20.5 C
Tirana
HomeKISHHAPA TË RINJ PËR NJË KISHË SINODALE NË EVROPË
HomeKISHHAPA TË RINJ PËR NJË KISHË SINODALE NË EVROPË

HAPA TË RINJ PËR NJË KISHË SINODALE NË EVROPË

Komunikata përfundimtare e punimeve e të Asamblesë Plenare 4

Asambleja plenare e CCEE-së u zhvillua në Maltë nga 27 deri më 30 nëntor me ftesë të arqipeshkvit të Maltës, Charles J. SCICLUNA. Presidentët e Konferencave Ipeshkvore, të bashkuar në Këshillin e Konferencave Ipeshkvore të Evropës, rrahën çështje lidhur me zhvillimet e Sinodit, me një vëmendje të veçantë ndaj shërbesës së ipeshkvit në një Kishë sinodale dhe rolit të organizimeve mbikombëtare.

Në hyrjen e tij, arqipeshkvi Gintaras GRUŠAS, President i CCEE-së, ravijëzoi disa nga sfidat sinodale të kontinentit; nënvizoi angazhimin e ipeshkvijve për një Kishë gjithnjë e më sinodale, sikurse është kërkuar nga Papa Françesku; nxorri në pah angazhimin e Kishave evropiane në luftën kundër abuzimit, duke ripërsëritur detyrën për t’i kundërshtuar ato me veprime konkrete dhe efektive parandaluese.

Ndër sfidat me të cilat përballet Kisha janë vënë në dukje mbrojtja e jetës dhe dinjitetit njerëzor, protagonizmi i të rinjve, valët e reja të migrimit, persekutimi i fshehur i të krishterëve në Evropë dhe frontet e rinj të inteligjencës artificiale. Sfida më e madhe mbetet ajo e ungjillëzimit, për të shpallur në një Evropë të tunduar gjithnjë e më shumë nga shekullarizmi, fundamentalizmi dhe nacionalizmi populist, gëzimin e Ungjillit që buron nga takimi me Krishtin.

Ipeshkvijtë evropianë panë gjithashtu me shqetësim skenarët e luftës: atë në Ukrainë që është tashmë në vitin e dytë, situatën në “Nagorno Karabakh” dhe konfliktin në Tokën e Shenjtë, duke përsëritur jo-në e tyre ndaj luftës dhe duke ripërtërirë apelin për një armëpushim përfundimtar, për të vazhduar me lirimin e pengjeve dhe për të mbajtur të hapur korridoret humanitare në Gaza.

Gjatë seancës plenare, kardinali Mario GRECH, sekretar i përgjithshëm i Sinodit, trajtoi temën e shërbesës ipeshkvore në një Kishë sinodale, ndërsa kardinali Jean-Claude HOLLERICH, SJ, relator i përgjithshëm i Sinodit, foli për rolin e strukturave mbikombëtare në rrugëtimin sinodal. Kardinali Grzegorz RYŚ, arqipeshkëv i Łódź, paraqiti raportin e grupit të punës për përditësimin e Charta Œcumenica, dokumenti i bashkëveprimit mes Kishave të krishtera në Evropë, i nënshkruar nga CCEE-ja dhe CEC në 2001.

Në përfundim të punimeve, ipeshkvijtë vendosën në unanimitet për transferimin e selisë së CCEE-së nga San Gallo (Zvicër) në Romë gjatë vitit 2024 dhe, në të njëjtën kohë, shprehën mirënjohje për Kishën në Zvicër, dhe në veçanti për dioqezën San Gallo, për mirëpritjen dhe bujarinë me të cilën kanë shoqëruar punën e Sekretariatit të CCEE-së në gjithë këto vite. Anëtarët e CCEE-së zgjatën edhe për një vit mandatin e dom Martin MICHALIČEK si sekretar i përgjithshëm i CCEE-së, detyrë në të cilën u thirr në vitin 2018.

Asambleja plenare e radhës do të mbahet në Beograd nga 24 deri më 27 qershor 2024, me ftesë të arqipeshkvit Ladislav NEMET, Zëvendës President i CCEE-së.

Valeta, 30 nëntor 2023

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme