11.5 C
Tirana
HomeKryesorLetra e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve XVI...
KryesorLetra e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve XVI...

Letra e Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve XVI drejtuar popullit të Hyjit

Të dashur motra, të dashur vëllezër,

ndërsa punimet e seksionit të parë të Asamblesë së Përgjithshme të Zakonshme të Sinodit të Ipeshkvijve XVI shkojnë drejt përfundimit, dëshirojmë, bashkë me të gjithë ju, ta falënderojmë Hyjin për përvojën e bukur dhe të pasur që sapo kemi jetuar. Këtë kohë të bekuar e kemi jetuar në bashkim të thellë me të gjithë ju. Kemi qenë mbështetur nga lutjet tuaja, duke bartur me vete pritshmëritë tuaja, pyetjet tuaja e gjithashtu frikën tuaj. Tashmë kanë kaluar dy vjet nga koha kur, me kërkesë të Papa Françeskut, ka filluar një proces i gjatë dëgjimi dhe dallimi, i hapur për mbarë popullin e Hyjit, pa përjashtuar askënd, për “të ecur së bashku”, nën udhëheqjen e Shpirtit Shenjt, dishepuj misionarë në ndjekje të Krishtit Jezus.

Seksioni që na ka bashkuar në Romë nga 30 shtatori, përbën një etapë të rëndësishme në këtë proces. Për shumë aspekte, ka qenë një përvojë e pa precedentë. Për të parën herë, me ftesë të Papa Françeskut, burra dhe gra kanë qenë ftuar, në saje të pagëzimit, që të ulen në të njëjtën tryezë për të marrë pjesë jo vetëm në diskutimet, por edhe në votimet e kësaj Asambleje të Sinodit të Ipeshkvijve. Së bashku, në përplotësimin e thirrjeve tona, të karizmave tona dhe të shërbesave tona, kemi dëgjuar fuqimisht Fjalën e Hyjit dhe përvojën e të tjerëve. Duke përdorur metodën e bisedimit në Shpirt, kemi bashkëndar me përvujtëri pasuritë dhe skamjet e bashkësive tona në të gjitha kontinentet, duke kërkuar që të dallojmë atë që Shpirti Shenjt dëshiron t’u thotë Kishave sot. Kemi përjetuar kësisoj edhe rëndësinë e përkrahjes së shkëmbimeve të ndërsjella mes traditës latine dhe traditave të të krishterëve të lindjes. Pjesëmarrja e delegatëve vëllazërorë të Kishave të tjera dhe Bashkësive kishtare ka pasuruar thellësisht diskutimet tona.

Asambleja jonë është zhvilluar në kontekstin e një bote në krizë, plagët dhe pabarazitë skandaloze të së cilës kanë kumbuar dhimbshëm në zemrat tona dhe u kanë dhënë punimeve tona një peshë të posaçme, aq më tepër që disa prej nesh vinin nga vende ku lufta tërbohet. Jemi lutur për viktimat e dhunës vrastare, pa harruar të gjithë ata që mjerimi dhe korrupsioni i ka hedhur në rrugët e rrezikshme të migrimit. Kemi siguruar solidaritetin tonë dhe angazhimin tonë përkrah grave dhe burrave që në çdo vend të botës i janë vënë punës si artizanë të drejtësisë dhe paqes.

Me ftesë të Atit të Shenjtë, i kemi dhënë një hapësirë të veçantë heshtjes, për të favorizuar mes nesh dëgjimin respektues dhe dëshirën për bashkimin në Shpirt. Gjatë vigjiljes ekumenike të hapjes, kemi përjetuar se si etja për unitet rritet në soditjen e heshtur të Krishtit të kryqëzuar. «Njëmend, kryqi është katedra e vetme e Atij që, duke dhënë jetën për shpëtimin e botës, ia ka besuar dishepujt e vet Atit, që “të gjithë të jenë një” (Gjn 17,21). Të bashkuar fortësisht në shpresën që na dhuron ngjallja e Tij, Ia kemi besuar shtëpinë e përbashkët ku kumbojnë gjithnjë e më me shumë urgjencë gjëma e tokës dhe gjëma e të varfërve: “Laudate Deum!”», ka kujtuar Papa Françesku pikërisht në fillim të punimeve tona.

Ditë pas dite, e kemi ndjerë si urgjent apelin për kthim baritor dhe misionar. Sepse thirrja e Kishës është të kumtojë Ungjillin, jo të përqendrohet te vetvetja, por të vihet në shërbim të dashurisë së pafundme me të cilën Hyji e do botën (krh. Gjn 3,16). Përballë pyetjes së drejtuar atyre, mbi atë që ata presin nga Kisha me rastin e këtij Sinodi, disa persona të pastrehë që jetojnë pranë Sheshit Shën Pjetri, janë përgjigjur: “Dashuri!”. Kjo dashuri duhet të qëndrojë kurdoherë si zemra e zjarrtë e Kishës, dashuri trinitare dhe eukaristike, sikurse ka kujtuar Papa duke evokuar më 15 tetor, në mesin e punimeve të asamblesë sonë, mesazhin e shën Terezës së Jezusit Fëmijë. Është “mirëbesimi” që na jep guximin dhe lirinë e brendshme që kemi përjetuar, duke mos hezituar të shprehim konvergjencat tona dhe diferencat tona, dëshirat tona dhe pyetjet tona, lirisht dhe me përvujtëri.

E tani? Urojmë që muajt që na ndajnë nga seksioni i dytë, në tetor 2024, t’ia lejojë secilit të marrë pjesë konkretisht në dinamizmin e bashkimit misionar që fjala “sinod” na ka kallëzuar. Nuk bëhet fjalë për një ideologji, por për një përvojë të rrënjosur në Traditën Apostolike. Sikurse na e ka kujtuar Papa në fillim të këtij procesi: «Bashkimi dhe misioni rrezikojnë të ngelen terme disi abstrakte nëse nuk kultivohet një praksë kishtare që shpreh konkretësinë e sinodalitetit (…) duke promovuar përfshirjen e njëmendtë të të gjithëve» (9 shtator 2021). Sfidat janë të shumëfishta dhe pyetjet të shumta: relacioni përmbledhës i seksionit të parë do të qartësojë pikat e dakordësisë së arritur, do të vërë në dukje çështjet e hapura dhe do të dëftojë se si duhet vazhduar puna.

Për të përparuar në dallimin e vet, Kisha ka patjetër nevojë që të dëgjojë të gjithë, duke filluar nga më të varfrit. Kjo gjë kërkon prej anës së saj një ecje kthimi e cila është gjithashtu ecje lavdërimi: «Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!» (Lk 10,21). Bëhet fjalë për të dëgjuar ata që nuk e kanë të drejtën e fjalës në shoqëri apo që ndihen të përjashtuar, edhe nga Kisha. Të dëgjosh personat viktima të racizmit në të gjitha format e tij, veçanërisht, në disa rajone, të popujve indigjenë kulturat e të cilëve janë përqeshur. Mbi të gjitha, Kisha e ditëve tona ka detyrën që të dëgjojë, me një shpirt kthimi, ata që janë viktima të abuzimeve të kryera nga gjymtyrët e trupit kishtar, dhe të angazhohet konkretisht e strukturalisht në mënyrë që kjo të mos ndodhë më.

Kisha ka gjithashtu nevojë për të dëgjuar laikët, gratë e burrat, të gjithë të thirrur për në shenjtëri në saje të thirrjes së tyre pagëzimore: dëshminë e katekistëve, të cilët, në shumë situata, janë të parët që kumtojnë Ungjillin; thjeshtësinë dhe gjallërinë e fëmijëve, entuziazmin e të rinjve, pyetjet dhe thirrjet e tyre; ëndrrat e të moshuarve, urtinë dhe memorien e tyre. Kisha ka nevojë që të vihet në dëgjim të familjeve, të shqetësimeve të tyre edukative, të dëshmisë së krishterë që ofrojnë në botën e sotme. Ka nevojë për të mirëpritur zërat e atyre që dëshirojnë të jenë të përfshirë në shërbesat laikale apo në organizmat pjesëmarrëse në dallim dhe vendimmarrje.

Kisha ka veçanërisht nevojë – për të përparuar në dallimin sinodal – që të mbledhë ende më shumë fjalët dhe përvojën e mbarështuesve të urdhëruar: meshtarët, bashkëpunëtorët e parë të ipeshkvijve, shërbesa sakramentale e të cilëve është e domosdoshme për jetën e krejt trupit; diakonët, të cilët përmes shërbesës së tyre shënojnë përkujdesjen e mbarë Kishës në shërbim të më të cenueshmëve. Ajo gjithashtu duhet të lejojë që të interpelohet nga zëri profetik i jetës së kushtuar, rojtare syhapur e thirrjeve të Shpirtit. Duhet edhe të jetë e kujdesshme ndaj atyre që nuk bashkëndajnë fenë e saj, por që kërkojnë të vërtetën, e te të cilët është i pranishëm dhe veprues Shpirti, Ai që u jep “të gjithëve mundësinë që të bashkohen, në mënyrën që Hyji di, me misterin pashkor” (Gaudium et spes 22,5).

“Bota në të cilën jetojmë, e që jemi të thirrur ta duam e ta shërbejmë edhe në kundërshtimet e saj, kërkon nga Kisha fuqizimin e sinergjive në të gjitha fushat e misionit të vet. Pikërisht ecja e sinodalitetit është ecja që Hyji pret nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë” (Papa Françesku, 17 tetor 2015).

Nuk duhet të kemi frikë për t’iu përgjigjur kësaj thirrjeje. Virgjëra Mari, e para në ecje, na shoqëron në shtegtimin tonë. Në gëzime e dhimbje Ajo na dëfton Birin e vet dhe na fton për në mirëbesim. Është Ai, Jezusi, shpresa jonë e vetme!

spot_img

Te fundit

spot_img