Filozofi. Kołakowski dhe fati tragjik i një Evrope që harron Krishtin

Teksti i shkurtër “Jezusi. Ese apologjetike dhe skeptike”, që u gjet mes punimeve të filozofit polak.

Teksti i shkurtër “Jezusi. Ese apologjetike dhe skeptike”, që u gjet mes punimeve të filozofit polak.

Nëse Kisha, «merret me çështje të tjera, të cilat nuk janë qëllimet e saj specifike, do të tërheqë domosdoshmërisht ata që duan ta shfrytëzojnë atë për shkaqe shekullare dhe do t’i zmbrapsë ata për të cilët ajo që ka rëndësi mbi të gjitha është Hyji dhe Jezusi; kësisoj ajo do të bëjë brenda vetes një përzgjedhje negative, antikristiane. Ata që kërkojnë Hyjin do të shkojnë për të provuar meditimin transhendental, legjendat orientale, urtinë budiste, shkencat okulte».

I lindur në Radom të Polonisë në vitin 1927 dhe që vdiq në Oksford në vitin 2009, Leszek Kołakowski, fillimisht një komunist i bindur, më pas u angazhua në një vepër rishikimi shumë kritike ndaj marksizmit, gjë që i kushtoi atij përjashtimin nga partia dhe nga universiteti. Pasi u zhvendos jashtë vendit, ai dha mësim në Shtetet e Bashkuara, Kanada dhe, në fund, në Britaninë e Madhe, duke mos pushuar kurrë së shkruari vepra vendosmërisht kundërshtuese ndaj mendimit të Marksit dhe përvojave të socializmit realist. Në të njëjtën kohë Kołakowski tregoi vëmendje të theksuar ndaj çështjes fetare, duke botuar, ndër të tjera, një vepër të gjerë mbi lëvizjet heretike të krishterimit të shekullit të shtatëmbëdhjetë. Kjo vëmendje u konfirmua nga zbulimi, midis punimeve të tij, i tekstit të shkurtër “Jezusi. Një ese apologjetike dhe skeptike”, botuar pas vdekjes së tij në vitin 2014 në revistën “Commentaire” dhe tani propozuar në italisht nga shtëpia botuese Lettere (58 faqe, € 12.90; parathënie nga Giancarlo Gaeta; përkthim dhe pasthënie nga Guglielmo Forni Rosa).

Këndvështrimi me të cilin mendimtari polak i qaset figurës së Jezusit është padyshim origjinal. Atij nuk i interesojnë çështjet historiko-biografike dhe historiko-teologjike që u zhvilluan rreth Nazarenasit, por raporti i tij me qytetërimin evropian. Njëmend, ai shkruan: «A mund të mbijetojë kultura jonë në harresën e Jezusit? A mund të besojmë se, si të eliminohet Jezusi, bota jonë do të shembet? Përse kemi nevojë për Jezusin?». Përgjigja e Kołakowski-t është e prerë: pa Të, mbetet vetëm racionalizmi shkencist ateist, krejtësisht i papajtueshëm me krishterimin, i cili paraqitet si «vetë simboli shpirtëror i qytetërimit më të fuqishëm dhe më kreativ (por jo domosdoshmërisht më të ndritur) të botës».

Për këtë arsye, Kisha ka një detyrë me rëndësi vendimtare: të shpallë dhe të dëshmojë Ungjillin në thelbin e tij. Nëse, përkundrazi, «merret me çështje të tjera, të cilat nuk janë qëllimet e saj specifike, do të tërheqë domosdoshmërisht ata që duan ta shfrytëzojnë atë për shkaqe shekullare dhe do t’i zmbrapsë ata për të cilët ajo që ka rëndësi mbi të gjitha është Hyji dhe Jezusi; kësisoj ajo do të bëjë brenda vetes një përzgjedhje negative, antikristiane. Ata që kërkojnë Hyjin do të shkojnë për të provuar meditimin transhendental, legjendat orientale, urtinë budiste, shkencat okulte». Sado që i shkurtër, teksti i Kołakowski-t është shumë vital dhe plot reflektime që i hapin lexuesit një mori rrugësh për thellime të mëtejshme. Duke dashur të përmbledhim mesazhin qendror, mund të themi se për mendimtarin polak humbja e themelit fetar do të çojë aty ku jeta e shoqërisë bashkëkohore të bëhet e pamundur, pasi nëse feja nuk garanton qëndrueshmërinë e vlerave, ne nuk do të jemi në gjendje të shmangim shpërthimin përfundimtar, atë të parafytyruar nga vdekja niçeane e Hyjit.

Analiza e Kołakowski-t merr tone gjithnjë e më dramatike. Refuzimi i Hyjit nuk i lë asnjë rrugëdalje njeriut: «Pas shekujsh të përhapjes së kulturës iluministe – shkruan ai –, jemi zgjuar papritur në një konfuzion kulturor dhe mendor, të frikësuar para një bote që – kështu duket – po humbiste trashëgiminë e saj fetare. Frika jonë është e përligjur mirë. Mitet e humbura nuk zëvendësohen nga një racionalitet të ndritur, por nga krijesa të tmerrshme shekullare».