Katekizmi i sotëm i Papës Françesku, para pjesëmarrësve në audiencën e përgjithshme, në Sallën Pali VI, në Vatikan, titullohet “Dhembjet e lindjes së krijimit. Historia e krijesës si “mister shtatzanie”.
“E dimë se mbarë krijesa gjëmon dhe vuan në dhimbjet e lindjes deri tani. Dhe jo vetëm ajo! Por edhe ne, që kemi frytet e para të Shpirtit Shenjt, gjëmojmë në vetvete, duke pritur adoptimin e bijve, shpërblimin e trupit tonë. Vërtet, ishim të shëlbuar, por në shpresë. Veçse shpresa që shihet, nuk është shpresë. Sepse, çka dikush e sheh, si mund ta shpresojë? Nëse, pra, shpresojmë çka nuk shohim, atë gjë e presim me qëndresë” (Rom. 8,22-24)
AUDIENCA E PËRGJITHSHME
Katekezë mbi pleqërinë – 18. Dhembjet e lindjes së krijimit. Historia e krijesës si mister “shtatzënie”.
Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!
Kohët e fundit kemi kremtuar të Ngriturit e Nënës së Jezusit në qiell. Ky mister ndriçon përmbushjen e hirit që i dha trajtë fatit të Marisë, dhe gjithashtu ndriçon fatin [cakun] tonë. Caku është qielli. Me këtë imazh të Virgjërës së ngritur në parajsë, do të doja ta përmbyllja ciklin e katekezave mbi pleqërinë. Në Perëndim ne e sodisim Virgjërën të ngritur lart e të mbështjellë me dritë të lavdishme; në lindje paraqitet e shtrirë, duke fjetur, e rrethuar nga Apostujt në lutje, ndërsa Zoti i Ngjallur e mban ndër duar si një fëmijë.
Teologjia ka reflektuar gjithmonë mbi marrëdhënien e kësaj “ngritjeje” të pashoqe me vdekjen, të cilën dogma nuk e përcakton. Mendoj se do të ishte edhe më e rëndësishme të bëhej e qartë lidhja e këtij misteri me ngjalljen e Birit, që hap rrugën e lindjes në jetë për të gjithë ne. Në aktin hyjnor të ribashkimit të Marisë me Krishtin e Ngjallur, nuk kapërcehet thjesht prishja normale trupore e vdekjes njerëzore, jo vetëm kjo, por hershohet marrja [ngritja] trupore në jetën e Hyjit. Njëmend, hershohet fati i ngjalljes që ka të bëjë me ne: sepse sipas fesë së krishterë, i Ngjalluri është i parëlinduri i shumë vëllezërve dhe motrave. Zoti i ngjallur është Ai që shkoi i pari, që u ngjall para të gjithëve, që u ngrit i pari, pastaj do të shkojmë ne: ky është fati ynë: të ngjallemi.
Mund të themi – duke ndjekur fjalën e Jezusit drejtuar Nikodemit – që është si një lindje e dytë (krh. Gjn 3,3-8). Nëse e para ishte një lindje në tokë, kjo e dyta është një lindje në qiell. Nuk është rastësi që Pali apostull, në tekstin që u lexua në fillim, flet për dhimbjet e lindjes (krh. Rom 8,22). Sikurse, sapo dalim nga barku i nënës sonë, jemi gjithmonë ne, e njëjta qenie njerëzore që ishte në bark, kështu, pas vdekjes, ne lindim në qiell, në hapësirën e Hyjit, dhe jemi gjithnjë ne të cilët kemi ecur mbi këtë tokë. Në mënyrë të ngjashme me atë që ndodhi me Jezusin: i Ngjalluri është gjithnjë Jezusi: ai nuk e humb natyrën njerëzore, përvojën jetësore të tij, madje as trupin e tij, jo, sepse pa të nuk do të ishte më Ai, nuk do të ishte Jezusi: domethënë, me njerëzishmërinë e tij, me përvojën e tij jetësore.
Këtë na e tregon përvoja e dishepujve, të cilëve Ai iu shfaqet për dyzet ditë pas ngjalljes së tij. Zoti tregon plagët që kanë vulosur sakrificën e tij; por ato nuk janë më shëmtia e poshtërimit të vuajtur me dhimbje, tanimë janë prova e pashlyeshme e dashurisë së tij besnike deri në fund. Jezusi i Ngjallur me trupin e tij jeton në jetën Trinitare të Hyjit! Dhe në të ai nuk e humbet kujtesën e tij, nuk e braktis historinë e vet, nuk i shkrin marrëdhëniet në të cilat jetoi në tokë. Ai u premtoi miqve të tij: «Kur të shkoj e t’ju përgatis vendin, do të vij prapë e do t’ju marr tek unë, që aty ku jam unë, të jeni edhe ju» (Gjn 14,3). Ai ka shkuar për të na e përgatitur vendin të gjithëve dhe pasi ta përgatisë një vend do të vijë. Nuk do të vijë vetëm në fund për të gjithë, do të vijë çdo herë për secilin prej nesh. Ai do të vijë për të na kërkuar që të na çojë tek vetë Ai. Në këtë kuptim, vdekja është si hapi drejt takimit me Jezusin që më pret për të më marrë tek vetja.
I Ngjalluri jeton në botën e Hyjit, ku ka një vend për të gjithë, ku formohet një tokë e re dhe ndërtohet qyteti qiellor, banesa përfundimtare e njeriut. Ne nuk mund ta imagjinojmë këtë shndërrim të trupit tonë të vdekshëm, por jemi të sigurt se ai do t’i ruajë të dallueshme fytyrat tona dhe do të na mundësojë të mbetemi njerëz në qiellin e Hyjit. Do të na lejojë të marrim pjesë, me përjetim sublim, në bollëkun e pafund dhe të lumtur të aktit krijues të Hyjit, aventurat e pafundme të të cilit do t’i përjetojmë personalisht.
Kur Jezusi flet për Mbretërinë e Hyjit, ai e përshkruan atë si një gosti dasme, si një festë me miqtë, si puna që e bën shtëpinë të përkryer: është befasia që e bën të korrën më të pasur se mbjellja. Marrja seriozisht e fjalëve të Ungjillit mbi Mbretërinë e bën ndjeshmërinë tonë të aftë për ta shijuar dashurinë vepruese dhe krijuese të Hyjit dhe na vendos në sintoni me fatin e padëgjuar të jetës që mbjellim. Në pleqërinë tonë, të dashur bashkëmoshatarë dhe bashkëmoshatare, e unë u drejtohem “pleqve” dhe “plakave”, në pleqërinë tonë rëndësia e shumë “detajeve” nga të cilat është e bërë jeta – një përkëdhelje, një buzëqeshje, një gjest, një punë e vlerësuar, një surprizë e papritur, një gëzim mikpritës, një lidhje besnike – bëhet më e mprehtë. Thelbësorja e jetës, që, në afërsi të lamtumirës sonë, ngelet më për zemër, na duket përfundimisht e qartë. Ja: kjo urtia e pleqërisë është vendi i ‘shtatzënisë’ [trajtimit] sonë, që ndriçon jetën e fëmijëve, të rinjve, të rriturve dhe të gjithë bashkësisë. Ne “pleqtë” duhet të jemi kjo gjë për të tjerët: dritë për të tjerët. E gjithë jeta jonë duket si një farë që duhet të futet në dhe’ që të lindë lulja dhe fryti i saj. Do të lindë së bashku me pjesën tjetër të botës. Jo pa dhimbje, jo pa vuajtje, por do të lindë (krh. Gjn 16,21-23). Dhe jeta e trupit të ngjallur do të jetë njëqindmijë herë më e gjallë se mënyra si e kemi shijuar ne në këtë tokë (krh. Mk 10, 28-31).
Nuk është rastësi që Zoti i Ngjallur, teksa pret Apostujt në breg të liqenit, pjek peshk (krh. Gjn21,9) dhe pastaj ua ofron atyre. Ky gjest i një dashurie që përkujdeset na bën ta marrim me mend se çfarë na pret ndërsa kalojmë në bregun tjetër. Po, të dashur vëllezër dhe motra, veçanërisht ju të moshuar, më e mira e jetës mbetet ende për t’u parë; “Por, ne jemi të vjetër, çfarë kemi për të parë më shumë?”. Më e mira, sepse më e mira e jetës është ende për t’u parë. Ne shpresojmë për këtë plotësi jete që na pret të gjithëve, kur Zoti do të na thërrasë. Nëna e Zotit dhe Nëna jonë, që na ka paraprirë në Parajsë, na ktheftë drithërimin e pritjes, sepse nuk është një pritje e anestetizuar, nuk është një pritje e mërzitshme, jo, është një pritje me drithërimë: “Kur do të vijë Zoti im? Kur do të mund të shkoj atje?”. Ka pak frikë sepse ky kalim nuk e di se çfarë do të thotë dhe kalimi i asaj dere të ngjall pak frikë, por është gjithmonë dora e Zotit që të çon përpara dhe si të kalohet dera ka festë. Le të jemi të kujdesshëm, të dashur “pleq” “plaka”, bashkëmoshatarë, të jemi të vëmendshëm, Ai po na pret, vetëm një kalim dhe pastaj vjen festa.