21.5 C
Tirana
HomeKryesorPapa Françesku: Aleanca e të moshuarve me fëmijët do ta shpëtojë njerëzimin
HomeKryesorPapa Françesku: Aleanca e të moshuarve me fëmijët do ta shpëtojë njerëzimin

Papa Françesku: Aleanca e të moshuarve me fëmijët do ta shpëtojë njerëzimin

 “Aleanca e të moshuarve me fëmijët do ta shpëtojë familjen njerëzore” nëse do t’u japim të vegjëlve dëshminë e të moshuarve, që me urti presin cakun e fundmë të jetës. Fjalët e Papës Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, në Sallën Pali VI në Vatikan, duket sikur aktualizohen pak para fundit, kur një fëmijë i vogël flokëverdhë ngjiti shkallët dhe iu afrua Atit të Shenjtë, për të ndenjur pranë tij deri në përfundim. Papa e pyeti për emrin dhe më pas, komentoi mes duartrokitjeve: “Në audiencë po flisnim për dialogun ndërmjet të moshuarve dhe të rinjve, eh? Lu (ky, emri i fëmijës) është i guximshëm”. Pastaj, shtoi duke buzëqeshur: “E rri këtu urtë ë?”.
AUDIENCA E PËRGJITHSHME

Katekezë mbi pleqërinë – 17. “I Tejetlashti i ditëve”. Pleqëria jep siguri mbi cakun e jetës që nuk vdes më.

Të dashur vëllezër dhe motra, mirëdita!

Fjalët e ëndrrës së Danielit, që kemi dëgjuar, kujtojnë një vegim të Hyjit që është njëkohësisht i mistershëm dhe i shkëlqyer. Ai është rimarrë nga fillimi i Librit të Zbulesës dhe i referohet Jezusit të Ngjallur, i cili i shfaqet Veguesit si Mesi, Prift dhe Mbret, i amshuar, i gjithëdijshëm dhe i pandryshueshëm (1,12-15). Ai vendos dorën mbi shpatullën e Veguesit dhe e qetëson: «Mos u tremb! Unë jam i Pari dhe i Fundit, i Gjalli! Isha i vdekur dhe, ja, jam i gjallë për shekuj të shekujve» (rr. 17-18). Zhduket, kështu, barriera e fundit e frikës dhe ankthit që teofania ka ngjallur gjithmonë: i Gjalli na qetëson, na jep siguri. Edhe ai ka vdekur, por tani ka vendin që është caktuar për të: atë të të Parit dhe të Fundit.

Në këtë ndërthurje simbolesh – këtu ka shumë simbole – ka një aspekt që ndoshta na ndihmon të kuptojmë më mirë lidhjen e kësaj teofanie, të këtij dëftimi të Hyjit, me ciklin e jetës, kohën e historisë, zotërimin e Hyjit mbi botën e krijuar. Dhe ky aspekt ka të bëjë pikërisht me pleqërinë. Si lidhet me të? Le ta shohim.

Vegimi përcjell një përshtypje të fuqisë dhe forcës, fisnikërisë, bukurisë dhe magjepsjes. Veshja, sytë, zëri, këmbët, gjithçka është rrezatuese në atë vegim: bëhet fjalë për një vegim! Mirëpo, flokët janë të bardhë: si leshi, si bora. Si ato të një plaku. Termi biblik më i përhapur për të treguar të moshuarin është “zaqen”: nga “zaqan”, që do të thotë “mjekër”. Flokët e bardha janë simboli i lashtë i një kohe shumë të gjatë, i një të shkuare që s’mbahet mend, i një ekzistence të amshuar. Ne nuk duhet të çmitizojmë gjithçka para fëmijëve: imazhi i një Hyji të moçëm me flokë të bardhë nuk është një simbol padomethënës, është një imazh biblik, është një imazh fisnik dhe gjithashtu një imazh i dashur. Figura që në Apokalips qëndron midis shandanëve të artë i mbivendoset atij të “Të Tejetlashtit të ditëve” të profecisë së Danielit. Është i moçëm sa mbarë njerëzimi, por edhe më shumë. Është i lashtë dhe i ri si amshimi i Hyjit. Sepse amshimi i Hyjit është kështu, i hershëm dhe i ri, sepse Hyji na befason gjithmonë me risinë e tij, gjithmonë vjen të na takojë, çdo ditë në një mënyrë të veçantë, për atë moment, për ne. Ai rinohet përherë: Hyji është i amshueshëm, është ngahera, mund të themi se ka si një pleqëri te Hyji, nuk është ashtu, por është i amshueshëm, rinohet.

Në Kishat lindore, festa e Takimit me Zotin, e cila festohet më 2 shkurt, është një nga dymbëdhjetë festat e mëdha të vitit liturgjik. Ajo nxjerr në pah takimin e Jezusit me Simonin e moshuar në Tempull, vë në pah takimin mes njerëzimit, të përfaqësuar nga të moshuarit Simoni dhe Ana, dhe Krishtit Zot të vogël, Biri i amshuar i Hyjit, që u bë njeri. Një ikonë e bukur e kësaj mund të admirohet në Romë në mozaikët e Shën Marisë në Trastevere.

Liturgjia bizantine lutet me Simonin: «Ky është Ai që u lind nga Virgjëra: është Fjala, Hyji prej Hyjit, Ai që u mishërua për ne dhe shpëtoi njeriun». Dhe vazhdon: «Le të hapet, sot, dera e qiellit: Fjala e amshuar e Atit, duke marrë një parim kohor, pa dalë nga hyjnia e tij, me vullnetin e tij, u paraqit në tempullin e Ligjit nga Virgjëra Nënë dhe i moshuari e merr në krahë». Këto fjalë shprehin dëshmimin e  fesë të katër Koncileve të parë Ekumenikë, që janë të shenjtë për të gjitha Kishat. Por gjesti i Simonit është edhe ikona më e bukur për thirrjen e veçantë të pleqërisë: duke parë Simonin shikojmë ikonën më të bukur të pleqërisë: duke i paraqitur fëmijët që vijnë në botë si një dhuratë e pandërprerë nga Hyji, duke ditur se njëri prej tyre është Biri i lindur në vetë gjirin e Hyjit, para të gjithë shekujve.

Pleqëria, e përudhur drejt një bote ku dashuria që Hyji ka vendosur në Krijim do të mund të rrezatohet më në fund pa pengesa, duhet ta bëjë këtë gjest të Simonit dhe Anës, përpara lamtumirës së vet. Pleqëria duhet të japë dëshmi – kjo për mua është thelbi, më e rëndësishmja e pleqërisë – pleqëria duhet t’u dëshmojë fëmijëve për bekimin e tyre: ajo qëndron në hyrjen [fillestare] e tyre – të bukur dhe të vështirë – në misterin e një caku të jetës që askush nuk mund ta zhbëjë. As vdekja. Të japësh dëshminë e fesë përpara një fëmije, do të thotë ta mbjellësh këtë jetë; thirrja e të moshuarve është gjithashtu të japin dëshmi njerëzie dhe feje. T’u japim fëmijëve, si dëshmi, realitetin që kanë jetuar, t’u japim dëshmitarin. Ne të moshuarit jemi thirrur për këtë, t’u japim dëshmitarin, që ata ta çojnë përpara.

Dëshmia e të moshuarve është e besueshme për fëmijët: të rinjtë dhe të rriturit nuk janë në gjendje ta bëjnë atë aq autentike, kaq të butë, kaq prekëse, siç mund ta bëjnë të moshuarit, gjyshërit. Kur i moshuari bekon jetën që vjen ta takojë, duke lënë mënjanë çdo zemëratë për jetën që po ikën, është e parezistueshme. Nuk është i hidhëruar se ikën koha dhe se ai po ikën: jo. Është me atë gëzimin e verës së mirë, të verës që është bërë e mirë me kalimin e viteve. Dëshmia e të moshuarve bashkon kohët e jetës dhe vetë dimensionet e kohës: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen, sepse ata nuk janë vetëm kujtesa, janë e tashmja por edhe premtimi. Është e dhimbshme – dhe e dëmshme – të shohësh se moshat e jetës konceptohen si botë të ndara, që konkurrojnë me njëra-tjetrën, duke u përpjekur të jetojnë njëra në kurriz të tjetrës: kjo nuk shkon. Njerëzimi është i lashtë, shumë i lashtë, nëse shikojmë kohën e orës. Porse Biri i Hyjit, i cili lindi prej gruaje, është i Pari dhe i Fundit i çdo kohe. Do të thotë që askush nuk del jashtë nga lindja e tij e amshuar, nga forca e tij e shkëlqyer, nga afërsia e tij dashamirëse.

Besëlidhja – po them besëlidhja – besëlidhja e të moshuarve dhe fëmijëve do të shpëtojë familjen njerëzore. Aty ku fëmijët, ku të rinjtë flasin me të moshuarit, ka një të ardhme; nëse nuk ka dialog mes të moshuarve dhe të rinjve, e ardhmja nuk është e qartë. Besëlidhja e të moshuarve dhe fëmijëve do të shpëtojë familjen njerëzore. Ju lutem, a mund t’u japim fëmijëve, të cilët duhet të mësojnë të lindin, dëshminë e ngrohtë të pleqve që zotërojnë urtinë e të vdekurit? A do të jetë në gjendje ky njerëzim, i cili me gjithë përparimin e tij duket si një adoleshent i lindur dje, të rifitojë hirin e një pleqërie që mban të palëkundur horizontin e cakut tonë? Vdekja është sigurisht një kalim i vështirë i jetës, për të gjithë ne: është një kalim i vështirë. Të gjithë duhet të shkojmë atje, por nuk është e lehtë. Mirëpo, vdekja është edhe kalimi që mbyll kohën e pasigurisë dhe flakë orën: është e vështirë, sepse ai është kalimi i vdekjes. Sepse bukuria e jetës, e cila nuk kalon më, fillon pikërisht atëherë. Porse fillon me urtinë e atij burri dhe asaj gruaje, të moshuar, që janë të aftë t’u lënë të rinjve dëshmitarin. Le të mendojmë për dialogun, për besëlidhjen e të moshuarve dhe të fëmijëve, e të moshuarve me të rinjtë dhe të sigurohemi që kjo lidhje të mos shkëputet. Të vjetrit e paçin gëzimin për të folur, për t’u shprehur me të rinjtë dhe të rinjtë i kërkofshin të moshuarit për të marrë prej tyre urtinë e jetës.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme