16.5 C
Tirana
HomeKISHMESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KRESHMË 2024.
HomeKISHMESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KRESHMË 2024.

MESAZHI I ATIT TË SHENJTË FRANÇESKUT PËR KRESHMË 2024.

Nëpërmjet shkretëtirës Hyji na prin në liri

Të dashur vëllezër dhe motra!

Kur hyji ynë zbulohet, ai përçon liri: «Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë» (Dal 20,2). Kështu hapet Dekalogu dhënë Moisiut në malin Sinai. Populli e di mirë se për çfarë daljeje flet Hyji: përvoja e skllavërisë është ende e ngulitur në mishin e tij. Ai i merr dhjetë fjalët në shkretëtirë si një rrugë drejt lirisë. Ne i quajmë “urdhërime”, duke theksuar forcën e dashurisë me të cilën Hyji edukon popullin e vet. Njëmend, është një thirrje e fuqishme për liri. Nuk përfundon me një ngjarje të vetme, sepse piqet në një rrugëtim. Ashtu si Izraeli në shkretëtirë, që e ka ende brenda vetes Egjiptin – në fakt shpesh qan të kaluarën dhe murmurit kundër qiellit e kundër Moisiut –, po ashtu edhe sot populli i Hyjit bart brenda vetes lidhje shtypëse që duhet të zgjedhë t’i braktisë. E vërejmë këtë gjë kur na mungon shpresa dhe rravgojmë në jetë si në një rrënore të shkretë, pa një tokë të premtuar drejt së cilës të priremi së bashku. Kreshma është koha e hirit ku shkretëtira kthehet – sikurse shpall Ozeja profet – në ​​vendin e dashurisë së parë (krh. Oz 2,16-17). Hyji e edukon popullin e vet në mënyrë që ai të dalë nga skllavëritë e tij e të përjetojë kalimin nga vdekja në jetë. Si një dhëndër, ai na tërheq përsëri te vetja e na pëshpërit fjalë dashurie në zemrën tonë.

Dalja nga skllavëria në liri nuk është një ecje abstrakte. Në mënyrë që edhe Kreshma jonë të jetë konkrete, hapi i parë që duhet bërë është ta shohim realitetin. Kur Zoti, te kaçuba e ndezur, e tërhoqi Moisiun dhe i foli, menjëherë u dëftua si një Hyj që sheh e mbi të gjitha dëgjon: «E pashë mjerimin e popullit tim në Egjipt dhe e dëgjova klithjen e tij për ndihmë për shkak të pashpirtësisë së mbikëqyrësve të tyre. Dhe, duke e ditur vuajtjen e tij, zbrita për ta çliruar nga duart e egjiptianëve, ta nxjerr nga ajo tokë dhe ta çoj në një vend të mirë e të gjerë, në dheun ku rrjedh qumësht e mjaltë» (Dal 3,7-8). Edhe sot britma e shumë vëllezërve dhe motrave të shtypura arrin qiellin. Le ta pyesim veten: a arrin edhe te ne? A na trondit? A na përmallon? Shumë faktorë na largojnë nga njëri-tjetri, duke mohuar vëllazërinë që na lidh në mënyrë zanafillore.

Në udhëtimin tim në Lampeduzë, globalizimit dhe indiferencës i kundërvura dy pyetje, të cilat bëhen gjithnjë e më aktuale: «Ku je?» (Zan 3,9) dhe «Ku është vëllai yt?» (Zan 4,9). Udhëtimi kreshmor do të jetë konkret nëse, duke i dëgjuar ato, rrëfejmë se ende sot jemi nën sundimin e Faraonit. Është një sundim që na bën të zbrazët e të pandjeshëm. Është një model rritjeje që na përçan e na grabit të ardhmen. Toka, ajri e uji janë të ndotura prej tij, por edhe shpirtrat janë të ndotur prej tij. Njëmend, megjithëse çlirimi ynë ka filluar me anë të pagëzimit, mbetet në ne një mall i pashpjegueshëm për skllavërinë. Është si një tërheqje drejt sigurisë së gjërave që tashmë janë parë, në dëm të lirisë.

Dëshiroj t’ju dëftoj një detaj, jo pak të rëndësishëm, në tregimin e Daljes: është Hyji ai që sheh, që përmallohet e që çliron, nuk është Izraeli ai që e kërkon. Faraoni, në të vërtetë, shuan edhe ëndrrat, grabit qiellin, bën të duket sikur bota, në të cilën shkelet dinjiteti dhe mohohen lidhjet autentike, është e pandryshueshme. Domethënë, arrin të lidhë pas vetes. Le ta pyesim veten: a e dëshiroj një botë të re? A jam i gatshëm të dal nga kompromiset me të vjetrën? Dëshmia e shumë vëllezërve ipeshkvij dhe e një numri të madh punëtorësh për paqe e drejtësi më bind gjithnjë e më shumë se ajo që duhet denoncuar është një mungesë shprese. Bëhet fjalë për një pengesë për të ëndërruar, për një klithmë të heshtur që arrin deri në qiell dhe përmallon zemrën e Hyjit. I ngjan atij malli për skllavërinë që e paralizon Izraelin në shkretëtirë, duke e penguar të përparojë. Dalja mund të ndërpritet: nuk do të shpjegohej ndryshe se si, vallë, një njerëzim që ka arritur në pragun e vëllazërisë universale e në nivele të zhvillimit shkencor, teknik, kulturor dhe ligjor në gjendje për t’ua garantuar dinjitetin të gjithëve, ecën me tahmin në errësirën e pabarazive dhe konflikteve.

Hyji nuk është lodhur me ne. Ta pranojmë Kreshmën si kohën e fortë në të cilën Fjala e tij na drejtohet përsëri: «Unë jam Zoti Hyji yt që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë» (Dal 20,2). Është kohë kthimi, kohë lirie. Vetë Jezusi, siç e kujtojmë çdo vit në të dielën e parë të Kreshmës, qe shtyrë nga Shpirti në shkretëtirë për t’u sprovuar në liri. Për dyzet ditë Ai do të jetë para nesh e me ne: ai është Biri i mishëruar. Ndryshe nga Faraoni, Hyji nuk dëshiron nënshtetas, por bij. Shkretëtira është hapësira në të cilën liria jonë mund të piqet në një vendim personal për të mos rënë përsëri skllave. Në Kreshmë gjejmë kritere të reja gjykimi dhe një bashkësi me të cilën futemi në një rrugë të papërshkuar askurrë.

Kjo gjë bashkëmbart një luftim: libri i Daljes dhe tundimet e Jezusit në shkretëtirë, na e tregojnë qartazi. Zërit të Hyjit që thotë: «Ti je im Bir ‑ Djali i dishirit!» (Mk 1,11) dhe «Mos ki tjetër Zot, përveç meje» (Dal 20,3), i kundërvihen rrenat e armikut. Idhujt janë më të frikshëm se Faraoni: mund t’i konsiderojmë ata si zëri i tij brenda nesh. Mundësia për të bërë gjithçka, për t’u njohur prej të gjithëve, për të marrë më të mirën nga të gjithë: çdo qenie njerëzore e ndjen joshjen e kësaj rrene brenda vetes. Është një rrugë e vjetër. Kështu, ne mund të kapemi pas parasë, pas disa projekteve, ideve, qëllimeve, pas pozicionit tonë, pas një traditë, madje edhe pas disa njerëzve. Në vend që të na bëjnë t’i gjendemi njëri-tjetrit, do të na kundërvënë. Mirëpo, ekziston një njerëzim i ri, populli i të vegjëlve e i të përvuajturve që nuk i janë dorëzuar joshjes së rrenës. Ndërsa idhujt i bëjnë njerëzit, që u shërbejnë atyre, memecë, të verbër, të shurdhër, të paralizuar (krh. Ps 114,4), të varfrit në shpirt janë menjëherë të hapur e të gatshëm: një forcë e heshtur e së mirës që e kujdes dhe e mbështet botën.

Është koha për të vepruar, e në Kreshmë të veprosh  do të thotë edhe të ndalesh. Të ndalemi në lutje, për të pranuar Fjalën e Hyjit, e të ndalemi si Samaritani, në prani të vëllait të plagosur. Dashuria për Hyjin e për të afërmin është një dashuri e vetme. Të mos kesh zota të tjerë do të thotë të ndalesh në prani të Hyjit, përballë të afërmit në mishin e tij. Për këtë arsye, lutja, lëmosha dhe agjërimi nuk janë tri praktika të pavarura, por një lëvizje e vetme hapjeje, zbrazjeje: t’i flakim idhujt që na rëndojnë, t’i flakim kapjet që na burgosin. Atëherë zemra e atrofizuar dhe e izoluar do të rizgjohet. Prandaj, ta marrim me ngadalë e të ndalemi. Përmasa soditëse e jetës, të cilën Kreshma bën që ta rizbulojmë, do të vërë në lëvizje energji të reja. Në praninë e Hyjit ne bëhemi motra e vëllezër, i ndjejmë të tjerët me një forcë të re: në vend të kërcënimeve dhe armiqve gjejmë bashkudhëtare e bashkudhëtarë në udhëtim. Kjo është ëndrra e Hyjit, toka e premtuar drejt së cilës priremi, kur dalim nga skllavëria.

Forma sinodale e Kishës, të cilën po e rizbulojmë dhe kultivojmë këto vite, sugjeron që Kreshma të jetë edhe kohë e vendime bashkësiore, për zgjedhje, të vogla e të mëdha, kundër rrymës, të afta për të ndryshuar të përditshmen e njerëzve dhe jetën e një lagjeje: zakonet në blerje, kujdesin për krijimin, përfshirjen e atyre që s’na i kap syri apo përbuzen. Ftoj çdo bashkësi të krishterë të bëjë këtë gjë: t’u ofrojë besimtarëve të vet momente ku të rimendojnë stilet e tyre të jetesës; të gjejnë kohë për të verifikuar praninë në territor dhe të përmirësojnë kontributin e tyre. Mjerë nëse pendesa e krishterë është si ajo që e trishtonte Jezusin. Ai na thotë edhe neve: «Mos u mërrolni porsi shtiracakët, të cilët marrin një hije të rëndë në fytyrë për t’u treguar njerëzve se agjërojnë» (Mt 6,16). Përkundrazi, le të vërehet gëzimi ndër fytyra, të nuhatet aroma e lirisë, të çlirohet ajo dashuri që i bën të reja të gjitha gjërat, duke filluar nga më të voglat e më pranë nesh. Në çdo bashkësi të krishterë kjo gjë mund të ndodhë.

Në masën me të cilën kjo Kreshmë do të jetë një kthim, njerëzimi i humbur do të ndjejë një fërgëllimë krijimtarie: ndezjen e një shprese të re. Dëshiroj t’ju them, sikurse të rinjve që takova në Lisbonë verën e kaluar: «Kërkoni e rrezikoni, kërkoni e rrezikoni. Në këtë moment historik sfidat janë të mëdha, rënkime të dhimbshme. Ne po shohim një luftë të tretë botërore pjesë-pjesë. Por ta përqafojmë rrezikun e të menduarit se nuk gjendemi në një agoni, por në një lindje; jo në fund, por në fillim të një spektakli të madh. Duhet guxim për ta menduar këtë gjë» (Fjalim drejtuar universitarëve, 3 gusht 2023). Është guximi i kthimit, i daljes nga skllavëria. Feja e dashuria kapin për dore këtë shpresë fëmijërore. E mësojnë të ecë dhe, njëkohësisht, kjo i tërheq përpara.[[1]]

Ju bekoj të gjithëve dhe ecjen tuaj kreshmore.

Romë, Shën Gjoni në Lateran, 3 dhjetor 2023, e diela e parë e Ardhjes.

FRANÇESKU


Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme