HomeKISHTirana sërish në qendër të dialogut ndërfetar europian

Tirana sërish në qendër të dialogut ndërfetar europian

Përfaqësues nga shtatë vende europiane morën pjesë në programin “Shared Sacred Flourishig - Training of Trainers”.

Nga 20 deri më 24 korrik 2026, Tirana mirëpriti Forumin Rajonal Europian dhe programin e trajnimit “Shared Sacred FlourishingTraining of Trainers”, duke mbledhur përfaqësues të këshillave ndërfetarë, komuniteteve fetare, institucioneve publike, botës akademike dhe organizatave të shoqërisë civile nga Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Finlanda, Gjermania, Greqia, Italia dhe Spanja.

Programi u organizua nga Religions for Peace International, Religions for Peace Europe dhe European National Interreligious Bodies, në bashkëpunim me Këshillin Ndërfetar të Shqipërisë – Religions for Peace Albania, komunitetet fetare dhe partnerë kombëtarë e lokalë.

Ceremonia e hapjes u zhvillua në Sallën e Muzeut të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Të pranishmit i përshëndetën znj. Deepika Singh, Zëvendëssekretare e Përgjithshme e Religions for Peace International; Haxhi Dede Edmond Brahimaj, Kryetar i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë dhe Kryegjysh Botëror i Bektashinjve; H. Bujar Spahiu, Kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë; Fortlumturia e Tij Joani, Kryepeshkop i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë; Imzot Gjergj Meta, President i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë; Pastor Erion Sylari, Kryetar i Vëllazërisë Ungjillore të Shqipërisë; Klodjan Bulku, Kryetar i Komitetit Shtetëror për Kultet; si dhe Prof. Asoc. Dr. Genti Kruja, President i Religions for Peace Europe dhe Sekretar i Përgjithshëm i Këshillit Ndërfetar të Shqipërisë.

Gjatë pesë ditëve të programit u zhvilluan sesione trajnimi, dialogje shumëpalëshe dhe vizita studimore në Tiranë, Krujë dhe Shkodër, duke u ofruar pjesëmarrësve mundësinë për të shkëmbyer përvoja, për të thelluar bashkëpunimin ndërfetar dhe për të ndërtuar ura të reja dialogu.

Programi u shoqërua nga një serie takimesh institucionale të delegacionit të RFP Europe me drejtuesit e komuniteteve fetare në Shqipëri, si edhe me Presidentin e Republikës, me synimin për të forcuar dialogun ndërfetar, bashkëpunimin institucional dhe angazhimin e përbashkët në shërbim të paqes, kohezionit shoqëror dhe të mirës së përbashkët.

Trajnimi synoi t’u ofrojë pjesëmarrësve mjete dhe metoda praktike për ta kthyer dialogun ndërfetar në bashkëpunim konkret. Gjatë sesioneve u trajtuan tema si dinjiteti njerëzor, paqja, drejtësia sociale, ndërtimi i besimit ndërmjet komuniteteve dhe kujdesi për shtëpinë tonë të përbashkët, duke theksuar se sfidat e sotme kërkojnë përgjegjësi, solidaritet dhe veprim të përbashkët.

Një vend të rëndësishëm në diskutime zuri edhe përgjegjësia për kujdesin ndaj shtëpisë sonë të përbashkët, planetit ku jetojmë, si një angazhim për mbrojtjen e krijimit dhe mirëqenien e brezave të sotëm e të ardhshëm.

Forumi u mbyll duke riafirmuar se dialogu ndërfetar nuk është një qëllim në vetvete, por një mjet për të ndërtuar besim, për të nxitur bashkëpunimin dhe për t’u përballur së bashku me sfidat e përbashkëta të kohës. Pjesëmarrësit vlerësuan modelin shqiptar të harmonisë ndërfetare si një shembull frymëzues dhe shprehën gatishmërinë për të vijuar nisma të përbashkëta në shërbim të paqes, dinjitetit njerëzor dhe kujdesit për shtëpinë tonë të përbashkët.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme