Megjithëse materiali në vijim i referohet kontekstit italian, jemi të bindur se mendimi i një neuropsikiatri mund të jetë i dobishëm edhe për lexuesin shqiptar, duke qenë se kjo problematikë është e pranishme edhe në vendin tonë.

Lexim të këndshëm…

Pak muaj më parë Ministria për Politikat Rinore publikoi një raport shumë të detajuar mbi përdorimin e të ashtuquajturave “droga të lehta” te të rinjtë. Çfarë doli në pah nga ky raport? Në një pamje të parë doli se pothuajse 24% e studentëve kanë përdorur hashash të paktën një herë në jetën e tyre dhe 458 mijë 15-19-vjeçarë (pothuajse 18%), e kanë përdorur atë gjatë vitit të fundit. Pothuajse një e treta e nxënësve të kësaj grupmoshe besojnë se mund ta gjejnë lehtësisht veçanërisht hashashin, përdorimi i të cilit shpesh është ekskluziv dhe rrallë shoqërohet me substanca të tjera. Kur fillohet? Mosha e përdorimit të parë është midis 15 dhe 16 vjeç. Pyetjet që të gjithë prindërit i bëjnë vetes në mënyrë të pashmangshme janë gjithmonë të njëjta: a janë vërtet të dëmshme këto substanca? Çfarë pasojash mund të ketë në planin organik dhe mbi të gjitha në atë psikologjik? Dhe përsëri: a do të përballet fëmija im me forma serioze varësie? A ka vërtet të ngjarë që të kalohet lehtësisht nga hashashi në droga të forta? Përpara se t’i interpretojmë këto probleme me alarmizëm të tepruar, është e dobishme të marrim mendimin e një neuropsikiatri të njohur ndërkombëtarisht, Piero Barbanti, gjithashtu përgjegjës për Qendrën e Diagnostifikimit dhe Trajtimit të Cefalesë dhe Dhimbjes në IRCCS San Raffaele Pisana.

Profesor, a mendoni se këto të dhëna duhet t’i shqetësojnë familjet? Si duhet të lexohen?

Fillimisht, le t’i hedhim një vështrim të detajuar të dhënave të mbledhura për të mos krijuar frikë të mëtejshme në familje. Sidoqoftë, ajo që na intereson, sa përket këtij argumenti, është të përpiqemi të kuptojmë se cilat janë gabimet e prindërve, edhe para atyre të fëmijëve. Konsumimi i hashashit shpesh lidhet me nevojën për coping, gjë që në psikologji tregon tërësinë e përgjigjeve psikologjike të vëna në jetë nga një person për t’u bërë ballë disa problemeve emotive shumë të zakonshme. Arsyet e ofruara më shpesh nga të rinjtë, përveç “dëfrimit” të thjeshtë, janë ulja e stresit (89.6%) dhe gjendjeve të depresionit dhe ankthit (41.7%), si dhe përmirësimi i gjumit (62.1%) dhe e aftësive socializuese (33.9%). Përtej përqindjeve, këto të dhëna na ofrojnë një pasqyrë interesante mbi ndryshimin e këndvështrimit nga ana e shumë të rinjve: “Po bëj një cigare hashash për të qenë më i qetë dhe për të mbajtur larg ankthet e mia”. Kjo fjali zbulon një proces të dukshëm anksiolitik, i cili kthehet në një festë të vetmuar. Ky proces, nga ana tjetër, shkakton një varësi shumë të ngjashme me ato që kanë shumë të rritur nga psikofarmakët: problem-zgjidhje. Natyrisht, ai përdorim i vetmuar, nga ku duhet të lindë “shërimi” i anktheve dhe zemërimit vetjak, nuk është aspak përgjigja vendimtare, por vetëm shpërfaqja e një “disonance të brendshme”, tashmë e rrënjosur në procesin e rritjes.

Nga se lind kjo “disonancë”? Si mund t’i ndihmojnë prindërit më shumë fëmijët e tyre?

Në momentin kur hashashi bëhet një festë vetmitare dhe jo një rit rebelësh në grup – siç ishte për brezin e atyre që ishin të rinj në vitet ’60 dhe ’70 –, thyhet ajo skemë sociale sipas të cilës përdorimi i drogave të lehta është një moment i lidhur me grupin; del në pah imazhi i një vajze ose një djali që ndjen konkretisht një zbrazëti afektive, të përcaktuar nga analfabetizmi emotiv. Adoleshentët, edhe në mesin e atyre që nuk përdorin hashash, sot janë gjithnjë e më të paaftë për të përfytyruar, për të përdorur kreativitetin për të përshkruar një emocion ose për ta qetësuar atë emocion. Ata ushqehen me përfytyrime të para-përgatitura, por që nuk e kënaqin dëshirën për t’u ndjerë më mirë. Në fazat down [kur personi ndihet i rënë], ata u drejtohen drogave me kosto të ulët ose pijeve energjike për të gjetur ose një efekt relaksues ose hiperaktivitet të përbërë nga stimuj që ata nuk i gjejnë – dhe nuk mund t’i gjejnë – në jetën e përditshme.

Nga vijnë këto mangësi?

Nga mangësitë e tjera. Gjithnjë e më shumë prindër i pyesin fëmijët e tyre kur kthehen nga shkolla: “Çfarë bëre? Çfarë notash ke marrë?”, por, në vend të kësaj, pyetja e parë e një nëne apo babai duhet të jetë: “Si je? A je i lumtur? A ngrihesh në mëngjes me gëzimin e të qenurit në botë?”. Shpesh nuk e dimë nëse fëmijët tanë janë të lumtur, çfarë muzike dëgjojnë, çfarë duan të na thonë me atë muzikë, me ato tatuazhe në trup, me ato zakone të pakuptueshme që na bezdisin.

Dhe te prindi ngallit ankthi, e më pas ndalimet, zënkat, dënimet. Ku është gabimi?

Psikanaliza dhe pedagogjia kanë folur shumë për përgjigjen “kokëfortë dhe kundërshtuese” që ngjallin ndalimet pa dialog. Kjo nuk do të thotë t’i besohemi shoqërisë së lejueshmërisë së tepruar, të po-së së përhershme, e cila krijon tek adoleshenti një efekt shtesë përhumbjeje kundrejt prindërimit. Babai dhe nëna duhet të mbajnë një pozicion unik, që nuk është dënimi apo alarmizmi. Qëndrimi i shëndoshë është ai që krijon një bashkëbisedim dhe jo fshehtësi dhe mbyllje. Qëndrimi i shëndoshë është ai i atyre që përpiqen të kuptojnë emocionet.

Prindërit ndoshta duhet të kenë më shumë parasysh faktin se adoleshentët, sot, janë bij të një periudhe të sunduar gjithnjë e më shumë nga leksiku i frikës (nga pandemia në luftë). Kjo gjuhë krijon te ne të gjitha majat e rënieve emotive, ndjenjat e përhumbjes, ankthet. Ndoshta të gjithë ne, dhe para gjithë të tjerëve djemtë dhe vajzat, kemi dhe kanë nevojë të flasim/n ose të heshtim/n lirshëm me ata që dinë të qëndrojnë pranë emocioneve të tyre, pa përdorur gjykime apo dënime.

Sigurisht, por edhe duhet t’u vëmë emër ndjenjave tona. Një reflektim social duhet bërë seriozisht si në familje ashtu edhe në shkollë përballë emocioneve pa emër të fëmijëve tanë. Çfarë kuptimi ka ai nxitim, që për më tepër ua mësojmë si stil jete, nëse nuk ka asnjë qëllim?! Çfarë ka prodhuar qytetërimi i konkurrencës, i nxitimit pa pyetur se ku po shkohet, përveçse një shqetësim në rritje dhe një ndjenjë papërshtatshmërie?