12.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku të rinjve: “Çohu dhe dëshmo gëzimin e Krishtit”
HomeJeta e KishësPapa Françesku të rinjve: “Çohu dhe dëshmo gëzimin e Krishtit”

Papa Françesku të rinjve: “Çohu dhe dëshmo gëzimin e Krishtit”

Në mesazhin për Ditën Botërore të Rinisë, që kremtohet në nivel dioqezan më 21 nëntor 2021, Papa kujton se “kur bie një i ri, në një farë kuptimi bie njerëzimi”, por nëse çohet sërish, ai ngre botën. Prandaj “çohu” është nxitja e Jezusit drejtuar Palit dhe gjithashtu ftesa për të dalë nga verbëria për të rizbuluar autenticitetin vetjak nëpërmjet Krishtit.

“Do të dëshiroja edhe një herë t’ju merrja për dore”: kjo është fjalia e parë që Françesku shkruan në mesazhin për Ditën Botërore të Rinisë, që kremtohet në nivelin dioqezan më 21 nëntor 2021, e fokusuar në temën: “Çohu! Po të bëj dëshmitar të asaj që ke parë”. Në qëndrimin e tij prej babai, Papa vihet përkrah të rinjve për t’i shoqëruar drejt Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë në 2023-shin me temën: “Maria u ngrit dhe shkoi me nxitim”. Ai i fton ata që të ndalen te kthimi i Palit në rrugën për Damask, mbi atë “Çohu” që Jezusi shqipton dhe që është ende sot një ftesë më e gjallë se kurrë.

Misioni i dëshmitarëve të dritës

Në faqet e fundit të tekstit Françesku i kërkon çdo të riu që të mos “qajë mbi vetveten” sepse ekziston një mision për t’u përmbushur, duke u bërë dëshmitar i asaj që jetohet në çdo zemër: ikja nga Hyji, njohja prapëseprapë e “një zjarri që djeg” i cili është më i fortë se ne, duke u ndjerë si fëmijë të një babai dhe për këtë arsye të vegjël, duke iu hapur një perspektive krejtësisht të re.

Çohu dhe dëshmo për përvojën tënde si një i verbër që ka takuar dritën, që ka parë të mirën dhe bukurinë e Hyjit në veten e tij, në të tjerët dhe në bashkimin e Kishës që mposht çdo vetmi.

Çohu dhe dëshmo dashurinë dhe respektin që mund të përftohet në marrëdhëniet njerëzore, në jetën familjare, në dialogun midis prindërve dhe fëmijëve, midis të rinjve dhe të moshuarve.

Çohu dhe mbro drejtësinë shoqërore, të vërtetën dhe ndershmërinë, të drejtat njerëzore, të përndjekurit, të varfrit dhe të pambrojturit, ata që nuk kanë zë në shoqëri, migrantët.

Çohu dhe dëshmo shikimin e ri që të bën të shohësh krijimin me sy plot mahnitje, që të bën të njohësh Tokën si shtëpinë tonë të përbashkët dhe të jep guximin për të mbrojtur ekologjinë integrale.

Çohu dhe dëshmo se jetët e dështuara mund të rindërtohet, se njerëzit tashmë të vdekur në shpirt mund të ngjallen, se njerëzit e skllavëruar mund të bëhen përsëri të lirë, se zemrat e shtypura nga trishtimi mund të gjejnë shpresë.

Çohu dhe dëshmo me gëzim se Krishti jeton! Përhape mesazhin e tij të dashurisë dhe të shpëtimit mes bashkëmoshatarëve të tu, në shkollë, në universitet, në punë, në botën dixhitale, kudo.

Në pandemi, dhimbja dhe solidariteti i të rinjve

Në mesazhin e tij, Papa Françesku kujton pasojat e pandemisë, vuajtjen dhe izolimin. “Ju e keni gjetur veten – shkruan ai – në situata të vështira, të cilat nuk ishit mësuar t’i menaxhonit. Ata që ishin më pak të përgatitur dhe të pambështetur e kanë ndjerë veten të çorientuar. Problemet familjare janë shfaqur në shumë raste, si dhe papunësia, depresioni, vetmia dhe varësitë. Për të mos përmendur stresin e grumbulluar, tensionet dhe shpërthimet e zemërimit, shtimin e dhunës”. Mirëpo, në këtë skenar u shfaq edhe solidariteti, “në çdo pjesë të botës kemi parë shumë njerëz, mes të cilëve shumë të rinj, të luftojnë për jetën, të mbjellin shpresë, të mbrojnë lirinë dhe drejtësinë, të jenë autorë të paqes dhe ndërtues të urave lidhëse”.

“Kur bie një i ri, në një farë kuptimi bie njerëzimi. Porse është gjithashtu e vërtetë se kur një i ri ngrihet, është sikur të ishte ngritur e gjithë bota. Të dashur të rinj, çfarë potenciali të madh keni në duart tuaja!”

Në epokën e internetit, jo të gjithë e njohin Jezusin

Reflektimi i Papës fillon nga kthimi i Saulit, i cili u godit nga një dritë e fortë në rrugën për në Damask. Jezusi e thërret me emrin e tij sepse e di se kush është, e njeh urrejtjen që ndjen ndaj të krishterëve, por Zoti dëshiron ta bëjë të njohur mëshirën e tij. “Do të jetë pikërisht ky hir, kjo dashuri e pamerituar dhe e pakushtëzuar, drita – shkruan ai – që do të shndërrojë rrënjësisht jetën e Saulit”. Me të dëgjuar emrin e tij ai pyet: “Kush je ti, Zotëri?”. Një pyetje që të gjithë jemi të thirrur t’i bëjmë vetes. “Nuk mjafton të kesh dëgjuar të flitet për Krishtin nga të tjerët, është e nevojshme të flasësh me Të personalisht. Në fund të fundit, kjo është të lutesh”. “Ne nuk mund ta marrim të mirëqenë se të gjithë e njohin Jezusin, edhe në epokën e internetit”.

Jezusi është Kisha

Në përgjigjen: “Unë jam Jezusi që ti e salvon!”, ai e identifikon veten me Kishën, me të krishterët dhe megjithatë shpesh dëgjon se thuhet: “Jezusi po, Kisha jo”, sikur njëra të ishte alternativë e tjetrës. “Askush nuk mund ta njohë Jezusin – nënvizon Papa – nëse jo përmes vëllezërve dhe motrave të bashkësisë së tij. Nuk mund të themi se jemi plotësisht të krishterë nëse nuk jetojmë dimensionin kishtar të fesë”.

Mund të fillohet kurdoherë nga e para

Sauli merr “qortimin e ëmbël” të Jezusit që pret kthimin e tij. “Në zemrën e secilit ka si një zjarr që djeg: edhe nëse përpiqemi ta përmbajmë, nuk ia arrijmë, sepse është më i fortë se ne” dhe është aty edhe nëse mund të dukemi të pakthyeshëm.

Përmes takimit personal me Të është gjithmonë e mundur të fillohet nga e para. Asnjë i ri nuk është jashtë mundësive të hirit dhe mëshirës së Hyjit. Për asnjërin nuk mund të thuhet: është tepër larg … është shumë vonë … Sa shumë të rinj kanë forcën të shkojnë kundër rrymës, por mbajnë të fshehur në zemër nevojën për t’u angazhuar, për të dashur me gjithë forcat e tyre, për t’u identifikuar me një mision!

Bëhuni të vegjël

Kalimi që hapet në zemër na bën ta njohim veten se jemi të humbur, të brishtë, të vegjël. “Kjo përulësi – vetëdija për kufizimet vetjake – është themelore! Kush mendon se di gjithçka për veten, për të tjerët dhe madje edhe për të vërtetat fetare, do ta ketë të vështirë të takojë Krishtin”. Sauli i cili u verbua, fillon me të vërtetë të shohë, do të zgjedhë të quhet “Pal” që do të thotë “i vogël”, mirëpo, thekson Françesku, nuk është “një nickname” apo një “emër arti”,  por është vetëdijesimi për një ndryshim të ndodhur, për një perspektive të re.

Në ditët e sotme shumë “histori” i japin ngjyrim ditëve tona, veçanërisht në rrjetet sociale, shpesh të ndërtuara me art me shumë set, kamera, sfonde të ndryshme. Kërkohen gjithnjë e më tepër ato drita skenike mbi veten, duke i orientuar me mençuri, në mënyrë që t’u paraqitet “miqve” dhe ndjekësve një imazh i vetes që ndonjëherë nuk pasqyron të vërtetën e vet. Krishti, drita e diellit, vjen për të na ndriçuar dhe rivendosur autenticitetin tonë, duke na çliruar nga të gjitha maskat. Ai na e tregon qartë atë çfarë jemi, sepse na do ashtu siç jemi.

Kujdes nga dhuna

Shqetësimi i Papës është i fortë për verbërinë e kaq shumë të rinjve, për errësirën që rrëmben dhe i bën ata të dhunshëm ndaj vetes dhe të tjerëve sepse janë robër të “ideologjive shkatërruese”.

Sa të rinj sot, ndoshta të shtyrë nga bindjet e tyre politike apo fetare, përfundojnë duke u bërë instrumente dhune dhe shkatërrimi për jetën e shumë njerëzve! Disa, dixhitale të lindur, gjejnë në mjedisin virtual dhe në rrjetet sociale fushën e re të betejës, duke përdorur në mënyrë të paskrupull armën e fake news (lajmeve të rreme) për të përhapur helme dhe për të shkatërruar kundërshtarët e tyre.

Por “logjika hyjnore mund ta bëjë edhe salvuesin më të keq një dëshmitar të madh”, “dishepulli i Krishtit është i thirrur të jetë dritë e botës”.

Shtegtarë dhe jo turistë të fesë

“Shpresoj – shkruan Papa – që të gjithë ne të mund t’i përjetojmë këto hapa si shtegtarë të vërtetë dhe jo si “turistë të fesë”! Le të hapemi para surprizave të Hyjit, i cili dëshiron që drita e tij të shkëlqejë në rrugën tonë. Le të hapemi për të dëgjuar zërin e tij, edhe përmes vëllezërve dhe motrave tona. Në këtë mënyrë ne do të ndihmojmë njëri-tjetrin të ngrihemi së bashku, dhe në këtë moment të vështirë historik do të bëhemi profetë të kohëve të reja, plot shpresë!”

Teksti, i nënshkruar nga Françesku në Festën e Lartësimit të Kryqit, është pjesë e ciklit të tre mesazheve që shoqërojnë të rinjtë në ecjen ndërmjet Ditës Botërore të Rinisë në Panama të vitit 2019 dhe Ditës Botërore të Rinisë në Lisbonë në vitin 2023, të gjitha të përqendruara në foljen “Çohu”. Këtë vit, për herë të parë, edicioni vendor i Ditës Botërore të Rinisë do të kremtohet në Solemnitetin e Krishtit Mbret i Gjithësisë. Për t’u përgatitur për takimin, Dikasteri për Laikët, Familjen dhe Jetën, ka botuar tekstin ndihmës Udhëzimet baritore për kremtimin e Ditës Botërore të Rinisë në Kishat vendore, ku janë mbledhur frymëzimet dhe përvojat e Ditës Botërore të Rinisë të herëve të kaluara.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme