10.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Mos i gjykoni të varfrit, ndihmojini
HomeKryesorPapa Françesku: Mos i gjykoni të varfrit, ndihmojini

Papa Françesku: Mos i gjykoni të varfrit, ndihmojini

Në mëngjesin e sotëm, në të dielën e XXXIII të Kohës së Rregullt, Ati Shenjt Françesku udhëhoqi kremtimin eukaristik në Bazilikën e Vatikanit me rastin e Ditës së V Botërore të të Varfërve, ku morën pjesë 2000 të varfër dhe të tjerë në gjendje të mjerueshme, së bashku me vullnetarët që i shoqëronin dhe eksponentë të realiteteve të shumta bamirëse që i ndihmojnë ato në mënyrë të përditshme në territorin e Romës.

Më poshtë publikojmë predikimin që Papa mbajti pas shpalljes së Ungjillit:

Predikimi i Papa Françeskut:

Imazhet e përdorura nga Jezusi, në pjesën e parë të Ungjillit të sotëm, të tronditin : dielli që errësohet, hëna që nuk jep më dritë, yjet që bien dhe trupat qiellorë që lëkunden (krh. Mk 13, 24- 25). Megjithatë, pak pas kësaj, Zoti na bën të shpresojmë: pikërisht në atë moment të errësirës totale, Biri i Njeriut do të vijë (krh. rr. 26); dhe në të tashmen, ne, mund të sodisim tashmë shenjat e ardhjes së tij, si atëherë kur vërehet një fik që fillon të çelë gjethet sepse vera është afër (krh. rr. 28).

Kështu, ky Ungjill na ndihmon të lexojmë historinë duke kapur dy aspekte: dhimbjet e të sotmes dhe shpresën e së nesërmes. Nga njëra anë, sillen në kujtesë të gjitha kontradiktat e dhimbshme në të cilat realiteti njerëzor mbetet i zhytur në të gjitha kohërat; nga ana tjetër, është e ardhmja e shpëtimit që e pret, d.m.th. takimi me Zotin që vjen, për të na çliruar nga çdo e keqe. Ne i shikojmë këto dy aspekte me shikimin e Jezusit.

Aspekti i parë: dhimbja e të sotshmes. Jemi brenda një historie të shënuar nga mundime, dhunë, vuajtje dhe padrejtësi, duke pritur për një çlirim që duket se nuk po vjen kurrë. Sidomos, ata që ngelen të lënduar, të shtypur e ndonjëherë të shkelur keqas janë hallkat më të dobëta të zinxhirit. Dita Botërore e të Varfërve, që po kremtojmë, na kërkon të mos e hedhim shikimin gjetiu, të mos kemi frikë që ta shikojmë nga afër vuajtjen e më të dobëtëve, për të cilët Ungjilli i sotëm është shumë aktual: dielli i jetës së tyre shpeshherë është i errësuar nga vetmia, hëna e pritjeve të tyre është e shuar; yjet e ëndrrave të tyre kanë rënë të dorëzuar dhe vetë ekzistenca e tyre është e shkretuar. E gjithë kjo është për shkak të varfërisë në të cilën shpesh detyrohen të bien, viktima të padrejtësisë dhe pabarazisë së një shoqërie skartuese, e cila vrapon shpejt pa iu hedhur sytë dhe i braktis në mënyrë të paskrupullt në dorë të fatit të tyre.

Mirëpo, nga ana tjetër, ekziston aspekti i dytë: shpresa e së nesërmes. Jezusi dëshiron të na hapë drejt shpresës, të na nxjerrë nga ankthi dhe frika përballë dhimbjes së botës. Kjo është arsyeja pse ai pohon se, pikërisht ndërsa dielli errësohet dhe gjithçka duket sikur bie, Ai afrohet. Në rënkimin e historisë sonë të dhimbshme, ka një të ardhme shpëtimi që fillon të mbijë. Shpresa e së nesërmes lulëzon në dhimbjen e të sotshmes. Po, shpëtimi i Hyjit nuk është vetëm një premtim për jetën e përtejme, por ai tashmë rritet brenda historisë sonë të plagosur – të gjithë kemi një zemër të sëmurë – hapet rruga në mes të shtypjeve dhe padrejtësive të botës. Pikërisht në mes të vajit të të varfërve, Mbretëria e Hyjit çel si gjethet e njoma të një peme dhe e çon historinë drejt qëllimit, në takimin përfundimtar me Zotin, Mbretin e Gjithësisë që do të na çlirojë në mënyrë përfundimtare.

Në këtë pikë, le ta pyesim veten: çfarë kërkohet nga ne të krishterët përballë këtij realiteti? Na kërkohet të ushqejmë shpresën e së nesërmes duke shëruar dhimbjen e të sotmes. Ato janë të lidhura: nëse ti nuk vijon duke shëruar dhimbjet e të sotmes, vështirë se do ta kesh shpresën e së nesërmes. Shpresa që lind nga Ungjilli, njëmend, nuk qëndron në pritjen pasive që gjërat të përmirësohen në një të nesërme, kjo nuk është e mundur, por në konkretizimin, sot, të premtimit të shpëtimit të Hyjit. Sot, çdo ditë. Shpresa e krishterë nuk është në të vërtetë një optimizëm i hareshëm, madje, do të thosha një optimizëm adoleshent, i atyre që shpresojnë se gjërat do të ndryshojnë dhe ndërkohë vazhdojnë të bëjnë jetën e tyre, por është të ndërtosh çdo ditë, me gjeste konkrete, Mbretërinë e dashurisë, drejtësisë dhe vëllazërisë që Jezusi ka përuruar. Shpresa e krishterë, për shembull, nuk u mboll nga leviti dhe nga prifti që kaluan para atij njeriu të plagosur nga hajdutët. E mbolli një i huaj, një samaritan që ndaloi dhe bëri gjestin konkret (krh. Lk 10,30-35). Dhe sot është sikur Kisha të na thoshte: “Ndal dhe mbille shpresën në varfëri. Afroju të varfërve dhe mbill shpresë”. Shpresa e atij personi, shpresa jote dhe shpresa e Kishës. Neve na kërkohet kjo gjë: të jemi, ndër rrënojat e përditshme të botës, ndërtues të palodhur të shpresës; të jemi dritë ndërsa dielli errësohet; të jemi dëshmitarë të dhembshurisë ndërsa përreth nesh mbretëron përhumbja; të jemi të dashur dhe të vëmendshëm në indiferencën e përhapur. Dëshmitarë të dhembshurisë. Ne kurrë nuk do të jemi në gjendje të bëjmë mirë pa kaluar përmes dhembshurisë. Më e shumta do të bëjmë gjëra të mira, por që nuk prekin për mënyrën e krishterë, sepse nuk prekin zemrën. Ajo që na prek zemrën është dhembshuri: të afrohemi, të ndjejmë dhembshuri dhe të bëjmë gjeste butësie. Pikërisht stili i Hyjit: afërsia, dhembshuria dhe butësia. Kjo na kërkohet sot.

Kohët e fundit m’u kujtua ajo që përsëriste një ipeshkëv i afërt me të varfrit dhe, vetë ai i varfër në shpirt, don Tonino Bello: “Ne nuk mund të mjaftohemi duke shpresuar, duhet të organizojmë shpresën”. Nëse shpresa jonë nuk përkthehet në zgjedhje dhe gjeste konkrete vëmendjeje, drejtësie, solidariteti, kujdesi për shtëpinë e përbashkët, vuajtjet e të varfërve nuk mund të lehtësohen, ekonomia e të skartuarit që i detyron ata të jetojnë të margjinalizuar nuk mund të kthehet [kah Zoti], pritshmëritë e tyre nuk do të jetë në gjendje të lulëzojë përsëri. Na takon neve, sidomos neve të krishterëve, ta organizojmë shpresën – është e bukur kjo shprehje e Tonino Bello-s: ta organizojmë shpresën –, ta përkthejmë në jetë konkrete çdo ditë, në marrëdhëniet njerëzore, në angazhimin shoqëror e politik. Më bën të mendoj puna që bëjnë kaq shumë të krishterë me veprat e bamirësisë, punën e Lëmoshës apostolike … Çfarë bëhet atje? Organizohet shpresa. Nuk jepet një monedhë, jo, por organizohet shpresa. Kjo është dinamika që Kisha na kërkon sot.

Kemi një imazh të shpresës që Jezusi na ofron sot. Është i thjeshtë dhe njëkohësisht orientues: është imazhi i gjetheve të fikut, të cilat çelin në heshtje, duke sinjalizuar se vera është afër. Dhe këto gjethe shfaqen, thekson Jezusi, kur dega zbutet (krh. Mk 13,28). Vëllezër, motra, ja fjala që e bën shpresën të mbijë në botë dhe ua lehtëson dhimbjen të varfërve: butësia. Dhembshuria që të çon në butësi. Na takon neve të tejkalojmë mbylljen, ngurtësinë e brendshme, që është tundimi i sotëm, i “restauruesve konservatorve” që duan një Kishë krejt të sistemuar, të ngurtë: kjo nuk është prej Shpirtit Shenjt. Dhe ne duhet ta kapërcejmë këtë, dhe të bëjmë që shpresa të mbijë në këtë ngurtësi. Dhe gjithashtu na takon neve të kapërcejmë tundimin për t’u marrë vetëm me problemet tona, për të qenë të ndjeshëm përballë tragjedive të botës, për të ndjerë keqardhje për dhimbjen. Ashtu si gjethet e pemës, ne jemi të thirrur të thithim ndotjen që na rrethon dhe ta shndërrojmë atë në të mirë: nuk kemi nevojë të flasim për problemet, të debatojmë, të shkandullohemi – këtë dimë ta bëjmë të gjithë -; është e nevojshme të bëjmë si gjethet, të cilat pa tërhequr vëmendjen, çdo ditë, e shndërrojnë ajrin e ndotur në ajër të pastër. Jezusi dëshiron që ne të jemi “përkëmbyes të së mirës”: njerëz që, të zhytur në ajrin e rëndë që të gjithë thithin, i përgjigjen së keqes me të mirë (krh. Rom 12,21). Njerëz që veprojnë: thyejnë bukën me të uriturit, punojnë për drejtësi, ngrisin të varfrit dhe ua kthejnë atyre dinjitetin, siç bëri samaritani.

Një Kishë që del nga vetja është e bukur, është ungjillore, është e re dhe, si Jezusi, u shpall lajmin e mirë të varfërve (krh. Lk 4,18). Ndalem tek ai mbiemri i fundit: një Kishë e tillë është e re; rinia për të mbjellë shpresë. Kjo është një Kishë profetike, e cila me praninë e saj i thotë zemrës së humbur dhe të skartuarve të botës: “Guxim, Zoti është afër, edhe për ty ka një verë që vjen në zemër të dimrit. Edhe nga dhimbja jote mund të lindë përsëri shpresa”.  Vëllezër dhe motra, le t’ia përcjellim botës këtë vështrim shprese. Le ta çojmë atë te të varfrit me butësi, me afrimitet, me dhembshuri, pa i gjykuar – ne do të gjykohemi -. Sepse atje, me ta, me të varfrit është Jezusi; sepse atje, to, është Jezusi, që na pret.

Përkthyer nga Vatican Press

Mond MARKU

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme