10.5 C
Tirana
HomeSocialeVeset dhe virtytet. Fëlligështia
HomeSocialeVeset dhe virtytet. Fëlligështia

Veset dhe virtytet. Fëlligështia

Katekezë 4.

PAPA FRANÇESKU

AUDIENCË E PËRGJITHSHME

Vëllezër e motra, mirëdita!

Sot ta dëgjojmë me vëmendje katekezën sepse më pas do të kemi cirkun që do të bëjë diçka këtu për të na argëtuar.

Vazhdojmë itinerarin tonë mbi veset dhe virtytet; Etërit e lashtë na mësojnë se, pas grykësisë, “demoni” i dytë, pra vesi, që struket gjithnjë pas derës së zemrës është ai i fëlligështisë. Ndërsa grykësia është makutëria ndaj ushqimit, ky ves i dytë është një lloj “makutërie” ndaj një personi tjetër, domethënë lidhja e helmuar që njerëzit mbajnë me njëri-tjetrin, veçanërisht në sferën e seksualitetit.

Kijeni mirë parasysh: në krishterim nuk ka një dënim të instinktit seksual. Një libër i Biblës, Kënga e Këngëve, është një poezi e mrekullueshme dashurie mes dy të fejuarve. Megjithatë, ky dimension kaq i bukur i anës sonë njerëzore, dimensioni seksual, dimensioni i dashurisë, nuk është pa rreziqe, aq sa shën Pali tashmë duhej ta trajtonte këtë çështje në Letrën e parë drejtuar Korintianëve. Ai shkruan kështu: «Gjithkund po dëgjohet se ndër ju ka fëlligështi, madje një fëlligështi të tillë, që nuk gjendet as ndër paganë» (5,1). Qortimi i Apostullit ka të bëjë pikërisht me një qasje jo të shëndetshme të seksualitetit nga disa të krishterë.

Por le të shohim përvojën njerëzore, përvojën e dashurimit. Këtu ka shumë të porsamartuar, ju mund të flisni për këtë gjë! Se pse ndodh ky mister dhe pse është një përvojë kaq përfshirëse në jetën e njerëzve, askush prej nesh nuk e di. Një person bie në dashuri me një tjetër, ndodh dashurimi. Është një nga realitetet më befasuese të ekzistencës. Shumica e këngëve që dëgjoni në radio ka të bëjë me këtë: dashuri që shkëlqejnë, dashuri që kërkohen gjithmonë dhe nuk arrihen kurrë, dashuri plot gëzim ose që të mundojnë deri në lot.

Nëse nuk fëlliqet nga vesi, dashurimi është një nga ndjenjat më të pastra. Një person i dashuruar bëhet bujar, kënaqet duke bërë dhurata, shkruan letra dhe poezi. Ndalon së menduari për veten për të qenë plotësisht e projektuar ndaj tjetrit, kjo është e bukur. Dhe nëse pyet një të dashur: “Për çfarë arsye dashuron?”, ai nuk do të gjejë një përgjigje: për shumë anë dashuria e tij është e pakushtëzuar, pa asnjë arsye. Duresë nëse ajo dashuri, kaq e fuqishme, është edhe pak naive: i dashuruari nuk e njeh vërtet fytyrën e tjetrit, priret ta idealizojë atë, është i gatshëm të bëjë premtime, peshën e të cilave nuk e rrokë menjëherë. Mirëpo, ky “kopsht” ku shumëfishohen mrekullimet, nuk është i sigurt nga e keqja. Ai shpërfytyrohet nga demoni i fëlligështisë dhe ky ves është veçanërisht i urryeshëm, të paktën për dy arsye.

Para së gjithash sepse shkatërron marrëdhëniet mes njerëzve. Fatkeqësisht, lajmet e përditshme mjaftojnë për ta dokumentuar një realitet të tillë. Sa marrëdhënie, që kanë filluar në mënyrën më të mirë, janë shndërruar më pas në marrëdhënie toksike,  zotërimi të tjetrit, pa respekt dhe pa kuptuar kufirin? Këto janë dashuri në të cilat ka munguar dëlirësia: virtyt ky që nuk duhet ngatërruar me abstinencën seksuale – dëlirësia është më shumë se abstinenca seksuale – por duhet të lidhet me vullnetin për të mos e zotëruar kurrë tjetrin. Të duash do të thotë të respektosh tjetrin, të kërkosh lumturinë e tij, të kultivosh empati për ndjenjat e tij, të njohësh një trup, një psikologji dhe një shpirt që nuk janë tonat e që duhen soditur për bukurinë që bartin. Kjo është dashuri, e dashuria është e bukur.

Fëlligështia, nga ana tjetër, tallet me të gjitha këto: fëlligështia bën pre, grabit, konsumon me ngut, nuk dëshiron të dëgjojë tjetrin, por vetëm nevojat dhe kënaqësitë e veta; fëlligështia e çmon të mërzitshme çdo njohje paraprake, nuk e kërkon atë sintezë mes arsyes, shtytjes dhe ndjenjës që do të ishte një ndihmë për ta udhëhequr ekzistencën tonë me urti. Njeriu i fëlligësht kërkon vetëm rrugë të shkurtra: nuk e kupton se rruga e dashurisë duhet të përshkohet ngadalë dhe kjo duresë, larg nga të qenurit mërzi, lejon që marrëdhëniet tona të dashurisë të sjellin lumturi.

Por ka një arsye të dytë pse fëlligështia është një ves i rrezikshëm. Mes të gjitha kënaqësive të njeriut, seksualiteti ka një zë të fuqishëm. Ai përfshin të gjitha shqisat, banon si në trup ashtu edhe në psikikë, dhe kjo është e bukur, por nëse nuk disiplinohet me duresë, nëse nuk rrënjoset brenda një marrëdhënieje dhe në një historie ku dy individë e shndërrojnë atë në një vallëzim dashurie, ai shndërrohet në një zinxhir që ia heq njeriut lirinë. Kënaqësia seksuale, e cila është një dhuratë e Hyjit, minohet nga pornografia: kënaqje e dëshirës pa një marrëdhënie, e cila mund të krijojë forma vartësie. Duhet ta mbrojmë dashurinë, dashurinë e zemrës, të mendjes, të trupit, dashurinë e pastër në dhurimin mes njëri-tjetrit. E kjo është bukuria e marrëdhënieve seksuale.

Fitimi i betejës kundër fëlligështisë, kundër “gjësimit” të tjetrit, mund të jetë një ndërmarrje që zgjat një jetë të tërë. Mirëpo, shpërblimi i kësaj beteje është më i rëndësishmi nga të gjithë, sepse bëhet fjalë për të mbrojtur atë bukuri që Hyji ka brendashkruar në krijimin e tij kur e përfytyroi dashurinë midis burrit dhe gruas, e cila nuk është për ta përdorur njëri-tjetrin, por për ta dashur njëri-tjetrin. Ajo bukuri që na bën të besojmë se të ndërtosh një histori së bashku është më mirë sesa të dalësh për gjah aventurash – ka shumë Don Zhuanë! –, të kultivosh marrëdhënie të ngrohta është më mirë sesa të përkulesh para demonit të zotërimit – dashuria e vërtetë nuk e shtie tjetrin në dorë, por dhurohet –, të shërbesh është më mirë sesa të nënshtrosh. Sepse nëse nuk ka dashuri, jeta është e trishtueshme, është vetmi e trishtueshme. Faleminderit.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme