Nga Imzot George FRENDO
Anglezët thonë: “Long faces do not make saints” (“fytyra të mërzitura nuk bëjnë shenjtër”). Shkrimi Shenjtë flet shpesh për gëzim: “Shërbeni Zotin me hare” (Ps 99), “Gëzohuni në Zotin” (Letra drejtuar Filipianëve). Paul Tillich thotë: “Për njerëzit e Besëlidhjes së Vjetër dhe të Besëlidhjes së Re, mungesa e gëzimit është pasoja e ndarjes së njeriut nga Perëndia, ndërsa përvoja e gëzimit është fruti i pajtimit me të”.
Jezusi e quajti mesazhin e vet “lajm i mirë”, dhe i fton të mërziturit dhe të braktisurit që të shkojnë tek ai, “dhe unë do t’ju çlodh” (Mt 11, 28). Është shumë domethënëse lutja që Jezusi i drejtoi Atit qiellor: “Të madhëroj, o Atë, Zotërues i qiellit e i tokës, pse ua fshehe këto të urtëve e të mençurve e ua zbulove të vegjëlve!” Ungjilltari na thotë se Jezusi bëri këtë lutje “nën ndikimin e Shpirtit Shenjt” dhe “plot hare”. Lutja nuk është një monolog, por hapja e zemrës për Zotin, që nuk vjetërohet kurrë dhe që është burimi i gëzimit që nuk perëndon; është një qëndrim ku njeriu ndihet më shumë pasiv sesa aktiv, që përgatit njeriun për t’i shërbyer Zotit me gëzim.
Gëzimi është dashuri, madje një dashuri që shprehet në buzëqeshje. Në shumë shkrime dhe fjalime e Shën Tereza e Kalkutës fliste për vlerën e buzëqeshjes. Shpesh-herë u thoshte motrave: “Give a big smile – Jepni një buzëqeshje të madhe”. Dëshiroj këtu të përmend fjalët e Kardinalit Suenens: “Të buzëqeshesh do të thotë t’i shikosh të tjerët me sytë e Krishtit. Një buzëqeshje është një rreze ndriçuese nga fytyra e Zotit”.
Ka shkruar Nënë Tereza: “Ne nuk dimë sa shumë mirë mund të bëjë një buzëqeshje!” Dhe përsëri: “Të jemi të gatshëm për të shndërruar një buzëqeshje. Buzëqeshja është prologu i dashurisë”. Vërtet, një buzëqeshje e sinqertë është shenjë që kemi pranuar atë person. Para shumë vitesh një mjek holandez ka shkruar një ese mbi buzëqeshjen e parë të një fëmije. Nëna qëndron afër djepit të fëmijës së vet, me buzëqeshje flet me të, flet me të edhe pse fëmija nuk kupton asgjë, megjithatë arrin dita kur fëmija përgjigjet me një buzëqeshje. Buzëqeshja e parë e fëmijës është përgjigja e saj për përkujdesjen e s’ëmës, kinse po thotë: “Po, e di se jam pranuar, jam dashur, ndihem i rrethuar nga dashuria!”
Por gëzimi nuk do të thotë një jetë krejt pa përvojë pikëllimi. Gëzimi dhe pikëllimi bashkë-ekzistojnë në jetën e krishterë, sepse pikëllimi, vuajtja, nuk e prish shpresën. Pra mund të kuptojmë pse vetë Jezusi, vetëm pak orë para arrestimit të tij, u tha apostujve fjalë si: “Jua thashë këto që gëzimi im të jetë në ju e gëzimi juaj të jetë i plotë” (Gjn 15, 11); “Askush s’do t’jua marrë gëzimin tuaj” (16, 22); “Jua thashë këto që ta keni paqen në mua… Unë e munda botën” (16, 33). Mund të kuptojmë pse shën Pali, i lidhur me zinxhirë në burg, shumë herë u përsërit Filipianëve fjalët: “Gëzohuni në Zotin”.
Dëshiroj të mbaroj këtë fjalim duke cituar përsëri nga shkrimet e Shën Terezes së Kalkutës : “Mënyra më e mirë për të treguar mirënjohjen tonë ndaj Perëndisë dhe ndaj popullit është të pranojmë gjithçka me gëzim. Një motër e lumtur është si drita e dashurisë së Hyjit, shpresa e lumturisë së amshuar, flaka e dashurisë që digjet”.