10.5 C
Tirana
HomeKisha UniversalePapa Françesku: Të respektojmë njeriun, krijimin dhe Krijuesin. Cop26 të ofrojë përgjigje...
HomeKisha UniversalePapa Françesku: Të respektojmë njeriun, krijimin dhe Krijuesin. Cop26 të ofrojë përgjigje...

Papa Françesku: Të respektojmë njeriun, krijimin dhe Krijuesin. Cop26 të ofrojë përgjigje të efektshme

Papa Françesku mblodhi në Vatikan shkencëtarë, ekspertë dhe udhëheqës fetarë për takimin “Feja dhe Shkenca”, gjatë të cilit u nënshkrua një Apel i përbashkët në funksion të veprimtarisë në Glasgow. Papa u dorëzoi pjesëmarrësve fjalimin e tij të shkruar, në të cilin ai bën një apel për të miratuar sjellje dhe veprime të modeluara mbi “ndërvarësinë” dhe “bashkëpërgjegjësinë” për të kundërshtuar “farat e konflikteve” që shkaktojnë plagë në mjedis dhe në personin njerëzor.

“Gjithçka ndërlidhet, në botë gjithçka është e lidhur ngushtë”: shkenca dhe fetë, njeriu dhe krijimi. Prandaj është e nevojshme të miratohen sjellje dhe veprime të modeluara mbi “ndërvarësinë” dhe “bashkëpërgjegjësinë”, e mbi të gjitha në “respektin” reciprok, për t’iu kundërvënë atyre “farave të konflikteve” si babëzia, indiferenca, padija, frika, dhuna që shkaktojnë aq shumë plagë si në njeriun, ashtu edhe në mjedisin. Në ditën e përvjetorit të parë të enciklikës Fratelli tutti kushtuar vëllazërisë njerëzore, Papa Françesku mblodhi në Sallën e Bekimit shkencëtarë, ekspertë dhe udhëheqës fetarë (mes tyre, imami i madh i al-Azhar, Ahmad al-Tayyeb dhe patriarku i Kostandinopojës, Bartolomeu I) për takimin “Feja dhe Shkenca. Drejt Cop26”. Një ngjarje, e promovuar nga Ambasadat e Britanisë së Madhe dhe Italisë në Selinë e Shenjtë, e cila – siç e thotë titulli – shtrihet kah konferenca vjetore e OKB-së mbi klimën, e planifikuar në Glasgow, Skoci, nga data 31 tetor deri më 12 nëntor.

Apeli i përbashkët

Mes muzikës dhe momenteve të heshtjes, ndërhyrjeve dhe fjalimeve në gjuhë të ndryshme, të gjithë të pranishmit nënshkruan një apel të përbashkët në të cilin ilustrohen, ndër të tjera, planet e ndryshme edukative dhe formuese që duhen zhvilluar në favor të kujdesit për shtëpinë e përbashkët. Papa ia dorëzoi dokumentin presidentit të Cop26, Alok Sharma dhe ministrit të jashtëm italian, Luigi Di Maio; së bashku me të, edhe tre faqet e fjalimit të tij: “Ju – tha Françesku – keni transkriptimin e asaj që unë kam për të thënë tani dhe, për të mos zënë kohën e nevojshme për të folur të gjithë, e lë atë në duart tuaja; ju mund ta lexoni dhe kështu ne vazhdojmë në këtë kremtim”.

Nënshkrimi i apelit të përbashkët

Një familje e vetme njerëzore

Në fjalimin e dorëzuar, Papa kujton se “takimi i sotëm, i cili bashkon shumë kultura dhe përshpirtëri në një frymë vëllazërimi, nuk bën tjetër veçse përforcon vetëdijen se ne jemi anëtarë të një familjeje të vetme njerëzore: secili prej nesh ka fenë dhe traditën përkatëse shpirtërore, por nuk ka kufij dhe barriera kulturore, politike apo shoqërore që na bëjnë të izolohemi”.

Prandaj, Françesku tregon tre koncepte kryesore për të reflektuar mbi këtë bashkëpunim të ndërsjellë:

“Vështrimi i ndërvarësisë dhe bashkëndarjes, motori i dashurisë dhe thirrja për respekt”

Ndërvarësia dhe bashkëndarja

Papa niset nga koncepti i “harmonisë hyjnore” i pranishëm në botën natyrore, që dëshmon se “asnjë krijesë nuk është e vetëmjaftueshme; secila ekziston vetëm në varësi me të tjerat, për t’u plotësuar në mënyrë të ndërsjellë, në shërbim të njëra-tjetrës”. “Bimët, ujërat, qeniet e gjalla udhëhiqen nga një ligj i ngulitur në to nga Hyji për të mirën e të gjithë krijimit”, nënvizon Papa.

Të pranosh që bota është e ndërlidhur do të thotë të kuptosh jo vetëm pasojat e dëmshme të veprimeve tona, por edhe të spikatësh sjelljet dhe zgjidhjet që duhet të miratohen me një shikim të hapur ndaj ndërvarësisë dhe bashkëndarjes.

Ndryshimi i drejtimit

Koncepti është i njëjtë me atë të shprehur nga Papa në këto muaj të gjatë dhe të ashpër të pandemisë: “Nuk mund të veprojmë vetëm”. “Angazhimi i secilit në kujdes ndaj të tjerëve dhe ndaj mjedisit është thelbësor – vëren Papa”: angazhim “që çon në një ndryshim kaq urgjent të drejtimit i cili duhet të ushqehet edhe nga feja dhe përshpirtëria përkatëse”; angazhim që duhet nxitur vazhdimisht nga motori i dashurisë. “Dashuria krijon lidhje dhe zgjeron ekzistencën në thellësinë e çdo zemre kur e nxjerr personin nga vetja për të ecur drejt tjetrit”, thotë Papa, por kjo “forcë shtytëse e dashurisë” nuk “vihet në punë” një herë e përgjithmonë, por “duhet të rivihet në veprim ditë pas dite”. Fetë dhe traditat shpirtërore mund të japin një kontribut të madh në këtë drejtim.

Dashuria është pasqyrë e një jete shpirtërore të jetuar fuqimisht. Një dashuri që shtrihet te të gjithë, përtej kufijve kulturorë, politikë dhe shoqërorë; një dashuri që integron, edhe dhe mbi të gjitha për të mirën e atyre që janë më të fundit, të cilët shpesh janë pikërisht ata që na mësojnë të kapërcejmë barrierat e egoizmit dhe të shpërthejmë muret e egos.

Farërat e konfliktit

“Kjo është një sfidë – thekson Papa Françesku – që vihet përballë nevojës për të kundërshtuar atë kulturë të flakjes, e cila duket se mbizotëron në shoqërinë tonë dhe që ushqehet me atë që Apeli ynë i përbashkët e quan ‘fara të konflikteve’: babëzia, indiferenca, padija, frika, padrejtësia, pasiguria dhe dhuna”. Të njëjtat fara të konfliktit që shkaktojnë “plagët e rënda” që ia shkaktojmë mjedisit: ndryshimi i klimës, shkretëtirëzimi, ndotja, humbja e biodiversitetit. Këto janë plagë që, duke cituar Caritas in veritate, Papa thotë se çojnë në “thyerjen e asaj besëlidhjeje midis qenieve njerëzore dhe mjedisit që duhet të jetë pasqyra e dashurisë krijuese të Hyjit, nga e cila vijmë dhe drejt së cilës po udhëtojmë”.

Respekt për krijimin, për të afërmin, për Hyjin

Papa tregon, nga njëra anë, “shembullin dhe veprimin” dhe, nga ana tjetër, “edukimin” si dy “planet” për t’u përballur me këtë sfidë që ka “aromën e shpresës”, pasi “nuk ka hije dyshimi se njerëzimi nuk ka pasur kurrë kaq shumë mjete për të arritur një qëllim të tillë sa ka sot”. Prandaj, ai kujton “thirrjen për respekt”:

Respekt për krijimin, respekt për të afërmin, respekt për veten dhe respekt për Krijuesin. Por edhe respekt reciprok ndërmjet fesë dhe shkencës, për të hyrë në një dialog mes tyre, dialog ky i orientuar drejt kujdesit të natyrës, mbrojtjes së të varfërve, ndërtimit të një rrjeti respekti dhe vëllazërie.

Nga Cop26 përgjigje të efektshme

Respekti, nënvizon Papa, “nuk është thjesht njohje abstrakte dhe pasive e tjetrit”, por një veprim “empatik dhe aktiv” që synon “të njohë tjetrin dhe të hyjë në dialog me të për të ecur së bashku në këtë udhëtim të përbashkët”. Një udhëtim që do të çojë në Cop26 në Glasgow i cili, përfundon Papa, “është thirrur urgjentisht për të ofruar përgjigje të efektshme ndaj krizës ekologjike të paparë dhe ndaj krizës së vlerave në të cilën jetojmë, dhe kështu të ofrojë shpresë konkrete për brezat e ardhshëm”.

Në dëshmi të takimit dhe angazhimit të përbashkët të siguruar nga të gjithë miqtë, Papa Françesku derdhi një enë me dhe’ rrëzë një peme ulliri që do të mbillet në Kopshtet e Vatikanit. Në përfundim të takimit, u transmetuan të gjitha video-mesazhet e pjesëmarrësve që nuk e patën të mundur të merrnin pjesë.

Përkthyer nga Vatican News

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme