Sa katolikë ka që ia hedhin të paktën një sy horoskopit çdo ditë? Shumë.

Sipas psikiatrit Tonino Cantelmi, profesor i kiber-psikologjisë në Universitetin Evropian të Romës (Uer), i cili ka kryer kërkime të ndryshme mbi këtë temë, 9 nga 10 persona nuk mund t’i rezistojnë thirrjes së rubrikave astrologjike në revista, gazeta dhe natyrisht në internet, me një 3% të njerëzve të pakontrollueshëm [kompulsivë], ose njerëz që janë shumë të ndikuar në çdo aspekt të jetës. Duket se as presidenti amerikan Ronald Regan nuk ka marrë vendime të rëndësishme përpara se të konsultohej me astrologun e tij dhe nuk është i vetmi.

Giorgio Galli në vitin 1995 shkroi një libër, Politika dhe magjistarët, botuar nga Rizzoli, për të dokumentuar lidhjen e ngushtë midis disa personazheve që i përkisnin historisë dhe okultizmit, si Adolf Hitleri, i cili ishte gjithashtu i ndjeshëm ndaj reagimit të yjeve, ose Benito Musolini, me sa duket shumë besëtytnor, pavarësisht nga karakteri i tij skeptik dhe pragmatik. Asgjë për t’u çuditur, pra, nëse, siç zbuloi Observatori anti-plagjiaturë disa vite më parë, janë rreth 13 milionë italianë që u drejtohen magjistarëve ose “specialistëve okultistë” për të gjetur se cila do të jetë e ardhmja e tyre. Megjithatë, astrologjia – shkenca e yjeve – paraqet një rrezik për shpirtin dhe gjithashtu për ekuilibrin psikik të njerëzve.

Fillimisht “astrologjia” ishte sinonim i “astronomisë” dhe të dy fjalët u përdorën në mënyrë indiferente deri në shekullin e parë pas Krishtit dhe madje edhe më tej, mirëpo sot astrologjia paraqitet si një shkencë që pandeh se përcakton ndikimet e ndryshme që yjet kanë mbi njeriun, duke përcaktuar karakterin e njerëzve, zgjedhjet dhe veprimet e tyre, dhe ngjarjet e ndryshme të historisë.

Kisha e ka shprehur dënimin e saj që në kohët e lashta. Koncili i Toledos i vitit 586 pa shumë komplimente pohon se «Nëse dikush mendon se duhet t’i besojë astrologjisë, të anatemohet» duke iu referuar mentalitetit të atëhershëm mjaft të përhapur sipas të cilit veprimet njerëzore duhej t’i atribuoheshin yjeve; por kjo mohonte lirinë njeriut. Shën Augustini qe shprehur gjithashtu në lidhje me argumentin: «Astrologët pretendojnë se në qiell gjendet shkaku i pashmangshëm i mëkatit: është Venusi, Saturni ose Marsi që na bëjnë të kryejmë këtë apo atë veprim, duke thënë se njeriu është pa faj, se është mish e gjak dhe krenari krimbash dhe faji bie mbi atë që krijoi dhe sundon qiellin dhe yjet» (Shën Augustini, Rrëfimet, IV, 3). Dhe përsëri: «Duhet pranuar se kur astrologët thonë të vërtetën, kjo ndodh nën një frymëzim shumë okult që shpirtrat njerëzorë e pësojnë pa e ditur. Dhe meqenëse kjo ndodh për të mashtruar njerëzit, është punë e shpirtrave të papastër dhe joshës, të cilëve u lejohet t’i dinë disa të dhëna të vërteta për gjërat e përkohshme. Për këtë arsye i krishteri i mirë duhet të ruhet nga astrologët dhe të gjithë ata që praktikojnë shortarinë, veçanërisht nëse parathonë të vërtetën; në mënyrë që shpirti i tij të mos futet në grackën e tyre nëpërmjet shkëmbimit me demonët, në marrëveshje me ta» (Shën Augustini, Super Gen. ad litt., 11, 17).

Pas këtyre fjalëve me autoritet, do të mund të ndaleshim edhe këtu, megjithatë… Është e vërtetë që trupat qiellorë, veçanërisht hëna, ushtrojnë ndikim në natyrë, aq sa fshatarët marrin parasysh fazat e saj për mbjelljen ose nxjerrjen e verës dhe së bashku me faktorë të tjerë meteorologjikë mund të ndikojnë edhe në humorin e njerëzve dhe në ngjarje të tilla si lindja. Por «ata nuk mund të ushtrojnë një ndikim të drejtpërdrejtë në intelektin dhe vullnetin» (Shën Toma, Somma Theologica, I-II, 9, 5).

Siç vërejti Karl H. Peschke: «Astrologjia shkencore me klasifikimet e saj trashanike sipas yjësive nuk është kurrë në gjendje të japë një horoskop vërtet individual për çdo person të caktuar. Pozicionet e yjeve, për të gjithë ata që kanë lindur afërsisht në të njëjtën kohë, janë të njëjta, gjë që duhet të çojë në të njëjtin horoskop dhe rrjedhimisht të njëjtin fat për të gjithë. Dhjetëra njerëz kanë të njëjtin horoskop si Napoleoni, Gëte apo Gandi. Por cili prej tyre ka pasur të njëjtat talente apo të njëjtin fat? Kjo nuk është e vërtetë as për binjakët» (K.H. Peschke, Etica crisitana).

Horoskopi për shumëkënd është një modë dhe një lojë, duke e besuar atë thelbësisht si të padëmshëm dhe të dobishëm, ndërsa ka të tjerë që i marrin vendimet e tyre në varësi të leximit të shenjës së zodiakut. Kryesisht, këta janë njerëz që nuk besojnë në Hyjin ose nuk e praktikojnë fenë, edhe pse, për fat të keq, ka raste të besimtarëve që besojnë se është legjitime të pajtohen feja dhe besëtytnia dhe ndoshta madje pandehin se janë të krishterë të mirë. Nga ana tjetër, do të ishte themelore që të gjithë ta kuptojnë se sa më të padëmshme të çmohen disa lidhje me të keqen, aq më tinëzare janë ato dhe çojnë në mbylljen ndaj dritës hyjnore.

Katekizmi i Kishës Katolike dënon pa hezitim astrologjinë: «Të gjitha format e shortarisë duhet të refuzohen: qasja ndaj Satanit ose djajve, thirrja e të vdekurve, ose praktika të tjera që gabimisht mendohet se “zbulojnë” të ardhmen. Konsultimi i horoskopit, astrologjia, kiromancia, interpretimi i shenjave paralajmëruese dhe i së ardhmes, fenomenet e parashikimit dhe thirrja në ndihmë e mediumeve, fshehin një vullnet pushteti mbi kohën, mbi historinë dhe, së fundi, mbi njerëzit, dhe në të njëjtën kohë një dëshirë për t’i bërë dashamirëse fuqitë e fshehta. Ato janë në kundërshtim me nderin dhe respektin, si edhe me frikën dashuruese, që ia kemi për detyrë vetëm Hyjit» (KKK 2116).

Hyji mund t’ua zbulojë të ardhmen profetëve të vet ose shenjtërve të tjerë, sigurisht jo njeriut të rrugës, i cili nuk duhet të bëjë tjetër veçse të braktiset me besim në duart e Provanisë sa i përket të ardhmes dhe të shmangë çdo kureshtje të sëmurë në këtë drejtim. Fakti që ndonjëherë pohimet përkojnë me të vërtetën nuk do të thotë se mjeti i përdorur është i ligjshëm. Shën Pali paralajmëron se djalli shpesh maskohet si engjëll drite (krh. 2 Kor 11,14).

T’i drejtohesh astrologjisë duke ditur se Hyji dhe Kisha e dënojnë atë, do të thotë ta vësh jetën në duart e forcave të tjera, të cilat nuk janë hyjnore. Nëse dikush ju pyet se çfarë shenje jeni, përgjigjuni se shenja juaj e vetme e njohjes është Jezu Krishti dhe asnjë marrëzi tjetër.