10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa përshkruan Lindjen e Jezusit, ngjarje që nuk mund të anashkalohet nga...
HomeKryesorPapa përshkruan Lindjen e Jezusit, ngjarje që nuk mund të anashkalohet nga...

Papa përshkruan Lindjen e Jezusit, ngjarje që nuk mund të anashkalohet nga historia

Në katekizmin e audiencës së përgjithshme Papa Françesku e përqendroi meditimin tek Krishtlindja, tashmë fare pranë. Nga Salla Pali VI u foli besimtarëve për ngjarjen e cila nuk mund të anashkalohet nga historia: lindjen e Krishtit. Maria u detyrua të lindte në një stallë – e nisi  me këto fjalë Papa historinë e Lindjes së Zotit – për t’i ftuar më pas të pranishmit për meditim.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME: Lindja e Jezusit

Katekeza e Atit Shenjt

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot, pak ditë para Krishtlindjes, dëshiroj të kujtoj me ju ngjarjen e shënuar që historia nuk mund ta anashkalojë: lindja e Jezusit.

Jozefi dhe Maria, për të respektuar dekretin e perandorit Cezar Augusti, i cili kishte urdhëruar që të regjistroheshin në gjendjen civile të vendit të tyre të origjinës, zbritën nga Nazareti për në Betlehem. Sapo mbërritën atje, kërkuan menjëherë strehim, sepse lindja ishte e afërt; por fatkeqësisht nuk e gjetën dhe pastaj Maria u detyrua të lindë në një stallë (krh. Lk 2,1-7).

Le të mendojmë: Krijuesi i universit … Atij nuk iu dha një vend për të lindur! Ndoshta ishte një hershim i asaj që thotë Gjoni ungjilltar: «Erdhi ndër të vetët, e të tijtë nuk e pranuan» (1,11); dhe i asaj që vetë Jezusi do të thotë: «Dhelprat i kanë strofujt e vet edhe shpendët e qiellit çerdhet, kurse biri i njeriut nuk ka ku ta mbështesë kokën!» (Lk 9,58).

Ai që njoftoi lindjen e Jezusit ishte një engjëll dhe këtë lajmërim ua dha barinjve të përvujtë. Dhe ishte një yll që u tregoi Dijetarëve rrugën për të arritur në Betlehem (krh. Mt 2,9-10). Engjëlli është një lajmëtar i Hyjit. Ylli kujton se Hyji krijoi dritën (Zan 1,3) dhe se ai Fëmijë do të jetë «drita e botës», siç do të thotë vetë Jezusi për vetveten (krh. Gjn 8,12.46), «Drita e vërtetë që shndrit çdo njeri» (Gjn 1,9), që «shndriti në errësirë e errësira nuk e pushtoi» (rr. 5).

Barinjtë personifikojnë të varfrit e Izraelit, njerëz të përvujtë që jetojnë me vetëdijen brenda tyre të mungesës që kanë dhe pikërisht për këtë arsye ata besojnë më shumë se të tjerët në Hyjin. Ata janë të parët që shohin Birin e Hyjit të bërë njeri dhe ky takim i ndryshon ato thellësisht. Ungjilli vë në dukje se ata u kthyen «duke lëvduar e madhëruar Hyjin për gjithçka kishin dëgjuar e parë» (Lk 2,20).

Rreth Jezusit të porsalindur gjenden edhe Dijetarët (krh. Mt 2,1-12). Ungjijtë nuk na thonë se ata ishin mbretër, as numrin e tyre, as emrat e tyre. Ne dimë me siguri vetëm se ata u nisën prej një vendi të largët në Lindje (mund të mendohet për Babiloninë, Arabinë apo Persinë e asaj kohe) në kërkim të Mbretit të judenjve, të cilin e identifikonin në zemrat e tyre me Hyjin, meqenëse ata thonë se duan ta adhurojnë atë. Dijetarët përfaqësojnë popujt paganë, në veçanti të gjithë ata që gjatë shekujve kërkojnë Hyjin dhe vihen në ecje për ta gjetur atë. Ata përfaqësojnë gjithashtu të pasurit dhe të pushtetshmit, por vetëm ata që nuk janë skllevër të pasjes, të cilët nuk janë të “pushtuar” nga gjërat që besojnë se i zotërojnë.

Mesazhi i Ungjijve është i qartë: lindja e Jezusit është një ngjarje e shënuar universale që ka të bëjë me të gjithë njerëzit.

Të dashur vëllezër dhe motra, vetëm përvujtëria është rruga që na çon te Hyji dhe, njëkohësisht, pikërisht sepse na çon tek Ai, na çon edhe te gjërat thelbësore të jetës, te kuptimi i saj më i vërtetë, te më e besueshmja për të cilën ia vlen të jetohet.

Vetëm përvujtëria na hap përpara përvojës së të vërtetës, gëzimit të njëmendtë, njohjes që vlen. Pa përvujtëri ne jemi “të përjashtuar”, jemi të përjashtuar nga të kuptuarit e Hyjit, nga të kuptuarit e vetvetes. Ne duhet të jemi të përvujtë për të kuptuar veten, aq më tepër për të kuptuar Hyjin. Dijetarët mund të ishin edhe të mëdhenj sipas logjikës së botës, por bëhen të vegjël, të përvujtë dhe pikërisht për këtë arsye ata arrijnë ta gjejnë Jezusin dhe ta njohin atë. Ata e pranojnë përvujtërinë e të kërkuarit, e nisjes për udhëtim, e të pyeturit, e të rrezikuarit, e të gabuarit…

Çdo njeri, në thellësi të zemrës së vet, është i thirrur për të kërkuar Hyjin: të gjithë ne e kemi këtë paqetësi dhe detyra jonë është të mos e shpërfillim atë paqetësi, por ta lëmë të rritet, sepse është paqetësia e kërkimit të Hyjit; dhe, me vetë hirin e Tij, ai mund ta gjejë atë. Le të bëjmë tonën lutjen e shën Anselmit (1033-1109): «Zot, më mëso të të kërkoj. Dëftohu kur të të kërkoj. Unë nuk mund të të kërkoj, nëse ti nuk më mëson; as të të gjej, nëse ti nuk më dëftohesh. Që unë të të kërkoj duke të dëshiruar dhe të të dëshiroj duke të të kërkuar! Që unë të të gjej duke të të kërkuar dhe të të dua duke të të gjetur!» (Proslogion, 1).

Të dashur vëllezër dhe motra, dëshiroj t’i ftoj të gjithë burrat dhe gratë në shpellën e Betlehemit që të adhurojnë Birin e Hyjit të bërë njeri. Secili prej nesh t’i afrohet grazhdit të betlehemit që ka në shtëpinë e tij apo në kishë a gjetkë dhe të përpiqet për të bërë një akt adhurimi, brenda vetes: “Besoj se ti je Hyj, se ky fëmijë është Hyj. Të lutem, ma jep hirin e përvujtërisë që të mund të kuptoj”.

Në rreshtin e parë, ndërsa i afrohem grazhdit të betlehemit për t’u lutur, do të doja të vendosja të varfrit, të cilët – siç përnxiste shën Pali VI – «duhet t’i duam, sepse në një farë mënyre janë sakramenti i Krishtit; në ta – në të uriturit, të eturit, të mërguarit, të zhveshurit, të sëmurët dhe të burgosurit – Ai deshi të identifikohej, në mënyrë mistike. Ne duhet t’i ndihmojmë, të vuajmë bashkë me ta dhe gjithashtu t’i ndjekim, sepse varfëria është rruga më e sigurt për zotërimin e plotë të Mbretërisë së Hyjit» (Homilia, 1 maj 1969). Për këtë arsye ne duhet ta kërkojmë përvujtërinë si hir: “Zot, mos lejo që të bëhem krenar, i vetëmjaftueshëm, e ta mbaj veten sikur të isha qendra e universit. Më bëj të përvujtë. Ma jep hirin e përvujtërisë. Dhe me këtë përvujtëri të mund të të gjej. Është e vetmja rrugë, pa përvujtëri nuk do ta gjejmë kurrë Hyjin: do të gjejmë veten. Sepse njeriu që nuk ka përvujtëri nuk ka horizonte përpara tij, ai ka vetëm një pasqyrë: shikon veten. Ta lusim Zotin që ta thyejë pasqyrën dhe të mund të shikojmë përtej, në horizont, ku është Ai. Porse këtë duhet ta bëjë Ai: të na japë hirin dhe gëzimin e përvujtërisë për ta bërë këtë rrugë.

Pastaj, vëllezër e motra, do të doja të shoqëroja në Betlehem, siç bëri ylli me Dijetarët, të gjithë ata që nuk kanë një paqetësi fetare, që nuk bëhen merak mbi problemin e Hyjit, madje edhe e luftojnë fenë, të gjithë ata që, gabimisht, quhen ateistë. Do të doja t’u përsërisja atyre mesazhin e Koncilit II të Vatikanit: «Kisha beson se njohja e Hyjit nuk i kundërvihet assesi dinjitetit të njeriut, pasi ky dinjitet e gjen themelin dhe përsosurinë e vet pikërisht në Hyjin. […] Kisha e di shumë mirë se mesazhi i saj është në harmoni me aspiratat më të fshehta të zemrës njerëzore» (Gaudium et spes, 21).

Le të kthehemi në shtëpi me urimet e engjëjve: «Paqe mbi tokë njerëzve, që i ka për zemër». Dhe ta kujtojmë gjithmonë: «Jo se ne e kemi dashur Hyjin, por Ai na ka dashur ne […]. Ai na deshi më parë» (1 Gjn 4,10.19), na ka kërkuar. Të mos e harrojmë këtë.

Kjo është arsyeja e gëzimit tonë: na ka dashur, kemi qenë të kërkuar prej Zotit, Ai na kërkon për të na gjetur, për të na dashur më shumë. Kjo është arsyeja e gëzimit: të dimë se na ka dashur pa asnjë meritë, Hyji na paraprin gjithmonë në dashuri, një dashuri aq konkrete sa u bë mish dhe erdhi të banojë mes nesh, në atë Fëmijë që ne e shohim në grazhdin e betlehemit. Kjo dashuri ka një emër dhe një fytyrë: Jezusi është emri dhe fytyra e dashurisë që qëndron në themel të gëzimit tonë.

Vëllezër dhe motra, ju uroj Gëzuar Krishtlindjen, Krishtlindje të gëzuara dhe të shenjta. Dhe unë do të doja që – po, do të ketë urime të mira, bashkime familjare, kjo është gjithmonë e bukur – por që të jetë edhe vetëdija se Hyji vjen “për mua”. Secili le të thotë këtë: Hyji vjen për mua. Vetëdija se për të kërkuar Hyjin, për të gjetur Hyjin, për të pranuar Hyjin, duhet përvujtëri: ta shikojmë me përvujtëri hirin e thyerjes së pasqyrës së kotësisë, krenarisë, të shikimit të vetvetes. Ta shohim Jezusin, ta shohim horizontin, ta shohim Hyjin që vjen tek ne dhe që prek zemrën me atë paqetësi që na çon drejt shpresës. Krishtlindje të gëzuar dhe të shenjtë!

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme