10.5 C
Tirana
HomeDioqeza SapëImzot Simon Kulli dhe vizita baritore; “Të ecim së bashku...”
HomeDioqeza SapëImzot Simon Kulli dhe vizita baritore; “Të ecim së bashku...”

Imzot Simon Kulli dhe vizita baritore; “Të ecim së bashku…”

Në kuadër të Vizitës Baritore, që Imzot Simon Kulli, po zhvillon gjatë kësaj periudhe që nga Janari i këtij viti në dioqezën e Sapës, ditëve të fundit ka zhvilluar vizitën e tij në famullitë “Shën Shtjefni” – Blinisht dhe “Shën Jozefi” në Gjadër.

Fillimi i kësaj vizite përkoi me krezmimin e 20 të rinjëve dhe të rejave, në Kishën e “Martirëve Shqiptarë” në Blinisht, ku përmes këtij sakramenti morën përforcimin me Zotin dhe me Shpirtin Shenjt. “Të ecim së bashku”, kjo është edhe motoja e vizitës së ipeshkvit, nëpërmjet së cilës dëshiron që familja e tij dioqezane e Sapës historike dhe me plot vlera, të ketë një jetë plot fe, paqe e bekime prej Hyjit dhe të jetë në sintoni me dashurinë edhe ndaj njëri – tjetrit. Qëllimi i vizitës së ipeshkvit është që të njihet për së afërmi me jetën pastorale në famulli dhe me vetë besimtarët.

Në vizitën 5 ditore zhvilluar në këto dy famulli, Imzot Simoni është pritur nga famullitari Dom Alberto Galimberti dhe nga dy kongregatat e motrave “Mësueset Venerini” dhe “Punëtore të Vogla të Zemrave të Shenjta”, të cilët shërbejnë në këto famulli duke u kujdesur për këto besimtarë qoftë nga ana shpirtërore ashtu edhe nga ana sociale, edukative dhe kulturore.

Në emër të kësaj bashkësie famullitare dom Alberti i uroj mirëseardhjen ipeshkvit Imzot Simonit, dhe shprehi kënaqësinë e të gjithë besimtarëve të këtyre dy famullive, të cilët prej ditësh janë angazhuar për të pritur Atin e tyre shpirtëror, bariun e grigjës së Sapës, që në bashkëpunim me këshillin e Kishës dhe me motrat i rezervuan një pritje të ngrohtë e të përzemërt.

Sipas programit të përgatitur nga famullitari, gjatë pesë ditëve të qëndrimit në këto dy famulli, ipeshkvi ka zhvilluar takime të ndryshme me besimtarët, me Këshillin baritor me grupet e lutjeve që angazhohen në famulli, me bashkëpuntorët, katekistat, të rinjtë, legjionin e Marisë, me kryefamiljarët, me grupin e familjeve, me stafet pedagogjike të shkollave me të cilët Imzot Simoni është njohur më nga afër me realitetin dhe shërbimin e tyre.

Një takim të veçantë ka patur edhe me të sëmurët ku i ka vizituar nëpër shtëpitë e tyre, të cilët gjithmonë kanë nevojë për ndihmën e Zotit dhe të njeriut. Dhe është vlera e solidaritetit të të gjithëve që t’u gjendemi afër në ndihmë konkrete ndaj këtyre personave.

Gjatë kësaj vizite Imzot Simoni i ftoi të gjithë besimtarët e kësaj famullie që të ecim së bashku me njerëzit e zemrës, me familjen, me njëri-tjetrin dhe me të gjithë ato që na rrethojnë. Është kjo nxitje, ku dëshiron që në mbarë kishën lokale të ecim së bashku. Kur ecim së bashku jemi shumë më të fortë. Ne jemi ato që duhet ta dëshmojmë çdo ditë këtë model udhëtimi në jetë, të tregojmë këtë bukuri të jetës sonë të krishterë. Është detyrë e secilit prej nesh të rritemi në fe e të jemi të shenjtë.

Edhe me të rinjtë që janë e ardhmja e çdo vendi, Ipeshkvi ka dialoguar me to në lidhje me problematikat që hasin çdo ditë, por edhe i ka inkujaruar duke iu dhënë shpresë se edhe në vendin tonë është bukur të jetosh, dhe i porositi që  mos ta braktisin vendin e tyre.

Në qendër të të gjithë takimeve dhe diskutimeve kanë qenë prezantimi i gjendjes aktuale në famulli, arritjet e saj gjatë ungjillizimit si dhe problemet që hasen.

Një vizitë e veçantë nga ana e Imzot Simonit u rezervua edhe në kuvendin e Etërve dhe Motrave të Karmelit, që gjenden në këtë famulli, dhe është një pasuri jo vetëm për dioqezën e Sapës por për mbarë kishën në Shqipëri.

Vizita Baritore është zhvilluar në një atmosferë të ngrohtë e festive dhe me një pregatitje mjaft të mirë nga famullitari me bashkëpunëtorët e tij dhe me Motrat Stigmatine që shërbejnë në këtë famulli, të cilët janë busulla e drejtimit shpirtëror për besimtarët vendas.

Violeta Marashi

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme