26.5 C
Tirana
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Nuk është as kulturë as bukuri nëse ka shfrytëzim pune...
HomeJeta e KishësPapa Françesku: Nuk është as kulturë as bukuri nëse ka shfrytëzim pune...

Papa Françesku: Nuk është as kulturë as bukuri nëse ka shfrytëzim pune prej skllevërish

Papa i përgjigjet Maurizio Maggiani-t, i cili i kishte shkruar një letër të hapur disa ditë më parë te “Il Secolo XIX”, duke rrëfyer me “turp” zbulimin e metodës kriminale në dëm të emigrantëve përmes të cilëve shtypeshin librat e tij dhe të autorëve të tjerë. Sot, në të përditshmen xhenoveze, “La Stampa” dhe në gazetat e tjera të grupit, publikohet përgjigja e Papa Françeskut ndaj romancierit italian: kërkohet guximi për të “hequr dorë” nga avantazhet e prodhuara nga “mekanizmat e vdekjes”

“Guximi i gushëkuqit”, nga titulli i një prej librave të tij më të njohur, kësaj radhe i mbetet atij. Romancieri-David që pyet veten për etikën e industrisë-Goliati, ku vetë ai është një anëtar me peshë, në këtë rast asaj botuese, ngaqë kishte ngelur keq nga një farë pakujdesie me të cilën, ndonjëherë, shmang të sqarojë nëse te një pjesë e fitimeve të saj fshihen situata çnjerëzore, nëse nën finesën e produkteve të saj ekziston një mekanizëm dhune kundër atyre që i prodhojnë ato, nëse pas vezullimit të ballinës fshihen histori të padukshme të preve të pambrojtura dhe grabitqarëve mizorë. Dhe si pasqyrë, në anën tjetër, bindjet e njohura të Papës, në një farë mënyre një “koleg” i pendës dhe mbi të gjitha një “zë i fortë” për t’ia drejtuar pyetjen që tradhton dilemën bazë: “A ia vlen të prodhojmë vepra të bukura dhe me urtësi nëse për t’i bërë ato kemi nevojë për punë skllevërish?”.

Faqja e parë e “Il Secolo XIX” me përgjigjen e Papës për Maurizio Maggiani-n

Në ballafaqim me Françeskun

Dialogu në distancë, që është zhvilluar ditët e fundit midis Maurizio Maggiani-t, shkrimtar dhe gazetar ligurian dhe Françeskut, është origjinal dhe intensiv. Ky i fundit iu përgjigj romancierit me një letër – të datës 9 gusht, ditën në të cilën Kisha kremton Edith Stein, shën Tereza Benedikta e Kryqit, bashkëpajtore e Evropës – në lidhje me pyetjen e ngritur publikisht nga autori, në një letër të hapur, botuar më 1 gusht të këtij viti në kolonat e “Il Secolo XIX”, që sot, së bashku me “La Stampa” dhe gazeta të tjera të grupit, publikon përgjigjen e Papës. Maggiani deshi të ndante drejtpërdrejt me Françeskun “turpin” që ndjeu kur mësoi, nga një ngjarje e kronikës së zezë, se edhe realizimi i librave të tij dhe të autorëve të tjerë, kalonte përmes një kompanie veneciane, dhe stabilimentit të nënkontraktorëve në Trentino, të dy të akuzuar nga përfaqësuesit e drejtësisë se kanë shfrytëzuar me metoda kriminale, “deri aty ku s’ta zë goja”, shkruan Maggiani, punën e punëtorëve pakistanezë, shprehimisht të nëpërkëmbur.

“Më erdhi turp nga vetja”

Maggiani, i cili e përkufizon veten si një jobesimtar (e njoh, shkruan ai, “fuqinë profetike shpërthyese” të Krishtit, “por nuk kam pasur kurrë dhuratën, hirin, të jem i durueshëm për tre ditë te varri i tij, të pres me Marinë Magdalenë dhe të konstatoj ngjalljen e birit të Hyjit”), pohon se iu drejtua Françeskut për një sërë arsyesh, mes të tjerash kjo e ndjeshmërisë së përbashkët. “Historitë që më pëlqen të tregoj dhe që ndiej detyrën ta bëj – thotë romancieri – janë historitë e të heshturve, e atyre të fundit dhe të poshtëruarve”, por indiferenca ndaj “përse”-së së tij, e ndeshur te kolegët e sektorit, “sikur të ishte një pyetje boshe”, e shtyu atë t’ia drejtojë “Shenjtërisë së Tij, sepse – rrëfen ai – me gjithë hulumtimin tim nuk arrij të gjej ndonjë autoritet tjetër moral i cili, përveç zërit të fortë, është i gatshëm për të dëgjuar, të pyesë veten para se të gjykojë”. Të pyes veten pikërisht për implikimet që rrjedhin nga tmerri i konsumuar në atë kamp përqendrimi modern, i ndërtuar mbi lëkurën e emigrantëve të varfër me paga sa për të mbajtur gjallë frymën, pa orare dhe të drejta, të marrë me shkelma dhe grushte nëse guxonin të kërkonin respekt: ​“Ndjeva turp për veten time, për veten ngaqë bëj aq shumë kujdes për të jetuar me duar të pastra dhe për të mos përdorur produkte të dyshuara për shfrytëzim skllevërish, e megjithatë – pranon shkrimtari – kurrë nuk kam reflektuar mbi evidencën se puna ime si romancier, aq fisnike”, është “pjesë e një vargu elementësh të sistemit prodhues, asaj që ne e quajmë zinxhiri prodhues, jo ndryshe nga çdo tjetër, dhe për këtë arsye i nënshtrohet të njëjtave devijime”.

T’i shohim të padukshmit

Françesku përgjigjet duke distiluar një nga mendimet-çelës të mësimit të tij. “Ju – pohon Papa duke vlerësuar Maggiani-n – nuk bëni një pyetje boshe, sepse në lojë është dinjiteti i njerëzve, ai dinjitet që sot, shumë shpesh dhe lehtë, shkelet me “punën prej skllevërish”, në heshtjen bashkëfajtore dhe shurdhuese të shumëkujt. E kishim parë këtë gjatë lockdown-it, kur shumë prej nesh zbuluan se, pas ushqimit që mbërrinte në tryezat tona, gjendeshin qindra mijëra mëditës pa të drejta: të padukshëm dhe të lënë në fund – megjithëse të parët! – hapa të një zinxhiri prodhues i cili, për të përftuar ushqim, privonte shumëkënd nga buka e një punë e denjë”. Por në fakt, vazhdon Françesku, të shoqërosh këtë lloj paturpësie me letërsinë “ndoshta të vret edhe më shumë” nëse ajo që Papa përcakton si “buka e shpirtrave, shprehje që lartëson shpirtin njerëzor”, “lëndohet nga makutëria e një shfrytëzimi që vepron në hije, duke fshirë fytyra dhe emra”. Pra, nëse botohet diçka që bazohet në padrejtësi, është “në vetvete e padrejtë” dhe “për një të krishterë – kujton Papa – çdo formë shfrytëzimi është mëkat”.

Dy gjërat për të bërë

Mirëpo, zgjidhja nuk qëndron te dorëzimi. “Heqja dorë nga bukuria do të ishte një tërheqje e padrejtë, një lëshim kundrejt të së mirës”, thotë Françesku, i cili sugjeron një reagim të bazuar në dy folje. E para është të “denoncosh” “mekanizmat e vdekjes”, “strukturat e mëkatit”, duke arritur deri aty sa të shkruash “gjëra që trazojnë për t’u shkundur nga indiferenca, për të stimuluar ndërgjegjet, duke i ngucur ato në mënyrë që të mos i bëjnë anestezi vetes duke thënë ‘nuk më intereson’, ‘nuk është puna ime’, ‘s’kam ç’të bëj nëse bota shkon kështu!’”. Folja e dytë është “të heqësh dorë”. Duke falënderuar Maggiani-in që ka shkruar atë që ka shkruar pa llogaritur “pasojat tek imazhi i tij”, Françesku është i mendimit se, përveç guximit të denoncimit, nevojitet ai i heqjes dorë. Heqje dorë “jo nga letërsia dhe kultura – pohon ai – por nga zakonet dhe avantazhet që, sot ku gjithçka është e lidhur, kuptojmë (për shkak të mekanizmave të korruptuar të shfrytëzimit), se dëmtojnë dinjitetin e vëllezërve dhe motrave tona. Është një shenjë e fuqishme – këmbëngul ai – të heqësh dorë nga pozicionet dhe komoditetet për t’u bërë vend atyre që nuk e kanë​​”. Të arrish “të thuash jo për një po më të madhe”, të paraqesësh “objeksion të ndërgjegjes për të promovuar dinjitetin njerëzor”.

Kultura, zëri i të poshtëruarve, jo i tregut

Papa i Kishës së varfër për të varfrit, ripohon se e do Dostojevskin “jo vetëm për leximin e thellë që i bën shpirtit njerëzor dhe për vështrimin e tij fetar, por sepse ai zgjodhi të rrëfejë jetë të varfra, të ‘poshtëruara dhe të ofenduara’”. Një konsideratë nga ku buron një ftesë urgjente: përballë shumë të poshtëruarve dhe ofenduarve të ditëve tona, ku praktikisht askush nuk i bën ata “protagonistë, ndërsa paratë dhe interesat kanë marrë sundimin”, kultura – është apeli i Françeskut – “të mos humbasë guximin për shkak të tregut”.

Marrë nga Vatican.va

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme