Mons. George Frendo O.P.
Më kujtohet një kohë, para Koncilit të Dytë të Vatikanit, kur madje edhe kremtimet liturgjike të krijonin përshtypjen se të krishterët e devotshëm duhej të ishin të ngrysur. Kjo e shtyu Friedrich Nietzsche të komentonte se “nxënësit e Jezusit duhej ta tregonin veten më të shëlbuar”.
Nxitja Apostolike e Papa Françeskut mbi Ungjillizimin e Ri fillon pikërisht me fjalët Evangelii Gaudium. Evangelium do të thotë “lajm i mire”. Në këtë Nxitje Papa Françesku vë me të drejtë në dukje se “ka të krishterë jeta e të cilëve duket si Krezhme pa Pashkë.”
E megjithatë edhe në kohën e Kreshmëve kemi një të diel që quhet “e Diela Laetare” (Gëzohu), që na kujton se thelbi i periudhës së Krezhmeve, me theksin që vë tek kthimi dhe pajtimi, është lajm i mirë, lajm për kthimin në shtëpinë e Atit. Dhe rrugëtimi ynë gjatë asaj periudhe Krezhme nuk përfundon në malin e Kalvarit te kryqi i Jezusit. Ai përfundon te kopshti ku, afër një varri të hapur dhe bosh, do të dëgjojmë zërin e ëmbël të Jezu Krishtit që na drejtohet me emër ndërsa kthehemi drejt tij dhe përgjigjemi: Rabuni!
Tomë Akuini e përkufizon gëzimin si ngazëllimin që ngjall zotërimi i një të mire. Dhe ai pohon se gëzimi nuk është virtyt, por është pasojë e dashurisë. Unë nuk mund ta korrigjoj Shën Tomën, por do të më pëlqente të thosha se gëzimi është pasojë e shpresës.
Nga një studim i kryer më 1995 nga Michael Rutter dhe David Smith (Çrregullimet Psikologjike tek të Rinjtë) rezulton se gjatë 40 vjetëve që i kishin paraprirë këtij studimi ishin rritur ndjeshëm rastet e depresionit, të çrregullimeve psiko-shoqërore, të përdorimit të substancave narkotike dhe alkoholit, si dhe të vetëvrasjeve në radhët e të rinjve. Më lejoni të shtoj se shtimi i numrit të vetëvrasjeve mes të rinjve të këtij vendi, gjatë pesëmbëdhjetë vjetëve të shkuar, është alarmues. E akoma më shqetësues është fakti tragjik se mes të vetëvrarëve ka fëmijë të moshës tetë deri dhjetë vjeç. Përse dikush vendos të kryejë vetëvrasje? Pikërisht sepse ka humbur çdo shpresë. Shpresa nuk lind optimizëm, por lind kurajo që na mundëson t’u bëjmë ballë edhe situatave të vështira. Qe shpresa ajo që e bëri Shën Palin të ngazëllente edhe pse i prangosur në burg dhe që e shtyu t’u thoshte Filipianëve të galdonin me të në Zotin.
Dhe mendoj se do t’ju ndihmonte nëse ju lexoj një pasazh nga libri i Paul Tillich Qenia e Re: “Zbrazëtia është mungesa e lidhjes me sendet, personat dhe domethëniet; madje është edhe mungesa e lidhjes me vetëveten. Prandaj përpiqemi t’i largohemi vetëvetes dhe vetmisë, por pa arritur të krijojmë me të tjerët dhe botën e tyre një marrëdhënie të mirëfilltë. Dhe i përdorim ata për një lloj kënaqësie që mund të quhet ‘qejf’. Por nuk është si qejfi kreativ që shpesh shoqëron dëfrimet; përkundrazi, është një mënyrë ‘të bëri qejf’ e cekët, hallakatëse dhe lakmitare. Dhe nuk është rastësore që kjo lloj zbavitjeje komercializohet lehtë, sepse ka ecuri të parashikueshme, pa pasion, pa rrezik, pa dashuri. Nga të gjitha kërcënimet që i kanosen qytetërimit tonë, ky është një nga më të rrezikshmit: t’i vidhesh zbrazëtisë me anë të një ‘qejfi’ që e bën gëzimin të pamundur” (The New Being, fq. 146-7).
Pika e fundit që do të doja të përmendja ka të bëjë me detyrën që kemi për ta përhapur gëzimin tonë. Ka raste kur gëzimi që ndajmë me të tjerët i shëmbëllen një karikature gëzimi. Është ‘qejf’, jo gëzim.
Zoja ndjeu nevojën për ta ndarë gëzimin e vet me Elizabetën. Shën Pali e ndau gëzimin e vet me Filipianët. E lumja Terezë këmbengulte shpesh me motrat e veta: “Dhuroni buzëqeshje”. Sepse buzëqeshja tregon se ti e pranon tjetrin dhe po ndan me të gëzimin që ke. Kardinali Suenens shkruan se “buzëqeshja është një rreze vezulluese prej fytyrës së Hyjit; të buzëqeshësh është njëlloj sikur t’i shohësh të tjerët me sytë e Hyjit”.
Shpirti Shenjt na ndriçoftë për të zbuluar visaret e gëzimit të krishterë dhe për të gjetur mënyra për përhapjen e këtij gëzimi.