16.5 C
Tirana
HomeKisha UniversalePapa: Të rimendohen organizatat shumëpalëshe për t’iu përgjigjur realitetit të ri ekzistues
HomeKisha UniversalePapa: Të rimendohen organizatat shumëpalëshe për t’iu përgjigjur realitetit të ri ekzistues

Papa: Të rimendohen organizatat shumëpalëshe për t’iu përgjigjur realitetit të ri ekzistues

Papa Françesku

Botojmë një pjesë nga vëllimi “Ju kërkoj në emër të Hyjit. Dhjetë lutje për një të ardhme shprese”, nën kujdesin e Hernan Reyes Alcaide që publikohet nga Piemme, këtë të martë, e hershuar nga “La Stampa”. Françesku përsërit thirrjen e tij për t’i dhënë fund çmendurisë së luftës, për të bllokuar tregtinë skandaloze të armëve që shkakton viktima të pafajshme. Ftesa është që të ndërtojmë një horizont paqeje, përmes dialogut, respektit dhe mirëbesimit, sepse në çështje është mbijetesa e njerëzimit.

Pjesa e dytë

PAPA FRANÇESKU

Në emër të Hyjit, u kërkoj udhëheqësve të kombeve, që të angazhohen vendosmërisht për t’i dhënë fund tregtisë së armëve që shkakton kaq shumë viktima të pafajshme. Të kenë guximin dhe kreativitetin për të zëvendësuar prodhimin e armëve me industri që promovojnë vëllazërinë, të mirën e përbashkët universale dhe zhvillimin integral njerëzor të popujve të tyre. Në vend të industrisë së luftës dhe të krejt sistemit të saj, më pëlqen të kujtoj gjestet e vogla të popullit që, edhe nëpërmjet akteve individuale, nuk ndalojnë kurrë së treguari se sa i madh është vullneti i vërtetë i njerëzimit për t’u çliruar nga luftërat. Mirëpo, përtej problemit të tregtisë ndërkombëtare të armëve të destinuara për luftëra dhe konflikte, jo më pak shqetësuese është lehtësia në rritje me të cilën, në shumë vende, është e mundur të mbahen armë të ashtuquajtura “për përdorim personal”, përgjithësisht të kalibrit të vogël, por ndonjëherë edhe pushkë sulmi ose me fuqi të lartë.

Sa raste kemi parë fëmijë të vdekur nga përdorimi i armëve në shtëpitë e tyre, sa masakra janë kryer për shkak të qasjes së lehtë të tyre në disa vende? E ligjshme apo e paligjshme, në shkallë të gjerë apo në supermarkete, tregtia e armëve është një problem madhor në mbarë botën. Do të ishte mirë që këto debate të kishin më shumë dukshmëri dhe të kërkohej konsensus ndërkombëtar në mënyrë që, në nivel global, të vendoseshin kufizime në prodhimin, tregtimin dhe zotërimin e këtyre mjeteve të vdekjes. Kur flasim për paqen dhe sigurinë botërore, organizata e parë që mendojmë është ajo e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe, në veçanti, Këshilli i Sigurimit të saj.

Lufta në Ukrainë ka vënë edhe një herë në dukje se sa e nevojshme është që aseti aktual shumëpalësh të gjejë mënyra më të shpejta dhe efektive për zgjidhjen e konflikteve. Në kohë lufte është thelbësore të argumentohet se kemi nevojë për më shumë multilateralizëm dhe multilateralizëm më të mirë. OKB-ja u ndërtua mbi një Kartë që synonte t’i jepte formë refuzimit të tmerreve që përjetoi njerëzimi në dy luftërat e shekullit XX. Megjithëse kërcënimi i rishfaqjes së tyre është ende i gjallë, nga ana tjetër, bota, sot, nuk është më e njëjta, prandaj është e nevojshme të rimendohen këto institucione në mënyrë që ato t’i përgjigjen realitetit të ri ekzistues dhe të jenë rezultat i konsensusit më të lartë të mundshëm. Pas pandemisë, është bërë më se e qartë se sa të nevojshme janë këto reforma, kur sistemi aktual shumëpalësh ka shfaqur të gjitha kufizimet e veta. Nga shpërndarja e vaksinave kemi pasur një shembull të qartë sesi ndonjëherë ligji i më të fortit e tejkalon solidaritetin. Prandaj, ekziston një mundësi, që s’duhet humbur, për të menduar dhe për të kryer reforma organike, me qëllim që organizatat ndërkombëtare të rigjejnë thirrjen e tyre thelbësore për t’i shërbyer familjes njerëzore, për t’u kujdesur për shtëpinë e përbashkët dhe për të mbrojtur jetën e çdo njeriu dhe paqen.

Porse nuk dua t’ua ngarkoj të gjithë çështjen organizatave, të cilat në fund të fundit janë as më shumë – por as më pak – se një mjedis në të cilën shtetet që i përbëjnë ato bashkohen dhe përcaktojnë politikën dhe veprimtarinë e tyre. Këtu qëndron baza e delegjitimimit dhe degradimit të organizatave ndërkombëtare: shtetet kanë humbur aftësinë për të dëgjuar njëri-tjetrin, për të marrë vendime konsensuale dhe të favorshme për të mirën e përbashkët universale. Asnjë kuadër ligjor nuk mund të qëndrojë kur mungon angazhimi i bashkëbiseduesve, gatishmëria e tyre për një diskutim të drejtë dhe të sinqertë, vullneti për të pranuar lëshimet e pashmangshme që dalin nga dialogu mes palëve. Nëse vendet anëtare të këtyre organizmave nuk tregojnë vullnet politik për t’i bërë ato të funksionojnë, ne jemi përpara një hapi të qartë prapa. Ne shohim, nga ana tjetër, se ata preferojnë të imponojnë idetë ose interesat e tyre në një mënyrë që shpesh është e nxituar. Vetëm nëse përfitojmë nga mundësia pas pandemisë për të rivendosur këta organizma, do të jemi në gjendje të krijojmë institucione me të cilat do të përballojmë sfidat e mëdha, gjithnjë e më urgjente, që na presin, si ndryshimi klimatik ose përdorimi paqësor i energjisë bërthamore.

Në këtë kuptim, ashtu si në letrën time enciklike “Laudato si”’ nxisja promovimin e një «ekologjie integrale», në të njëjtën mënyrë besoj se debati për ristrukturimin e organizatave ndërkombëtare duhet të frymëzohet nga koncepti i «sigurisë integrale». Kjo do të thotë, jo më i kufizuar në kanonet e armatimeve dhe forcës ushtarake, por të vetëdijshëm për faktin se në një botë që ka arritur një nivel ndërlidhjeje si ky i sotmi, është e pamundur të kesh, për shembull, një siguri efektive ushqimore pa siguri mjedisore dhe shëndetësore, ekonomike dhe sociale. Çdo institucion global, që ne do të përpiqemi të riprojektojmë, duhet të bazohet në këtë hermeneutikë, duke thirrur gjithnjë dialogun, hapjen ndaj mirëbesimit midis vendeve dhe respektin ndërkulturor dhe shumëpalësh. Në një kontekst të karakterizuar nga urgjenca dhe në një horizont dënimi të çmendurisë së luftës dhe të një nxitjeje për të ripërcaktuar kuadrin ndërkombëtar të marrëdhënieve midis shteteve, nuk mund të injorojmë shpatën e Damokleut që rëndon mbi njerëzimin në formën e armëve të shkatërrimit në masë, siç janë ato bërthamore.

Përballë një skenari të tillë, ne pyesim veten: kush i zotëron këto armatime? Çfarë kontrollesh ekzistojnë? Si mund t’i vihet fre logjikës që mbështetet tek akumulimi i raketave bërthamore për shkëshillim [parandalim]? Në këtë kontekst, e bëj timin dënimin e Shën Palit VI kundrejt këtij lloj armatimi, i cili, pas më shumë se gjysmë shekulli, nuk është më pak aktual: «Armët, veçanërisht ato të tmerrshmet, që ju ka dhënë shkenca moderne, ende para se të prodhojnë viktima dhe rrënoja, ngjallin ëndrra të këqija, ushqejnë ndjenja të këqija, krijojnë makthe, mosbesim dhe qëllime trishtuese, kërkojnë shpenzime të mëdha, pengojnë projektet e solidaritetit dhe të punës së dobishme, shtrembërojnë psikologjinë e popujve». Nuk ka arsye për të qëndruar nën dënimin e terrorit të shkatërrimit atomik. Ne mund të gjejmë mënyra që nuk na lënë të varur nga një katastrofë bërthamore e afërt e shkaktuar nga disa njerëz. Krijimi i një bote pa armë bërthamore është i mundur, meqenëse kemi vullnetin dhe mjetet; dhe është e nevojshme, duke pasur parasysh kërcënimin që bashkëmbart ky lloj armatimi për mbijetesën e njerëzimit.

Të kesh armë bërthamore dhe atomike është imorale. Ata që mendojnë se këto armë janë një rrugë e shkurtër më e sigurt drejt dialogut, respektit dhe mirëbesimit, ose të vetmet shtigje që do ta çonin njerëzimin drejt garancisë së një bashkëjetese paqësore dhe vëllazërore, janë në rrugën e gabuar. Sot është e papranueshme dhe e paimagjinueshme që burimet të vazhdojnë të shkapërderdhen për të prodhuar armë të tilla, ndërkohë që shfaqet një krizë e rëndë që ka pasoja shëndetësore, ushqimore dhe klimatike kundrejt të cilës asnjë investim nuk do të jetë i mjaftueshëm. Ekzistenca e armëve bërthamore dhe atomike rrezikon mbijetesën e jetës njerëzore në tokë. Prandaj, çdo kërkesë në emër të Hyjit që çmenduria e luftës të frenohet, përfshin gjithashtu një përgjërim për ta zhdukur atë armatim nga planeti. I përnderuari Martin Luther King e ka shprehur qartë në fjalimin e fundit që mbajti para se të vritej: «Nuk është më çështja për të zgjedhur midis dhunës dhe jo dhunës, por midis jo dhunës dhe jo ekzistencës». Zgjedhja varet nga ne.

Botuar për Piemme nga Mondadori Libri S.p.A. © 2022 Mondadori Libri S.p.A., Milano

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme