Nga Imzot Gjergj Meta

Secili prej nesh ka një mënyrë të tijën se si i përjeton Kreshmet. Përtej këtij pohimi, që mund të duket disi i përgjithshëm, ka disa gjëra që e bëjnë një Kreshme autentike dhe në përkim me natyrën e saj.

Meqenëse bëjmë pjesë në një bashkësi, jemi po ashtu pjesë e historisë dhe e traditës liturgjike dhe shpitërore të kesaj bashkësie, traditë e cila, përgjatë shekujve, ka pasur një evolucion të sajin dhe ka përmirësuar vazhdimisht praktikat e ndryshme shpirtërore, por që duhet të vlerësohen gjithmonë si instrumente dhe jo qëllim në vetvete.

Të jetosh Kreshmet në mënyrën e duhur, kërkohet më së pari të jemi të vetëdijshëm se ato kanë një pikëmbërritje dhe pikëmbërritja është Pashka e Ngjalljes. Triditëshi i Pashkës është qendra e krejt vitit liturgjik dhe jetës së krishterë. Mundimi, vdekja dhe ngjallja e Krishtit janë realiteti qëndror i besimit tonë të krishterë. Po ta vëmë re me kujdes, këtë vend qëndror e zë edhe në tekstin e Besoj-mës që ne themi çdo të Dielë apo ditë të kremte gjatë meshës. Nëse shikimi ynë nuk përqendrohet te misteri i Pashkës, Kreshmet mund të jenë një “ushtrim i mirë”, ndoshta edhe një dietë e mirë ushqimi apo gjërash të tjera, por kurrsesi një praktikë shpirtërore. Jo vetëm Kreshmet, por i gjithë Viti liturgjik, të gjitha festat e mistereve të Zotit, të Zojës dhe të Shenjtërve, marrin dritë nga Pashka e Krishtit. Nëse zhvendosim vështrimin tonë nga kjo ngjarje, Kreshmet humbin kuptimin dhe mund të kthehen në një fryrje të ego-s tonë. Prandaj mund të themi se Kreshmet janë si një rrugë për të shkuar në shtëpi e shtëpia në këtë rast është takimi me Hyjin në Krishtin e ngjallur.

Instrumenti i parë për të jetuar Kreshme autentike është Liturgjia. Ajo është vendi teologjik i Kreshmeve në kuptimin e plotë të fjalës. Në mënyrë më specifike, është Liturgjia e Fjalës dhe formulat e lutjes gjatë meshës, që në këtë kohë janë krejt të veçanta dhe shërbejnë si udhrrëfyese të sigurta në rrugëtimin tonë drejt Pashkës. Qoftë leximet biblike, qoftë lutjet liturgjike, pasqyrojnë këtë rrugëtim drejt Pashkës. Nëpërmjet dëgjimit dhe pjesmarrjes në Liturgjitë e Kreshmeve, çdonjëri prej nesh udhëhiqet drejt kundrimit progresiv të misterit të Krishtit, i cili na zbulohet në faqet e Shkrimit të Shenjtë, qoftë të Beslidhjes së Vjetër e qoftë të Beslidhjes së Re. Edhe praktikat e tjera si agjërimi, lutja apo lëmosha, nëse nuk mbështeten mbi Fjalën e gjallë të Hyjit dhe bashkimin shpirtëror në Liturgji me Krishtin dhe Nusen e tij Kishën, mbeten praktika asketike, por pa substancë. Është Fjala ajo që i jep jetë ushtrimeve tona kreshmore, nëpërmjet leximit, dëgjimit, meditimit, lutjes dhe kundrimit të saj.

Kapitujt e Mundimeve të Krishtit janë pjesa thelbësore e Ungjijve sinoptikë dhe atij të Gjonit. Po ashtu kumti i shën Palit përqendrohet pikërisht në misterin e Krishtit të kryqëzuar e të ngjallur. Nga aty hidhet dritë mbi pjesët e tjera të ungjijve të fëmijërisë e të misonit të Jezusit në Palestinë.

Kisha, në urtinë e saj shekullore, ka praktikuar edhe ushtrime të tjera sikurse përmendëm më sipër: lëmoshën dhe agjërimin. Shpesh Kreshmet indentifikohen me agjërimin, por agjërimi është vetëm një moment i saj. Nëse do të identifikoheshin vetëm me agjërimin, atëherë do të ishte një reduktim material i Kreshmeve dhe nuk do të ishte teologjikisht në rregull. E për sa u përket praktikave të agjërimit ato mund të rregullohen në bazë të moshës, të mundësisë fizike dhe faktorëve të tjerë sikurse është puna, angazhimet e ditës, lodhjet e ndryshme etj. Por gjithmonë duhet pasur parasysh se qëllimi kryesor i Kreshmeve është takimi me Hyjin në brendinë e zemrës tonë. Agjërimi ka si qëllim kërkimin e thelbësores në jetën tonë dhe është një instrument i vlefshëm për një lloj pastrimi të mendjes dhe rregullimi të ndjenjave të çrregullta, për t’u hapur rrugën mendimeve dhe ndjenjave që na afrojnë me Hyjin dhe me të tjerët. Po ashtu lëmosha nuk është një gjest bamirësie, por një çështje drejtësie. Kreshma na kujton solidaritetin me të tjerët, jo thjeshtë si shenjë e mirësisë personale, por si një detyrë që kemi karshi atyre që janë në nevojë e jo vetëm për një periudhë të vitit. Kështu mund të përjetojmë në mënyrë autentike Kreshmet.

Ndoshta, ndër agjërimet më të bukura që mund t’i dhurojmë vetes në këtë kohë është ajo nga zhurmat e ndryshme. Heshtja dhe koha kushtuar asaj, me në dorë një pjesë të Shkrimit të Shenjtë, çdo ditë, në një orë të caktuar, qoftë edhe për 30 minuta, do të ishte një Kreshme e mrekullueshme. Të nisim nga pak e më pas mund të përjetojmë gjëra të bukura në zemrën tonë.