10.5 C
Tirana
HomeMësimi i PapësPapa në Angelus: Kemi nevojë për një “ekologji të zemrës”
HomeMësimi i PapësPapa në Angelus: Kemi nevojë për një “ekologji të zemrës”

Papa në Angelus: Kemi nevojë për një “ekologji të zemrës”

Mond MARKU

Duke iu drejtuar besimtarëve në Sheshin e Shën Pjetrit për Angelus të Dielës, Papa Françesku thotë se na duhet një “ekologji e zemrës” e zhvilluar përmes “pushimit, soditjes dhe dhembshurisë”. Dhe vera është një kohë e mirë për ta bërë këtë.

Angelus i plotë:

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Qëndrimi i Jezusit, të cilin e vërejmë në Ungjillin e Liturgjisë së sotme (Mk 6,30-34), na ndihmon të kuptojmë dy aspekte të rëndësishme të jetës. I pari është pushimi. Apostujve, të cilët kthehen me lodhjet e misionit dhe me entuziazëm fillojnë të tregojnë të gjitha ato që kanë bërë, Jezusi, me butësi, u drejton një ftese: “Ejani dhe ju në një vend të pabanuar e pushoni pak në vetmi” (rr. 31). Fton për pushim.

Jezusi, duke vepruar kështu, na jep një mësim të çmueshëm. Megjithëse gëzohet kur i sheh dishepujt e tij të lumtur për mrekullitë e predikimit, ai nuk zgjatet në komplimente dhe pyetje, por shqetësohet për lodhjen e tyre fizike dhe të brendshme. E pse e bën këtë? Sepse ai dëshiron t’i paralajmërojë ata për një rrezik, i cili është gjithmonë në pritje edhe për ne: rreziku që mania e të bërit të na marrë përpara, duke rënë në grackën e aktivizmit, ku gjëja më e rëndësishme janë rezultatet që marrim dhe të ndjerit protagonistë absolut. Sa shpesh ndodh edhe në Kishë: jemi të zënë me punë, vrapojmë, mendojmë se gjithçka varet nga ne dhe, në fund të fundit, rrezikojmë të lëmë pas dore Jezusin dhe gjithmonë kthehemi ne në qendër. Për këtë arsye Ai i fton të vetët të pushojnë pak në vetmi, me Të. Nuk është vetëm pushim fizik, është edhe pushim i zemrës. Meqenëse nuk është e mjaftueshme të “heqim spinën”, nevojitet përnjëmend një pushim. Dhe si bëhet kjo? Për ta bërë këtë, duhet të kthehemi te zemra e gjërave: të ndalemi, të qëndrojmë në heshtje, të lutemi, në mënyrë që të mos kalojmë prej ngarendjes së punës në ngarendjen e pushimeve. Jezusi nuk u shmangej nevojave të turmës, por çdo ditë, para së gjithash, ai tërhiqej në lutje, në heshtje, në afrimitet me Atin. Ftesa e tij e dashur – pushoni pak – duhet të na shoqërojë: le të kemi kujdes, vëllezër dhe motra, nga efikasiteti me çdo kusht, le ta ndalojmë ngarendjen e papërmbajtshme që përcakton programet tona. Le të mësojmë të ndalemi, të fikim celularin, të sodisim natyrën, të ripërtërihemi në bashkëbisedim me Hyjin.

Sidoqoftë, Ungjilli rrëfen se Jezusi dhe dishepujt nuk mund të pushojnë siç dëshirojnë. Njerëzit i gjejnë dhe dynden ngado. Në atë pikë Zotëria vepron me dhembshuri. Ja këtu aspekti i dytë: dhembshuria, e cila është stili i Hyjit. Stili i Hyjit është afërsia, dhembshuria dhe butësia. Sa herë në Ungjill, në Bibël, e gjejmë këtë frazë: “pati dhembshuri”. I ngashëryer, Jezusi i kushtohet njerëzve dhe fillon të mësojë (krh. rr. 33-34). Duket si një kontradiktë, por në të vërtetë nuk është kështu. Përnjëmend, vetëm zemra që nuk e lë veten të rrëmbehet prej ngarendjes është e aftë të ngashërehet, domethënë të mos lejojë që ta marrë para vetvetja dhe gjërat për t’u bërë dhe të kujtohet për të tjerët, për plagët e tyre, për nevojat e tyre. Dhembshuria lind nga soditja. Nëse mësojmë të pushojmë vërtet, bëhemi të aftë për dhembshuri të vërtetë; nëse kultivojmë një vështrim soditës, ne do t’i çojmë para aktivitetet tona pa qëndrimin lakmitar të atyre që duan të zotërojnë dhe konsumojnë gjithçka; nëse qëndrojmë në kontakt me Zotin dhe nuk i bëjmë anestezi pjesës sonë më të thellë, gjërat për t’u bërë nuk do të kenë fuqinë të na marrin frymën dhe të na gllabërojnë. Kemi nevojë – e dëgjoni këtë –, kemi nevojë për një “ekologji të zemrës”, e cila përbëhet nga pushimi, soditja dhe dhembshuria. Le të përfitojmë nga koha e verës për këtë!

Marrë nga vatican.va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme