10.5 C
Tirana
HomeEditorialMbyllja e vitit të Shën Jozefit – Dita e Familjes
HomeEditorialMbyllja e vitit të Shën Jozefit – Dita e Familjes

Mbyllja e vitit të Shën Jozefit – Dita e Familjes

Nga Imzot Giovanni Peragine

Të dashur, jemi këtu sot, në këtë Kishë të kushtuar Virgjërës së Papërlyer duke kremtuar festën në ditën e saj liturgjike. Takimi ynë përkon edhe me mbylljen e vitit kushtuar Shën Jozefit që filloi vitin e kaluar. Pikërisht Shën Jozefit, pajtorit të Kishës universale, më 19 mars 2019, në këtë kishë ia kushtova të gjithë Administraturën tonë Apostolike.

Me këtë kremtim duam ta ripërtërijmë këtë kushtim duke ia besuar edhe një herë Shën Jozefit të gjitha nevojat materiale dhe shpirtërore të Kishës sonë dhe veçanërisht të gjitha familjet e bashkësive tona.

Ky takim ju kushtohet pikërisht juve: familjeve, prindërve, baballarëve dhe nënave; juve bij dhe bija, të ardhur nga zona të ndryshme të Administraturës Apostolike.

Le të ndalemi pak para Marisë dhe Jozefit, të këtij çifti të ri me ëndrra të mëdha. Jemi përballë një çifti të fejuar, të cilët do të jenë njohur rrugëve të fshatit të vogël të Nazaretit, një çift që e duan njëri-tjetri, dhe që së bashku kanë një plan të qartë për të ardhmen e tyre: duan të martohen, të qëndrojnë së bashku dhe të krijojnë një familje. Ashtu siç ka ndodhur për secilin prej jush: takimi, dashuria, dëshirat, vendimi për të ndërtuar një familje. Jozefi dhe Maria janë me të vërtetë çift i bukur, një çift i vërtetë. Ungjilli e përcakton Jozefin si “burri i Marisë” dhe “Maria nusja e tij”.

Por shpesh, kur mendojmë apo flasim për Marinë, nuk e marrim në konsideratë asnjëherë së bashku me Jozefin, dhe kështu, kur mendojmë për Jozefin, nuk e lidhim asnjëherë me Marinë. Dy njerëz që e duan njëri-tjetrin janë gjithmonë bashkë, dhe, edhe nëse janë larg njëri-tjetrit, nuk mund të konsiderohen kurrë vetëm, sepse njëri nuk mund të ndahet nga tjetri: janë “një mish i vetëm”.

Mes Marisë dhe Jozefit kishte vërtet bashkim, harmoni dashurie dhe besimi. Jozefi ishte me të vërtetë burri i Marisë. Prandaj, nuk duhet të mendojmë për Jozefin si një plak, i vendosur nga Hyji në krah të Marisë që të duket se edhe Jezusi e kishte një familje, apo për Jozefin veç me detyrën për të ndihmuar Marinë në vitet e para të jetës së fëmijës, apo edhe të mendohet për Marinë, e dhënë krejtësisht ndaj Jezusit, të mos i interesonte për marrëdhënien e saj me Jozefin. Nëse gjërat do të kishin shkuar vërtet kështu, nuk mund të flisnim për një çift, as për bashkëshortë dhe nuk do të kishte patur vend për dashurinë e vërtetë në jetën e tyre.

Por, si mund të mishërohej Biri i Hyjit në një vend pa dashuri? Vetëm dashuria e vërtetë mund të krijonte në zemrën e Jozefit dhe Marisë atë gatishmëri për të pranuar vullnetin e Hyjit që duket i pamundur vetëm për forcat e njeriut, por që bëhet i mundur vetëm me Të dhe për Të. Ishte kjo prania e dashurisë në familjen e Nazaretit: një dashuri e fortë, një dashuri e vërtetë mes Marisë dhe Jozefit që buronte nga besimi dhe nga marrëdhënia personale me Hyjin.

“Ja, unë jam shërbëtorja e Zotit”. Mishërimi i Fjalës ishte, me siguri, i mundur falë po-së së Marisë, por përkrah saj ishte një tjetër ‘po’, po aq e rëndësishme: ajo e Jozefit, që pas kërkesës së Zotit “bëri siç i urdhëroi engjëlli i Zotit: e mori në shtëpi të fejuarën e vet”. Ashtu si Maria, e cila duhej të bënte një ecje besimi, prej çastit të Lajmërimit deri te këmbët e kryqit, po ashtu edhe Jozefit iu desh ngadalë-ngadalë të kuptonte rolin e tij në planin e shpëtimit të Hyjit.

Jozefi e kishte kuptuar që në fillim se foshnja që Maria mbante në kraharorin e saj ishte ngjizur nga një forcë krijuese hyjnore. Por, përballë këtij misteri të madh, nuk dinte se çfarë të bënte. Nuk duhet të mendojmë se Jozefi ishte i trishtuar dhe i shqetësuar prej çka kishte ndodhur, por ai vetëm po përpiqej të kuptonte se çka Hyji donte prej tij.

Edhe Maria, përballë njoftimit të engjëllit, tha: “Si do të mund të ndodhë kjo?”, domethënë si mundem unë, një krijesë e thjeshtë, të vendosem në këtë plan shpëtimi? Edhe Jozefi kërkon prej Zotit se çfarë të bëjë. Ai dëshiron të qëndrojë vetëm dhe gjithmonë në harmoni të plotë, jo me ëndrrat e tij, por me ëndrrat e Zotit. Ashtu si Marisë, Jozefit i thuhet gjithashtu “mos ki frikë”. Nuk bëhet fjalë për frikë, por për druajtje. Jozefi nuk ka frikë, por është i vetëdijshëm për vogëlsinë e tij, për pamjaftueshmërinë e tij përballë planit të madh të Zotit.

Çfarë po përjetojnë Maria dhe Jozefi, edhe pse na paraqiten në momente të ndryshme, nuk janë paralele, por ndërthuren me njëra-tjetrën. Nuk e jetojnë veçmas këtë moment, por së bashku kuptojnë vullnetin e Hyjit për ta. Mes Jozefit dhe Marisë ekziston një bashkësi e vërtetë dhe sekreti i këtij bashkimi familjar është vullneti për të ndjekur ëndrrat e Zotit. Zoti nuk ua prishi ëndrrat e tyre por i plotësoi.

Të dashur miq, duke soditur familjen e Nazaretit duam të mësojmë të kuptojmë se cili është misioni i familjes sot, i çdo familjeje. Mund ta përmbledhim këtë detyrë në tri fjalë: pranim, sinodalitet, ungjillëzimi.

PRANIMI

Misioni i parë më i rëndësishëm i familjes është të pranojë Hyjin, t’i bëjë vend Jezusit që vjen, ta pranojë atë në personin e fëmijëve, burrit, gruas, gjyshërve. T’i bëjë vend Atij. Nuk mund ta kufizojmë jetën e familjeve tona në kryerjen të punëve të shtëpisë, duke e lënë Hyjin jashtë derës. Nëse, përkundrazi, e lëmë Hyjin të mbushë hapësirën e familjeve tona, të shtëpive tona, atëherë do të jemi në gjendje, me zemër të lirë, t’u hapim dyert edhe të tjerëve, të shkojmë të takojmë ata që kanë më shumë nevojë, të vërejmë fëmijën e portës pranë që po qan, apo vetminë e të moshuarit që jeton përballë nesh.

Duhet të jemi një familje që pasqyron Zotin nëpërmjet Dashurisë. Flitet kaq shumë për problemet e familjeve sot dhe për vështirësitë në rritjen dhe edukimin e fëmijëve, por sekreti i vërtetë i një familjeje të shëndoshë është vetëm Dashuria që duhet jetuar çdo ditë edhe në gjërat e vogla. Ashtu siç fëmijët janë fryt i dashurisë së babait dhe nënës, po ashtu edhe dashuria e jetuar në familje duhet të lindë e të pasqyrojë Zotin: ku ka dashuri, aty është Zoti.

Shpesh momentet e vështira e vënë në krizë familjen. Përvoja e çiftit nga Nazareti na tregon se vështirësitë, e përballura së bashku dhe nën dritën e Hyjit, bëhen një mundësi për të dalë prej tyre më të bashkuar dhe më të forcuar. Prandaj, mos kini frikë të përballeni haptazi me vështirësitë. Kur përballeni me një problem, mos u mbyllni në vetvete, por së bashku bisedoni rreth tij, përpiquni ta kuptoni situatën, por mbi të gjitha gjunjëzohuni dhe kërkojini Hyjit t’ju bëjë të kuptoni arsyen e asaj çka po ndodh dhe të kuptoni vullnetin e tij. Është normale që mund të shfaqen vështirësi, por asnjëherë keqkuptimet nuk duhet të arrijnë të përçajnë familjen apo bashkësinë.

SINODALITETI: TË ECIM SË BASHKU

Të gjithë jemi pjesë e një familjeje. Në familje kemi lindur dhe në familje kemi filluar të hedhim hapat e parë. Pikërisht në familje filluam të komunikojmë dhe të kemi perceptimin e tjetrit përballë nesh. Pikërisht në familje u përballëm fillimisht me njëri-tjetrin dhe mësuam të zgjerojmë marrëdhëniet tona edhe me njerëzit e familjeve të tjera. Domosdoshmërisht përvoja jonë familjare ndërthuret me atë të familjeve të tjera. Shpesh angazhimet e ditëve tona e vë në rrezik këtë përmasë të rëndësishme të familjes: marrëdhënien, bashkëndarjen, solidaritetin. Papa Françesku thotë: “Një familje e mbyllur në vetvete thahet Ungjillin dhe e shkretëzon botën”.

Ju ftoj, gjithashtu, të ringjallni marrëdhënien mes familjeve tuaja dhe famullisë, gjithë bashkësisë së krishterë, që mund ta përcaktojmë si familja e familjeve. Bashkësitë tona të krishtera, të cilat kanë përparësinë e të qenit të vogla, duhet të jenë një familje e zgjeruar ku të gjithë të ndihen të bashkuar, jo nga i njëjti gjak, por nga gjaku i Krishtit, domethënë nga e njëjta Dashuri e Hyjit. Çdo familje duhet të jetë e vetëdijshme se është përcjellëse e dhuratave të çmuara për bashkësinë. Por, nëse është e vërtetë që çdo familje duhet të ndihet pjesë e bashkësisë, edhe bashkësia duhet të bëjë çdo përpjekje për të favorizuar pranimin, shoqërimin, njohjen dhe vlerësimin reciprok. Papë Françesku thotë se “familja dhe famullia duhet të bëjnë mrekullinë e një jete më bashkësiore për të gjithë shoqërinë”.

UNGJILLËZIM

Çdo familje ka përgjegjësinë për të komunikuar besimin, domethënë për të transmetuar, qoftë brenda familjes, edhe jashtë saj, dashurinë e marrë dhe të jetuar. E di mirë se në shumë prej familjeve të Administraturës Apostolike janë pagëzuar vetëm disa nga anëtarët e saj, por e di mirë, gjithashtu, se shumë familje janë ungjillëzuar pikërisht prej anëtarëve të tyre. I njoh edhe vështirësitë me të cilat përballen shumë prej jush për të jetuar besimin tuaj edhe në kontekste familjare jo shumë pranuese e miqësore. Duke ju kujtuar fjalët e Jezusit: “Sepse erdha të ndaj djalin prej të atit, vajzën prej s’ëmës, të renë prej vjehrrës. Njeriu do t’i ketë armiq familjarët e vet.”, dijeni se është pikërisht ky misioni dhe ungjillëzimi që po çoni përpara përmes dëshmisë së dashurisë. Edhe pse jeni pakicë në kontekstin në të cilin jetoni, mos kini frikë të dëshmoni gëzimin e Ungjillit që keni marrë dhe në çdo rrethanë, të përshtatshme dhe të papërshtatshme, të përhapni parfumin e Dashurisë së Krishtit që është brenda jush. Pasi, siç thotë Papë Françesku: “Aty ku jeton një familje me dashuri, ajo familje është e aftë të ngrohë zemrën e një qyteti të tërë me dëshminë e saj të dashurisë”.

Familjes së Nazaretit, Jezusit, Jozefit dhe Marisë ju besoj familjet tuaja dhe të gjitha familjet e Administraturës sonë Apostolike. Si bashkësi e krishterë, le të rritemi së bashku në dashurinë vëllazërore, të vihemi në shërbim të Ungjillit dhe të dëshmojmë me jetën tonë “gjërat e mëdha” që Zoti vepron te të gjithë ne.

Na ndiqni

1,210FansLike
414FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme