Pas lutjes së Engjëllit të Tënzot, vjen apeli i Papa Françeskut për Ditën e 107-të botërore të Migrantit dhe Refugjatit: “Le të qëndrojmë pranë atyre që janë më të cenueshëm”. Ftesa për të ndaluar pranë monumentit në Sheshin e Shën Pjetrit kushtuar atyre që ikin nga toka e tyre. Një lutje për popullatat e prekura nga shpërthimi i vullkanit në La Palma, në Ishujt Kanarie.
“Të ecim së bashku pa paragjykime dhe pa frikë, duke u vënë në krahun e atyre që janë më të cenueshëm”. Në Ditën e 107-të botërore të Migrantit dhe Refugjatit, Papa Françesku fton edhe një herë gjithë njerëzimin – jo vetëm besimtarët – që ta shtrijnë dorën drejt këtyre njerëzve që vuajnë: “Migrantë, refugjatë, njerëz të zhvendosur nga vendbanimi, viktima të trafikimit dhe të braktisur”. Rruga për t’u ndjekur është ajo “Drejt një Ne-je gjithnjë e më të madhe”, e cila është pikërisht tema e përvjetorit të sotëm.
Të mos përjashtohet askush
Nga dritarja e Pallatit Apostolik, pas katekezës së Engjëllit të Tënzot, gjatë së cilës ai tashmë kishte përsëritur ftesën për të qenë “bashkësi të përulura dhe të hapura”, Papa bën një apel të qartë:
“Ne jemi të thirrur për të ndërtuar një botë gjithnjë e më përfshirëse që nuk përjashton askënd”.
Falënderja për ata që janë të përkushtuar ndaj emigrantëve
Françesku thotë se është i bashkuar shpirtërisht me të gjithë ata që, në pjesë të ndryshme të botës, kremtojnë këtë Ditë, të themeluar nga Kisha në vitin 1914 dhe të festuar të dielën e fundit të shtatorit. Në mënyrë të posaçme, Papa përshëndeti besimtarët e mbledhur në Loreto me nismën e CEI-it (Konferenca ipeshkvore italiane) në përkrahje të emigrantëve, e cila kulmoi me Meshën kombëtare në Bazilikën papnore të kryesuar nga imzot Pietro Coccia, president i Konferencës ipeshkvore të Marche.
Papa pastaj përshëndeti dhe falënderoi bashkësitë e ndryshme etnike të pranishme në Sheshin e Shën Pjetrit me flamuj të madhësive dhe ngjyrave të ndryshme. Një përshëndetje shkoi edhe për Zyrën Migrantes të Dioqezës së Romës, Qendrës Astalli dhe përfaqësuesve të “APRI”, projekti i Karitasit italian (emri është akronimi i katër foljeve të spikatura nga Papa “Të pranojmë, mbrojmë, promovojmë dhe integrojmë”), i cili parashikon pritjen e emigrantëve dhe refugjatëve në dioqezat italiane që ofrojnë disponueshmërinë e tyre. “Faleminderit të gjithëve për angazhimin tuaj bujar!” thotë papa Françesku.
Monumenti “Angel Unwares”
Së fundi, Papa u kërkoi të gjithë të pranishmëve, para se të largohen nga Sheshi i Shën Pjetrit, që t’i afrohen monumentit “Angel Unwares” (Engjëjt e pavetëdijshëm), një skulpturë prej mermeri të zi e krijuar nga artisti kanadez Timothy Schmalz, nën frymëzimin e Kardinalit Michael Czerny, nënsekretar i seksionit Migrantë dhe Refugjatë i Dikasterit për Zhvillimin njerëzor integral. Skulptura u përurua në vitin 2019 nga vetë Papa Françesku. E bërë në madhësinë natyrale, ajo paraqet një grup migrantësh dhe refugjatësh me prejardhje kulturore dhe periudha historike të ndryshme, të gjithë së bashku në një trap. Një kopje u ekspozua në Shtetet e Bashkuara. Në Sheshin e Shën Pjetrit ndodhet në kolonadën e djathtë, duke parë Bazilikën, si një paralajmërim dhe mesazh mbi dramën e migrimeve, me një referencë të qartë ndaj fjalëve të Palit apostull në Letrën drejtuar Hebrenjve: “Mos e lini pas dore mikpritjen, sepse me anë të saj, disa, pa ditur, pritën miq engjëjt!”.
Të ndalemi mbi shikimin e migrantëve
Pranë monumentit, përgjatë krejt Angelus-it të sotëm, ishin Kardinali Czerny dhe atë Fabio Baggio, gjithashtu nënsekretar i Dikasterit, së bashku me pjesëmarrësit në marshimin e promovuar nga Karitasi italian, ku marrin pjesë edhe realitete të tjera si Fondacioni Migrantes, Shën Egjidio, Rrjeti françeskan për migrantët, Lëvizja Laudato Si’ dhe të tjerë. Duke i shquar ata, Papa tha:
“Para se të dilni nga sheshi, ju ftoj t’i afroheni atij monumenti atje, ku ndodhet Kardinal Czerny: varka me emigrantët dhe të ndaleni mbi shikimin e atyre njerëzve dhe të kapni në atë vështrim shpresën që ka çdo migrant, sot, për të rifilluar jetën. Shkoni atje. Shihni atë monument. Të mos ua mbyllim dyert shpresave të tyre”.
Pranë popullsive Kanarie të prekura nga shpërthimi i vullkanit
Me të njëjtën përkujdesje, Papa shpreh – përsëri pas Angelus-it “afërsi dhe solidaritet” ndaj atyre që janë prekur nga shpërthimi i vullkanit në ishullin La Palma, në arkipelagun Kanarie. Vullkani Cumbre Vieja është në një fazë shpërthyese: lumenjtë e lavës po përmbytin ishullin dhe po shkatërrojnë qindra shtëpi; në orët e fundit janë detyruar të evakuohen mbi 6,100 njerëz, mes të cilëve 400 turistë, pjesa tjetër janë banorë që jetojnë në zonat më të kërcënuara. Mendimi i Papës shkon pikërisht te këta të fundit: “Unë mendoj posaçërisht për ata që janë detyruar të lënë shtëpitë e tyre. Për këta njerëz kaq të munduar dhe për ndihmëtarët – shton Françesku – i lutemi Zojës, e nderuar në atë ishull si Nuestra Señora de las Nieves”.
Përkthyer nga Vatican News
Mond MARKU