“Perëndia u hidhërua aq shumë nga ligësia e përhapur e njerëzve, e cila ishte bërë një mënyrë normale jetese, sa mendoi se e kishte gabim që i krijoi dhe vendosi t’i eliminonte”. Katekeza e sotme i Papës fillon me këtë vëzhgim të fortë dhe vazhdon ciklin kushtuar të moshuarve.
AUDIENCA E PËRGJITHSHME
E mërkurë, 16 mars 2022
Katekezë mbi pleqërinë – 3. Pleqëria, një burim për të rinjtë e shkujdesur
Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!
Tregimi biblik – me gjuhën simbolike të kohës në të cilën u shkrua – na thotë një gjë mbresëlënëse: Hyji ishte aq i hidhëruar nga ligësia e përhapur e njerëzve, e cila ishte bërë një mënyrë normale jetese, saqë mendoi se kishte gabuar që i krijoi ato dhe vendosi t’i shfaroste. Një zgjidhje radikale. Kjo mund të ketë madje edhe një aspekt paradoksal mëshire. Jo më njerëz, jo më histori, jo më gjykim, jo më dënim. Dhe shumë viktima të paracaktuara të korrupsionit, dhunës, padrejtësisë do të kurseheshin përgjithmonë.
A nuk na ndodh ndonjëherë edhe neve – të fundosur nga ndjenja e pafuqisë ndaj së keqes ose të demoralizuar nga “profetët e fatkeqësisë” – të mendojmë se do të ishte më mirë të mos kishim lindur? A duhet t’u kushtojmë vëmendje disa teorive të kohëve të fundit, të cilat e denoncojnë specien njerëzore si një dëm evolutiv për jetën në planetin tonë? Çdo gjë është keq? Jo.
Në të vërtetë, ne gjendemi nën presion, të ekspozuar ndaj shtysave të kundërta që na bëjnë konfuz. Nga njëra anë, ne kemi optimizmin e një rinie të përjetshme, të ndezur nga përparimet e jashtëzakonshme të teknologjisë, e cila pikturon një të ardhme plot me makineri më efikase dhe më të zgjuara se ne, të cilat do të kurojnë sëmundjet tona dhe do të mendojnë për ne zgjidhjet më të mira për të mos vdekur: bota robotike. Nga ana tjetër, fantazia jonë shfaqet gjithnjë e më shumë e fokusuar në paraqitjen e një katastrofe përfundimtare që do të na shuajë. Ajo që ndodh me një luftë të mundshme atomike. Të nesërmen pas kësaj – nëse do të jemi ende, ditë dhe qenie njerëzore – do të duhet të fillojmë nga e para. Shkatërrim i gjithçkaje dhe fillim nga zeroja. Sigurisht se nuk dua ta banalizoj përparim. Por duket se simboli i përmbytjes po fiton terren në pavetëdijen tonë. Pandemia aktuale, për më tepër, vë në rrezik të konsiderueshëm përfytyrimin tonë të shkujdesur të gjërave që kanë rëndësi, për jetën dhe për fatin e saj.
Në tregimin biblik, kur bëhet fjalë për shpëtimin e jetës së tokës nga korrupsioni [prishja] dhe përmbytja, Hyji ia beson veprën besnikërisë së më të vjetrit ndër të gjithë, Noehut “të drejtë”. Shtroj pyetjen: a do ta shpëtojë botën pleqëria? Në cilin kuptim? E si do ta shpëtojë botën pleqëria? Cili është horizonti? Jeta pas vdekjes apo thjesht mbijetesa deri në përmbytje?
Një fjalë e Jezusit, që sjell në kujtesë “ditët e Noehut”, na ndihmon të thellojmë kuptimin e faqes biblike që kemi dëgjuar. Jezusi, duke folur për kohët e fundit, thotë: «Dhe, siç ndodhi në kohën e Noehit, po ashtu do të ndodhë edhe në ditët e Birit të njeriut: njerëzit hanin, pinin, merrnin gra e merrnin burra deri atë ditë kur Noehi hyri në arkë. Atëherë erdhi përmbytja e i fshiu të gjithë» (Lk 17,26-27). Në të vërtetë, të hash e të pish, të marrësh grua dhe burrë, janë gjëra shumë normale dhe nuk duken si shembuj korrupsioni. Ku është korrupsioni? Ku ishte prishja atje? Në realitet, Jezusi vë theksin mbi faktin që qeniet njerëzore, kur e kufizojnë veten në kënaqësitë e jetës, humbasin edhe perceptimin e korrupsionit, i cili ia vret dinjitetin dhe ia helmon kuptimin e saj. Kur perceptimi i korrupsionit humbet dhe korrupsioni bëhet një gjë normale: çdo gjë ka çmimin e vet, gjithçka! Blihen, shiten, opinione, akte drejtësie… Kjo, në botën e biznesit, në botën e shumë profesioneve, është e zakonshme. Dhe e jetojnë me shkujdesje edhe korrupsionin, sikur të ishte pjesë e normalitetit të mirëqenies njerëzore. Kur ti shkon të bësh diçka dhe gjëja nuk ecën si duhet, procesi është pak i ngadalshëm, sa herë dëgjon njerëzit të thonë: “Po, nëse më jep një bakshish, do ta përshpejtoj këtë”. Shumë herë dëgjon. “Më jep diçka dhe unë do të shkoj më tej”. Të gjithë e dimë mirë. Bota e korrupsionit duket pjesë e normalitetit të qenies njerëzore; dhe kjo është e shëmtuar. Sot në mëngjes fola me një zotëri i cili më tregonte për këtë problem në vendin e tij. Të mirat e jetës konsumohen dhe shijohen pa shqetësim për cilësinë shpirtërore të jetës, pa përkujdesje për habitatin e shtëpisë së përbashkët. Gjithçka shfrytëzohet, pa e vrarë mendjen për mundimet dhe poshtërimin që sjell për shumëkënd, madje as për të keqen që helmon komunitetin. Për sa kohë që jeta normale mund të mbushet me “mirëqenie”, nuk duam të mendojmë se çfarë e boshatisë atë nga drejtësia dhe dashuria. “Po, unë jam mirë! Pse duhet të mendoj për problemet, luftërat, mjerimin njerëzor, sa varfëri ka, sa ligësi ka? Jo, jam mirë. Nuk e vras mendjen për të tjerët”. Ky është mendimi i pavetëdijshëm që na shtyn para për të jetuar në një gjendje korrupsioni.
Shtroj pyetjen: a mund të bëhet korrupsioni normalitet? Vëllezër dhe motra, për fat të keq po. Ajri i korrupsionit mund të thithet ashtu siç thithet oksigjeni. “Po, kjo është normale; sa më jep, nëse do që ta bëj këtë gjë shpejt e shpejt?”. Është normale! Është normale, por është një gjë e shëmtuar, nuk është e mirë! Çfarë ta hap rrugën? Një gjë: shkujdesja që interesohet vetëm kujdesin e vetvetes: ja, kjo është rrugëzgjidhja që i hap derën korrupsionit që fundos jetën e të gjithëve. Korrupsioni përfiton shumë nga kjo shkujdesje e keqe. Kur një njeriu i shkon mbarë gjithçka dhe nuk kujdeset për të tjerët: kjo shkujdesje e pakëson mbrojtjen tonë, na errëson ndërgjegjen dhe na bën – qoftë edhe padashur – bashkëpunëtorë. Sepse korrupsioni nuk ecën askurrë vetvetiu: një person ka gjithmonë bashkëpunëtorë. Dhe kështu korrupsioni përhapet, shtrihet gjithmonë.
Pleqëria është në pozicionin e duhur për të kapur mashtrimin e këtij normalizimi të një jete të fiksuar pas kënaqësisë dhe të zbrazët përbrenda: jetë pa mendim, pa sakrificë, pa brendësi, pa bukuri, pa të vërtetë, pa drejtësi, pa dashuri: kjo është e gjitha prishje. Ndjeshmëria e veçantë e ne të moshuarve, e pleqërisë ndaj kujdesit, mendimeve dhe afekteve që na bëjnë njerëzor, duhet të bëhet sërish thirrje për shumëkënd. Dhe kjo do të jetë një zgjedhje dashurie e të moshuarve ndaj brezave të rinj. Ne do të jemi ata që do të japim alarmin, paralajmërimin: “Kujdes, ky është korrupsion, nuk të shpie askund”. Sot, urtia e të vjetërve shërben shumë për të dalë kundër korrupsionit. Brezat e rinj presin nga ne të moshuarit, nga ne të vjetrit, një fjalë që është profeci, që hap dyert për perspektiva të reja përtej kësaj bote të shkujdesur të korrupsionit, të zakonit për gjëra të korruptuara. Bekimi i Hyjit zgjedh pleqërinë, për këtë karizëm kaq njerëzore dhe humanizuese. Cili është kuptimi i pleqërisë sime? Secili nga ne të moshuarit mund ta pyesë veten. Kuptimi është ky: të jemi profetë kundër korrupsionit dhe t’u themi të tjerëve: “Ndal, unë e përshkova atë rrugë dhe nuk të çon askund! Tani po ta tregoj përvojën time”. Ne të moshuarit duhet të jemi profetë kundër korrupsionit, siç ishte Noehu, profet kundër korrupsionit të kohës së tij, sepse ishte i vetmi të cilit Hyji i zuri besë. Unë shtroj pyetjen për të gjithë ju – dhe gjithashtu pyes veten: a është zemra ime e hapur për të qenë një profet kundër korrupsionit të sotëm? Ka një të keqe, kur të moshuarit nuk janë pjekur dhe janë plakur me të njëjtat zakone të prishura të të rinjve. Le të mendojmë për tregimin biblik të gjyqtarëve të Suzanës: ata janë shembulli i një pleqërie të korruptuar. Dhe ne, me një pleqëri të tillë nuk do të ishim në gjendje të bëheshim profetë për brezat e rinj.
Noehu është shembulli i kësaj pleqërie gjeneruese: ajo nuk është e korruptuar, është gjeneruese. Noehu nuk predikon, nuk ankohet, nuk qahet, por kujdeset për të ardhmen e brezit që është në rrezik. Ne të moshuarit duhet të kujdesemi për të rinjtë, fëmijët që janë në rrezik. Ai ndërton arkën e pranimit dhe lejon që aty të hyjnë njerëzit dhe kafshët. Duke u kujdesur për jetën, në të gjitha format e saj, Noehu përmbush urdhrin e Hyjit duke përsëritur gjestin e dashur dhe bujar të krijimit, i cili në të vërtetë është pikërisht mendimi që frymëzon urdhrin e Hyjit: një bekim i ri, një krijim i ri (krh. Zan 8,15-9,17 ). Thirrja e Noehit mbetet gjithnjë aktuale. Patriarku i shenjtë duhet të ndërmjetësojë ende për ne. Dhe ne, gra dhe burra të një farë moshe – për të mos thënë pleq, sepse disa fyhen – mos ta harrojmë se kemi mundësinë e urtisë, t’u themi të tjerëve: “Shiko, kjo udhë e korrupsionit nuk të çon askund”. Ne duhet të jemi si vera e mirë që në fund kur plaket mund të japë një mesazh të mirë dhe jo të keq.
Sot, bëj një apel për të gjithë njerëzit që kanë arritur një farë moshe, për të mos thënë që janë pleq. Kini kujdes: ju keni përgjegjësinë që ta denonconi korrupsionin njerëzor në të cilin jetojmë dhe në të cilin vazhdon kjo mënyrë e të jetuarit me relativizëm, tërësisht relative, sikur gjithçka të ishte e lejueshme. Le të ecim para. Bota ka nevojë, ka nevojë për të rinj të fortë, që ecin përpara, dhe për pleq të urtë. T’ia kërkojmë Zotit hirin e urtisë.
Përkthyer nga Vatican Press