13.5 C
Tirana
HomeEditorialForma të reja skllavërie
HomeEditorialForma të reja skllavërie

Forma të reja skllavërie

Nga Mons. George Frendo O.P.

Në mesazhin e tij me rastin e Ditës së Paqes më 1 janar 2015, Papa Françesku mori, si argument për këtë mesazh, temën: “Jo më Skllevër, por Vëllezër”.

Në n. 3 e mesazhit vijon pjesa më interesante, ku Papa Françesku flet për format e ndryshme të skllavërisë. Së pari Papa flet për institucionin e skllavërisë, një institucion shumë i lashtë, dhe që ishte pranuar dhe miratuar në shumë kultura, i rregulluar nga ligji. Ky ligj “caktonte se kush lindte i lirë dhe kush, në të kundërt, lindte skllav, si dhe se në çfarë kushtesh personi, i lindur i lirë, mund ta humbte lirinë e vet, apo ta rifitonte atë”. Natyrisht, një institucion i tillë i kundërshton jo vetëm Shkrimit të Shenjtë, që tregon një dinjitet shumë të veçantë për njeriun, por edhe ligjit natyror, që tregon natyrën e njeriut, i cili nuk mund të çmohet si një objekt pronësie. Dhe çuditërisht institucioni i skllavërisë ka vazhduar të ekzistojë edhe në kohë moderne. Madje zbulimi i kontinentit amerikan e forcoi dhe është përpjekur të justifikojë këtë institucion.

Papa Françesku vëren se “sot, pas një evolucioni pozitiv të ndërgjegjes së njerëzimit, skllavëria, krim i njerëzimit të cenuar, është shfuqizuar formalisht në botë”. Megjithatë Papa vazhdon të ankohet se, mjerisht, edhe sot, “miliona persona – fëmijë, burra e gra të çdo moshe – privohen prej lirisë dhe detyrohen të jetojnë në kushte të ngjashme me ato të skllavërisë”.

Cilat janë këto forma të reja skllavërie? Papa përmend, në vendin e parë, punëtorët, në vende ku “legjislacioni i punës nuk është në përputhje me normat e me standardet minimale ndërkombëtare”, domethënë në ato vende ku nuk janë njohur të drejtat e punëtorëve, e prandaj punëtori nuk është i mbrojtur, dhe më lehtësisht mund të shfrytëzohet. Por edhe në vendet ku legjislacioni e mbron punëtorin, ekzistojnë shumë raste ku të drejtat e tij janë shkelur. Edhe pse ekzistojnë ligje shumë të drejta për t’i mbrojtur punëtorët, megjithatë në praktikë s’ka kontroll mbi rrogën që marrin punëtorët, s’ka kontroll as mbi orët e punës, s’ka kontroll as për shkarkimin nga puna. Teorikisht po, flitet në ligjin për të drejtat e tyre dhe detyrat e punëdhënësve, por në fakt situata është shumë e ndryshme. Shume punëdhënës përfitojnë nga fakti se punëtorët janë të pambrojtur…. përfitojnë nga numri i lartë i papunësisë… punëtori nuk do të protestojë, nga frika se do te shkarkohet, ose nga frika se nuk do të gjejë një punë tjetër. Sa shumë punëtorë të shkretë kënaqen me një rrogë shumë të ulët, vetëm sepse, thonë, ‘më mirë kaq sesa hiq!’

Pastaj Papa flet për kushtet e jetës së shumë migrantëve. Përmend itinerarin e tyre, shumë të rrezikshëm, gjatë të cilit “vuajnë prej urisë, privohen prej lirisë, zhvishen prej të mirave të tyre dhe keqpërdoren fizikisht dhe seksualisht”. Dhe çfarë gjejnë pas këtij udhëtimi aq të tmerrshëm? Shpeshherë mbahen “në kushte çnjerëzore”, “pranojnë të jetojnë e të punojnë në kushte të padenja”. Mund të shtoj edhe përuljet që shumë e shumë herë duhet të përjetojnë, për shkak të paragjykimeve dhe urrejtjes që ekzistojnë në shumë vende kundër migrantëve, që konsiderohen si uzurpues e vendit të destinacionit.

Forma e tretë e skllavërisë për të cilën flet Papa Françesku është e personave që janë “të detyruar të prostituohen, mes të cilëve ka shumë të mitur”, “skllavet e skllevërit seksualë”, “gratë e detyruara të martohen”, gratë “e shitura për martesë” ose “e përçuara në pasardhësi një familjari pas vdekjes së bashkëshortit” ndoshta pa pëlqimin e saj. Edhe pse raste të tilla mund të jenë të rralla në Shqipërinë e sotme, megjithatë ende ekzistojnë.

Shumë raste, veçanërisht në shumë fshatra, kur me martesë vajza bëhet si skllave e familjes së bashkëshortit. Sigurisht, në këto 15 vitet e fundit situata e gruas ka përmirësuar, por mendoj se duhet të angazhohemi më shumë për emancipimin e saj.

Pastaj përmenden personat që janë bërë “objekt i trafikut dhe i tregtisë për eksplantimin e organeve, për t’u rekrutuar si ushtarë, për të lypur, për veprimtaritë e paligjshme sikurse prodhimi apo shitja e substancave narkotike, ose për forma të maskuara të birësimit ndërkombëtar”.

Më në fund Papa përmend viktimat e terroristëve, që grabiten dhe mbahen në robëri si luftëtarë ose, në rast të vajzave dhe grave, si skllave seksuale. “Disa prej tyre zhduken, disa shiten disa herë, torturohen, gjymtohen, apo vriten”. Këtu duhet të përmend ato mbi dyqind vajza nga Chibok në Nigeri të grabitur nga Boko Haram. Asnjë vend nuk ka bërë asnjë protestë kundër terroristëve Boko Haram si është bërë kundër terroristëve në Paris! Asnjë President ose Kryeministër nuk ka derdhur lot për këto vajza ose për viktimat e tjera në Nigeri si kanë derdhur lot për Charlie Hebdo. Asnjë person nuk ka ngritur tabelë me fjalë “Unë jam vajza nga Chibok”, si kanë ngritur tabelë me fjalë “Unë jam Charlie”! Ndoshta sepse Afrika nuk është Evropa, dhe Nigeria nuk është Franca.

Papa përmend korrupsionin si një nga shkaqet skllavërie. Ka njerëz “që janë të gatshëm të bëjnë gjithçka për t’u pasuruar”. Fabrikantët e shumë formave të ndryshme të skllavërisë janë njerëz të pandërgjegjshëm dhe mizorë, personifikimet e shprehjes së Thomas Hobbes-it homo homini lupus – njeriu që bëhet ujk për njeriun. Këtu Papa përmend një parim që është përmendur qindra herë në doktrinën shoqërore të Kishës Katolike: “Në qendrën e çdo sistemi shoqëror apo ekonomik duhet të jetë personi”, dhe jo pasuria.

Kur në korrik 2013, Papa shkoi në ishullin Lampedusa, në atë det që është bërë varrezë për mijëra emigrantë nga Afrika, ai ka përdorur shprehjen “globalizimi i indiferencës”. Bota shikon, por pa marrë masat, pa marrë përsipër përgjegjësi.

Por Papa përmend edhe “punën e pamasë e të heshtur që shumë Kongregata rregulltare, sidomos femërore, çojnë përpara në dobi të viktimash”. Në fakt Kongregatat e Motrave në Shqipëri janë shumë të angazhuara në punë për shpëtimin e shumë grave që në një mënyrë ose tjetër janë viktima të personave pa shpirt. Gjithashtu përmend institucione katolike si Fondacioni Mary Ward Loreto dhe sidomos Caritas Shqiptar me sektorin e antitrafikimit.

Të gjithë njerëzit vullnetmirë që janë dëshmitarë të plagës së skllavërisë bashkëkohore janë të thirrur “të mos bëhen bashkëpunëtorë të kësaj të keqeje” as të mbeten indiferentë, por të bëjnë çmos që t’u jepet viktimave dinjitetin e duhur, për të cilin kanë të drejtë. Dhe citoj fjalët e fundit të mesazhit: “Globalizimi i mospërfilljes, që sot peshon mbi jetët e shumë motrave e shumë vëllezërve, na kërkon të gjithëve ne që të bëhemi nismëtarë të një globalizimi të solidaritetit dhe të vëllazërisë, që mund t’u rihapë atyre shpresë dhe t’i bëjë të rimarrin me guxim ecjen nëpërmjet problemeve të kohës sonë dhe perspektivave të reja që ajo sjell me vete e që Hyji vë në duart tona.”

Na ndiqni

1,210FansLike
513FollowersFollow
170FollowersFollow

Të tjera

Të ngjashme