Audienca e Përgjithshme e kësaj paraditeje u zhvillua në Sallën Pali VI ku Papa Françesku takoi grupe shtegtarësh dhe besimtarë nga Italia dhe nga e gjithë bota.
Në fjalimin e tij të mbajtur në italisht, Ati Shenjt, duke vazhduar ciklin e katekezës mbi Letrën drejtuar Galatasve të Palit Apostullit, e përqendroi meditimin e tij mbi temën: “Liria e krishterë, tharm universal i lirimit! (krh. Leximi: Gal 5,1.13)
Pasi e përmblodhi katekezën e tij në gjuhë të ndryshme, Ati Shenjt u drejtoi përshëndetje të veçanta grupeve të besimtarëve që ishin të pranishëm.
Audienca e Përgjithshme përfundoi me këndimin e “Ati ynë” dhe Bekimin Apostolik.
Katekeza mbi Letrën drejtuar Galatasve – 11. Liria e krishterë, tharm universal i lirimit
Vëllezër e motra, mirëdita!
Në itinerarin tonë të katekezës mbi Letrën drejtuar Galatasve, kemi pasur mundësinë të përqendroheshim në atë që është bërthama qendrore e lirisë për shën Palin: fakti që, me vdekjen dhe ngjalljen e Jezu Krishtit, ne jemi çliruar nga skllavëria e mëkatit dhe e vdekjes. Me fjalë të tjera: ne jemi të lirë sepse na është dhënë liria, jemi liruar me hir – jo me pagesë -, të liruar nga dashuria, e cila bëhet ligji i epërm dhe i ri i jetës së krishterë. Dashuria: ne jemi të lirë sepse jemi liruar falasshmërisht. Kjo është pikërisht pika kyçe.
Sot do të doja të theksoja sesi kjo risi e jetës na bën të hapur për të mirëpritur çdo popull dhe kulturë dhe në të njëjtën kohë hap çdo popull dhe kulturë për një liri më të madhe. Njëmend, shën Pali thotë se për ata që i bashkohen Krishtit nuk ka më rëndësi nëse je hebre apo pagan. E vetmja gjë që vlen është «feja që vepron me dashuri» (Gal 5,6). Të besosh, pra, se jemi liruar dhe të besosh në Jezu Krishtin që na ka liruar: kjo është feja që vepron për dashurinë. Kundërshtarët e Palit – këta fondamentalistë që kishin mbërritur atje – e sulmonin atë për këtë risi, duke i mëshuar idesë se ai e kishte marrë këtë pozicion nga oportunizmi baritor, domethënë për t’u “pëlqyer të gjithëve”, duke minimizuar kërkesat e marra nga tradita e tij fetare më e rreptë. Është i njëjti diskutim i fondamentalistëve të sotëm: historia përsëritet gjithmonë. Siç mund ta shohim, kritika ndaj çdo risie ungjillore nuk është vetëm e ditëve tona, por ka një histori të gjatë prapa saj. Sidoqoftë, Pali nuk hesht. Ai përgjigjet me parrezi – është një fjalë greke që tregon guxim, forcë – dhe thotë: «A mos ndoshta unë kërkoj të fitoj përkrahjen e njerëzve e jo të Hyjit? A mos kërkoj t’u pëlqej njerëzve? Po të mundohesha ende t’u pëlqeja njerëzve, nuk do të isha shërbëtori i Krishtit» (Gal 1,10). Që në Letrën e parë drejtuar Selanikasve ai ishte shprehur me terma të ngjashëm, duke thënë se në predikimin e tij ai kurrë nuk kishte përdorur «fjalë përkëdhelëse, as nuk kishte […] dëshirë të fshehtë të lakmimit të pasurisë […]. As […] nuk kërkuam lavdi prej njerëzve» (1 Sel 2,5-6), të cilat janë mënyrat e “shtirjes”; një besim që nuk është besim, por është mondanitet.
Mendimi i Palit tregon edhe një herë se është thellë i frymëzuar. Për të, pranimi i fesë bashkëmbart heqjen dorë jo nga zemra e kulturave dhe traditave, por vetëm nga ajo që mund të pengojë risinë dhe pastërtinë e Ungjillit. Sepse liria e fituar për ne nga vdekja dhe ngjallja e Zotit nuk hyn në konflikt me kulturat, me traditat që kemi marrë, por përkundrazi fut në to një liri të re, një risi liruese, atë të Ungjillit. Lirimi i marrë me pagëzim, në të vërtetë, na lejon të fitojmë dinjitetin e plotë të bijve të Hyjit, në mënyrë që, ndërsa ne qëndrojmë të rrënjosur mirë në rrënjët tona kulturore, në të njëjtën kohë hapemi ndaj universalizmit të fesë që hyn në çdo kulturë, ajo njeh farat e së vërtetës të pranishme dhe i zhvillon ato duke shpënë në plotësi të mirën që përmbahet në to. Të pranosh se jemi liruar nga Krishti – nga mundimet e tij, vdekja dhe ngjallja e tij – do të thotë të pranosh dhe të çosh plotësinë edhe në traditat e ndryshme të secilit popull. Plotësia e vërtetë.
Në thirrjen për në liri ne zbulojmë kuptimin e vërtetë të inkulturimit të Ungjillit. Cili është ky kuptim i vërtetë? Të jesh në gjendje të kumtosh Lajmin e Mirë të Krishtit Shpëtimtar duke respektuar atë që është e mirë dhe e vërtetë në kulturat e tjera. Nuk është një gjë e lehtë! Ka shumë tundime që na shtyjnë të imponojmë modelin tonë të jetës sikur të ishte më i përparuari dhe më tërheqësi. Sa gabime janë bërë gjatë historisë së ungjillëzimit duke kërkuar për të imponuar një model të vetëm kulturor! Uniformiteti si rregull i jetës nuk është i krishterë! Uniteti po, uniformiteti jo! Ndonjëherë, nuk është hequr dorë as nga dhuna vetëm e vetëm për të mbizotëruar me këndvështrimin vetjak. Le të mendojmë për luftërat. Në këtë mënyrë, Kisha ia ktheu shpinën pasurisë së aq shumë shprehjeve vendore që mbartnin me vete traditën kulturore të popullatave të tëra. Por kjo është pikërisht e kundërta e lirisë së krishterë! Për shembull, më vjen në mendje kur, në Kinë, u bë e njohur mënyra e të bërit apostullim nga At’ Ricci ose në Indi nga At’ De Nobili. … [Dikush tha]: “E jo, kjo nuk është e krishterë!”. Po, është e krishterë, kjo është në kulturën e popullit.
Me pak fjalë, vizioni i Palit për lirinë ndriçohet dhe begatohet e tëra nga misteri i Krishtit, i cili me mishërimin e tij – kujton Koncili II i Vatikanit – në një farë mënyrë është bashkuar me çdo njeri (krh. Kusht. bar. Gaudium et Spes, 22). Dhe kjo do të thotë që nuk ka njëtrajtshmëri, përkundrazi ka shumëllojshmëri, por shumëllojshmëri të bashkuar. Prej kësaj buron detyra për të respektuar origjinën kulturore të secilit person, duke e vendosur atë në një hapësirë lirie që nuk kufizohet nga asnjë imponim i diktuar nga një kulturë e vetme mbizotëruese. Këtë kuptim ka kur e quajmë veten katolikë, kur flasim për Kishën katolike: nuk është një emërtim sociologjik për t’u dalluar nga të krishterët e tjerë. Katolik është një mbiemër që do të thotë universal: karakteri katolik, karakteri universal. Kishë universale, domethënë katolike, do të thotë se Kisha ka në vetvete, në vetë natyrën e saj, hapjen ndaj të gjithë popujve dhe kulturave të çdo kohe, sepse Krishti lindi, vdiq dhe u ngjall për të gjithë.
Kultura, nga ana tjetër, është për natyrën e saj në shndërrim të vazhdueshëm. Mendoni se si jemi të thirrur ta kumtojmë Ungjillin në këtë moment historik të ndryshimit të madh kulturor, ku një teknologji gjithnjë e më e avancuar duket se ka mbizotërimin. Nëse do të pretendonim të flisnim për fenë siç ishte bërë në shekujt e kaluar, do të rrezikonim të mos kuptoheshim nga brezat e rinj. Liria e fesë së krishterë – liria e krishterë – nuk tregon një vizion statik të jetës dhe kulturës, por një vizion dinamik, një vizion dinamik edhe të traditës. Tradita rritet, por gjithnjë me të njëjtën natyrë. Prandaj, ne nuk pretendojmë se jemi zotëruesit e lirisë. Ne kemi marrë një dhuratë për ta ruajtur. Dhe është më tepër liria ajo që i kërkon secilit të jetë në një udhëtim të vazhdueshëm, të orientuar drejt plotësisë së saj. Është gjendja prej shtegtarësh; është gjendja e të qenurit në rrugëtim, në një dalje të vazhdueshme: të çliruar nga skllavëria për të ecur drejt plotësisë së lirisë. Kjo është dhurata e madhe që na ka dhënë Jezu Krishti. Zoti na çliroi nga skllavëria falasshmërisht dhe na vendosi në udhë për të ecur me liri të plotë.
Përkthyer nga Vatican Press
Mond MARKU