10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: vdekja duhet pranuar, nuk duhet shpejtuar, as ndër pleq
HomeKryesorPapa Françesku: vdekja duhet pranuar, nuk duhet shpejtuar, as ndër pleq

Papa Françesku: vdekja duhet pranuar, nuk duhet shpejtuar, as ndër pleq

Shën Jozefi është edhe pajtor i vdekjes. E na kujton “se jeta është e drejtë, jo vdekja! Vdekja duhet pranuar, nuk duhet shpejtuar. Është parim etik për të gjithë, jo vetëm për të krishterët a besimtarët”. Papa Françesku ia kushtoi katekizmin e njëzetë të audiencës së përgjithshme çasteve të fundit të jetës së atit tokësor të Krishtit, ndonëse në Ungjijtë nuk përmenden  fare. Nuk përmenden, por nënkuptohet se në çastet e fundit Shën Jozefi duhet të ketë pasur pranë Virgjërën Mari e Jezusin, që duhet ta kenë përcjellë me shumë dashuri në jetën e pasosur.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi shën Jozefin – 11. Shën Jozefi pajtor i vdekjes së mirë

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në katekezën e kaluar, të nxitur edhe një herë nga figura e shën Jozefit, reflektuam mbi domethënien e shoqërisë së shenjtërve. Dhe pikërisht duke u nisur nga kjo, sot dëshiroj të thellohemi mbi devocionin e veçantë që populli i krishterë ka pasur gjithmonë për shën Jozefin si pajtor i vdekjes së mirë. Një devocion i lindur nga bindja se Jozefi vdiq nën përkujdesjen e Virgjërës Mari dhe Jezusit, përpara se të linte shtëpinë e Nazaretit. Nuk ka të dhëna historike, por duke qenë se Jozefi nuk shihet më në jetën publike, mendohet se ka vdekur atje në Nazaret, me familjen e tij. Dhe për ta shoqëruar atë në çastin e vdekjes ishin Jezusi dhe Maria.

Papa Benedikti XV, një shekull më parë, shkruante se «nëpërmjet Jozefit ne shkojmë drejtpërdrejt te Maria dhe, nëpërmjet Marisë, te origjina e gjithë shenjtërisë, që është Jezusi». Jozefi dhe Maria na ndihmojnë të shkojmë te Jezusi dhe duke inkurajuar praktikat e devotshme në nderim të shën Jozefit, ai rekomandonte veçanërisht njërën prej tyre dhe thoshte kështu: «Meqenëse ai çmohet me të drejtë si mbrojtësi më i efektshëm i atyre që janë në prag të vdekjes, pasi [Jozefi] ka dhënë shpirt nën përkujdesjen e Jezusit dhe të Marisë, i përket kujdesit të barinjve të shenjtë që të rrënjosin dhe përkrahin […] ato shoqata të devotshme që janë krijuar për t’iu lutur Jozefit në të mirë të atyre që gjenden në fill të vdekjes, si ato “Për një vdekje të mirë”, të “Kalimit të shën Jozefit” dhe “Për ata që janë duke dhënë shpirt” (Motu proprio Bonum sane, 25 korrik 1920): këto ishin shoqatat e kohës.

Të dashur vëllezër dhe motra, ndoshta dikush mendon se kjo gjuhë dhe kjo temë janë vetëm një trashëgimi e së shkuarës, por në realitet marrëdhënia jonë me vdekjen nuk ka të bëjë kurrë me të shkuarën, ajo është gjithmonë e tashme. Papa Benedikti, ca ditë më parë, duke folur për veten, thoshte se “gjendet para derës së errët të vdekjes”. Ka hije që ta falënderoj Papa Benediktin, i cili në moshën 95-vjeçare ka kthjelltësinë të na e thotë këtë: “Unë gjendem përballë errësirës së vdekjes, derës së errët të vdekjes”. Ç‘këshillë të mirë që na ka dhënë! E ashtuquajtura kultura e “mirëqenies” kërkon të fshijë realitetin e vdekjes, por në mënyrë dramatike pandemia e koronavirusit e ka rikthyer atë në plan të parë. Ishte e tmerrshme: vdekja ishte ngado, dhe shumë vëllezër e motra humbën të dashurit pa qenë në gjendje të ishin pranë tyre, dhe kjo e bëri vdekjen edhe më të vështirë për t’u pranuar dhe përpunuar. Një infermiere më tha se një gjyshe me Covid, që po vdiste, tha: “Do të doja t’u them lamtumirë familjarëve të mi, para se t’i lë”. Dhe infermierja, e guximshme, mori telefonin dhe e lidhi me ta. Dhembshuria e asaj ndarjeje …

Përkundër kësaj, ne përpiqemi në çdo mënyrë të largojmë mendimin mbi fundmërinë tonë, duke pandehur kështu se ia heqim vdekjes fuqinë e saj dhe e dëbojmë frikën. Por feja e krishterë nuk është një mënyrë për të ekzorcizuar fikën e vdekjes, përkundrazi, ajo na ndihmon që ta përballojmë atë. Herët a vonë, të gjithë ne do të kalojmë nëpër atë derë.

Drita e vërtetë që ndriçon misterin e vdekjes vjen nga ngjallja e Krishtit. Ja, drita. Shën Pali shkruan: «Në qoftë se predikohet se Krishti është ngjallur prej të vdekurish: si atëherë disa prej jush thonë: “Nuk ka ngjallje prej të vdekurve.”? Po qe se të vdekurit nuk do të ngjallen –  atëherë as Krishti nuk është ngjallur. Por, në qoftë se Krishti me të vërtetë nuk është ngjallur, [atëherë] i kotë është predikimi ynë – i kotë besimi juaj» (1 Kor 15,12-14). Ekziston një siguri: Krishti është ngjallur, Krishti u ngjall, Krishti është i gjallë mes nesh. Kjo është drita që na pret pas asaj dere të errët të vdekjes.

Të dashur vëllezër dhe motra, vetëm me besimin në ngjalljen ne mund të dalim para humnerës së vdekjes pa u pushtuar nga frika. Jo vetëm kaq: ne mund t’i rikthejmë vdekjes një rol pozitiv. Njëmend, të mendosh për vdekjen, e ndriçuar nga misteri i Krishtit, na ndihmon ta shohim krejt jetën me sy të rinj. Unë nuk kam parë asnjëherë një kamion shpërnguljeje pas një makine funerali! Pas një makine funerali: nuk e kam parë askurrë. Ne do të shkojmë atje vetëm, pa marrë asgjë në xhepat e rizës: asgjë. Sepse riza nuk ka xhepa. Kjo vetmi e vdekjes: është e vërtetë, nuk kam parë kurrë kamion shpërnguljeje pas një makine funerali. Nuk ka kuptim të grumbullojmë këtu mbi tokë nëse një ditë do të vdesim. Ajo që duhet të grumbullojmë është dashuria, është aftësia për të bashkëndarë, aftësia për të mos qëndruar indiferentë përballë nevojave të të tjerëve. Ose, çfarë kuptimi ka të grindemi me një vëlla apo motër, me një mik, me një anëtar të familjes apo me një vëlla apo motër në fe, nëse një ditë do të vdesim? Çfarë dobie ka të zemërohesh, të zemërohesh me të tjerët? Përballë vdekjes ridimensionohen shumë pyetje. Është mirë të vdesim të pajtuar, pa lënë mëri dhe pa të qarë zemra! Do të doja të them një të vërtetë: të gjithë jemi në ecje drejt asaj dere, të gjithë.

Ungjilli na thotë se vdekja vjen si një hajdut, kështu thotë Jezusi: ajo vjen si hajduti dhe sado që ne përpiqemi ta mbajmë nën kontroll ardhjen e saj, madje duke planifikuar vetë vdekjen tonë, ajo mbetet një ngjarje me të cilën duhet t’i bëjmë llogaritë dhe përballë të cilës duhen bërë edhe zgjedhje.

Për ne të krishterët, qëndrojnë dy konsiderata. E para: ne nuk mund t’i shmangemi vdekjes, dhe pikërisht për këtë – pasi kemi bërë gjithçka që është e mundur nga ana njerëzore për të kuruar të sëmurin –, këmbëngulja e tepruar terapeutike është e pamoralshme (krh. Katekizmi i Kishës Katolike, n. 2278). Ajo fraza e popullit besnik të Hyjit, e njerëzve të thjeshtë: “Lëre të vdesë në paqe”, “ndihmoje të vdesë në paqe”: ka shumë urtësi! Konsiderata e dytë ka të bëjë me cilësinë e vetë vdekjes, cilësinë e dhimbjes, të vuajtjes. Njëmend, ne duhet të jemi mirënjohës për gjithë ndihmën që mjekësia po përpiqet të japë, në mënyrë që përmes të ashtuquajturit “kujdes paliativ”, çdo person që përgatitet të jetojë pjesën e fundit të jetës së tij, ta bëjë atë në mënyrën më njerëzore të mundshme. Mirëpo, duhet të jemi të kujdesshëm që të mos e ngatërrojmë këtë ndihmë me devijime të papranueshme që çojnë në vrasje. Ne duhet t’i shoqërojmë njerëzit në vdekje, por jo të shkaktojmë vdekje ose të ndihmojmë çfarëdo forme të vetëvrasjes. Sjell në vëmendjen tuaj që e drejta për t’u kujdesur dhe për t’u kujdesur për të gjithë duhet të jetë gjithmonë e privilegjuar, në mënyrë që më të dobëtit, veçanërisht të moshuarit dhe të sëmurët, të mos skartohen kurrë. Jeta është një e drejtë, e jo vdekja, e cila duhet pranuar, jo shkaktuar. Ky parim etik ka të bëjë me të gjithë, jo vetëm me të krishterët apo besimtarët. Porse do të doja të theksoja këtu një problem social, por real. Ai “planifikim” – nuk e di nëse është fjala e duhur – por përshpejtimi i vdekjes së të moshuarve. Shumë herë shihet në një klasë të caktuar shoqërore që të moshuarve, për shkak se nuk kanë mjete, u jepen më pak ilaçe sesa do t’u nevojiteshin, dhe kjo është çnjerëzore: kjo nuk është ndihmë ndaj tyre, po shtyrje për t’i çuar më shpejt drejt vdekjes. Kjo nuk është as njerëzore, as e krishterë. Të moshuarit duhet të trajtohen si një thesar i njerëzimit: ata janë urtia jonë. Edhe nëse nuk flasin, dhe nëse kanë humbur vetëdijen, sidoqoftë janë simboli i urtisë njerëzore. Janë ata që e kaluan rrugën para nesh dhe na lanë kaq shumë gjëra të bukura, kaq shumë kujtime, aq shumë urti. Ju lutemi mos i izoloni të moshuarit, mos e përshpejtoni vdekjen e të moshuarve. Përkëdhelja e një të moshuari ka të njëjtën peshë si përkëdhelja e një fëmije, sepse fillimi dhe fundi i jetës është gjithmonë një mister, një mister që duhet respektuar, shoqëruar, kujdesur, dashur.

Shën Jozefi na ndihmoftë që ta jetojmë misterin e vdekjes në mënyrën më të mirë të mundshme. Për një të krishterë, një vdekje e mirë është një përvojë e mëshirës së Hyjit, e cila na afrohet edhe në atë moment të fundit të jetës sonë. Edhe në lutjen “Të falemi Mari”, ne lutemi duke i kërkuar Zojës që të jetë pranë nesh “në fill të vdekjes sonë”. Pikërisht për këtë dua ta mbyll këtë katekezë duke iu lutur të gjithë së bashku Zojës për ata që po japin shpirt, për ata që po e përjetojnë këtë moment kalimi nëpër atë derë të errët dhe për familjarët që po përjetojnë dhimbjen e ndarjes.

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme