Nga Imzot George FRENDO O.P
“Për çfarë duhet Kisha?
”Kanë pyetur: “A ka ndihmuar dot ajo që jeta e njeriut të zgjatet siç ka bërë mjekësia?” “Jo” – janë përgjigjur. “Jo” – përgjigjem unë. Nuk është kompetenca e Kishës të zëvendësojë mjekësinë (unë besoj në autonominë e shkencave!). Por ata vazhdojnë: “Sepse Kisha është marrë gjithë jetën me jetën pas vdekjes”. Kjo ishte akuza e Karl Marx-it që e shtyri të pohojë: “Besimi është opiumi i popullit”. Po te ishte më familjar me Biblën dhe po të kishte lexuar, për shembull, librin e profet Amosit, Ungjillin e Mateut (kap. 25), Letrën e Jakobit, dhe shkrimet e një teologu të madh si Shën Gjon Gojartit, Marx do të ishte më i kujdesshëm para se të kishte drejtuar një akuzë të tillë krishterimit.
Përsëri pyesin: “A ka ndihmuar Kisha që shoqëritë të jenë më të hapura dhe njerëzit më të barabartë?” “Jo” – përgjigjen ata. “Po” – përgjigjem unë. Përsëri i nxis të lexojnë Biblën. Në çdo njeri besimtari sheh përngjasimin e Hyjit, fytyrën e Krishtit që ende vuan në të uriturit dhe të zhveshurit. Në Krishtin “nuk ka burrë ose grua, i lirë ose skllav, hebre ose grek”, shkroi Shën Pali. Dhe ata vazhdojnë: “Sepse Kisha edhe sot ndihmon me zell që të përjashtohen nga shoqëria homoseksualët dhe gratë. Kisha është homocentriste. U jep përparësi burrave ndaj grave”. Me gjithë respekt, u them: “Keni gabim! Kisha s’ka absolutisht asgjë kundër homoseksualëve, përkundrazi Katekizmi i Kishës Katolike kategorikisht mëson se ata “duhen shikuar me respekt… Ndaj tyre duhet të shmanget çdo damkosje diskriminimi të padrejtë”. Fakti që Kisha, në përputhje me mësimin e Biblës, mëson se martesa, nga vetë natyra e saj, është heteroseksuale nuk tregon aspak se është kundër homoseksualëve. Përsa i përket pozicionit (emancipimit) të grave, këta njerëz që na sulmojnë dëshiroj t’i kujtoj mendimin e dy personave laikë: feministja Simone de Beauvoir dhe psikanalisti Jacques Lacan, të cilët thanë: Përse lëvizja për emancipimin e gruas është rritur në vendet perëndimore? Dhe përgjigjen: Sepse gjeti një terren të krishterë. Dhe japin dy arsye shumë interesante për këtë, por nuk dua të zgjatem shumë mbi këtë argument.
Pyesin: “A ka ndihmuar Kisha njerëzimin të luftojë varfërinë, urinë dhe etjen?” Dhe përsëri përgjigjen: “Jo, sepse megjithëse keq dhe me shumë vonesë, këtë detyrë e kanë bërë shtetet”. Më falni, zotërinj, por edhe këtu gaboni. Si është e mundshme që ju nuk e dini çfarë ka bërë Nënë Tereza? Me sa shumë mënyrë edhe sot Kisha ndihmon shumë të varfër që s’pranojnë asnjë ndihmë nga shteti! Dhe para se shtetet të kenë filluar të ndihmojnë shtresat në nevojë, para se të lindte welfare state, cili institucion ka ndihmuar këto shtresa? Kisha, duke zbatuar urdhrin e Jezu Krishtit.
Dhe pyesin: “A ka ndihmuar Kisha që njerëzimi të lëvizë më shpejt, të komunikojë më shumë dhe të zbulojë territore të reja? Jo, sepse historikisht shkencëtarët janë sulmuar nga Kisha”. Një pohim të tillë tregon një konfuzion rreth rolit të Kishës. Thashë më parë se nuk duhet të përziejmë rolin e Kishës dhe atë të shkencave natyrore. Dhe gabimi i Kishës me Galileun nuk na jep të drejtë të bëjmë atë përgjithësim se Kisha ka sulmuar shkencëtarët. Një shumicë e madhe e shkencëtarëve kanë qenë të krishterë. Vetëm për të përmendur dy emra, për të cilët pa dyshim miqtë tanë kanë dëgjuar: Shen Alberti i Madh në shekullin 13, dhe Isaac Newton në shekullin 18.
Kanë thënë se “Kisha në Europë nuk ka fuqinë që ka pasur”. Për këtë ne s’mund të themi asgjë përveç: “Shyqyr!” Isha student në Romë në shtator 1970, kur Italia përkujtonte përvjetorin i 100-të të unifikimit nga Garibaldi. Atëherë Papa Pali VI kremtoi një meshë tek Porta Pia (nga ku bersalierët hyjnë për të liruar Romën nga pushteti i Vatikanit), dhe në një letër që i dërgoi Presidentit të Republikës (Giuseppe Saragat) shprehu bindjen e tij se Kisha u bë më autentikisht “Kisha e Krishtit” që nga koha kur kishte “humbur” pushtetin kohor dhe Shtetet Papnore.
As ka nevojë të përmend këtu mendimin e Papa Françeskut, i cili vazhdimisht thekson se Kisha nuk duhet të kërkojë privilegje!