11.5 C
Tirana
HomeMësimi i PapësPapa në Angelus: Ndani dhe Zoti do të shumëzojë dhuratat tuaja
HomeMësimi i PapësPapa në Angelus: Ndani dhe Zoti do të shumëzojë dhuratat tuaja

Papa në Angelus: Ndani dhe Zoti do të shumëzojë dhuratat tuaja

Këtë të Dielë, Papa FrançeskuAngelus shpjegon “logjikën e vogëlsisë dhe të dhurimit” dhe sesi Zoti i bën thirrje secilit prej nesh të japim bujarisht për të ndihmuar vëllezërit dhe motrat tona. Dhënia dhe ndarja e «rrit dashurinë dhe e lejon Perëndinë të bëjë mrekulli».

Angelus i plotë:

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita!

Ungjilli i Liturgjisë së kësaj të Dielë rrëfen episodin e famshëm të shumimit të bukëve dhe peshqve, me të cilin Jezusi ushqen rreth pesë mijë njerëz që kishin ardhur për ta dëgjuar (krh. Gjn 6,1-15). Ngjall interes kur vëren se si ndodh kjo mrekulli: Jezusi nuk i krijon bukët dhe peshqit nga asgjëja, jo, por ai vepron duke u nisur nga ato që i sjellin dishepujt. Njëri prej tyre thotë: «Këtu është një djalosh që ka pesë bukë elbi dhe dy peshq të vegjël. Por, çka janë këto për kaq njerëz?» (rr. 9). Është pak, është asgjë, por është e mjaftueshme për Jezusin.

Le të përpiqemi tani që të vihemi në vendin e atij djali. Dishepujt i kërkojnë atij që të bashkëndajë gjithçka që ka për të ngrënë. Duket një propozim i pakuptimtë, madje, i padrejtë. Përse të privosh një person, kryesisht një djalë, nga ajo që ai ka sjellë nga shtëpia dhe ka të drejtë ta mbajë për vete? Pse t’i heqësh dikujt atë që, sidoqoftë, nuk është e mjaftueshme për të ushqyer të gjithë? Nga ana njerëzore është e palogjikshme. Por për Hyjin jo. Përkundrazi, falë asaj dhurate të vogël të bërë falasshmërisht, prandaj edhe heroike, Jezusi mund t’i ushqejë të gjithë. Është një mësim i shkëlqyeshëm për ne. Ai na tregon se Zoti mund të bëjë shumë me atë pak që ne e vëmë në dispozicion të tij. Do të ishte mirë të pyesnim veten çdo ditë: “Çfarë mund t’i sjell Jezusit, sot?”. Ai mund të bëjë shumë me një lutje tonën, me një gjest tonin të bamirësisë për të tjerët, madje edhe me mjerimin tonë të dorëzuar mëshirës së tij. Gjërat tona të vogla [ia sjellim] Jezusit, dhe Ai bën mrekulli. Hyjit i pëlqen të veprojë kështu: bën gjëra të mëdha duke u nisur nga ato të voglat, nga ato që bëhen falasshmërisht.

Të gjithë protagonistët e mëdhenj të Biblës – nga Abrahami te Maria e deri te djali i sotëm – shfaqin këtë logjikë të vogëlsisë dhe dhuratës. Logjika e dhuratës është kaq e ndryshme nga e jona. Ne orvatemi të grumbullojmë dhe të rrisim atë që kemi; ndërsa Jezusi kërkon dhurimin, zvogëlimin. Ne dëshirojmë të shtojmë, na pëlqejnë mbledhjet/shtimet; Jezusit i pëlqejnë zbritjet, heqja e diçkaje për t’ia dhënë atë të tjerëve. Ne duam të shumojmë për veten tonë; Jezusi e vlerëson kur ndajmë me të tjerët, kur bashkëndajmë. Ngjall kureshtjen fakti që në tregimet e shumimit të bukëve, të pranishme në Ungjij, nuk shfaqet kurrë folja “shumëzoj”. Madje foljet e përdorura janë të shenjës së kundërt: “të thyesh [bukën]”, “të japësh”, “të shpërndash” (krh. rr. 11; Mt 14,19; Mk 6,41; Lk 9,16). Por folja “shumëzoj” nuk përdoret. Mrekullia e vërtetë, thotë Jezusi, nuk është shumëzimi që prodhon mburrje dhe fuqi, por ndarja, bashkëndarja, e cila rrit dashurinë dhe ia lejon Hyjit të bëjë mrekulli. Le të përpiqemi të bashkëndajmë më shumë, le ta provojmë këtë rrugë që Jezusi na mëson.

Edhe sot shumëzimi i të mirave nuk i zgjidh problemet pa një ndarje të drejtë. Më vjen ndërmend tragjedia e urisë, e cila prek veçanërisht më të vegjlit. Është llogaritur – zyrtarisht – që, çdo ditë në botë, rreth shtatë mijë fëmijë nën moshën pesë vjeç, vdesin për arsye që lidhen me kequshqyerjen, sepse nuk kanë sa u nevojitet për të jetuar. Përballë skandaleve të tilla, Jezusi na drejton edhe neve një ftesë, një ftesë të ngjashme me atë që, me shumë gjasë, mori djali i Ungjillit, i cili nuk ka emër dhe në të cilin të gjithë mund ta shohim veten: “Guxim, dhuro atë pak që ke, talentet dhe të mirat tuaja, vëri në dispozicion të Jezusit dhe të vëllezërve. Mos ki frikë, asgjë nuk do të shkojë hupës, sepse, nëse bashkëndan, Hyji shumon. Flake modestinë e rreme të të ndjerit i papërshtatshëm, më beso! Beso në dashurinë, beso në pushtetin e shërbimit, beso në fuqinë e falasshmërisë”.

Marrë nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme