4.5 C
Tirana
HomeKISHHistoria magjepsëse e origjinës së Rruzares së Shenjtë
HomeKISHHistoria magjepsëse e origjinës së Rruzares së Shenjtë

Historia magjepsëse e origjinës së Rruzares së Shenjtë

Lutja. Moment heshtjeje, moment meditimi, moment reflektimi

Lutja. Moment heshtjeje, moment meditimi, moment reflektimi. Moment, një fjalë që thotë kaq shumë, me kaq pak germa, e që vjen nga latinishtja momentum, nga movēre që do të thotë “të lëvizësh, lëvizje”. Ky term duket vërtet i përshtatshëm për lutjen, domethënë të lëvizësh shpirtin, zemrën kah Zoti. Edhe pse në lutje qëndrojmë pa lëvizur, ajo ka – në nënshtresën e saj – aftësinë për të na bërë që të lëvizim drejt Diçkasë. Për ata të besimit të krishterë, ajo Diçka ka emra të mirëpërcaktuar: Hyj, Jezus, Maria.

Rruzarja e Shenjtë është ajo lutje që na vendos “në bashkim të gjallë me Jezusin përmes – mund të themi – Zemrës së Nënës së tij. Në të njëjtën kohë zemra jonë mund të përfshijë në këto dhjetëshe të Rruzares të gjitha faktet që përbëjnë jetën e individit, të familjes, të kombit, të Kishës dhe të njerëzimit. Ngjarjet personale dhe ngjarjet e të tjerëve dhe, veçanërisht, të atyre që janë më të afërt me ne, që i kemi më përzemër. Kështu lutja e thjeshtë e Rruzares rreh me ritmin e jetës njerëzore”. Me këto fjalë e përmblidhte shën Gjon Pali II lutjen e pesë-dhjetësheve të “Të falemi Mari” në letrën e tij apostolike “Rosarium Virginis Mariae” (2002).

Por nga vjen kjo lutje e lashtë? Ndërsa përshkruajmë origjinën e saj, duhet të kthehemi pas, në atë lulëzim të shfaqjeve të reja të përshpirtjes ndaj Virgjërës, të Kishës së shekullit XII. Praktikat – kryesisht fillestare, popullore, përshpirtje – për të cilat më së shumti kontribuuan murgjit cistercianë dhe më pas, që nga fillimi i shekullit pasardhës, Urdhrat e mëdhenj “mendikant [lypës]”, u përvetësuan në betejat e tyre të vështira kundër herezive. Por, në krye të herës, duhet saktësuar se aty janë Psalmet, 150 Psalmet e Traditës së Psalterit. Në fund të fundit, lutja e tyre – me një prejardhje të qartë hebraike – është vazhduar gjithmonë te të krishterët dhe është bërë sipas një skeme të shpërndarë për gjatë gjithë javës dhe në alternimin e psalmeve nga dita në ditë. Mirëpo, psalteri ishte një lutje e lëvruar, e destinuar për ata që dinin të lexonin latinisht, Biblën. Po analfabetët si ta lusnin atë? Më pas u gjet zgjidhja për ta zëvendësuar atë me të luturit e 150 lutjeve më të shkurtra dhe më të lehta, ndër këto – mbi të gjitha – “Ati ynë”. Por më vonë (sidomos në shekullin XII), do të bëhet protagoniste lutja “Ave Maria [Të falemi Mari]”, e cila do të alternohej me lutjen e “Pater noster [Ati ynë]”.

Kështu, në shekullin e 13-të, u formua zakoni i përsëritjes së shpeshtë të një sekuence prej 50 ose 150 Ave Maria, të shoqëruara me gjunjëzim dhe të ndërthurura me Ati ynë. Në atë kohë Rruzarja nuk quhej ende me këtë emër. Ajo tregohej si “Psalteri i Virgjërës së Bekuar”. Në këtë mënyrë, së bashku me lutjen e Psalterit “zyrtar” të njëqind e pesëdhjetë psalmeve, ose nëse duam – të kuptohemi – atë të “lëvruar”, më në fund njerëzit mund të kishin “Psalterin” e tyre, i cili së bashku me “Laudi spirituali – Lavdet shpirtërore”, thuhej/lutej sidomos nga të kushtuarit nëpër bashkësi. Më pas, për ta bërë më të lehtë lutjen, u adoptua “rruzarja”, e cila tashmë ekzistonte si një mjet për përshpirtje të tjera.

Padyshim historia e Rruzares është e lidhur me figurën e shën Domenikut, themeluesit të Urdhrit të Fretërve Predikues, atë që ne të gjithë e njohim si “Urdhri Domenikan”. Sipas tregimit të të Lumit Alano della Rupe, shën Domeniku, gjatë qëndrimit të tij në Tolozë në vitin 1212, pati një vizion të Virgjërës Mari dhe mori dorëzimin e objektit të çmuar: Rruzaren. Lutja e tij për të pasur një “mjet” për të luftuar herezinë albigensiane, pa dhunë, ishte pranuar.

Gjithmonë sipas historisë së të Lumit Alano della Rupe, teksa ishte duke predikuar në Spanjë (1213-1214) me vëllain e tij Bernardo, ai u rrëmbye nga piratët. Natën e Lajmërimit të Marisë (25 mars), një stuhi po shkatërronte anijen ku ndodheshin dy fretërit. Ndërhyrja-shfaqja shpëtuese e Zojës që e shtyu Domenikun të bashkohej me Vëllazërinë e Rruzares, qe e vetmja mënyrë shpëtimi nga vdekja e sigurt e ekuipazhit.

Ishte e nevojshme që ta kujtonim këtë shenjt, shën Domenikun, por duhet saktësuar se zhvillimi i lutjes ndaj Nënës së Hyjit kishte etapa të ndryshme. Në vitin 1400, elementët e dy lutjeve themelore, Ave (formula e plotë siç e njohim tani, u zhvillua rreth vitit 1350) dhe “Pater noster”, do të prireshin të përziheshin gjithnjë e më shumë. Në mjedisin çertozin, ndodhin dy ngjarje vendimtare për lindjen e asaj që më vonë do të jetë Rruzarja, në formulën që ne përdorim edhe sot: psalteri i 150 “Ave” do të ndahet në 15 dhjetëshe, të paraprira nga një Pater. Më pas, do të propozohej një Rruzare e pandërprerë prej 50 Ave, secila e ndjekur nga 50 të ashtuquajturat “klauzola” të cilat paraqitnin momentet më të rëndësishme të jetës së Jezusit, pra, “misteret” siç i quajmë. Ndërmjet viteve 1435 dhe 1445, Domenico Hélion (i quajtur edhe Domenico il Prussiano ose Domenico di Trèves) krijoi për çertozianët flamingë, 150 klauzola të ndara në tre seksione, që përkojnë me Ungjijtë e fëmijërisë së Krishtit, të jetës publike dhe të Mundimit-Ngjalljes.

Një tjetër emër i rëndësishëm për përhapjen e lutjes mariane më të shquar ishte ai i Fra Alano de la Roche (1428-1475), një domenikan, i cili do të themelojë një vëllazëri në veri të Francës për përshpirtjen dhe përhapjen e “Salterium Mariae”. Pas de la Roche, Rruzarja (tanimë do të quhet vetëm kështu) do të përhapej me shpejtësi në të gjithë Evropën dhe së shpejti do të gjente strukturën e saj fikse, të ratifikuar solemnisht nga Papa Piu V. Pikërisht falë këtij pape kemi dy dokumente të rëndësishme: bullën “Consueverunt Romani Pontifices” (1569) dhe bullën “Salvatoris Domini” (1572) në të cilin Kisha njohu fuqinë e Rruzares, ndërmjetësimin e Marisë, fitoren kundër turqve në betejën e Lepantos. Dhe, në kujtim të kësaj ngjarjeje, në konçistorin e 17 marsit 1572, Papa më në fund shprehu dëshirën për të krijuar një “Commemoratio Sanctae Mariae de Victoria” për t’u kremtuar më 7 tetor; ditë e cila më pas do t’i kushtohet “Zojës Rruzare”.

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme