16.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: të lidhur pazgjidhshmërisht me ata që janë në qiell
HomeKryesorPapa Françesku: të lidhur pazgjidhshmërisht me ata që janë në qiell

Papa Françesku: të lidhur pazgjidhshmërisht me ata që janë në qiell

Papa Françesku ia kushtoi katekezat e javëve të fundit Shën Jozefit, duke kujtuar se Kisha e ka kultivuar gjithnjë lutjen dhe devocionin për figurën e Tij. E sot e zgjeroi shikimin, për të parë një realitet pak të njohur: atë të shoqërisë së shenjtërve. Është një e vërtetë e rëndësishme feje që – pohoi Françesku -mund ta pasurojë jetën tonë të krishterë. E mund të na ndihmojë edhe të krijojmë lidhjet tona me shenjtërit e me të dashurit tanë të vdekur.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi shën Jozefin – 10. Shën Jozefi dhe shoqëria e shenjtërve

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Në këto javë patëm mundësinë të thellohemi mbi figurën e shën Jozefit duke lejuar të udhëhiqemi nga të dhënat e pakta, por të rëndësishme, që japin Ungjijtë, si dhe nga aspektet e personalitetit të tij që Kisha ka mundur t’i nxjerrë në pah gjatë shekujve përmes lutjes dhe devotshmërisë. Duke u nisur pikërisht nga kjo “qasje e përbashkët” që ka shoqëruar figurën e shën Jozefit në historinë e Kishës, sot dëshiroj të ndalem mbi një nen të rëndësishëm të fesë që mund ta pasurojë jetën tonë të krishterë dhe gjithashtu mund ta vendosë marrëdhënien tonë, në mënyrën më të mirë, me shenjtërit dhe me të dashurit tanë që tashmë kanë vdekur: flas për shoqërinë e shenjtërve. Shumë herë ne themi, te Besojma, “besoj […] shoqërinë e shenjtërve”. Por nëse bëhet pyetja se çfarë është shoqëria e shenjtërve [comunione dei santi], më kujtohet se si fëmijë përgjigjesha menjëherë: “Ah, shenjtërit kungohen”. Është diçka që ne … nuk e kuptojmë se çfarë themi. Çfarë është shoqëria e shenjtëve? Nuk është se shenjtërit marrin kungimin, nuk është kjo: është tjetër gjë.

Ndonjëherë edhe krishterimi mund të bjerë në forma devotshmërie që duket se pasqyrojnë një mendësi më tepër pagane sesa të krishterë. Dallimi themelor qëndron në faktin se lutja jonë dhe devotshmëria jonë si popull besimtar nuk bazohet, në ato raste, në besimin te një qenie njerëzore, në një figurë [fugure] ose në një objekt, edhe kur e dimë se ato janë të shenjta. Jeremia profet na kujton: «Qoftë mallkuar ai njeri që në njeriun shpreson […]. Qoftë bekuar ai që shpreson në Zotin» (17,5-7). Madje edhe kur ia besojmë veten plotësisht ndërmjetësimit të një shenjti, apo aq më tepër Virgjërës Mari, të besuarit tonë ka vlerë vetëm në raport me Krishtin. Sikur rruga drejt atij shenjti apo Zojës nuk përfundon aty: jo. Shkon aty, por në lidhje me Krishtin. Krishti është lidhja që na bashkon me Të dhe mes nesh, që ka një emër specifik: kjo lidhje që na bashkon të gjithëve, mes nesh dhe nesh me Krishtin, është “shoqëria e shenjtërve”. Nuk janë shenjtërit ata që bëjnë mrekulli, jo! “Ky shenjt bën kaq shumë mrekulli…”: jo, ndal: shenjtërit nuk bëjnë mrekulli, por vetëm hiri i Hyjit që vepron nëpërmjet tyre. Mrekullitë kryhen nga Hyji, nga hiri i Hyjit që vepron nëpërmjet një njeriu të shenjtë, një njeriu të drejtë. Kjo duhet të jetë e qartë. Ka njerëz që thonë: “Unë nuk besoj në Hyjin, por besoj në këtë shenjt”. Jo, kjo është e gabuar. Shenjti është një ndërmjetës, që lutet për ne dhe ne i lutemi atij, dhe ai lutet për ne dhe Zoti na jep hirin: Zoti vepron nëpërmjet Shenjtit.

Çfarë është, pra, “shoqëria e shenjtërve”? Katekizmi i Kishës Katolike thotë: «Shoqëria e shenjtërve është pikërisht Kisha» (n. 946). Shikoni sa përkufizim i bukur! «Shoqëria e shenjtërve është pikërisht Kisha». Çfarë do të thotë kjo? Që Kisha është e rezervuar për të përsosurit? Jo. Do të thotë se është bashkësia e mëkatarëve të shpëtuar. Kisha është bashkësia e mëkatarëve të shpëtuar. Ky përkufizim është i bukur. Askush nuk mund të përjashtohet nga Kisha, të gjithë jemi mëkatarë të shpëtuar. Shenjtëria jonë është fryti i dashurisë së Hyjit që u dëftua në Krishtin, i cili na shenjtëron duke na dashur në mjerimin tonë dhe duke na shpëtuar prej tij. Gjithnjë falë tij ne formojmë një trup të vetëm, thotë shën Pali, në të cilin Jezusi është kreu dhe ne jemi gjymtyrët (krh. 1 Kor 12,12). Kjo figurë e trupit të Krishtit dhe figura e trupit na bën të kuptojmë menjëherë se çfarë do të thotë të jesh i lidhur me njëri-tjetrin në bashkim. «Nëse vuan një gjymtyrë – shkruan shën Pali –, vuajnë së bashku të gjitha gjymtyrët; e nëse nderohet një gjymtyrë, të gjitha gjymtyrët gëzohen bashkë me të. Tashti, ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili prej jush gjymtyrë e tij» (1 Kor 12,26-27). Kështu thotë Pali: të gjithë jemi një trup i vetëm, të gjithë të bashkuar me anë të fesë, me anë të pagëzimit, të gjithë jemi në bashkim: të bashkuar në bashkim me Jezu Krishtin. Kjo është shoqëria e shenjtërve.

Të dashur vëllezër dhe motra, gëzimi dhe dhimbja që prek jetën time i prek të gjithë, sikurse edhe gëzimi dhe dhimbja që prek jetën e vëllait dhe motrës pranë nesh më prek edhe mua. Nuk mund të jem indiferent ndaj të tjerëve, sepse të gjithë jemi pjesë e një trupi, në bashkim. Në këtë kuptim, edhe mëkati i një personi prek gjithmonë të gjithë, dhe dashuria e secilit person prek të gjithë. Në sajë të shoqërisë së shenjtërve, të këtij bashkimi, çdo gjymtyrë e Kishës është e lidhur me mua në një mënyrë të thellë – nuk po më them me mua ngaqë jam Papa – ne jemi të lidhur me njëri-tjetrin dhe në një mënyrë të thellë, dhe kjo lidhje është aq e fortë sa nuk mund të prishet as me vdekje. Njëmend, shoqëria e shenjtërve nuk ka të bëjë vetëm me vëllezërit dhe motrat që janë pranë meje në këtë moment historik, por ka të bëjë edhe me ata që kanë përfunduar shtegtimin e tyre tokësor dhe kanë kaluar pragun e vdekjes. Edhe ata janë në bashkim me ne. Le të mendojmë, të dashur vëllezër dhe motra: në Krishtin askush nuk mund të na ndajë realisht nga ata që i duam, sepse lidhja është një lidhje ekzistenciale, një lidhje e fortë që është në vetë natyrën tonë; ndryshon vetëm mënyra se si jemi bashkë me secilin prej tyre, por asgjë dhe askush nuk mund ta thyejë këtë lidhje. “O Atë, kemi ndërmend ata që kanë mohuar fenë, që janë apostatë, që janë përndjekësit e Kishës, që kanë mohuar pagëzimin e tyre: a janë edhe këta në shtëpi?”. Po, edhe këta, edhe blasfemuesit, të gjithë. Ne jemi vëllezër: kjo është shoqëria e shenjtërve. Shoqëria e shenjtërve mban bashkë bashkësinë e besimtarëve në tokë dhe në Qiell.

Në këtë kuptim, marrëdhënien e miqësisë që mund ta ndërtoj me një vëlla apo motër pranë meje, mund ta krijoj edhe me një vëlla apo motër që janë në Parajsë. Shenjtërit janë miq me të cilët ne shumë shpesh krijojmë marrëdhënie miqësore. Ajo që ne e quajmë devocion ndaj një shenjti – unë kam shumë devocion ndaj këtij shenjti, ndaj kësaj shenjtëreshe – ajo që ne quajmë devotshmëri, në të vërtetë, është një mënyrë për të shprehur dashurinë duke u nisur pikërisht nga kjo lidhje që na bashkon. Edhe në jetën e përditshme mund të thuhet: “Ky njeri është shumë i devotshëm ndaj prindërve të tij të moshuar”: jo, është një mënyrë dashurie, një shprehje dashurie. Të gjithë e dimë se ne mund t’i drejtohemi gjithmonë një miku, veçanërisht kur jemi në vështirësi dhe kemi nevojë për ndihmë. E ne kemi miq në parajsë. Të gjithë kemi nevojë për miq; të gjithë kemi nevojë për marrëdhënie domethënëse për të na ndihmuar që ta përballojmë jetën. Edhe Jezusi kishte miqtë e tij dhe atyre u është drejtuar në momentet më vendimtare të përvojës së tij njerëzore.

Në historinë e Kishës ka konstante që shoqërojnë bashkësinë besimtare: para së gjithash nderimi i madh dhe lidhja shumë e fortë që Kisha ka pasur gjithmonë me Marinë, Nënën e Hyjit dhe Nënën tonë. Por edhe nderimi dhe dashuria e veçantë që ka treguar ndaj shën Jozefit. Në fund të fundit, Hyji ia beson atij gjërat më të çmuara që ka: Birin e tij Jezusin dhe Virgjërën Mari. Është gjithmonë falë shoqërisë së shenjtërve që ne i ndiejmë pranë nesh shenjtërit dhe shenjtëreshat që janë mbrojtësit tanë, për arsye të emrit që mbajmë, për shembull, për arsye të Kishës të cilës i përkasim, për arsye të vendit ku jetojmë, etj. edhe për arsye të një devotshmërie personale. Dhe ky është besimi që duhet të na frymëzojë gjithmonë për t’iu drejtuar atyre në momentet vendimtare të jetës sonë. Devocioni ndaj shenjtërve nuk është diçka magjike, nuk është një besëtytni; është thjesht të flasësh me një vëlla, një motër që gjendet para fytyrës së Hyjit, që ka bërë një jetë të drejtë, një jetë të shenjtë, një jetë shembullore dhe tani është para Hyjit. Dhe unë flas me këtë vëlla, këtë motër dhe e kërkoj ndërmjetësimin e tij/saj për nevojat e mia.

Pikërisht për këtë më pëlqen ta mbyll këtë katekezë me një lutje drejtuar shën Jozefit, me të cilën jam veçanërisht i lidhur dhe që e kam lutur çdo ditë për më shumë se 40 vjet. Është një lutje që e kam gjetur në një libër lutjesh të Motrave të Jezusit dhe Marisë, i viteve 1700, fundi i viteve shtatëqind. Është lutje shumë e bukur, por më shumë se një lutje është një sfidë për këtë mik, për këtë baba, për këtë kujdestarin tonë që është shën Jozefi. Do të ishte mirë që ju ta mësoni këtë lutje dhe të mund ta përsërisni atë. Do ta lexoj: “Patriark i lavdishëm shën Jozef, pushteti i të cilit di t’i bëjë të mundura gjërat e pamundura, më eja në ndihmë në këto momente angështie dhe vështirësie. Merri nën mbrojtjen tënde situatat aq të rënda dhe të vështira që po t’i besoj, në mënyrë që marrin një zgjidhje të mirë. Ati im i dashur, i gjithë mirëbesimi im është mbështetur te ti. Mos u thëntë se të paskam thirrur kot dhe meqenëse ti mund të bësh gjithçka pranë Jezusit dhe Marisë, ma trego se mirësia jote është po aq e madhe sa pushteti yt”. Dhe përfundon me një sfidë, kjo është të sfidosh shën Jozefin: “Meqenëse ti mund të bësh gjithçka pranë Jezusit dhe Marisë, ma trego se mirësia jote është po aq e madhe sa pushteti yt”. Me këtë lutje, unë i jam besuar shën Jozefit çdo ditë, për më shumë se 40 vjet: është një lutje e vjetër.

Përpara, merrni zemër, në këtë shoqëri të të gjithë shenjtërve që kemi në qiell e në tokë: Zoti nuk na braktis.

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme