26.5 C
Tirana
HomeKisha UniversalePapa Françesku në takimin e Paktit Global të Edukimit : formim i...
HomeKisha UniversalePapa Françesku në takimin e Paktit Global të Edukimit : formim i...

Papa Françesku në takimin e Paktit Global të Edukimit : formim i gjithanshëm për vëllazërimin universal

Duke hapur takimin e përfaqësuesve të feve botërore në Vatikan, Papa Françesku bën sërish thirrje për një Pakt Global të Edukimit, që t’i ndihmojë brezat e rinj jo vetëm të njohin vetveten, por të njohin edhe tjetrin, gjithësinë e hyjnoren në botë. “Nuk mund të mos ua themi brezave të rinj të vërtetat, që i japin kuptim jetës”

Publikojmë më poshtë Fjalimin që Ati Shenjt u drejtoi përfaqësuesve të feve gjatë takimit që u mbajt këtë mëngjes në Sala Clementina të Pallatit Apostolik të Vatikanit me temën: «Religions and Education: towards a Global Compact on Education» në lidhje me Paktin Global të Edukimit, një ngjarje botërore e shpallur nga Papa Françesku më 12 shtator 2019 për të edukuar brezat e rinj në vëllazërim, paqe dhe drejtësi:

Fjalimi i Atit Shenjt

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kam kënaqësinë t’ju mirëpres në këtë rast domethënës për të promovuar një Pakt Global të Edukimit. Sot, në Ditën Botërore të Mësuesve të themeluar nga UNESCO, si Përfaqësues të Feve ne duam të shprehim afërsinë dhe mirënjohjen tonë për të gjithë mësuesit dhe, në të njëjtën kohë, vëmendjen tonë ndaj edukimit.

Dy vjet më parë – më 12 shtator 2019 – u bëra një apel të gjithë atyre që, në cilësi të ndryshme, punojnë në fushën e edukimit, për të «dialoguar mbi mënyrën se si po ndërtojmë të ardhmen e planetit dhe mbi nevojën për të investuar talentet e gjithsecilit, sepse çdo ndryshim ka nevojë për një rrugë edukative për të përftuar një solidaritet të ri universal dhe një shoqëri më mikpritëse» (Mesazhi për fillimin e Paktit Edukativ).

Me këtë qëllim promovova nismën e një Pakti Global për Edukimin, «për të ringjallur angazhimin për dhe me brezat e rinj, duke ripërtërirë pasionin për një edukim më të hapur dhe gjithëpërfshirës, i aftë për dëgjim të durueshëm, dialog konstruktiv dhe mirëkuptim reciprok», duke ftuar të gjithë për të «bashkuar përpjekjet e tyre në një aleancë të gjerë edukative për të formuar njerëz të pjekur, të aftë për të kapërcyer fragmentarizmat dhe kontrastet dhe për të rimëkëmbur rrjetën e marrëdhënieve për një njerëzim më vëllazëror».

Nëse duam një botë më vëllazërore, duhet t’i edukojmë brezat e rinj që «të njohin, vlerësojnë dhe të duan çdo person përtej afërsisë fizike, përtej vendit ku kanë lindur ose ku jetojnë» (Enc. Fratelli tutti, 1). Parimi themelor “njihe vetveten” e ka orientuar gjithmonë edukimin, por është e nevojshme të mos lëmë anash parime të tjera thelbësore: “njihe vëllain tënd”, në mënyrë që të edukohet pranimi i tjetrit (krh. Enc. Vëllezër të gjithë; Dokumenti mbi vëllazërimin njerëzor, Abu Dhabi, 4 shkurt 2019); “njihe krijimin”, për të edukuar në pikëpamjen e kujdesit për shtëpinë e përbashkët (krh. Enc. Laudato si’) dhe “njihe Transhendentin”, për të edukuar në atë mister të madh të jetës.  E kemi përzemër një formim integral i cili përmblidhet në njohjen e vetvetes, të vëllait, të krijimit dhe të Transhendentit. Nuk mund t’i heshtim para breza të rinj të vërtetat që i japin kuptim jetës.

Fetë kanë pasur kurdoherë një marrëdhënie të ngushtë me edukimin, duke shoqëruar aktivitetet fetare me ato edukative, shkollore dhe akademike. Sikurse në të kaluarën, ashtu edhe sot, me urtinë dhe humanitetin e traditave tona fetare, ne duam të jemi stimul për një veprim edukativ të përtërirë që të mund të rrisë vëllazërimin universal në botë.

Nëse në të kaluarën dallimet na kanë vënë në kontrast, sot ne shohim në to pasurinë e mënyrave të ndryshme për të arritur te Hyji dhe për të edukuar brezat e rinj për bashkëjetesë paqësore në respekt të ndërsjellë. Prandaj, edukimi na zoton që të mos përdorim kurrë emrin e Hyjit për të përligjur dhunën dhe urrejtjen ndaj traditave të tjera fetare, që të dënojmë çdo formë fanatizmi dhe fundamentalizmi dhe të mbrojmë të drejtën e secilit për të zgjedhur dhe vepruar sipas ndërgjegjes së vet.

Nëse në të kaluarën u diskriminuan, edhe në emër të fesë, pakicat etnike, kulturore, politike dhe të tjera, sot ne duam të jemi mbrojtës të identitetit dhe dinjitetit të çdo personi dhe t’u mësojmë brezave të rinj që t’i pranojnë të gjithë pa diskriminim. Prandaj, edukimi na angazhon që ta pranojmë tjetrin ashtu siç është, jo siç dua unë që ai të jetë, por ashtu siç është, dhe pa gjykuar dhe dënuar askënd.

Nëse në të kaluarën nuk u respektuan gjithmonë të drejtat e grave, e të miturve dhe të më të dobëtëve, sot përkushtohemi që t’i mbrojmë me vendosmëri këto të drejta dhe t’u mësojmë brezave të rinj që të jenë zëri i atyre që nuk kanë zë. Prandaj, edukimi na nxit të flakim dhe të denoncojmë çdo dhunim të integritetit fizik dhe moral të gjithsecilit. Dhe edukimi duhet të na bëjë të kuptojmë se burri dhe gruaja janë të barabartë në dinjitet: nuk do të ketë diskriminim.

Nëse në të kaluarën kemi toleruar shfrytëzimin dhe plaçkitjen e shtëpisë sonë të përbashkët, sot, më të vetëdijshëm për rolin tonë si mbrojtës të krijimit që na është besuar nga Hyji, ne duam të jemi zëri i natyrës që bërtet për mbijetesën e saj dhe të formojmë veten tonë dhe brezat e rinj për një stil jetese më të përkorë dhe eko-mbështetës. Dje më preku dëshmia e njërit prej shkencëtarëve që foli në takimin tonë, ai tha: “Mbesa ime, e sapo lindur, brenda 50 vjetësh do të duhet të jetojë në një botë të pabanueshme, nëse gjërat shkojnë kështu”. Prandaj, edukimi na angazhon të duam tokën tonë nënë dhe të shmangim shpërdorimet e ushqimit dhe burimeve, si dhe të jemi më bashkëpjesëmarrës në të mirat që Hyji na ka dhënë për jetën e të gjithëve. Më vjen ndërmend ajo që tha një njeri i urtë, jo-katolik: “Hyji fal gjithmonë. Ne falim herë po e herë jo. Natyra nuk fal kurrë”.

Sot ne duam të deklarojmë se traditat tona fetare, të cilat kanë qenë gjithmonë protagoniste të shkrim-leximit e deri në arsimimin e lartë, përforcojnë misionin e tyre të edukimit të secilit person në integritetin e tij, domethënë kokë, duar, zemër dhe shpirt. Që të mendohet mbi atë çfarë ndjehet dhe bëhet; që të ndjehet ajo që mendohet dhe bëhet; që të bëhet ajo që ndjehet dhe mendohet. Harmonia e integritetit njerëzor, domethënë e gjithë bukuria e kësaj harmonie.

Të dashur vëllezër dhe motra, ju falënderoj për pjesëmarrjen tuaj, dhe gjithashtu falënderoj të gjithë ata që, për shkak të pandemisë, nuk e patën të mundur të ishin këtu të pranishëm. Dhe tani ju ftoj në një moment të shkurtër heshtjeje për t’i kërkuar Hyjit që të ndriçojë mendjet tona, në mënyrë që dialogu ynë të jetë i frytshëm dhe të na ndihmojë të ndjekim me guxim rrugët e horizonteve të reja të edukimit.

Përkthyer nga Press Vatican

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme