HomeKISHKatekezë 4. Misteri eukaristik

Katekezë 4. Misteri eukaristik

Dokumentet e Koncilit II të Vatikanit. II. Kushtetuta Sacrosanctum Concilium.

Të dashur vëllezër e motra, mirëdita dhe mirë se erdhët!

Vazhdojmë katekezat mbi dokumentet e Koncilit II të Vatikanit, në veçanti mbi Kushtetutën Sacrosanctum Concilium (SC) mbi Liturgjinë.

Kur Shën Augustini dëshiron t’u shpjegojë të sapopagëzuarve misterin e Trupit të Krishtit, rimerr pjesën e Shën Palit që dëgjuam: «Ju jeni trupi i Krishtit dhe, secili sipas pjesës së vet, gjymtyrë e tij» (1 Kor 12,27). Dhe shton: «Ai që ju merri është misteri juaj. Asaj që jeni ju i përgjigjeni: Amen, dhe përgjigjja juaj është si nënshkrimi juaj. Ju thuhet: “Trupi i Krishtit”, dhe ju përgjigjeni: “Amen”. Jini, pra, gjymtyrë të trupit të Krishtit, që ameni juaj të jetë i vërtetë. […] Jini ajo që shihni dhe merrni atë që jeni» (Sermone 272: PL 38, 1247).

Menjëherë pasi kujton Darkën e Fundit të Jezusit, Kushtetuta mbi Liturgjinë flet për Eukaristinë me këto theksime augustiniane. Për të krishterët, të marrësh pjesë në tryezën e Zotit do të thotë, në të vërtetë, «të formohesh nga Fjala e Hyjit, të përtërihesh në tryezën e Trupit të Zotit, t’i falënderohesh Hyjit» (krh. SC, 48). Duke e marrë atë në Fjalën e tij dhe në Eukaristi, ne bëhemi ajo që marrim. Bëhemi Trupi, Kreu i të cilit është Krishti i ngjallur, i ulur në të djathtën e Atit (krh. Kol 1,18), i cili na përgatit një vend në qiell (krh. Gjn 14,3): kështu Eukaristia është sakramenti i Mbretërisë që vjen. Është Buka e rrugëtimit, që na udhëheq drejt Atdheut qiellor, deri në ditën e lume kur «Hyji do të jetë gjithçka në të gjithë» (1 Kor 15,28).

Asambleja liturgjike e ofron Flinë «jo vetëm përmes duarve të meshtarit, por edhe e bashkuar me të» (SC, 48). Në këtë perspektivë, Eukaristia është forma e flisë shpirtërore e të krishterëve (krh. Heb 13,16; Rom 12,1), si rrugë bashkimi me Hyjin dhe bashkimi ndërmjet tyre. Duke marrë pjesë në të, ata mësojnë «të ofrojnë vetveten dhe, nga dita në ditë, të përsosen, nëpërmjet Krishtit, në njësinë me Hyjin dhe ndërmjet tyre» (po aty). Kështu, duke na trupëzuar në Krishtin, Eukaristia na mëson që ta përvetësojmë stilin e jetës së vetë Zotit Jezus, të shënuar nga dhurimi falas i vetvetes. Prandaj, kjo dhuratë na fut në dinamikën e njësisë, e cila ofron një kundërhelm të fuqishëm ndaj tharmeve të përçarjes që gërryejnë botën tonë, bashkësitë tona, familjet tona, zemrën tonë (krh. SC, 47).

Shumë të dashur, kur marrim pjesë në Eukaristi, jemi të ftuar që të dëgjojmë Fjalën e Hyjit dhe të ushqehemi në tryezën e Zotit, ku Ai vetë i ofrohet Atit. Këto dy pjesë të Meshës, Liturgjia e Fjalës dhe Liturgjia eukaristike, «janë aq ngushtë të lidhura mes tyre, sa formojnë një akt të vetëm kulti» (SC, 56).

Sa i përket Fjalës, duhet kujtuar se nuk bëhet fjalë vetëm për të fituar një dije intelektuale mbi Shkrimet, por për të marrë Fjalën «e gjallë dhe vepruese» (Heb 4,12), që i drejtohet nga Hyji të gjithëve e njëkohësisht secilit; Fjalë që ushqen dhe mban në jetë së bashku me Bukën eukaristike dhe na bën të kalojmë nga rënia e mëkatit në jetën e re në Krishtin. «Eukaristia na hap ndaj kuptimit të Shkrimit të Shenjtë, ashtu si Shkrimi i Shenjtë, nga ana e tij, ndriçon dhe shpjegon Misterin eukaristik» (Benedikti XVI, Nxit. ap. Verbum Domini, 55).

Koncili Ekumenik II i Vatikanit kërkoi që thesaret e Biblës të hapeshin më gjerësisht, në mënyrë që besimtarëve t’u ofrohej me më shumë begati tryeza e Fjalës së Hyjit (krh. SC, 51). Reforma liturgjike e ka përkthyer këtë kërkesë në atë thesar që është Leksionari, domethënë libri që përmbledh të gjitha Leximet biblike për kremtimet liturgjike. Kjo gjerësi është nxjerrë nga burimi më i pastër i Traditës së gjallë, e cila bashkon besnikërinë ndaj traditës me hapjen ndaj një përparimi legjitim (krh. SC, 23).

Fillimi i kapitullit II të Kushtetutës mbi Liturgjinë është i gërshetuar me referime ndaj lumit të madh të Traditës, që shkon nga Etërit e Kishës deri te ne. Po e citoj: «Shpëtimtari ynë, në darkën e fundit, natën në të cilën qe tradhtuar, themeloi flinë eukaristike të trupit të vet dhe të gjakut të vet, për ta përjetësuar në shekuj deri në kthimin e tij flinë e kryqit, dhe për t’i besuar kështu nuses së vet të dashur, Kishës, përkujtimin e vdekjes së tij e të ngjalljes së tij: sakrament dashurie, shenjë njësie, lidhje dashurie , darkë pashkore, në të cilën merret Krishti, shpirti mbushet me hire dhe na jepet pengu i lavdisë së ardhshme» (SC, 47).

Të dashur vëllezër e motra, të nxjerrim hire me fe nga ky burim i jetës hyjnore dhe të lejojmë që të shndërrohemi nga misteri që kremtojmë.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme