HomeKryesorPapa Françesku: Shumë e kritikojnë Kishën, duhet ta duam ashtu si është
HomeKryesorPapa Françesku: Shumë e kritikojnë Kishën, duhet ta duam ashtu si është

Papa Françesku: Shumë e kritikojnë Kishën, duhet ta duam ashtu si është

Me katekizmin e sotëm përfundon cikli i reflektimeve të propozuara nga Papa Françesku, kushtuar figurës së Shën Jozefit, që plotësojnë Letrën Apostolike Patris corde – Zemër ati – shkruar nga Papa me rastin e 150-vjetorit  të shpalljes së Shën Jozefit Pajtor i Kishës Katolike, nga i Lumi Piu IX.

AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekeza mbi shën Jozefin – 12. Shën Jozefi mbrojtës i Kishës universale

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Sot përfundojmë ciklin e katekezave mbi figurën e shën Jozefit. Këto katekeza janë plotësuese të Letrës apostolike Patris cordi, shkruar me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së shën Jozefit si Mbrojtës i Kishës Katolike nga i Lumi Piu IX. Por çfarë do të thotë ky titull? Çfarë do të thotë që shën Jozefi është “mbrojtës i Kishës”? Sot do të doja të reflektoja mbi këtë gjë bashkë me ju.

Edhe në këtë rast Ungjijtë na japin çelësin e interpretimit më të saktë. Në të vërtetë, në fund të çdo ngjarjeje që e sheh Jozefin si protagonist, Ungjilli vëren se ai merr me vete Fëmijën dhe nënën e tij dhe bën atë që i ka urdhëruar Hyji (krh. Mt 1,24; 2,14,21). Kështu bie në sy fakti që Jozefi ka detyrën të mbrojë Jezusin dhe Marinë. Ai është rojtari i tyre kryesor: «Në të vërtetë, Jezusi dhe Maria Nëna e tij janë thesari më i çmuar i fesë sonë» (Let. Ap. Patris corde, 5), dhe ky thesar është ruajtur nga shën Jozefi.

Në planin e shpëtimit, Biri nuk mund të ndahet nga Nëna, nga ajo që «përparoi në shtegtimin e fesë dhe e mbajti besnikërisht bashkimin e saj me Birin deri në kryq» (Lumen gentium, 58), siç na kujton Koncili II i Vatikanit.

Jezusi, Maria dhe Jozefi janë, në njëfarë kuptimi, bërthama fillestare e Kishës. Jezusi është Njeri dhe Hyj, Maria, nxënësja e parë, është Nëna; dhe Jozefi, rojtari. Edhe ne «duhet ta pyesim gjithmonë veten nëse po i mbrojmë me gjithë forcën tonë Jezusin dhe Marinë, të cilët në mënyrë të mistershme Hyji ia ka besuar përgjegjësisë sonë, kujdesit tonë, mbrojtjes sonë» (Patris corde, 5). Këtu kemi një gjurmë shumë të bukur të thirrjes së krishterë: mbrojta. Mbrojtja e jetës, mbrojtja e zhvillimit njerëzor, mbrojtja e mendjes njerëzore, mbrojtja e zemrës së njeriut, mbrojtja e punës njerëzore. I krishteri është – mund të themi – si shën Jozefi: ai duhet të mbrojë. Të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm ta marrësh fenë, ta dëshmosh fenë, por ta mbrosh jetën, jetën vetjake, jetën e të tjerëve, jetën e Kishës. Biri i të Tejetlartit erdhi në botë në një gjendje dobësie të madhe: Jezusi lindi kështu, i dobët, i dobët. Ai deshi të kishte nevojë për mbrojtje, ruajtje, përkujdesje. Hyji i zuri besë Jozefit, ashtu si Maria, e cila gjeti tek ai fatin që e donte dhe e respektonte dhe kujdesej gjithmonë për të dhe për Fëmijën. Në këtë kuptim, «Shën Jozefi nuk mund të mos jetë Mbrojtësi i Kishës, sepse Kisha është zgjatja e Trupit të Krishtit në histori, dhe njëkohësisht në amësinë e Kishës nëpërduket amësia e Marisë. Jozefi, duke vazhduar të mbrojë Kishën, vazhdon të mbrojë Fëmijën dhe nënën e tij; ne gjithashtu, duke e dashur Kishën, vazhdojmë ta duam Fëmijën dhe nënën e tij» (po aty).

Ky Fëmijë është Ai që do të thotë: «Për të vërtetë po ju them: çkado bëtë për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëtë për mua» (Mt 25,40). Prandaj, çdo njeri që është i uritur dhe i etur, çdo i huaj, çdo mërgimtar, çdo njeri pa rroba, çdo i sëmurë, çdo i burgosur është “Fëmija” që Jozefi ruan. Dhe ne jemi të ftuar t’i ruajmë këta njerëz, këta vëllezër dhe motra tona, siç bëri Jozefi. Për këtë, ai thirret si mbrojtës i të gjithë nevojtarëve, i të mërguarve, i të vuajturve, madje edhe i atyre që janë në fill të vdekjes – për këtë folëm të mërkurën e kaluar. Edhe ne duhet të mësojmë nga Jozefi që t’i “ruajmë” këto të mira: ta duam Fëmijën dhe nënën e tij; t’i duam Sakramentet dhe popullin e Hyjit; t’i duam skamnorët dhe famullinë tonë. Çdonjëra prej këtyre realiteteve është gjithmonë Fëmija dhe nëna e tij (krh. Patris Corde, 5). Ne duhet të mbrojmë, sepse me këtë ne mbrojmë Jezusin, siç bëri Jozefi.

Sot është e zakonshme, ndodh përditë që të kritikojmë Kishën, të nënvizojmë moskoherencat e saj – ka shumë –, të vëmë në dukje mëkatet, të cilat në realitet janë moskoherencat tona, mëkatet tona, sepse Kisha ka qenë gjithmonë një popull mëkatarësh që takojnë mëshirën e Hyjit. Le të pyesim veten nëse, në thellësi të zemrave tona, e duam Kishën ashtu siç është. Popull i Hyjit në ecje, me shumë kufizime, por me një dëshirë të madhe për ta shërbyer dhe dashur Hyjin. Njëmend, vetëm dashuria na bën të aftë të themi të vërtetën plotësisht, jo pjesërisht; të themi atë që nuk shkon, por edhe ta njohim tërë të mirën dhe shenjtërinë që është e pranishme në Kishë, duke nisur pikërisht me Jezusin dhe Marinë. Duajeni Kishën, ruajeni Kishën dhe ecni me Kishën. Por Kisha nuk është ai grupi i vogël që është pranë priftit dhe i komandon të gjithë, jo. Kisha jemi të gjithë, të gjithë ne. Në ecje. Ta mbrojmë njëri-tjetrin, ta ruajmë njëri-tjetrin. Kjo është një pyetje e mirë: kur unë kam një problem me dikë, a përpiqem ta ruaj apo ta dënoj menjëherë atë, ta përgojoj, ta shkatërroj? Duhet të mbrojmë, gjithmonë të mbrojmë!

Të dashur vëllezër dhe motra, ju inkurajoj që të kërkoni ndërmjetësimin e shën Jozefit pikërisht në momentet më të vështira të jetës suaj dhe të bashkësive tuaja. Aty ku gabimet tona bëhen shkandull, i kërkojmë shën Jozefit që të kemi guximin për të vepruar në të vërtetën, të kërkojmë falje dhe të fillojmë nga e para me përvujtëri. Aty ku persekutimi e pengon shpalljen e Ungjillit, t’i kërkojmë shën Jozefit forcën dhe durimin që të mund t’i durojmë abuzimet dhe vuajtjet për dashurinë ndaj Ungjillit. Aty ku mjetet materiale dhe njerëzore janë të pakta dhe na bëjnë të përjetojmë varfërinë, veçanërisht kur jemi të thirrur për t’i shërbyer atyre më të fundit, të pambrojturve, jetimëve, të sëmurëve, të braktisurve të shoqërisë, le t’i lutemi shën Jozefit që ai të jetë Provani për ne. Sa shumë shenjtër i janë drejtuar atij! Sa shumë njerëz në historinë e Kishës kanë gjetur tek ai një mbrojtës, një rojtar, një at’!

Le të ndjekim shembullin e tyre dhe për këtë, të gjithë së bashku, të lutemi; le t’i lutemi shën Jozefit me lutjen që kam vendosur në fund të Letrës Patris corde, duke ia besuar atij nijetet tona dhe në mënyrë të veçantë Kishën që vuan dhe është në sprovë. Dhe tani, ju keni në dorë lutjen, në gjuhë të ndryshme, (besoj në katër të tilla, dhe besoj se do të jetë edhe në ekran) që së bashku, secili në gjuhën e vet, të mund t’i lutet shën Jozefit.

Të falemi, mbrojtës i Shëlbuesit

dhe fati i Virgjërës Mari.

Hyji ta besoi të Birin e vet;

te ti Maria e vuri besimin e saj;

me ty Krishti u rrit e u bë burrë.

O Jozef i bekuar, tregohu at’ edhe ndaj nesh,

dhe na drejto në rrugën e jetës.

Nxirr për ne hir, mëshirë dhe guxim,

dhe na mbro nga çdo e keqe. Amen.

Përkthyer nga Vatican Press

Na ndiqni

1,210FansLike
252FollowersFollow
114FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme