke folur, pyesnin: «Po a nuk është biri i zdrukthëtarit?» (Mt 13,55; krh Mk 6,3). Jezusi ushtroi zanatin e t’et.

Termi grek tekton, i përdorur për të treguar punën e Jozefit, është përkthyer në mënyra të ndryshme. Etërit latinë të Kishës e përkthyen me «zdrukthëtar [marangoz]». Por të kemi parasysh se në Palestinën e kohës së Jezusit, druri nuk përdorej vetëm për të bërë parmendë dhe mobilie të ndryshme, por edhe për të ndërtuar shtëpi, të cilat kishin kasa druri dhe çati me tarraca të bëra me trarë të ngërthyer me njëri-tjetrin me degë të kapura me dhe.

Prandaj, «zdrukthëtar» ose «karpentier» ishte një cilësim i përgjithshëm, i cili tregonte si zejtarët e drurit, ashtu edhe punëtorët e angazhuar në veprimtari që lidhen me ndërtimin. Një punë mjaft e vështirë, meqenëse duhej punuar me materiale të rënda, si dru, gur dhe hekur. Nga pikëpamja ekonomike nuk siguronte fitime të mëdha, siç mund të kuptohet nga fakti se Maria dhe Jozefi, kur e paraqitën Jezusin në Tempull, ofruan vetëm një palë turtuj ose pëllumba (krh. Lk 2,24), siç e caktonte Ligji për të varfrit (krh. Lp 12,8).

Pra, Jezusi adoleshent e ka mësuar këtë zanat nga i ati. Prandaj, kur si i rritur ai filloi të predikonte, bashkëvendësit e tij të habitur pyetnin: «Nga i erdhi këtij kjo dije dhe kjo fuqi mrekullish?» (Mt 13,54), dhe kjo u shkaktonte mosbesim në të (shih rr. 57), sepse ai ishte djali i zdrukthëtarit, por fliste si një mësues i ligjit dhe shkandulloheshin nga kjo gjë.

Kjo e dhënë biografike e Jozefit dhe Jezusit më bën të mendoj për të gjithë punëtorët në botë, veçanërisht për ata që bëjnë punë rraskapitëse në miniera dhe në fabrika të caktuara; për ata që shfrytëzohen në punë në të zezë; për viktimat e punës – kemi parë që në Itali ka pasur mjaft të tilla kohët e fundit –; për fëmijët që detyrohen të punojnë dhe ata që rrëmojnë nëpër hedhurina për të kërkuar diçka të dobishme për të shkëmbyer … Më lejoni ta përsëris atë që thashë: punëtorët e fshehur, punëtorët që bëjnë punë të mundimshme në miniera dhe në fabrika të caktuara: le të mendojmë për ta. Për ata që shfrytëzohen me punë në të zezë, për ata që paguhen me rroga kontrabandë, fshehurazi, pa pension, pa asgjë. E nëse ti nuk punon, nuk ke asnjë siguri. Puna në të zezë sot ekziston, madje shumë. Të mendojmë për viktimat e punës, për aksidentet në punë; për fëmijët që detyrohen të punojnë: kjo është e tmerrshme! Fëmijët e moshës së lojës duhet të luajnë, mirëpo ata janë të detyruar të punojnë si të rritur. Le të mendojmë për ata fëmijë të varfër që gërmojnë nëpër hedhurina për të kërkuar diçka të dobishme për të shkëmbyer. Të gjithë këta janë vëllezërit dhe motrat tona, që e fitojnë bukën e gojës në këtë mënyrë, me punë që nuk ua njeh dinjitetin! Le të mendojmë për këtë. Dhe kjo ndodh sot, në botë, kjo ndodh sot! Por mendoj edhe për ata që gjenden pa punë: sa njerëz trokasin nëpër dyert e fabrikave, bizneseve: “A ka diçka për të bërë?” – “Jo, nuk ka, nuk ka …”. Mungesa e punës! Mendoj edhe për ata që ndihen të lënduar në dinjitetin e tyre sepse nuk mund të gjejnë punë. Ata kthehen në shtëpi: “A gjete gjë?” – “Jo, asgjë… Kalova nga Karitasi dhe solla bukë”. Ajo që të jep dinjitet nuk është të çosh bukë në shtëpi. Mund ta marrësh nga Karitasi: jo, kjo nuk ta jep dinjitetin. Ajo që të jep dinjitet është ta fitosh bukën, dhe nëse ne nuk ua japim njerëzve tanë, burrave dhe grave tona zotësinë për të fituar bukën, kjo është një padrejtësi shoqërore në atë vend, në atë komb, në atë kontinent. Qeveritarët duhet t’u japin të gjithëve mundësinë për të fituar bukën, sepse ky fitim u jep atyre dinjitet. Puna është një lyerje me dinjitetet dhe kjo është e rëndësishme. Shumë të rinj, shumë etër dhe shumë nëna jetojnë tragjedinë e mungesës së një pune që u lejon atyre të jetojnë të qetë dhe kapin ç’tu dalë para. Shumë herë kërkimi i punës bëhet aq dramatik sa i çon njerëzit në pikën e humbjes së çdo shprese dhe dëshirës për jetën. Në këto kohë pandemie, shumë njerëz kanë humbur punën e tyre – jemi në dijeni – dhe disa, të dërrmuar nga një peshë e padurueshme, kanë arritur deri në pikën sa të vetëvriten. Sot dua të kujtoj secilin prej tyre dhe familjet e tyre. Le të bëjmë një moment heshtje duke i kujtuar ata burra, ato gra që janë të dëshpëruar sepse nuk gjejnë punë.

Fakti që puna është një komponent thelbësor për jetën e njeriut, por edhe për rrugën e shenjtërimit, nuk merret parasysh sa duhet. Puna nuk shërben vetëm për të fituar jetesën: është gjithashtu një vend ku shprehim veten, ndihemi të dobishëm dhe nxëmë mësimin e madh të konkretësisë, që e ndihmon jetën shpirtërore të mos bëhet spiritualizëm. Mirëpo, për fat të keq, puna shpeshherë është peng i padrejtësisë shoqërore dhe, në vend që të jetë një mjet humanizimi, ajo bëhet një periferi ekzistenciale. Shumë herë e pyes veten: me çfarë shpirti e bëjmë punën tonë të përditshme? Si e përballojmë lodhjen? A e shohim veprimtarinë tonë të lidhur vetëm me fatin tonë apo edhe me fatin e të tjerëve? Njëmend, puna është një mënyrë për të shprehur personalitetin tonë, që për nga natyra e tij është i shënuar nga marrëdhënia. Puna është gjithashtu një mënyrë për të shprehur krijimtarinë tonë: secili punon sipas mënyrës së tij, me stilin e tij; të njëjtën punë por me një stil tjetër.

Është bukur të mendosh se vetë Jezusi ka punuar dhe se këtë art e ka mësuar nga vetë shën Jozefi. Sot duhet ta pyesim veten se çfarë mund të bëjmë për të rigjetur vlerën e punës; dhe çfarë kontributi mund të japim ne si Kishë që ajo të shpengohet nga logjika thjesht e përfitimit dhe të jetohet si një e drejtë dhe detyrë themelore e njeriut që shpreh dhe rrit dinjitetin e tij.

Të dashur vëllezër dhe motra, për të gjitha këto sot dua të lus me ju lutjen që shën Pali VI ia drejtoi shën Jozefit më 1 maj 1969:

O Shën Jozef,

Mbrojtës i Kishës,

ti që përkrah Fjalës së mishëruar,

punove çdo ditë për të fituar bukën,

duke nxjerrë prej Saj forcën për të jetuar dhe për t’u orvatur;

ti që ke përjetuar ankthin e së nesërmes,

hidhërimin e varfërisë, pasigurinë e punës:

ti që rrezaton sot, shembullin e figurës sate,

të përvujtë para njerëzve,

por shumë të lartë para Hyjit,

mbroji punëtorët në jetën e tyre të përditshme të vështirë,

duke i mbrojtur ata nga shkurajimi,

nga revolta mohuese,

si edhe nga tundimet e hedonizmit;

dhe ruaje paqen në botë,

atë paqe që e vetmja mund të garantojë zhvillimin e popujve. Amen!

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme