9.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: t’i kushtohet kohë të moshuarve
HomeKryesorPapa Françesku: t’i kushtohet kohë të moshuarve

Papa Françesku: t’i kushtohet kohë të moshuarve

Në audiencën e përgjithshme Papa Françesku ftoi për ta shikuar pleqërinë  si pasuri  e për të zbuluar në ritmet e ngadalshme të të moshuarve, bukurinë e jetës në stinët e ndryshme të saj. “Të humbasësh kohë duke biseduar me pleqtë e fëmijët, është themelore. E fuqizon familjen njerëzore”.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 2. Jetëgjatësia: simbol dhe mundësi

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në tregimin biblik të gjenealogjive të paraardhësve, bie menjëherë në sy jetëgjatësia e tyre e pamasë: flitet për shekuj! Lind pyetja: kur fillon pleqëria këtu? Dhe çfarë domethënieje ka fakti që këta etër të lashtë jetojnë kaq gjatë pasi kanë lindur fëmijët? Etër e bij jetojnë së bashku me shekuj! Kjo kadencë shekullore e kohërave, e rrëfyer me një stil ritual, i jep marrëdhënies mes jetëgjatësisë dhe gjenealogjisë një kuptim simbolik të fortë, shumë të fortë.

Duket sikur përçimi i jetës njerëzore, aq i ri në universin e krijuar, kërkon një hyrje [inicim] të ngadaltë dhe të zgjatur. Gjithçka është e re; në fillimet e historisë së një krijese që është shpirt dhe jetë, ndërgjegje dhe liri, ndjeshmëri dhe përgjegjësi. Jeta e re – jeta njerëzore –, e zhytur në tensionin midis origjinës së saj “në shëmbëllim dhe përngjasim” të Hyjit dhe brishtësisë së gjendjes së saj të vdekshme, përfaqëson një risi e gjitha për t’u zbuluar. Dhe kërkon një kohë të gjatë hyrjeje, në të cilën mbështetja e ndërsjellë midis brezave është e domosdoshme, për të deshifruar përvojat dhe për t’u përballur me enigmat e jetës. Në këtë kohë të gjatë, dalëngadalë kultivohet edhe cilësia shpirtërore e njeriut.

Në një farë kuptimi, çdo hap epoke, në historinë njerëzore, na ofron sërish këtë ndjesi: është sikur të na duhej t’i rimerrnim nga e para dhe qetësisht hulumtimet tona mbi kuptimin e jetës, kur skenari i gjendjes njerëzore shfaqet i mbushur me përvoja dhe pyetje të padëgjuara më parë. Natyrisht, akumulimi i kujtesës kulturore rrit përvojën e nevojshme për të përballuar të panjohurat. Kohët e përçimit janë ngushtuar; por kohët e përbluajtjes kërkojnë gjithmonë durim. Ngutja e tepruar, e cila tanimë përndjek të gjitha hapat e jetës sonë, e bën çdo përvojë më sipërfaqësore dhe më pak “ushqyese”. Të rinjtë janë viktima të pavetëdijshme të kësaj ndarjeje mes kohës së orës, që dëshirohet të digjet, dhe kohërave të jetës, të cilat kërkojnë “mbrujtjen” e duhur. Një jetë e gjatë bën të mundur përjetimin e këtyre kohëve të gjata dhe dëmin e ngutjes.

Pleqëria, natyrisht, dikton ritme më të ngadalta: por këto nuk janë vetëm kohë inercie. Në të vërtetë, masa e këtyre ritmeve hap para të gjithëve, hapësira kuptimi të jetës që janë të panjohura për njerëzit e obsesionuar nga nguti. Humbja e kontaktit me ritmet e ngadalta të pleqërisë i mbyll këto hapësira për të gjithë. Pikërisht në këtë kontekst kam dashur të caktoj ditën e gjyshërve, të dielën e fundit të korrikut. Besëlidhja midis dy brezave skajorë të jetës – fëmijëve dhe të moshuarve – ndihmon edhe dy të tjerët – të rinjtë dhe të rriturit – të lidhen me njëri-tjetrin për ta bërë jetën e të gjithëve më të pasur në njerëzishmëri. Ne kemi nevojë për dialog midis brezave: nëse nuk ka dialog midis të rinjve dhe të moshuarve, midis të rriturve, nëse nuk ka dialog, çdo brez mbetet e izoluar dhe nuk mund ta përçojë mesazhin. Një i ri që nuk është i lidhur me rrënjët e veta, që janë gjyshërit, nuk merr forcë – sikur pema që e merr forcën nga rrënjët – dhe rritet keq, rritet e sëmurë, rritet pa referime. Për këtë arsye duhet të kërkojmë dialogun mes brezave si nevojë njerëzore. Dhe ky dialog është i rëndësishëm pikërisht mes gjyshërve dhe nipave, të cilët janë dy skajet.

Le të imagjinojmë një qytet ku bashkëjetesa e moshave të ndryshme është pjesë përbërëse e projektit global të habitatit të tij. Të mendojmë për formimin e marrëdhënieve dashamirëse midis pleqërisë dhe rinisë që rrezatohen në stilin e përgjithshëm të marrëdhënieve. Ndërlidhja e brezave do të bëhej burim energjie për një humanizëm vërtetë të dukshëm dhe të jetueshëm. Qyteti modern priret keqas ndaj të moshuarve (dhe jo rastësisht bën po ashtu edhe me fëmijët). Kjo shoqëri që ka këtë frymë skartimi dhe skarton shumë fëmijë të padëshiruar, skarton të vjetrit: i skarton, nuk i shërbejnë dhe i fut në shtëpi të të moshuarve, në azil… Ngutja e tepruar na fut në një centrifugë që na shpërbën si kotijone. Pamja mbi të tërën së bashku humbet plotësisht. Secili kapet pas copëzës së vet, që noton mbi flukset e qytetit-treg, për të cilin ritmet e ngadalta janë humbje dhe shpejtësia para. Ngutja e tepruar e pluhurzon jetën, nuk e bën më intensive. Mençuria kërkon “humbje kohe”. Kur ti kthehesh në shtëpi dhe sheh djalin tënd, vogëlushen tënde, “humb kohë”, por kjo ndenje me to është thelbësore për shoqërinë. Kur kthehesh në shtëpi dhe aty është gjyshi ose gjyshja që ndoshta nuk arsyetojnë mirë ose, nuk e di, kanë humbur disi aftësinë për të folur, dhe ti qëndron me to, “humb kohë”, por kjo “humbje kohe” e forcon familjen njerëzore. Është e nevojshme të shpenzojmë kohë – një kohë jo fitimprurëse – me fëmijët dhe të moshuarit, sepse ata na japin një tjetër aftësi për të parë jetën.

Pandemia, në të cilën jemi ende të detyruar të jetojmë, ka imponuar – fatkeqësisht me shumë dhimbje – një ndalesë të kultit të topitur të ngutit. E në këtë periudhë gjyshërit kanë qenë pritë që të vegjlit të mos “dehidratohen” nga ana afektive. Besëlidhja e dukshme e brezave, që harmonizon kohën dhe ritmet e tyre, na kthen shpresën për të mos e jetuar jetën kot. Dhe ua kthen të gjithëve dashurinë për jetën tonë të dëmtueshme, duke i zënë rrugën obsesionit të ngutit, që thjesht e konsumon atë. Fraza kryesore këtu është “humb kohë”. Po e pyes secilin prej jush: a dini të humbisni kohë, apo jeni gjithmonë të nxituar nga shpejtësia? “Jo, jam me nxitim, nuk mundem …”? A dini të humbisni kohë me gjyshërit, me të vjetrit? A di të humbasësh kohë duke luajtur me fëmijët tuaj, me vogëlushët? Ky është guri i provës [kriteri i gjykimit]. Mendoni pak. Kjo [“humbje kohe”] u rikthen të gjithëve dashurinë për jetën tonë të dëmtueshme, duke i zënë rrugën – siç thashë – obsesionit të ngutit, e cila thjesht e konsumon atë. Ritmet e pleqërisë janë një burim i domosdoshëm për të rrokur kuptimin e jetës së shënuar nga koha. Të moshuarit kanë ritmet e tyre, por janë ritme që na ndihmojnë. Falë këtij ndërmjetësimi, caku i jetës për takimin me Hyjin bëhet më i besueshëm: një plan që fshihet në krijimin e qenies njerëzore “sipas shëmbëllimit dhe përngjasimit të tij” dhe është vulosur në të bërit njeri të Birit të Hyjit.

Sot ka një jetëgjatësi më të madhe të jetës njerëzore. Kjo na ofron mundësinë për të rritur besëlidhjen midis të gjitha kohëve të jetës. Shumë jetëgjatësi, por duhet të bëjmë më shumë besëlidhje. Ajo gjithashtu na ndihmon të rrisim besëlidhjen me kuptimin e jetës në tërësinë e saj. Kuptimi i jetës nuk qëndron vetëm në moshën e rritur, nga 25 deri në 60. Kuptimi i jetës është e tëra, nga lindja deri në vdekje dhe ti duhet të jesh në gjendje të bashkëbisedosh me të gjithë, madje të kesh marrëdhënie dashamirësie me të gjithë, kështu që pjekuria jote do të jetë më me vlerë, më e fortë. Dhe na ofron gjithashtu këtë kuptim të jetës në tërësinë e saj.

Shpirti Shenjt  na dhëntë dijen dhe forcën për këtë reformë: nevojitet një reformë. Arroganca e kohës së orës duhet të kthehet te bukuria e ritmeve të jetës. Kjo është reforma që duhet të bëjmë në zemrat tona, në familje dhe në shoqëri. E përsëris: reformë, po çfarë reforme? Që arroganca e kohës së orës të kthehet te bukuria e ritmeve të jetës. Le ta kthejmë arrogancën e kohës, që na ngut gjithmonë, te ritmet që i përkasin jetës. Besëlidhja e brezave është e domosdoshme. Një shoqëri ku të vjetrit nuk flasin me të rinjtë, të rinjtë nuk u flasin të vjetrit, të rriturit nuk u flasin të vjetrit apo me të rinjtë, është një shoqëri shterpë, pa të ardhme, një shoqëri që nuk shikon në horizont por shikon vetveten; dhe bëhet e vetmuar. Zoti na ndihmoftë që ta gjejmë muzikën e duhur për këtë harmonizim të moshave të ndryshme: të vegjlit, të moshuarit, të rriturit, të gjithë së bashku: një simfoni e bukur dialogu.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme