10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Të moshuarit janë të pazëvendësueshëm në përcjelljen e besimit
HomeKryesorPapa Françesku: Të moshuarit janë të pazëvendësueshëm në përcjelljen e besimit

Papa Françesku: Të moshuarit janë të pazëvendësueshëm në përcjelljen e besimit

Në audiencën e sotme të përgjithshme Papa vijoi reflektimin kushtuar temës të moshës së shtyrë. Në qendër të vëmendjes sot, figura e Moisiut që, në fund të ditëve të jetës, shpall emrin e Zotit, duke ua transmetuar breznive të reja historinë e vet, të jetuar me Atë të Lumin. Sa gjë e bukur do të ishte, pohoi Papa, nëse të rinjve të çdo epoke do t’u transmetohej feja ashtu, si atëherë, nga goja e të moshuarve!

Katekeza e Atit të Shenjtë

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në Bibël, tregimi i vdekjes së Moisiut të vjetër paraprihet nga testamenti i tij shpirtëror, i quajtur “Kantiku i Moisiut”. Ky Kantik është mbi të gjitha një dëshmim shumë i bukur feje dhe thotë kështu: «T’ Zotit Emrin do t’lëvdoj: / lartësoni Hyjin tonë! / I qetë është Ai, n’vepra i përsosur, / udhët e tij janë drejtësi: / Hyj besnik, pa asnjë t’keqe, krejt i drejtë e i patëmetë» (Lp 32,3-4). Por është edhe kujtesë e historisë së jetuar me Hyjin, e aventurave të popullit që u formua duke filluar nga feja në Hyjin e Abrahamit, Izakut dhe Jakobit. Për këtë arsye Moisiu kujton gjithashtu hidhërimet dhe zhgënjimet e vetë Hyjit: besnikëria e Tij e vënë vazhdimisht në sprovë nga pabesitë e popullit të tij. Hyji besnik dhe përgjigja e popullit të pabesë: sikur populli të donte ta vinte në sprovë besnikërinë e Hyjit dhe ai qëndron gjithmonë besnik, pranë popullit të tij. Ky është pikërisht thelbi i Kantikut të Moisiut: besnikëria e Hyjit që na shoqëron gjatë gjithë jetës.

Kur Moisiu e shqipton këtë dëshmim feje, gjendet në prag të tokës së premtuar, si dhe të ndarjes së tij nga jeta. Tregimi na thotë se ai ishte njëqind e njëzet vjeç, «por s’iu errësua syri» (Lp 34,7). Ajo aftësi për të parë, për të parë realisht edhe për të parë simbolikisht, siç e kanë të vjetrit, që dinë t’i shohin gjërat, kuptimin më të thellë të gjërave. Vitaliteti i shikimit të tij është një dhuratë e çmuar: e lejon atë për të përçuar trashëgiminë e përvojës së tij të gjatë të jetës dhe të fesë, me kthjelltësinë e duhur. Moisiu sheh historinë dhe përçon historinë; të vjetrit shohin historinë dhe përçojnë historinë.

Një pleqëri të cilës i jepet kjo kthjelltësi është një dhuratë e çmuar për brezin e ardhshëm. Dëgjimi personal dhe i drejtpërdrejtë i tregimit të historisë së fesë së jetuar, me të gjitha uljet dhe ngritjet e saj, është e pazëvendësueshme. Ta lexosh atë në libra, ta shohësh në filma, ta konsultosh në internet, sado që është e dobishme, nuk është kurrë njësoj. Ky përçim – që është tradita e mirëfilltë, përçimi konkret nga i moshuari tek i riu! – ky përçim, sot, mungon shumë dhe gjithnjë e më shumë te gjeneratat e reja. Pse? Për shkak se ky qytetërim i ri ka idenë se të vjetrit janë materiale skartimi, të vjetrit duhet të skartohen. Kjo gjë është brutale! Jo, nuk shkon kështu. Tregimi i drejtpërdrejtë, nga personi në person, ka tone dhe mënyra komunikimi që asnjë mjet tjetër nuk mund t’i zëvendësojë. Një i moshuar që ka jetuar gjatë dhe ka dhuratën e një dëshmie të kthjellët dhe plot pasion të historisë së tij, është një bekim i pazëvendësueshëm. A jemi në gjendje ta njohim dhe ta nderojmë këtë dhuratë të të moshuarve? A e ndjek, sot, përçimi i fesë – dhe i kuptimit të jetës – këtë rrugë të dëgjimit të të moshuarve? Mund të jap një dëshmi personale. Urrejtjen dhe zemërimin për luftën e mësova nga gjyshi im që kishte luftuar në Piave [Lufta I Botërore] në 1914: ai ma ka përçuar këtë zemëratë për luftën. Sepse ai më tregoi për vuajtjet që ka lufta. Kjo nuk mësohet as në libra dhe as në ndonjë mënyrë tjetër, mësohet në këtë mënyrë, duke e përçuar nga gjyshërit te nipërit dhe mbesat. Dhe kjo është e pazëvendësueshme. Përçimi i përvojës së jetës nga gjyshërit tek nipërit dhe mbesat. Fatkeqësisht, sot, nuk ndodh kështu dhe mendohet se gjyshërit janë material skartimi: jo! Ata janë kujtesa e gjallë e një populli dhe të rinjtë e fëmijët duhet të dëgjojnë gjyshërit e tyre.

Në kulturën tonë, kaq “politikisht korrekte”, kjo rrugë duket se pengohet në shumë mënyra: në familje, në shoqëri, në vetë bashkësinë e krishterë. Dikush madje propozon që të hiqet mësimi i historisë, si një informacion i tepërt për botët që nuk janë më aktuale, që i heq burime njohurive të së tashmes. Sikur ne të kishim lindur dje!

Nga ana tjetër, përçimit të fesë i mungon shpeshherë pasioni përkatës i një “historie të jetuar”. Të përçosh fenë nuk është të thuash gjëra “bla-bla-bla”, por të thuash përvojën e fesë. Është vështirë, pastaj, t’i tërheqësh njerëzit të zgjedhin dashurinë përgjithmonë, besnikërinë ndaj fjalës së dhënë, këmbënguljen në përkushtim, dhembshurinë për fytyrat e lënduara dhe të poshtëruara? Natyrisht, historitë e jetës duhet të shndërrohen në dëshmi dhe dëshmia duhet të jetë besnike. Ideologjia që e kthen historinë sipas skemave të saj nuk është sigurisht e ndershme; propaganda, e cila e përshtat historinë me promovimin e grupit përkatës, nuk është e ndershme; nuk është e ndershme të shndërrohet historia në një gjykatë ku dënohet e gjithë e kaluara dhe dekurajohet çdo e ardhme. Të jesh i ndershëm do të thotë ta tregosh historinë ashtu siç është dhe vetëm ata që e kanë jetuar mund ta tregojnë mirë. Kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme të dëgjosh të vjetrit, të dëgjosh gjyshërit, është e rëndësishme që fëmijët të flasin me ta.

Vetë Ungjijtë e tregojnë ndershmërisht historinë e bekuar të Jezusit pa i fshehur gabimet, moskuptimet, madje edhe tradhtitë e dishepujve. Kjo është historia, është e vërteta, kjo është dëshmia. Kjo është dhurata e kujtesës që “pleqtë” e Kishës e përçojnë, që në fillim, duke ia kaluar “dorë më dorë” brezit të ardhshëm. Është mirë ta pyesim veten: sa e vlerësojmë këtë mënyrë të përçimit të fesë, në kalimin e dëshmitarit mes të vjetërve të bashkësisë dhe të rinjve që i hapen të ardhmes? Dhe këtu më kujtohet diçka që e kam thënë shumë herë, por do të doja ta përsërisja. Si përçohet feja? “Ah, ja një libër, studioje”: jo. Nuk mund të përçohet feja kështu. Feja përçohet në dialekt, domethënë në të folurën familjare, midis gjyshërve dhe nipërve, midis prindërve dhe nipërve. Feja përçohet gjithmonë në dialekt, në atë dialekt familjar dhe të përjetuar, të mësuar ndër vite. Kjo është arsyeja pse dialogu në familje është kaq i rëndësishëm, dialogu i fëmijëve me gjyshërit të cilët kanë urtinë e fesë.

Ndonjëherë, më ndodh të reflektoj për këtë anomali të çuditshme. Sot, katekizmi i hyrjes në jetën e krishterë merr me bollëk nga Fjala e Hyjit dhe përçon informacione të sakta mbi dogmat, mbi moralin e fesë dhe mbi sakramentet. Mirëpo, shpeshherë mungon njohja e Kishës që lind nga dëgjimi dhe dëshmimi i historisë reale të fesë dhe jetës së bashkësisë kishtare, që nga fillimi e deri në ditët e sotme. Fëmijëve u mësohet Fjala e Hyjit në klasat e katekizmit; por të rinjtë “mësojnë” për Kishën në klasat shkollore dhe në mediat globale të informacionit.

Tregimi i historisë së fesë do duhej të ishte si Kantiku i Moisiut, si dëshmia e Ungjijve dhe e Veprave të Apostujve. Kjo do të thotë, një histori e aftë për të evokuar bekimet e Hyjit me përmallim dhe të metat tona me ndershmëri. Do të ishte mirë sikur në itineraret e katekezave të ishte, që në fillim, edhe zakoni i dëgjimit, nga përvoja e jetuar e të moshuarve, dëshmimi i qartë i bekimeve të dhëna nga Hyji, të cilat duhet t’i ruajmë dhe dëshmia e çiltër e pabesive tona, të cilat duhet t’i ndreqim dhe përmirësojmë. Të moshuarit hyjnë në tokën e premtuar, të cilën Hyji e dëshiron për çdo brez, kur u ofrojnë të rinjve përgatitjen e bukur që vjen nga dëshmia e tyre dhe përçojnë historinë e fesë, të fesë në dialekt, të atij dialekti familjar, atij dialekti që kalon nga të vjetrit te të rinjtë. Atëherë, të udhëhequr nga Zoti Jezus, të vjetër e të rinj hyjnë së bashku në Mbretërinë e tij të jetës dhe dashurisë. Por të gjithë së bashku. Të gjithë në familje, me këtë thesar të madh që është feja e përçuar në dialekt.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme