10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku rifillon Audiencën e Përgjithshme: Ungjilli është një i vetëm
HomeKryesorPapa Françesku rifillon Audiencën e Përgjithshme: Ungjilli është një i vetëm

Papa Françesku rifillon Audiencën e Përgjithshme: Ungjilli është një i vetëm

Papa Françesku vazhdoi katekezën e tij në Letrën e Shën Palit drejtuar Galatasve në Audiencën e Përgjithshme, e cila rifilloi këtë të mërkurë pas pushimit gjatë muajit Korrik.

Kur bëhet fjalë për Ungjillin dhe misionin për të ungjillëzuar, Pali është entuziast“, tha Papa Françesku në Audiencën e Përgjithshme të së mërkurës.

Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 3. Ungjilli është një i vetëm

Vëllezër dhe motra, mirëdita!

Kur bëhet fjalë për Ungjillin dhe misionin për të ungjillëzuar, Pali bëhet entuziast, del nga vetja. Ai duket se nuk sheh asgjë tjetër përveç këtij misioni që Zoti ia ka besuar. Gjithçka në të i është përkushtuar këtij kumtimi dhe nuk ka interes tjetër përveç Ungjillit. Dashuria e Palit, interesi i Palit, zanati i Palit është kumtimi. Madje ai shkon deri aty sa thotë: «Krishti nuk më dërgoi të pagëzoj, por të predikoj Ungjillin» (1 Kor 1,17). Pali e interpreton krejt ekzistencën e tij si një thirrje për të ungjillëzuar, për të bërë të njohur mesazhin e Krishtit, për të bërë të njohur Ungjillin: «I mjeri unë – thotë – nëse nuk e predikoj Ungjillin!» (1 Kor 9,16). Duke u shkruar të krishterëve të Romës, ai paraqitet thjesht kështu: «Pali, shërbëtori i Jezu Krishtit, i thirrur për të qenë apostull, veçanërisht i caktuar për të kumtuar Ungjillin e Hyjit» (Rom 1,1). Kjo është thirrja e tij. Me pak fjalë, vetëdija e tij është se ai është “veçuar” për t’ua përçuar Ungjillin të gjithëve dhe nuk mund të bëjë asgjë tjetër veçse t’i kushtohet me gjithë forcën e vet këtij misioni.

Kuptohet prandaj trishtimi, zhgënjimi, madje edhe ironia e hidhur e Apostullit ndaj Galatasve, të cilët në sytë e tij po marrin një rrugë të gabuar, që do t’i çojë në një pikë pa kthim: ata kanë gabuar rrugë. Ungjilli është boshti rreth të cilit rrotullohet çdo gjë. Pali nuk mendon për “katër ungjijtë”, siç ndodh spontanisht për ne. Në të vërtetë, ndërkohë që ai e dërgon këtë Letër, asnjë nga katër ungjijtë nuk është shkruar ende. Për të, Ungjilli është ajo që ai predikon, ajo që quhet kerygma, domethënë kumtimi [shpallja]. E çfarë kumtohet? Vdekja dhe ngjallja e Jezusit si burim shpëtimi. Një Ungjill që shprehet me katër folje: «Krishti vdiq për mëkatet tona siç e paralajmëroi Shkrimi shenjt. Qe varrosur e të tretën ditë u ngjall së vdekuri si u tha në Shkrimin shenjt. Iu duk Kefës» (1 Kor 15,3-5). Ky është kumtimi i Palit, kumtimi që na jep jetë të gjithëve. Ky Ungjill është përmbushja e premtimeve dhe është shpëtimi i ofruar për të gjithë njerëzit. Kush e pranon atë, pajtohet me Hyjin, pranohet si një bir i vërtetë dhe merr jetën e amshuar si trashëgimi.

Përballë një dhurate kaq të madhe që iu bë Galatasve, Apostulli nuk arrin të shpjegojë sesi atyre u shkon mendja të pranojnë një “ungjill” tjetër, mbase më të sofistikuar, më intelektual … një “ungjill” tjetër. Megjithatë, Duhet të theksohet se këta të krishterë nuk e kanë braktisur ende Ungjillin e kumtuar nga Pali. Apostulli e di se janë ende në kohë për të mos bërë një hap të rremë, por i qorton ata fuqishëm, me shumë forcë. Argumenti i tij i parë tregon drejtpërdrejt faktin se predikimi i kryer nga misionarët e rinj – këta që predikojnë risinë – nuk mund të jetë Ungjilli. Përkundrazi, është një kumtim që shtrembëron Ungjillin e vërtetë sepse pengon arritjen e lirisë – një fjalë kyçe – e fituar me pranimin e fesë. Galatasit janë akoma “fillestarë” dhe çorientimi i tyre është i kuptueshëm. Ata nuk e njohin ende kompleksitetin e Ligjit të Moisiut dhe entuziazmi i tyre, në përqafimin e fesë në Krishtin, i shtyn ata që t’ua vënë veshin këtyre predikuesve të rinj, duke mashtruar veten se mesazhi i tyre është plotësues i atij të Palit. E nuk është kështu.

Sidoqoftë, Apostulli nuk mund të rrezikojë që të krijohen kompromise në një terren kaq vendimtar. Ungjilli është një i vetëm dhe është ai që Pali ka kumtuar; nuk mund të ekzistojë një tjetër. Kujdes! Pali nuk thotë se Ungjilli i vërtetë është i tiji sepse ishte ai që e kishte shpallur atë, jo! Nuk e thotë këtë. Kjo do të ishte mendjemadhësi, do të ishte lavdi e kotë. Përkundrazi, ai pohon se Ungjilli “i tij”, i njëjtë me atë që Apostujt e tjerë po kumtonin gjetiu, është i vetmi autentik, sepse është ai i Jezu Krishtit. Ai shkruan kështu: «Tani, o vëllezër, po ju vë në dijeni: Ungjilli që ju kam predikuar, nuk është vepër njerëzish; sepse atë as nuk e mora, as nuk e mësova prej ndonjë njeriu, por ma zbuloi Jezu Krishti» (Gal 1,11-12). Kuptohet atëherë pse Pali përdor terma shumë të ashpër. Dy herë ai përdor shprehjen “mallkuar” [anatema], e cila tregon nevojën për të mbajtur larg bashkësisë çka kërcënon themelet e saj. E ky “ungjill” i ri kërcënon themelet e bashkësisë. Me një fjalë, në këtë pikë, Apostulli nuk lë vend për bisedime: nuk mund të negociohet. Me të vërtetën e Ungjillit nuk ka negociata. Ose ti e merr Ungjillin ashtu siç është, siç është shpallur, ose merr diçka tjetër. Por nuk mund të negociohet me Ungjillin. Nuk mund të ketë kompromis: besimi në Jezusin nuk është një mall mbi të cilin bëhet pazarllëk: është shpëtim, takim, shëlbim. Nuk shitet me çmim të lirë.

Kjo situatë e përshkruar në fillim të Letrës duket paradoksale, sepse të gjithë sa janë të përfshirë në të duken të shtyrë nga ndjenja të mira. Galatasit, që dëgjojnë misionarët e rinj, mendojnë se me rrethprerje mund t’i kushtohen edhe më shumë vullnetit të Hyjit dhe për këtë arsye t’i pëlqejnë edhe më shumë Palit. Armiqtë e Palit duket se janë të shtyrë nga besnikëria ndaj traditës së marrë nga etërit dhe besojnë se feja e vërtetë qëndron në zbatimin e Ligjit. Përballë kësaj besnikërie madhore justifikojnë madje edhe insinuatat dhe dyshimet për Palin, të çmuara si joortodokse në lidhje me traditën. Vetë Apostulli e di mirë se misioni i tij është i një natyre hyjnore – ai iu zbulua nga vetë Krishti, atij! – dhe për këtë arsye ai është i shtyrë nga një entuziazëm i plotë për risinë e Ungjillit, e cila është një risi rrënjësore, nuk është një risi kalimtare: nuk ka ungjij sipas “modës”, Ungjilli është gjithmonë i ri, është risia. Ankthi i tij baritor e bën atë të jetë i rreptë, sepse vëren rrezikun e madh që i kanoset të krishterëve të rinj. Me pak fjalë, është e nevojshme të dilet nga ky labirint qëllimesh të mira, për të kapur të vërtetën supreme që paraqitet si më koherentja me Personin dhe predikimin e Jezusit dhe zbulimin e tij të dashurisë së Atit. Kjo është e rëndësishme: të dish të dallosh. Shumë herë gjatë historisë kemi parë dhe e shohim edhe sot, ndonjë lëvizje që predikon Ungjillin në mënyrën e vet, ndonjëherë me karizma të mirëfillta; por pastaj e tepron dhe e redukton të gjithë Ungjillin te “lëvizja”. E ky nuk është Ungjilli i Krishtit: ky është Ungjilli i themeluesit, i themelueses dhe ky po, mund të ndihmojë në fillim, por në fund nuk jep fryte sepse nuk ka rrënjë të thella. Për këtë arsye, fjala e qartë dhe vendimtare e Palit qe shpëtimsjellëse për Galatasit dhe është e tillë edhe për ne. Ungjilli është dhurata e Krishtit për ne, është Ai që e zbulon atë. Ky na jep jetë.

Marrë nga Vatican.va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme