13.5 C
Tirana
HomeKryesorMesazhi i Papa Françeskut për Kohën e Krezhmëve: "Mos të lodhemi kurrë...
HomeKryesorMesazhi i Papa Françeskut për Kohën e Krezhmëve: "Mos të lodhemi kurrë...

Mesazhi i Papa Françeskut për Kohën e Krezhmëve: “Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë”

Krezhmët janë “kohë e përshtatshme për përtëritjen e vetvetes e të bashkësisë. Kohë, që na hap rrugën drejt Pashkëve të Krishtit, të vdekur e të ngjallur”. Mbi jetën tonë shumë shpesh sundojnë lakmia e krenia, dëshira për të pasur, për të grumbulluar, për të konsumuar. Krezhmët na ftojnë të bëjmë kthesë, ta ndryshojmë këtë mendësi, që jeta ta rifitojë vërtetësinë dhe bukurinë jo përmes pasjes, po përmes dhurimit; jo përmes grumbullimit, por përmes bamirësisë, duke mbjellur të mirën e duke i ndarë me të tjerët të korrat”. Këtë nënvizon Papa Françesku në Mesazhin e Krezhmëve 2022, duke kujtuar se kjo kohë, ashtu si e gjithë jeta jonë tokësore, “është e përshtatshme për të mbjellë të mirën, në pritje të të korrave”:

 “Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; nëse nuk do të reshtim së mbjelluri, patjetër në kohën e duhur, edhe do të korrim. Derisa të kemi kohë, t’i bëjmë mirë gjithkujt, sidomos vëllezërve në fe” (Gal 6,9-10).

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË PAPA FRANÇESKUT PËR KOHËN E KREZHMËVE 2022:

Të dashur vëllezër e motra,

Krezhmët, janë kohë e volitshme e ripërtëritjes personale e bashkësiore e cila na çon drejt Pashkës së Jezu Krishtit të vdekur dhe të ringjallur. Për ecjen krezhmore të këtij viti 2022, do të na bënte mirë reflektimi i nxitjes së Shën Palit drejtuar Galatasve: “Mos të lodhemi kurrë duke bërë mirë; për të vërtetë, nëse nuk do të mejmë, patjetër në kohën e duhur, do të korrim.  Prandaj, derisa të kemi kohë (kairos), t’i bëjmë mirë gjithkujt” (Gal 6,9-10a).

  • MBJELLJA DHE KORRJA

Në këtë pjesë biblike, Apostulli thërret në mendje imazhin e mbjelljes dhe të korrjes, një imazh kaq i dashur edhe për Jezusin (krh. Mt 13). Shën Pali na flet për kairos: një kohë e volitshme për të mbjellë të mirën në parashikim të korrjes. Çfarë është për ne kjo kohë e volitshme? Sigurisht që është Krezhma, por është edhe krejt ekzistenca tokësore, për të cilën Krezhmët janë në një farë mënyre një imazh. Në jetën tonë, shpesh herë mbizotërojnë thatësira e krenaria, dëshira për të pasur, grumbulluar dhe konsumuar, siç bën edhe njeriu i marrë në shëmbëlltyrën ungjillore, i cili e konsideronte jetën e vet të sigurt e të lumtur, ngaqë kishte një grumbullim të madh në grunarët e tij (krh. Lk 12,16-21).  Koha e Krezhmëve na fton për t’u kthyer, për të ndryshuar mentalitet, kështu që jeta të ketë të vërtetën e vet dhe bukurinë e saj, jo shumë në të pasur por në të dhuruarit: jo shumë në të grumbulluarit, por në të mbjellurit e së mirës dhe në të bashkëndarit e saj.

Bujku i parë është vetë Zoti, i cili me bujari, “vazhdon duke mbjellë në vetë njerëzimin, farën e së mirës” (krh. Fratelli tutti (Vëllezër të gjithë), 54). Gjatë Kohës së Krezhmëve jemi të ftuar që t’i përgjigjemi dhuratës së Hyjit duke e pranuar Fjalën “e gjallë dhe vepruese” (Heb 4,12). Dëgjimi i vazhdueshëm i Fjalës së Zotit, bën që të piqet një gatishmëri e ëmbël ndaj veprimit të saj (krh. Jak 1,21) që e bën të frytshme jetën tonë. Nëse edhe vetëm kjo na gëzon, aq më e madhe do të jetë thirrja për të qenë “bashkëpunëtor të Hyjit” (krh. 1Kor 3,9), duke e përdorë mirë kohën e tashme (krh. Ef 5,16) për të mbjell dhe duke bërë të mirën. Thirrja për të bërë mirë nuk duhet parë si një peshë, por si një hir që Krijuesi na do pikërisht  kështu, të bashkuar me frytshmërinë e zemërgjerësisë së Tij.

Po korrja? A nuk mbillet në fakt me qëllim që të korret? Sigurisht. Lidhja mes mbjelljes dhe korrjes është paraqitur edhe nga vetë Shën Pali, i cili thekson: “Kush mbjell me horrjatì, pak do të korrë, e kush mbjell me begatì, me begatì do të korrë” (2Kor 9,6). Po, për çfarë korrjeje flitet? Fryti i parë i së mirës që kemi mbjellë gjendet në veten tonë dhe në marrëdhëniet tona të përditshme, qoftë edhe në gjestet më të vogla të bamirësisë. Në Zotin, asnjë gjest dashurie, sado i vogël që të jetë, e asnjë lodhje bujare (krh. Nxitja Ap. Gëzimi i Ungjillit, 279), nuk shkon kot. Sikurse pema që njihet nga frytet, (krh. Mt 7,16.20), kështu edhe jeta plot me vepra të mira është e ndritshme (krh.
Mt 5,14-16) dhe mbanë në vetvete parfumin e Krishtit në botë (krh. 2Kor 2,15). T’i shërbesh Zotit, i lirë nga mëkatet, bën që të piqen fryte të shenjta për shëlbimin e të gjithëve (krh. Rom 6,22).

Në fakt, në realitet ne shohim vetëm një pjesë të frytit që kemi mbjellë, sepse siç na thotë edhe shprehja ungjillore, “njëri mbjell e një tjetër korr!” (Gjn 4,37). Pikërisht, duke mbjellë për të mirën e tjetrit, marrim pjesë kështu në zemërgjerësinë e Zotit: “është një fisnikëri e madhe, të fillosh procese të cilat sjellin fryte, që pastaj do t’i korrin të tjerët, me shpresën që e vendosim në forcën e fshehtë që ndodhet në të mirën që mbjellim” (Enc. Fratelli tutti, 196). Të mbjellësh për të tjerët, na liron nga logjika llogari-marrëse personale dhe të vepruarit tonë i jep një frymëmarrje më të gjerë  dhe falas, duke e bërë pjesë kështu, të horizontin të mrekullueshëm të planit mirëdashës të Zotit.

Fjala e Zotit e zgjeron dhe e ujitë më shumë zemrën tonë: na shpall që korrja e vërtetë është ajo eskatologjike, ajo e ditës së fundit, e ditës që nuk perëndon. Fryti i përmbushur i jetës sonë dhe i veprave tona është fryti për jetën e pasosur (Gjn 4,36), që do të jetë edhe “thesari ynë në qiell” (Lk 12,33; 18,22). Vetë Jezusi e përdorë imazhin e farës që vdes në dhè e jep fryt, për të shprehur misterin e vdekjes dhe të ringjalljes së Tij (krh Gjn 12,24); e Shën Pali pastaj e merr dhe e përdorë për të folur për ngjalljen e trupit tonë: “kështu edhe ngjallja e të vdekurve: mbillet në shkatërrueshmëri e ngjallet në pashkatërrueshmëri;  mbillet në çnderim e ngjallet në lavdi; mbillet në dobësi e ngjallet në fuqi; mbillet trup lëndor e ngjallet trup shpirtëror” (1Kor 15, 42-44). Kjo shpresë është drita e madhe që Krishti sjellë në botë: “e në qoftë se në Krishtin shpresojmë vetëm në të mirat e kësaj jete, atëherë ne jemi njerëzit më të mjerët. Por, vërtet, Krishti u ngjall prej të vdekurve! Ai është fryti i parë i të vdekurve!” (1Kor 15, 19-20), në mënyrë që ata që janë thellësisht të bashkuar me të në dashuri, “dhe të ngjashëm në vdekjen e tij”(Rm 6,5), të jenë të bashkuar me të edhe në ringjallje për jetën e pasosur (krh. Gjn 5,29): “Kurse të drejtët, atëherë, do të shndrisin porsi dielli në Mbretërinë e Atit të tyre” (Mt 13,43).

  • TË MOS LODHEMI DUKE BËRË MIRË

Ringjallja e Krishtit e gjallëron shpresën tokësore me “shpresën e madhe” të jetës së pasosur dhe vendos qysh tash, në kohën e tanishme, farën e shëlbimit (krh. BENEDIKTI XVI, Spe salvi, 3;7). Përballë dëshpërimit të hidhur për shkak të ëndrrave të ndërprera në mes, përballë sfidave shqetësuese, përballë shkurajimit për mjetet tona të varfra, qëndron tundimi për t’u mbyllur në egoizmin vetjak individualist, duke gjetur strehë në indiferencën ndaj vuajtjeve të të tjerëve. Në, këto momente edhe burimet më të mira janë të kufizuara: “lodhen të rinjtë edhe meken, marrin në thua të rriturit e rrëzohen” (Is 40,30). “Ai të lodhurit i jep fuqi, të pamundshmit ia shton fuqitë (…) kurse ata që shpresojnë në Zotin, përtëriten në fuqi, marrin krahë porsi shqiponja, vrapojnë e nuk lodhen kurrë, ecin edhe kurrë nuk meken” (Is 40, 29.31).  Krezhmët na nxisin që ta vëmë shpresën dhe besimin tonë në Zotin (krh. 1Pjt 1,21), sepse vetëm fiksimi i shikimit tonë në Krishtin e ringjallur (krh. Heb 12,2), na mundëson ta pranojmë kështu nxitjen e Apostullit: “të mos lodhemi duke bërë mirë” (Gal 6, 9).

Të mos lodhemi kurrë duke u lutur. Jezusi na ka mësuar që është e nevojshme të lutemi “gjithmonë e kurrë të mos pushojmë”  (Lk 18,1). Kemi nevojë të lutemi sepse kemi nevojë për Zotin. Vetëmjaftueshmëria është një iluzion i rrezikshëm në jetën tonë. Nëse pandemia na ka bërë të prekim me dorë dobësinë personale dhe atë shoqërore, kjo Kohë e Krezhmëve na bën që të provojmë mbështetjen e besimit  në Zot, pa të cilën nuk mund të kemi qëndrueshmëri (krh. Is 7,9). Askush nuk mund të shpëtohet i vetëm, sepse jemi të gjithë në të njëjtën barkë mes stuhive të historisë; por mbi të gjitha askush nuk shpëton pa Zotin, sepse vetëm misteri pashkvorë i Jezu Krishtit na jep fitoren mbi ujërat e errëta të vdekjes. Feja nuk na i heq travajet e jetës, por na lejon që t’i kapërcejmë të bashkuar me Hyjin në Krishtin me shpresën e madhe që nuk zhgënjen, pengu i së cilës është vetë dashuria e Zotit që është zbrazur në zemrat tona me anë të Shpirtit Shenjt (krh. Rm 5,1-5).

Të mos lodhemi duke e hequr të keqen nga jeta jonë. Agjërimi trupor për të cilin na fton Krezhma, e forcon shpirtin tonë në luftë kundër mëkatit. Të mos lodhemi duke kërkuar falje me anë të Sakramentit të  Pendesës e të Pajtimit, duke e ditur që Zoti nuk lodhet kurrë duke na falur; të mos lodhemi duke luftuar kundër lakmisë, një dobësi kjo që e çon njeriun drejt egoizmit e drejt së keqes, duke i hap rrugë të ndryshme përgjatë shekujve e duke  e  çuar njeriun, kështu, drejt mëkatit dhe së keqes (krh. Fratelli tutti, 166 ). Njëra nga këta rrugë është edhe rreziku i varësisë nga mediat digjitale, e cila i varfëron marrëdhëniet njerëzore. Krezhmët janë atëherë momenti i volitshëm për të kundërshtuar këta tundime e për të kultivuar një komunikim më gjithëpërfshirës e më njerëzor (krh. ibid., 43) që përbëhet nga “takimet reale” (ibid., 50), mes dy personave, “tek për tek”.

Të mos lodhemi duke bërë mirë me vepra bamirësie ndaj të afërmit. Gjatë kësaj Kohe Krezhme do të bëjmë edhe lëmoshë duke dhuruar me gëzim (krh. 2Kor 9,7). Hyji që “mbjellësit i jep farën, ai do t’i japë edhe bukën për ushqim” (2Kor 9,10), ai mendon për secilin prej nesh e jo vetëm për të ngrënë, por edhe që të jemi bujarë duke u bërë mirë të tjerëve. Nëse është e vërtetë që krejt jeta jonë është kohë e volitshme për të mbjellur të mirën, të shfrytëzojmë pra këtë Kohë Krezhmesh që të kujdesimi për ata që gjenden pranë nesh, për t’u bërë të afërmit e atyre vëllezër e motra që janë të plagosur nëpër rrugët e jetës. (krh. Lk 10,25-37). Koha e Krezhmëve është moment i artë për të kërkuar e jo për të shmangur, atë që është në nevojë; për të thirrur e jo për të injoruar, atë që dëshiron për të qenë dëgjuar dhe ka nevojë për një fjalë të mirë; për të vizituar dhe jo braktisur, atë që vuan nga vetmia. Le ta vëmë në praktikë thirrjen për të bërë mirë të gjithëve, duke gjetur kohën për të dashur më të vegjlit e të pambrojturit, të braktisurit e të përçmuarit, kush është i diskriminuar dhe i mënjanuar (krh. Enc. Fratelli tutti, 193).

  • NËSE NUK DO TË MEJMË (RESHTIM), PATJETËR NË KOHËN E DUHUR, DO TË KORRIM.

Koha e Krezhmëve na kujton çdo vit që “e mira, po ashtu edhe dashuria, drejtësia e solidariteti, nuk arrihen vetëm me një herë, por duhet t’i kërkojmë e t’i fitojmë ata çdo ditë (ibid., 11). T’ia kërkojmë atëherë Zotit, durimin e qëndrueshëm të bujkut (krh. Jak 5,7) për të mos reshtur duke bërë  të mirën, hap pas hapi. Kush rrëzohet t’ia zgjasë dorën Atit, i cili gjithmonë na çon në këmbë. Kush është i humbur, për shkak të mashtrimeve tunduese të të keqit, të mos vonohet që të kthehet tek Ai që “fal me gjithë zemër” (Is 55,7). Në këtë kohë kthimi duke gjetur mbështetje edhe në hirin e Zotit e në bashkimin  e Kishës, të mos lodhemi duke bërë të mirën. Agjërimi përgatit tokën, lutja e lagë e bamirësia e bën të frytshme. Kemi besimin e plotë në fenë, që “nëse nuk do të mejmë, patjetër në kohën e duhur do të korrim” e që me dhuratën e qëndrueshmërisë, do të marrim të mirat e premtuara (krh. Heb 10,36) për shëlbimin tonë dhe të të tjerëve (krh. 1Tim 4,16). Duke e praktikuar dashurinë vëllazërore ndaj të gjithëve, jemi të bashkuar me Krishtin, i Cili ka dhënë jetën e vet për ne (krh. 2Kor 5,14-15) e do të para-shijojmë kështu, gëzimin e mbretërisë së qiejve, kur Zoti do të jetën “gjithçka në të gjithë” (1Kor 15,28).

Virgjëra Mari, nga kraharori i së cilës ka lulëzuar Shëlbuesi dhe që i ruante të gjitha këto ngjarje dhe “ i shoshiste në zemrën e vet” (Lk 2,19) na e dhashtë dhuratën e durimin e na afroftë me praninë e saj amnore, që kjo kohë kthimi të sjellin fryte të shëlbimit të amshuar.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme