31.5 C
Tirana
HomeKISHFormat e lutjes
HomeKISHFormat e lutjes

Format e lutjes

Shpirti Shenjt, që e mëson Kishën dhe i kujton asaj gjithçka që ka thënë Krishti, e edukon atë edhe për jetën e lutjes, duke nxitur shprehje që ripërtërihen në gjirin e formave të përhershme: bekim, kërkesë, ndërmjetësim, falënderim dhe lavdërim. Lexim të këndshëm…

1.Bekimi dhe adhurimi

2626 Bekimi shpreh orientimin e thellë të lutjes së krishterë: ai është takim i Hyjit dhe i njeriut; në të, dhurata e Hyjit dhe pranimi i njeriut, thërrasin njëra-tjetrën dhe bashkohen. Lutja e bekimit është përgjigjja e njeriut ndaj dhuratave të Hyjit: meqenëse Hyji bekon, zemra e njeriut mund të përgjigjet duke bekuar atë që është burimi i çdo bekimi.

2627 Dy forma themelore e shprehin këtë orientim: nganjëherë bekimi ngrihet, i mbartur, në Shpirtin Shenjt, nga Krishti drejt Atit (e bekojmë sepse na ka bekuar); nganjëherë kërkon hirin e Shpirtit Shenjt që, nëpërmjet Krishtit, zbret nga Ati (është ai që na bekon).

2628 Adhurimi është qëndrimi shpirtëror themelor i njeriut që e njeh veten krijesë përpara Krijuesit. Ai lartëson madhërinë e Zotit që na ka krijuar dhe gjithëpushtetësinë e Shpëtimtarit që na çliron nga e keqja. Është përulja e thellë e shpirtit përpara «Mbretit të lavdisë» dhe heshtja plot respekt përpara Hyjit, që është «gjithmonë më i madh se ne». Adhurimi i Hyjit tri herë i Shenjtë dhe tejet i dashur, na mbush me përvujtëri dhe u jep siguri kërkesave tona.

2.Lutja e kërkesës

2629 Fjalori i kësaj lutjeje është i pasur me ngjyrime në Besëlidhjen e Re: kërkim, përlutje, kërkim me ngulm, thirrje në ndihmë, përgjërim, klithje madje edhe «luftim në lutje». Por forma e saj më e zakonshme dhe më e natyrshmja është kërkesa: pikërisht me lutjen e kërkesës ne shprehim vetëdijen e marrëdhënies sonë me Hyjin: si krijesë, ne nuk jemi fillimi ynë, nuk jemi zotër të fatkeqësive e as nuk jemi qëllimi ynë i fundit; madje, për më tepër, duke qenë mëkatarë, ne, si të krishterë, e dimë që largohemi nga Ati. Kërkesa është një kthim tashmë tek ai.

2630 Besëlidhja e Re nuk përmban lutje ankimi, të cilat janë aq të dendura në Besëlidhjen e Vjetër. Tashmë, në Krishtin e ngjallur, kërkesa e Kishës mbështetet nga shpresa, megjithëse jemi ende në pritje dhe na duhet të kthehemi çdo ditë. Nga thellësi krejt të tjera buron kërkesa e krishterë, ajo që shën Pali e quan gjëmim: ai i krijimit «në dhimbjet e lindjes» (Rom 8,22); por edhe yni, në pritjen e «shëlbimit të trupit tonë. Vërtet, kemi qenë shëlbuar, por në shpresë» (Rom 8,23-24); së fundi, «gjëmimet e pashprehshme» të vetë Shpirtit Shenjt, i cili «ndihmon në paaftësinë tonë, sepse ne nuk dimë as çka të kërkojmë» (Rom 8,26).

2631 Kërkesa e faljes është lëvizja e parë e lutjes së kërkesës (krh. tagrambledhësi: «O Hyj, ki mëshirë për mua mëkatarin!», Lk 18,13). Ajo është kusht paraprak i një lutjeje të drejtë dhe të pastër. Përvujtëria besimplotë na vendos në dritën e bashkimit me Atin, me Birin e tij, Jezu Krishtin, dhe me njëri-tjetrin: atëherë «çkado që të kërkojmë, prej Tij e marrim» (1 Gjn 3,22). Kërkesa e faljes është akti paraprak i liturgjisë eukaristike si dhe i lutjes personale.

2632 Kërkesa e krishterë bazohet në dëshirën dhe në kërkimin e Mbretërisë që vjen, në përputhje me mësimin e Krishtit. Ndër kërkesa ka një hierarki: para së gjithash kërkohet Mbretëria, pastaj ajo që është më e nevojshme për ta pranuar atë dhe për të bashkëvepruar për ardhjen e saj. Ky bashkëveprim me misionin e Krishtit dhe të Shpirtit Shenjt, që tani është misioni i Kishës, është objekti i lutjes së bashkësisë apostolike. Lutja e Palit, që është Apostulli vetë, na tregon se si kujdesi hyjnor për të gjitha Kishat duhet të frymëzojë lutjen e krishterë. Me anë të lutjes, çdo i pagëzuar vepron për ardhjen e Mbretërisë.

2633 Kur bashkëndahet në këtë mënyrë dashuria shpëtimdhënëse e Hyjit, kuptohet se si çdo nevojë mund të bëhet objekt kërkese. Krishti, që ka marrë gjithçka mbi vete, me qëllim që të shëlbojë gjithçka, lavdërohet nga kërkesat që ne i drejtojmë Atit në emrin e tij. Duke u bazuar te kjo siguri, Jakobi dhe Pali na këshillojnë që të lutemi në çdo rrethanë.

3.Lutja e ndërmjetësimit

2634 Ndërmjetësimi është një lutje kërkese që na përtrajtëson nga afër me lutjen e Krishtit. Ai është i vetmi ndërmjetës pranë Atit në të mirë të të gjithë njerëzve, veçanërisht të mëkatarëve. Ai «mund t’i shëlbojë plotësisht ata që nëpër Të i afrohen Hyjit – sepse gjithmonë jeton për të ndërmjetësuar për ta» (Heb 7,25). Vetë Shpirti Shenjt «ndërmjetëson […] sepse ai ndërmjetëson për besimtarët ashtu si do Hyji» (Rom 8,26-27).

2635 Që pas Abrahamit, të ndërmjetësosh dhe të kërkosh diçka për një tjetër, është privilegji i një zemre në sintoni me mëshirën e Hyjit. Në kohën e Kishës, ndërmjetësimi i krishterë merr pjesë në atë të Krishtit: është shprehje e shoqërisë së shenjtërve. Në ndërmjetësim, ai që lutet nuk kërkon vetëm të mirën e vet, «por edhe të mirën e të tjerëve» (Fil 2,4), madje lutet edhe për ata që i kanë bërë keq.

2636 Bashkësitë e para të krishtera e kanë jetuar shumë fort këtë formë bashkëndarjeje. Pali Apostull i bën kështu pjesëmarrëse të shërbesës së tij të Ungjillit, por edhe ndërmjetëson për to. Ndërmjetësimi i të krishterëve nuk njeh kufij: «për të gjithë njerëzit […] për të gjithë ata që janë në pushtet» (1 Tim 2,1-2), për ata që përndjekin, për shpëtimin e atyre që nuk pranojnë Ungjillin.

4.Lutja e falënderimit

2637 Falënderja karakterizon lutjen e Kishës, e cila, duke kremtuar Eukaristinë, tregon dhe bëhet përherë e më tepër ajo çka është. Në realitet, në veprën e shpëtimit, Krishti e çliron krijimin nga mëkati dhe nga vdekja për ta shenjtëruar përsëri dhe për ta bërë të kthehet tek Ati, për lavdinë e tij. Falënderimi i gjymtyrëve të trupit merr pjesë në atë të Kreut të tyre.

2638 Sikurse në lutjen e kërkesës, çdo ngjarje dhe çdo nevojë mund të bëhet shkak falënderimi. Letrat e shën Palit shpesh fillojnë e mbarojnë me një falënderim dhe gjithmonë është i pranishëm Zoti Jezus. «Për gjithçka falënderohuni! Sepse, në lidhje me ju, ky është vullneti i Hyjit në Jezu Krishtin» (1 Sel 5,18). «Rrini zgjuar në lutje duke u falënderuar!» (Kol 4,2).

5.Lutja e lavdërimit

2639 Lavdërimi është forma e lutjes, e cila njeh në mënyrën më të drejtpërdrejtë se Hyji është Hyj! E këndon për atë që është në vetvete, e lavdëron sepse AI ËSHTË, pa marrë parasysh atë që bën. Është një pjesëmarrje në lumninë e zemrave të pastra, që e duan Hyjin në fe përpara se ta shohin në lavdi. Nëpërmjet tij, Shpirti Shenjt bashkohet me shpirtin tonë për të dëshmuar se jemi bij të Hyjit, i bën dëshmi Birit të njëlindur në të cilin jemi birësuar dhe nëpërmjet të cilit lavdërojmë Atin. Lavdërimi plotëson format e tjera të lutjes dhe i çon drejt atij që është burimi dhe caku: «një Hyj, Atin, prej të cilit është krijuar gjithçka e të cilit ne i përkasim» (1 Kor 8,6).

2640 Shën Luka nënvizon shpesh në Ungjillin e vet admirimin dhe lavdërimin përpara veprave të mrekullueshme të kryera nga Krishti; i nënvizon edhe për veprimet e Shpirtit Shenjt që janë në Veprat e Apostujve: jeta e bashkësisë së Jerusalemit, shërimi i të gjymtuarit nga Pjetri dhe Gjoni, galdimi i turmës që lavdëron Hyjin për ngjarjen, gëzimi i paganëve të Pisidisë që lavdërojnë «fjalën e Hyjit» (Vap 13,48).

2641 «Mbushuni me Shpirtin Shenjt. Thoni së bashku psalme, himne e këngë të përshpirtshme! Këndoni e lavdëroni Zotin në zemrat tuaja!» (Ef 5,19). Sikurse shkrimtarët e frymëzuar të Besëlidhjes së Re, bashkësitë e para të krishtera rilexojnë librin e Psalmeve, duke kënduar te to misterin e Krishtit. Në risinë e Shpirtit Shenjt, ato kompozojnë edhe himne dhe këngë, duke u frymëzuar nga vepra e pashembullt që Hyji ka realizuar në Birin e vet: mishërimin e tij, vdekjen e tij ngadhënjimtare mbi vdekjen, ngjalljen e tij dhe ngjitjen e tij në të djathtën e vet. Nga kjo «mahnitje» e tërë Ekonomisë së shpëtimit lartësohet doksologjia, lavdërimi i Hyjit.

2642 Libri i Zbulesës, që flet për gjëra «që do të ndodhin së shpejti», mbështetet në këngët e liturgjisë qiellore, por edhe në ndërmjetësimin e «dëshmitarëve» (martirë). Profetët dhe shenjtërit, të gjithë ata që u vranë mbi tokë për dëshmimin që ata bënë për Krishtin, turma pa mbarim e atyre që, të ardhur nga vuajtje dhe mundime të mëdha, na kanë paraprirë në Mbretëri, këndojnë lavdërimin e lavdisë së atij që rri mbi fron dhe të Qengjit. Në bashkim me ta, edhe Kisha tokësore i këndon këto kantikë në fe dhe në provë. Feja, te lutja e kërkesës dhe lutja e ndërmjetësimit, shpreson kundër çdo shprese dhe falënderon Atin e dritës, nga i cili zbret çdo dhuratë e përsosur. Feja është kështu një lavdërim i kulluar.

2643 Eukaristia përmban dhe shpreh të gjitha format e lutjes: është «blatimi i kulluar» i tërë Trupit të Krishtit për lavdi të emrit të tij. Sipas traditave të Lindjes dhe të Perëndimit, ajo është «flija e lavdit».

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme