Si rrallë në krijimtarinë poetike në botën tonë, mund të ndeshet këndimi aq i thellë i amësisë së fjalës, sikur se në veprat poetike të Anton Nikë Berishës: “Ujëvarë drite në zemër” [1], “Prushi i bukurisë” [2] dhe “Frymësi e fjalës” [3].
Me duhet të theksoj qysh në fillim, druajtjen që më përshkoi kur vendos t’i shkruaj disa fjalë hyrëse rreth botimit të katër shqip [4] të veprës “Ujëvarë drite në zemër” dhe botimit të tretë në italisht “Cascata di luce nel cuore” [5]. Shëmbëllen në druajtjen që e përcolli A. Chouraqui-in, kur iu qas shkrimit të Hyrjes së “Këngës së këngëve”. As nuk me shkon ndër mend të kapem me ato lartësi, por thjesht po sjell mendimin e tij si një drithërimë që më përcjell e që lypset t’i paraprijë edhe qasjes së çdo krijimi të mirëfilltë poetik, siç ndodh me frymëzimin e përflakjes poetike që si “prush i bukurisë” përshkon poezinë e Anton Nikë Berishës, ku druajtja sa vjen e shtohet. “Ti ndrydhesh (vargjet) përmes shënimeve sqaruese dhe referimeve – thoshte A. Chouraqui – a nuk është njësoj sikur t’ua marrësh atyre frymën? Fjalët qëndrojnë aty si zogj zjarri. E po si është e mundur, atëherë, që ato të mbyllen në kafaz? Çdo shpjegim rrezikon të përjashtojë një thellim më të saktë, më të njëmend, më të madh nga ai që propozohet. Cilado shkathtësi të përdoret s’bën tjetër, pos që bie në leqet e një rrjeti të nocioneve të kufizuara, e ku dashuria mbetët e mbyllur sikur pas shulit të një kuvlie, ajo që sipas vetë thelbit të saj është liri” [6].
Poezia lind si brezi i agimit që përflakë dhe kuqërron qiellin e tokën. Fjalë e përflakjes është brezi i poezisë. Ajo është bijë besnike e agimit të fjalës: “Fjala është lulja e vetme që lind në çdo çast, është një gur i çmueshëm, por i përbuzur, derisa të shfaqet e mbushur me dritë, dritën e një zjarri të fshehtë, ose pa zjarr fare, pasi që vetë drita e saj liron zjarrin. Fjala është në Agimin e përhershëm, është zbulesë dhe jo thjesht vetëm shfaqje, aq me pak është një shpërblim, një kurorë: po, një kryq mund të jetë” [7].
Gjiri i poezisë është amza e metaforës së lindjes. Metafora e lindjes nuk është një nimbus i të qenit, por është rrëfenja e saj. Poezia vigjilon gjendjen zanafillore të lindjes: “status nascens” [8]. Rrëfenja e lindjes është kënga e poezisë. “Si çdo vepër e mirëfilltë e artit, po ashtu edhe poezia, s’bën tjetër pos që shfaq: rrëfimin e lindjes së saj” [9].
Lindja vulos dashurinë e qenies. “Poezia ka qenë dhe është gjeja që i përket ‘mishit.’ Ajo përshkon rropullitë e mishit dhe thellësitë e amësisë. (…) Sfilitja e poezisë, si çdo gjë tjetër fisnike, përmban edhe ajo sfilitjen e saj – sepse edhe poezia, si çdo gjë fisnike, ka sfilitjet e saja – qëndron në besimin se rropullitë, pra thellësitë amnore e të brendshme të njeriut, duhej të shprehnin vetveten; se duhej të bërtisnin, të shpërthenin në paroksizëm; dhe kështu poezia mund të kthehej në atë shfaqje të zhveshur e të ashpër të asaj që nuk mund të bëhet fjalë, të asaj që mbetet bërtitje dhe rënkim, pra të parrëfyeshmes.” [10].
Fjala është fillesa e krijimit. Përmes saj gjërat zunë të emërohen dhe morën ndriçimin e tyre jetik:
Linde në sythin e amëzimit
Në nismë të frymësisë
Të dheut, të ujit, të erës,
Të rrjedhës së pafund –
Kur gjërat zunë të emërohen
Me ndriçimin tënd jetik [11].
Emri nuk e përcakton vetëm thelbin e të qenit, por shquan edhe grishjen – ftesën. Thelbi i të qenit shfaqet saktë kur i zbulohet edhe ftesa e tij.
Nëse të them palcë e të qenmit (…)
nuk do t’i them të gjitha (…)
Je grishje përshkëlqimi [12].
Qysh kur lindi fjala: “ajo lindi në funksion të dëshirës”. [13] Përmes shkëmbimit të fjalës sython metafora nusërore e dashurisë. Pa shkëmbimin e fjalës me tjetrin krijesa do mbetej memece dhe në shurdhësi të pafund:
Pa ty
dashuria
bëhet e pagojë
si zemra e dheut [14].
Duke kënduar “Katërmbëdhjetë pamjet e hirit hyjnor” Poeti përshkohet nga frymëzimi si nga një: “vrushkull ndriçimi i syrit të mëngjesit” [15]. Frymëzimi i poetit buron sidomos nga kundrimi i shpërthimit të agimit:
Fjalë – frymësi e ngjizur në lindjen e agimit
Etja ime zjarrndezur,
psherëtime dhembshurie
prush që djeg nga brenda…[16]
Pritja e lindjes së agimit, shquan dhuratën e zbulimit. Pritja është ëmbëlsimi i zbulimit dhe shfaqjes së dhuratës. Sikur “pritja e ëmbël” e nënës që ëmbëlson gjithë qenien e saj në pritje të lindjes, ashtu edhe pritja thellon vizionin të shfaqjes dhe të takimit.
Je zbulimi
dhe i bukurisë
së pritjes [17].
Në një varg tjetër poeti, rreth agimit, thotë:
Fjalë e shenjtë
Ti i flakëson agimet
dhe perëndimeve u jep jetë.
Je pagëzimi i shtegtimit të ditës (…)
“Je flakërim që shtrihet në humbëtirat e territ (…)
Paansia e kryqit tënd
Si pafundësia e yjve [18].
Hiri i shpërthimit të agimit: “cognitio matutina”[19] është preludi i amëzës mistike:
Je shpirti mistik
i secilës lindje [20].
Mjafton të kujtojmë Shën Gjonin e Kryqit dhe këngën e tij mbi: “Natën e errët të shpirtit”. Duke shpalosur mistiken e Shën Gjonit të Kryqit, Edit Stein heton se si asnjë poezi nuk e ka “tejkaluar këngën e errësirës së natës së shpirtit, ku shpirti takohet me të Dashurin e tij”[21].
Po shkëpus vetëm një varg nga kënga “Nata e errët e shpirtit” ku mistiku dhe poeti, shkruan:
O natë e errët që me drejtove!
O natë më e ëmbël se agimi!
O natë që të dashurin me të dashurën bashkove,
Që të dashurën në të Dashurin shndërrove [22].
Kurrë nuk do të kishim vatrën e përflakjes së mistikës së Shën Gjonit të Kryqit e as përflakjen e dashurisë së Shën Terezës të Kalkutës, po mos të ishte kremtimi i Vigjiljes së Ngjalljes. Shën Augustini e hetoi gjithë thelbin e përgjimit, kur thotë: “Duke përgjuar kremtojmë atë natë, në të cilën Zoti u ngjall dhe në mishin e tij përuroi për ne atë jetë (…), ku nuk do të ketë më as vdekje, as gjumë”[23].
Liturgjia e Kishës në Himnin “Exultet”, këndon:
“O natë, me të vërtetë e lumtur,
që vetëm ajo meritoi ta dinte kohën dhe orën
në të cilën Krishti u ngjall prej vdekjes” [24].
Agimi i kuqërruar është si përflakja zanafillore e Shpirtit mbi ujëra që përgatit mbarë krijesën në dasmë të dritës: “Bardhësia e ndezur e agimit, bën të hetosh se ajo është e përbërë nga një ujë që bëhet i dukshëm vetëm në çaste, si në krye të herës, kur mbi ujërat zanafillorë qëndronte Shpirti, duke e thekur krijesën për dasmë. Shenjë e përnjëmend e ftesës dasmore, qysh prej zanafillës, nga e cila vjen mbarë krijesa. E ky, Agimin që shohim, duke u shtrirë në këtë botë, na ngrit në dashurinë që lind dhe frytëzon, dashurin e parë nga e cila vjen mbarë universi që na rrethon, e që mund të bëhet – kanosje e rrezikut e ngritur prej rrethanave të dyshimit, ku jemi përplasur, pas errësimit zanafillor – gojë e një përjetësie pa dalje, gojë prej ferri, ku drita mbetet pa pushtet dhe një errësirë pa shfaqje. E Agimi besnik, duke përshkuar me krahët e tij të shtrirë, të gjitha metamorfozat dhe ndërrimet e nevojshme, pa u tërhequr kurrë nga hija e Shpirtit të Shenjtë, ky Agim bart me vete dritën që i shëlbon errësirat: dritën e papërfytyrueshme, dritën e vetme të gjakimit të zemrës së shqetësuar të çdo krijese, e vetmja që fal paqen” [25].
Fjala përflaket me zjarrin e lavdisë. Lavdia është thelbi i poezisë: “Opus gloriae.” [26]
Fjalë,
tempull i shenjtë i të thënit,
tehellim [27] i jetës
amëzuar nga Hyji [28].
Përmes lavdisë krijesa lartësohet në vetë gjirin e Hyjit dhe rropullitë e mishit tonë shugurohen me dritën e shenjtërisë së Shpirtit të Shenjtë, në po atë dashuri që Ati e do çdo krijesë:
Lutja është opus gloriae –
(dhe në vepër lavdie shndërrohet) –
dashuri e kristaltë nëpër kapërcyell të moteve
që i hap dyert e Shpirtit të Shenjtë:
është
zbulim i virgjër i Zotit
në loçkën e zemrës:
frymëzim përdëllues
rrënjëzuar në thellësi të shpirtit
me të cilët i do të tjerët
si e do Ati çdo krijesë [29].
Falë Mishërimit të Fjalës së Amshuar në kraharorin e Virgjrës Mëri edhe mishi ynë lartësohet përmes ngjalljes në gjirin e lavdisë së Hyjit:
Përmes teje
Hiri hyjnor
njësoi
qiell e tokë;
me frytin e barkut tënd
kohë tjetër filloi –
Origo mundi melioris [30].
Lutja është vatra e dashurisë. Përmes saj njeriu lartësohet në të rrahurat e dashurisë së Hyjit dhe përputhet me rrahjet e dashurisë së Tij:
Lutja nuk është
t’i kërkosh Hyjit
përmbushjen e një diçkaje vetjake,
siç kërkon fëmija i uritur gjirin e nënës
ose i varfri lëmoshë në rrugë;
të lutesh domethënë
t’i jepesh krejtësisht Hyjit:
zemrën tënde ta vësh në zemrën e Tij
e ta ngrohësh me të rrahurit e saj [31].
Duke vëzhguar dramën njerëzorë që luhej mbi kurrizin e shekullit në të cilin jetoi, poeti O. Mandelshtam-i, tha: “Kur buzët njerëzore s’kanë asgjë për të thënë, ato do të mbesin të ngjitura pas fjalës së fundit që do të thonë” [32].
Gjithë misioni i Shën Terezës së Kalkutës nuk ishte tjetër pos kungim me fjalën e të Kryqëzuarit: “Kam etje”. Qiellza e gojës së Fjalës së Amshuar në Kryq është e ngjitur pas fjalës: “Kam etje”.
Kam etje” të Tij
e ndryva në zemër
si udhërrëfyese të veprimit,
ndërsa plagët e trupit të gozhduar,
nxehtësi e përdiellësuar,
u bënë limfa e jetës sime [33].
Dramaturgu dhe filozofi i njohur, F. Hadjadj, duke e kundruar skëterrën e furrave të shkrumbimit nazist ndaj popullit hebre, në thirrjen e Shën Terezës së Kalkutës, hetonte se si fryma e dashurisë së saj duhet të arrinte edhe në ato vende, ku zihej fryma e asaj: “Në natën e këtij shekullit XX-të, të gjenocidit dhe ateizmit, ajo e cila gjakonte t’i donte të varfrit ndër me të varfër u detyrua, të themi ashtu, të braktisej – që fryma e dashurisë e saj të arrinte edhe aty, ku ngulfatej” [34].
Testamenti i vetëm i denjë për t’u besuar i poetit, Anton Nikë Berisha, është ofshama e tij përgjëruese që si peng ka dashurinë e hapjes ndaj fjalës:
Ju përgjërohem
në emër të Hyjit e të njeriut
mos i burgosni fjalët
se Përmbytje e Madhe
do ta ndieni në thellësinë e shpirtit [35].
Në mbyllje mund të them se botimi i ri i veprës “Ujëvarë drite në zemër” – shqip dhe me përkthimin italisht – me artin e saj dhe me mënyrën si u qaset dhe i shpreh thellësitë e dukurive, bëhet një ujëvarë e ngrohtësisë, e prehjes dhe e pasurimit shpirtëror të lexuesit.
Poezia e Anton Nikë Berishës rrëfen dhe shfaq banimin e fjalës në thellësitë e rropullive që tejfiguron të qenit e njeriut përmes ofshamave të parrëfyeshme.
[1] A. N. BERISHA, Ujëvarë drite në zemër, Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze – Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, Faik Konica Prishtinë – Kuvendi Françeskan Gjakovë 2019.
[2] Shih: A. N. BERISHA, Prushi i bukurisë. Përsiatje poetike për artin e fjalës, Gjilan 2020
[3] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës. Poezi, Argeta LMG 2016.
[4] Botimi i parë shqip: Ujëvarë drite në zemër. Katërmbëdhjetë pamje të hirit hyjnor të Agneze Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, “Argeta – LMG”, Tiranë 2009. Botimi i dytë nga e njëjta shtëpi botuese 2010. Botimi i tretë – botimi gegnisht. Misioni Françeskan, Tuz 2014.
[5] Botimi i parë italisht Cascata di luce nel cuore. Quattordici immagini sulla Grazia Divina di Agnese Gonxhe Bojaxhiu – Madre Teresa, Traduzione di Enina Nishani, rivista da Domenico Corradini H. Broussard. Luigi Pellegrini Editore. Cosenza, 2010. Botimi i dytë më 2012 nga i njëjti botues.
[6] A. CHOURAQUI, Il Cantico dei Cantici e introduzione ai Salmi, Roma 1980, f. 24.
[7] M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, Marietti, Bologna 2020, f. 95.
[8] M. ZAMBRANO, Filosofia e poesia, Edizioni Pendragon, Bologna 2010, f. 130.
[9] P. BEAUCHAMP, Stili di compimento. Lo Spirito e la lettura nelle Scritture, Cittadella Editrice, Assisi 2007, f. 26.
[10] M. ZAMBRANO, La confessione come genere letterario, Milano 2018, f. 90.
[11] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 11.
[12] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 14.
[13] P. BEAUCHAMP, Sami notte e giorno, Assisi, 1980, f. 155.
[14] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 25.
[15] A. N. BERISHA, Ujëvarë drite në zemër, f. 11.
[16] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 16.
[17] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 16.
[18] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 15.
[19] H. U. VON BALTHASAR, Stili laicali. Dante, Giovanni della Croce, Pascal, Hamann, Solov’ëv, Peguy, në Gloria. Una estetica teologica, Vol. III, Jaca Book, Milano 2017, f. 134.
[20] A. N. BERISHA, Prushi i bukurisë, f.35.
[21] E. STEIN, Kreuzeswissenschaft. Stüdie über Joanes A Cruce, Herder Verlag, Freiburg 1954, përkthimi kroatisht nga Pavao Badurina: E. STEIN, Znanost Križa, Kršćanska Sadašnjost, Zagreb 1983, f. 29.
[22] SHËN GJONI I KRYQIT, Nata e errët e shpirtit, përkthimi në shqip nga Luket Hasaj. Botime Françeskane, Shkodër 2009, f. 23.
[23] SHËN AUGUSTINI, Sermo Guelferbytanus, 2, 552, cituar sipas; Liturgjia e Orëve I, Qendra Don Bosko Tiranë – Shkodër – Prishtinë 2006, f. 39.
[24] MESHARI ROMAK, f. 279.
[25] M. ZAMBRANO, Dell’Aurora, f. 149.
[26] L. A. SCHÖKEL, Manuale di poetica ebraica, Editrice Queriniana, Brescia, 1989, f. 120
[27] Në ebraisht: lavd, himin lavdërimi, psalm.
[28] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 18.
[29] A. N. BERISHA, Ujëvarë drite në zemër, f. 35.
[30]A. N. BERISHA, Ujëvarë drite në zemër, f. 68.
[31] A. N. BERISHA, Ujëvarë drite në zemër, f. 34.
[32] O. MANDEL’SHTAM, Tristia et autres poemës, Gallimard, coll. “Poètes ruses contemporains, 1975, f. 169. Cituar sipas P. BEAUCHAMP, L’uno e l’altro testamento 2. Compiere le Scritture, Glossa, Milano 2023, f. 91. “Vaj medet, të kanë thyer kurrizin, shekulli im i shkretë (…) duke përqeshur ndaj engjëjve, i brishtë dhe i egër si një bishë, i shkathtë një kohë, shih mbi shpinën tënde gjurmët e hapave të tu”. Po aty, f. 92.
[33] A. N. BERISHA, Ujëvarë drite në zemër, f. 27t.
[34] F. HADJADJ, La fede dei Demoni ovvero dell’ateismo, Casa Editrice Marietti, Genova – Milano 2010, f. 246.
[35] A. N. BERISHA, Frymësi e fjalës, f. 30.

